78 - Nebe’
Nebe’ - Lajmi i madh
Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim
Pjesa 30
1. Për çfarë po pyesin njëri-tjetrin?
2. Për lajmin e madh (për Besimin Islam, për Kur’anin, për Ditën e Kijametit etj).
3. Për të cilin ata janë në mosmarrëveshje.
4. Jo, kurrë ata nuk do ta mësojnë!
5. Përsëri jo, kurrë ata nuk do ta mësojnë!
6. A nuk e kemi bërë Ne tokën si shtrojë (të përshtatshme),
7. Dhe malet si shtylla mbështetëse?
8. Dhe Ne ju kemi krijuar në palë (çift, mashkuj dhe femra).
9. Dhe Ne jua kemi bërë gjumin për pushim.
10. Dhe Ne jua kemi bërë natën si mbulesë,
11. Dhe Ne jua kemi bërë ditën për gjallëri (për të fituar jetesën).
12. Dhe Ne kemi ndërtuar përmbi ju një shtatëshe (qiej) të fortë,
13. Dhