12 - Jusuf
Jusuf
Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim
1. Elif, Lam, Ra. Këto janë Vargjet e Librit të Qartë (të Kur’anit i cili i dallon qartë të ligjshmet dhe të paligjshmet, udhërrëfyes me ligje, udhëzim dhe mirësi).
2. Nuk ka dyshim që Ne e zbritëm atë Kur’an arabisht, me qëllim që ju të mund të kuptoni.
3. Ne të sjellim ty (O Muhammed), tregimet më të mira me anë të këtij Kur’ani, ndërsa para kësaj (Shpalljes) ti ishe prej atyre që nuk dinin asgjë për të (për Kur’anin, për tregimet e para etj).
4. (Përkujto) kur Jusufi, i tha babait të tij: “O baba! Vërtet pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje, diellin dhe hënën, i pashë në sexhde për mua.”
5. Ai (Jakubi) i tha: “Biri im! Mos u trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, që të mos thurrin pabesi ndaj teje. Me të vërtetë që shejtani është për njeriun armik i hapur!
6. Kështu Zoti yt do të të zgjedh ty dhe do të të mësojë shpjegimin e ëndrrave dhe do ta përsosë Mëshirën e Tij mbi ty dhe mbi pasardhësit e Jakubit, ashtu siç Ai përsosi atë tek baballarët e tu, te Ibrahimi dhe Is’haku kohë më parë. Padyshim që Zoti yt është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.”
7. Me të vërtetë që te Jusufi dhe te vëllezërit e tij ka Ajete (prova, shenja, tregues) për ata që pyesin.
8. Kur ata (vëllezërit) thanë: “Me të vërtetë që Jusufi dhe vëllai i tij (Beniamini) janë më të dashur se ne për babain, por ne jemi një dorë e mirë (grup i fortë). Vërtet që babai ynë është në gabim të qartë.
9. Vriteni Jusufin ose hidheni në ndonjë vend tjetër, me qëllim që fytyra e babait t’ju kthehet vetëm juve (që mirësia e dashuria e tij të jenë vetëm për ju), ndërsa ju do të jeni njerëz të drejtë pas kësaj (duke u penduar).”
10. Njëri prej tyre tha: “Mos e vrisni Jusufin por, nëse është e domosdoshme të bëni diçka, hidheni në fund të ndonjë pusi e do të merret nga ndonjë karvan udhëtarësh.”
11. Ata i thanë (babait): “O babai ynë! Përse nuk e beson Jusufin me ne, kur nuk ka dyshim se ne jemi dashamirës të tij të çiltër?!
12. Dërgoje atë me ne nesër të kënaqet e të luajë dhe sigurisht që ne do të kujdesemi për të.”
13. Ai (Jakubi) u tha: “Në të vërtetë më brengos ajo që ju të ma largoni atë prej meje. Kam frikë se mos ndonjë ujk do ta përpijë ndërkohë që ju (mund) të jeni të pakujdesshëm ndaj tij.”
14. Ata thanë: “Po të na e marrë ujku duke qenë grup i fortë që ta mbrojmë, atëherë vërtet që jemi të humbur.”
15. Kështu, kur ata e morën atë me vete, të gjithë u pajtuan ta hedhin në fund të pusit, ndërsa Ne i frymëzuam atij: “Vërtet që ti një ditë do t’ua thuash atyre hapur këtë çështje, kur ata nuk (do të) të njohin ty.”
16. Pastaj në mbrëmje u kthyen te babai i tyre duke qarë.
17. Ata i thanë: “O babai ynë! Shkuam të bëjmë gara me njëri-tjetrin dhe e lamë Jusufin me plaçkat tona, kështu që atë e hëngri ujku, por ti nuk do të na besosh neve edhe kur ne flasim të vërtetën.”
18. Dhe i sollën këmishën e tij me gjak të rrejshëm. Ai u tha: “Jo kurrë, por ju vetë keni thurrur ndodhi të pavërtetë, kështu që për mua durimi shkon më mirë dhe vetëm ndihma e Allahut mund të kërkohet kundër kësaj (prove të vështirë) që po pohoni.”
19. Pastaj andej kaloi një karvan udhëtarësh; e dërguan ujëbartësin (që t’ju sjellë ujë) dhe e lëshoi kovën (në pus). Ai thirri: “Oh, shikoni! Ç’sihariq! Një djalosh këtu!” Kështu ata e fshehën atë si mall me vlerë (si skllav). Por Allahu ishte i Gjithëditur për gjithçka që ata bënë.
20. Dhe e shitën për një çmim të ulët, për pak grosh. Sa pak e vlerësuan ata atë!
21. (Ndërsa) ai që e bleu në Egjipt i tha shoqes së vet: “Bëj të rrijë i qetë dhe nderoje, mbase do të na sjellë mirësi ose mund ta adaptojmë si tonin.” Kështu Ne e vendosëm Jusufin në tokë, që Ne të mund t’i mësonim atij shpjegimin e ngjarjeve, dhe Allahu ka Fuqi dhe Kontroll të plotë mbi Çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
22. Dhe kur ai (Jusufi) arriti pjekurinë e u burrërua, Ne i dhamë atij urtësi dhe dije (të Pejgamberisë) dhe kësisoj pra, Ne i shpërblejmë Muhsinunët (mirëpunuesit në rrugën e Allahut).
23. Por ajo, në shtëpinë e së cilës ai jetonte, mendoi ta mashtronte atë (duke bërë me të punë imorale); mbylli dyert dhe i tha: “Eja tash!” Ai (Jusufi) tha: “Mos e thëntë Allahu (Allahu më ruajt)! Vërtet që ai (burri yt), pronari im, ma ka bërë jetesën të mirë (kështu që unë kurrë nuk do ta tradhtoj atë). Nuk ka dyshim se Dhalimunët (keqbërësit, të ligët) kurrë nuk do të jenë të fituar.”
24. E padyshim që ajo e dëshiroi atë dhe ai mund të ishte pajtuar me dëshirën e saj, sikur të mos kishte parë shenjat e Zotit të tij. Ashtu (e bëmë të vendosur) me qëllim që të mund ta largonim atë nga e keqja dhe vepra e ligë (e marrëdhënieve të paligjshme me të). Me të vërtetë që ai ishte një prej të zgjedhurve Tanë, rob i udhëzuar.
25. Kështu ata u përpoqën me njëri-tjetrin deri te dera dhe ajo ia grisi këmishën nga pas shpinës. (Aty) të dy e gjetën fisnikun e saj (të shoqin) tek dera. Ajo tha: “Cili është shpërblimi për atë që pati ndërmend një qëllim të keq kundër bashkëshortes tënde, përveç burgimit ose një dënimi të dhimbshëm?”
26. Ai (Jusufi) foli: “Ishte pikërisht ajo që deshi të më mashtronte mua,” - edhe një dëshmues nga njerëzit e shtëpisë së saj dëshmoi (duke thënë kështu): “Po të jetë se këmisha e tij është grisur nga përpara, atëherë tregimi i saj është i vërtetë dhe ai është gënjeshtar!
27. Por po të jetë se këmisha e tij është e grisur nga prapa, atëherë ajo ka gënjyer dhe ai është që flet të drejtën!”
28. Kështu që kur ai (bashkëshorti i saj) e pa këmishën e tij (të Jusufit) të shqyer nga pas, tha: “Vërtet që ky është një kurth i juaj (grave) dhe vërtet i madh është kurthi juaj.
29. “O Jusuf! Largohu prej kësaj! (O grua!) Kërko falje për gjynahin tënd! Padyshim që ti ishe në gabim.”
30. Ndërsa gratë e qytetit thanë: “E shoqja e El-Azizit po kërkon ta joshë djaloshin e saj (skllav). Vërtet që ajo e do atë si e marrë; me të vërtetë që e shohim në gabim të qartë.”
31. Kështu, kur ajo dëgjoi për ligësitë e akuzat e tyre, u dërgoi ftesë dhe përgatiti për to darkë. U dha nga një thikë dhe i foli (Jusufit): “Dilu përpara atyre.” Pastaj kur ato e panë atë, e lëvdëruan fort (bukurinë e tij) dhe (në habinë e tyre) prenë duart. Ato thanë: “Sa i përkryer është Allahu! (Allahu na ruajtë!) Ky s’është njeri! Ky është veçse melek madhështor!”
32. Ajo tha: “Ky është ai (djaloshi) për të cilin ju më fajësuat (për dashurinë ndaj tij) dhe unë vërtet që u mundova ta josh atë, por ai nuk pranoi. Dhe tash, nëse nuk pranon t’i bindet urdhërit tim, padyshim që do të hidhet në burg dhe do të jetë prej të poshtëruarve.”
33. Ai tha: “Zoti im! Burgu është më i pëlqyer për mua se sa ajo drejt së cilës ato më ftojnë. Nëse Ti nuk e largon kurthin e tyre prej meje, unë do të ndjehem i dhënë pas tyre dhe do të jem (prej atyre që gabojnë e bëjnë gjynahe) prej të paditurve.”
34. Kështu Zoti i tij iu përgjigj lutjes së tij dhe Ai e largoi prej tij përbetimin e tyre. Me të vërtetë që Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.
35. Pastaj, u erdhi në mend, mbasi panë provat (e pafajsisë së Jusufit), që ta burgosin për një farë kohe.
36. Pastaj me të hyrën në burg edhe dy djelmosha. Njëri prej tyre tha: “E pashë veten (në ëndërr) duke shtrydhur verë.” Tjetri tha: “E pashë veten (në ëndërr) duke mbajtur bukë në kokë nga e cila hanin zogjët.” (I thanë Jusufit ata të dy): “Na trego komentimin e kësaj, sepse vërtet që të shohim ty prej Muhsinunëve (punëmirë e të përkushtuar në Rrugën e Allahut).”
37. Ai u tha: “Nuk ju vjen juve ndonjë ushqim me të cilin ushqeheni, e që unë të mos di t’ju përshkruajë atë para se t’ju vijë. Kjo është nga çfarë më ka mësuar Zoti im. Me të vërtetë që e kam flakur tej fenë e popullit që nuk beson në Allahun dhe që janë mosbesimtarë, mohues të Jetës së Përtejme.
38. Dhe kam ndjekur fenë e të parëve të mi, - të Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit dhe ne kurrë nuk mund t’i përshkruajmë shok Allahut. Kjo është nga Mirësia e Allahut ndaj nesh dhe ndaj njerëzimit, por shumica e njerëzve nuk falënderojnë.
39. O shokët e mi të burgut! A janë më mirë shumë perëndi të ndryshme apo Allahu, Një, i Vetmi, i Papërballueshmi, më i Larti?
40. Ju nuk adhuroni përveç Tij, veçse se emra të cilët ju i keni shpikur, ju dhe baballarët tuaj për të cilët Allahu nuk ka dërguar asnjë provë e mbështetje. Urdhëri e gjykimi nuk është për kënd tjetër, përveç Allahut. Ai ka urdhëruar që ju të mos adhuroni tjetër veçse Atë, kjo është feja e drejtë dhe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
41. O shokë të burgut! Sa për të parin, ai (si shërbëtor) do të derdhë verë për padronin e tij për të pirë; ndërsa për tjetrin, ai do të kryqëzohet dhe zogjtë do të ushqehen nga koka e tij. Kështu gjykohet çështja për të cilën ju pyetët.”
42. Ndërsa atij për të cilin e dinte se do të shpëtonte i tha: “Më përmend mua te padroni yt (që të më nxjerr nga burgu).” Por shejtani e bëri atë të harrojë që ta përmend çështjen te padroni i vet (ose shejtani bëri që Jusufi të harrojë të përkujtojë Zotin e tij, Allahun, për të kërkuar ndihmën e Tij në vend të të tjerëve), kështu që (Jusufi) mbeti në burg edhe ca vite të tjera.
43. Kurse mbreti (i Egjiptit) tregoi: “Me të vërtetë që kam parë (në ëndërr) shtatë lopë të shëndosha të cilat shtatë (lopë) të dobëta po i hanin - dhe shtatë kallinj gruri të njomë dhe (shtatë) të tjerë të tharë. O njerëz të shquar! Ma shpjegoni ëndrrën time, nëse jeni që i shpjegoni ëndrrat.”
44. Ata i thanë: “Ëndrra të përziera dhe ne nuk jemi të ditur për shpjegimin e tyre.”
45. Pastaj ai që ishte liruar (nga dy të burgosurit që ishin me Jusufin) u kujtua më në fund dhe tha: “Do t’jua tregoj unë shpjegimin e saj, prandaj më dërgoni mua.”
46. (E dërguan te burgu, e ai i tha): “O Jusuf, njeriu i së vërtetës! Na shpjego neve (ëndrrën) për shtatë lopë të shëndosha të cilat i hanë shtatë të tjera të dobëta, dhe për shtatë kallinj gruri të njomë si dhe për (shtatë) të tjerë të thatë, që të mund të kthehem te populli (me përgjigje), ashtu që ata të kuptojnë.”
47. (Jusufi) tha: “Për shtatë vjet rrjesht do të mbillni si zakonisht dhe prodhimin e korrur do ta lini në kallinj (ta ruani), përveç një pjese nga e cila do të hani.
48. Pastaj, do të vijnë pas kësaj shtatë vite (të vështirë) të cilët do të gllabërojnë gjithë ç’keni lënë mënjanë që më parë për këto vite, përveç një pakice të asaj që e keni ruajtur.
49. Pastaj do të vijë mbas kësaj një vit në të cilin do të ketë për njerëzit shi të bollshëm në të cilin do të shtrydhin (rrush e vaj).”
50. Kështu mbreti tha: “Silleni këtu.” Por kur shkoi lajmëtari tek ai, (Jusufi) i tha: “Kthehu te padroni yt dhe pyete se ç’u ndodhi grave të cilat prenë duart e tyre. Vërtet që Zoti im (Allahu) është në Dijeni të plotë për kurthin e tyre.”
51. (Mbreti) u tha (grave): “Si ishte puna juaj, kur ju padyshim që u munduat ta kandisni Jusufin?” Gratë thanë: “Allahu na ruajt! Asnjë të keqe nuk dimë ne për të!” E shoqja e El-Azizit foli: “Tash doli në shesh e vërteta: isha unë që u mundova ta josh atë, ndërsa ai padyshim që është prej njerëzve besnikë e të vërtetë.”
52. “Këtë (e bëra tha Jusufi) për ta ditur ai (El-Azizi) se unë nuk e kam tradhëtuar atë kurrë, qoftë edhe në fshehtësi.” Dhe s’ka dyshim se Allahu nuk drejton kurthin e mashtruesve.
Pjesa 13
53. Edhe unë nuk e shfajësoj veten time. Padyshim që uni (nefsi njerëzor) është i prirur drejt së keqes, përveç kur Zoti derdh Mëshirën e Tij (mbi atë që Ai do). Me të vërtetë që Zoti im është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.”
54. E mbreti foli: “Ma sillni ta mbaj pranë meje.” Pastaj kur ai i foli atij (Jusufit) i tha, “Vërtet që këtë ditë ti je lart në radhët tona dhe plotësisht i besuar.”
55. (Jusufi) i tha: “Më lejo mua të kujdesem për hambarët e drithit të vendit. Vërtet që do të jem ruajtës i përkushtuar dhe i mençur.”
56. Kështu, ishim Ne që i dhamë fuqi Jusufit në tokë për të marrë sundimin atje kurdo e nga të dojë. Ne derdhim nga Mëshira Jonë mbi atë që Ne dëshirojmë dhe Ne nuk e lëmë të humbë aspak shpërblimi i Muhsinunëve (mirëpunuesve në Rrugë të Allahut).
57. Por padyshim se shpërblimi i Botës së Përtejme është më i miri për ata që besojnë dhe e kanë gjithnjë frikë Allahun (duke plotësuar detyrimet ndaj Tij, duke u larguar nga gjynahet dhe të këqijat dhe duke kryer të gjitha punët e veprat e mira për Hir të Tij).
58. Erdhën pastaj vëllezërit e Jusufit dhe hynë tek ai. Ai i njohu ata, ndërsa ata nuk e njohën dot atë.
59. Dhe kur ai i furnizoi ata me bereqet (sipas nevojave të tyre) u tha: “Më sillni një vëlla tuajin nga i njëjti baba me ju (por me nënë tjetër dhe me këtë nënkuptonte Beniaminin). A nuk e shihni se ju jap masë të plotë dhe jam mikëpritësi më i mirë?
60. Por nëse ju nuk ma sillni atë mua, nuk do të merrni asnjë masë (gruri) prej meje dhe madje nuk do të më afroheni mua.”
61. Ata i thanë: “Ne do të mundohemi të marrim leje për të nga babai i tij dhe padyshim që do ta bëjmë këtë (që na kërkon).”
62. Dhe (Jusufi) u tha punëtorëve të tij t’i vinin paratë e tyre (me të cilat vëllezërit e tij e kishin blerë drithin) në torbat e tyre, me qëllim që ata të merrnin vesh vetëm kur të shkonin te familja e tyre dhe mbase do të ktheheshin prapë.
63. Kështu kur ata shkuan te babai i tyre i thanë atij: “O babai ynë! Nuk marrim më dot aspak drith (nëse nuk e marrim vëllain tonë me vete). Kështu dërgoje vëllain tonë me ne që të mund të marrim masën tonë dhe patjetër që ne do të tregojmë çdo kujdes për të.”
64. Ai u tha: “A t’ju besoj për këtë sikur ju besova më parë për vëllain e tij (Jusufin)? Por Allahu është Ruajtësi më i Mirë dhe Ai është më Mëshirëplotë se çdo mëshirues.”
65. Ndërsa kur i hapën thasët, gjetën paratë e kthyera prapë. Ata thanë: “O babai ynë! E ç’duam më tepër? Këto paratë tona janë kthyer prapë, kështu që ne mund të sigurojmë më tepër ushqim për familjen tonë dhe do të shtojmë edhe një barrë deveje më tepër (me drithë). Kjo është sasi e vogël (për mbretin që të na e japë).”
66. (Babai i tyre, Jakubi) u tha: “Nuk do ta dërgoj atë me ju derisa ju të betoheni me vendosmëri në Emër të Allahut se do të ma sillni prapë patjetër, përjashtuar nëse ju vetë rrethoheni (dhe bëheni të pafuqishëm përballë armikut).” Kështu, kur ata e bënë betimin të vendosur, ai tha: “Allahu është Gjithëvëzhgues përmbi gjithë ato që ne kemi thënë.”
67. Më pas ai foli: “O bijtë e mi! Mos hyni (në qytet) nga një portë, por hyni nëpër porta të ndryshme. Jo se unë mund t’ju sjell juve ndonjë përfitim përkundër Allahut (Përcaktimit të Tij): Vërtet që gjykimi është vetëm i Allahut; tek Ai unë e kam lidhur besimin dhe ata që kërkojnë mbështetje, le të mbështeten vetëm tek Ai.”
68. Dhe kur hynë (në qytet) sipas porosisë së babait të tyre, nuk u vlejti aspak (këshilla e babait të tyre) përkundër (Dëshirës së) Allahut. Ajo ishte vetëm një nevojë e shpirtit të Jakubit të cilën ai e shkarkoi, sepse ai ishte i vërtet i brumosur me dije sipas Udhëzimeve Tona, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
69. Dhe ndërsa ata hynë përsëri te Jusufi, ai e mori vëllain e tij (Biniaminin) pranë vetes dhe i tha: “Unë jam padyshim vëllai yt, kështu që mos u pikëllo për atë që ata vepruan.”
70. Kështu pasi (Jusufi) i furnizoi ata me drithë, ai e futi kupën (prej ari) në torbën e vëllait të vet. Pastaj një thirrës ngriti zërin: “O ju në këtë karvan! Vërtet që qenkeni vjedhës!”
71. Ata duke u kthyer pas, thanë: “Çfarë keni humbur?”
72. Ata u përgjigjën: “Kemi humbur kupën e mbretit (të artë) e kush e sjell atë, ka shpërblim një barrë deveje dhe unë jamë garantues për këtë.”
73. Ata (vëllezërit e Jusufit) thanë: “Për Allahun! Nuk ka dyshim dhe ju e dini se ne nuk erdhëm për të bërë pabesi në tokë dhe nuk jemi aspak vjedhës!”
74. Ata (njerëzit e Jusufit) thanë: “Cili është atëherë dënimi i atij nëse (vërtetohet që) ju jeni gënjeshtarë?”
75. Ata (vëllezërit e Jusufit) thanë: “Dënimi duhet të jetë që ai, në torbën e të cilit do të gjindet ajo (kupa) duhet të mbahet për ndëshkim. Kështu i ndëshkojmë ne keqbërësit!”
76. Kështu ai (Jusufi) filloi të kërkojë në thasët e tyre para thasëve të vëllait të vet, pastaj e nxori nga thesi i tij. Kështu Ne parapërgatitëm për Jusufin: Ai nuk mund ta merrte vëllain e tij sipas ligjit të mbretit, veçse Allahu e dëshiroi atë. (Kështu që Allahu bëri që vëllezërit të detyrohen vetë me rrugën e tyre “të ndëshkimit, për skllavërimin e vjedhësit”). Ne ngrisim lartë në grada kë Ne dëshirojmë, por përmbi të gjithë ata që janë të pajisur me dije, është Një i Gjithëdituri (Allahu).
77. Ata (vëllezërit) thanë: “Në pastë vjedhur ky, ka qenë edhe një vëlla i tij (Jusufi) që ka vjedhur më përpara.” Por këto gjëra sigurisht që Jusufi i mbajti në vetvete, duke mos ua shfaqur atyre të fshehtat. Tha me vete: “Ju jeni në gjendje më të vështirë dhe Allahu e di më mirë të vërtetën nga ajo që pohoni ju!”
78. I thanë: “O sunduesi i lartë i vendit! Në të vërtetë ai ka një baba fisnik e të thyer (i cili do të pikëllohet për të), kështu që merr një nga ne në vend të tij. Vërtet që ne të mendojë ty prej Muhsinunëve (atyre që bëjnë mirë).”
79. Ai u tha: “Mos e thëntë Allahu që ne të marrim tjetërkënd në vend të atij të cilit ne i gjetëm mallin tonë. Nuk ka dyshim se (po vepruam kështu) do të ishim prej Dhalimunëve (të padrejtë, keqbërës).”
80. Kështu kur ata humbën çdo shpresë (për ta shpëtuar), ata gjykuan mes veti. Më i madhi prej tyre tha: “A nuk e dini se babai juaj mori besën tuaj në Emër të Allahut dhe se para kësaj ju dështuat në detyrën tuaj ndaj Jusufit? Kësisoj, unë nuk do të iki nga ky vend derisa të më lejojë babai im ose derisa Allahu të gjykojë çështjen time (duke liruar Beniaminin) dhe Ai është më i Miri i gjykuesve.
81. Kthehuni te babai juaj dhe thuani: ‘O babai ynë! Me të vërtetë që biri yt (Beniamini) ka vjedhur dhe ne nuk dëshmojmë, veçse sipas asaj që ne dimë dhe se ne nuk mund të mbrohemi e nuk mund ta dimë Gajbin (të fshehtën)!
82. Pyet edhe (njerëzit në) qytetin ku ishim ne dhe karvanin me të cilin ne u kthyem dhe (do ta shohësh) me të vërtetë që ne po tregojmë të vërtetën’.”
83. (Jakubi) tha: “Jo, por ju vetë keni trilluar e jeni futur në diçka, kështu që durimi është më i mirë për mua. Mbase Allahu do të m’i kthejë të gjithë prapë. Nuk ka dyshim që Ai, vetëm Ai është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.”
84. Dhe e ktheu shpinën e tha: “Medet! Sa dhimbje e madhe për Jusufin!” dhe humbi shikimin nga dhimbja që po e mposhte dhe ra në agoni.
85. Ata i thanë: “Për Allahun! Ti kurrë nuk do të pushosh së përmenduri Jusufin, derisa të dobësohesh nga mosha ose do të vdesësh i tretur.”
86. Ai u tha: “Unë vetëm Allahut ia drejtoj ankesën time për pikëllimin dhe dhimbjen dhe unë di nga Allahu atë që ju nuk e dini.
87. O bijtë e mi! Shkoni e kërkoni për Jusufin dhe vëllain e tij dhe kurrë mos e humbni shpresën për Mëshirën e Allahut. Vërtet, askush nuk humb shpresat për Mëshirën e Allahut përveç popullit Kafir (mohues e që nuk beson).”
88. Më pas kur hynë tek ai (Jusufi), i thanë: “O sundues i lartë i vendit! Një kohë e vështirë (varfëri) na ka goditur ne dhe familjen tonë dhe kemi sjellë vetëm fare pak para, kështu që na jep barrë të plotë dhe ji mirëbërës ndaj nesh. Vërtet që Allahu i shpërblen bamirësit.”
89. Ai u tha: “A e dini se ç’bëtë me Jusufin dhe vëllain e tij kur ishit në errësirën e padijes (injorantë)?”
90. Ata i thanë: “A vërtet ti je Jusufi!?” Ai u tha: “Unë jam Jusufi dhe ky është vëllai im (Beniamini). Padyshim që Allahu ka qenë shumë i mëshirshëm ndaj nesh. Padyshim se ai i cili e ka frikë Allahun me bindje ndaj Tij dhe është i duruar, atëherë Allahu nuk e humb shpërblimin për Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut).”
91. Ata thanë: “Për Allahun! Me të vërtetë që Allahu ju ka parapëlqyer ju mbi ne dhe ne sigurisht që kemi qenë gjynahqarë.”
92. Ai u tha: “Asnjë qortim për ju këtë ditë, Allahu ju fali dhe Ai është më Mëshirëploti se çdo mëshirues!
93. Shkoni me këtë këmishën time dhe kalojeni mbi fytyrën e babait tim, atij do t’i kthehet shikimi, pastaj më sillni gjithë familjen tuaj.”
94. Ndërsa kur karavani u largua (nga Egjipti), babai i tyre tha: “Vërtet që e ndiej erën e Jusufit, vetëm se mos më konsideroni të matufosur.”
95. Ata rreth tij i thanë: “Për Allahun! Vërtet që ti je në mendjen tënde të vjetër e të shastisur.”
96. Pastaj, kur erdhi bartësi i lajmit të gëzuar, ia hodhi (këmishën) mbi fytyrë dhe atij iu kthye drita e syve. Ai (Jakubi) tha: “A nuk ju thashë se unë vërtet di nga Allahu atë që ju nuk e dini?”
97. Ata i thanë: “O babai ynë! Kërko Falje (nga Allahu) për gjynahet tona, vërtet që ishim gjynahqarë.”
98. Ai u tha: “Unë do t’i kërkoj Zotit tim falje për ju: Vërtet Ai, vetëm Ai është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.”
99. Pastaj, kur hynë te Jusufi, ai i mori prindërit e tij pranë vetes dhe tha: “Hyni në Egjipt të sigurtë, nëse dëshiron Allahu.”
100. Dhe (Jusufi) i ngriti prindërit e tij lart në fron, e ata ranë para tij në sexhde (me fytyrë përtokë me nderim), ndërsa ai tha: “O babai im! Ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme! Zoti im e bëri atë të vërtetë! Vërtet që Ai ishte mjaft i Mirë me mua, kur Ai më nxorri nga burgu, ndërsa juve ju nxorri nga jeta e shkretëtirës dhe ju solli të gjithëve këtu, mbasi shejtani kishte mbjellë armiqësi mes meje dhe vëllezërve të mi. Vërtet që Zoti im është më Bujari dhe më i Dashuri me kë do Ai. Nuk ka dyshim se Ai, Vetëm Ai është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.
101. Zoti im! Ti vërtet që ke derdhur mbi mua nga fuqia e sundimit dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave; Ti (i Vetmi) Krijues i qiejve dhe i tokës! Ti je Veli (Mbrojtës, Ndihmues, Ruajtës) për mua në dynja dhe në Jetën e Përtejme! Më bëj mua që të vdes Musliman (si një i nënshtruar Vullnetit Tënd) dhe më bashko me të drejtët.”
102. Kjo është nga njoftimet e Gajbit (e së fshehtës së kohës së kaluar) të cilën Ne ta sjellim ty (O Muhammed) me Shpallje Hyjnore. Ti nuk ke qenë i pranishëm me ta kur ata u mblodhën bashkë, e bënë planin dhe thurën komplotin.
103. Dhe prapë shumica e njerëzve nuk do të besojnë, edhe sikur ti ta lakmosh këtë (që njerëzit të besojnë).
104. Dhe ti nuk u kërkon asnjë shpërblim (atyre që nuk pranojnë qenien tënde Pejgamber) për këtë (që të besojnë). Ai (Kur’ani) nuk është tjetër veçse përkujtues dhe këshillë për gjithë Alemin (gjithë njerëzit, xhindet dhe gjithë krijesat).
105. Dhe sa shumë shenja treguese në qiej dhe në tokë lënë të kalojnë (e s’ua vënë mendjen)? Prapëseprapë ata janë braktisës e të padëshiruar për to.
106. Dhe shumica e tyre nuk e besojnë Allahun, veçse duke i bashkuar Atij shokë e ortakë si të barabartë me Të.
107. A ndjehen atëherë të sigurt ata nga mbulesa e Ndëshkimit të Allahut që do t’ju vijë atyre, apo nga ardhja kundër tyre e Çastit të Fundit krejt papritur, ndërsa të mos e marrin vesh?
108. Thuaj (O Muhammed): “Kjo është Udha ime; unë ju ftoj drejt Allahut (Njësimit të Tij) me dije të sigurt, unë dhe kushdo që më ndjek mua (duhet të ftojnë në Islam). Lavdi i qoftë Allahut dhe unë nuk jam prej mushrikëve (politeistë, paganë, idhujtarë ose çdo fe tjetër që mohon Njësinë e Allahut ose adhuron të tjerë përkrah e në vend të Allahut).”
109. Dhe Ne as që kemi dërguar para teje (të Dërguar), përveçse burra nga gjiri i banorëve të tokës, të cilët Ne i frymëzuam (me Shpallje Hyjnore). A nuk udhëtojnë ata (mosbesimtarët) nëpër botë dhe a nuk shohin si ka qenë fundi i atyre mosbesimtarëve para tyre? Por Shtëpia e Botës së Përtejme është më e mira për ata të cilët e kanë frikë Allahun. A nuk kuptoni pra?
110. (Popujve të shkatërruar u shtyhej afati) deri kur të Dërguarit humbnin çdo shpresë për popullin e tyre dhe mendonin se ishin të mohuar, atëherë tek ata vinte Ndihma Jonë dhe kushdo që dëshironim Ne, shpëtohej. Dhe Ndëshkimi Ynë nuk mund të shmanget nga populli Muxhrim (kriminel, kryeneç, që nuk i bindet Allahut).
111. Vërtet që në ndodhitë e tyre (të Dërguarve) ka mësim për njerëzit me mend. Ai (Kur’ani) nuk është përrallë e trilluar, por pohim dhe përforcim i Librave të Parë të Allahut dhe shtjellim i imët i gjithçkaje si dhe udhëzues e përkujtim Mëshire për popullin besimtar.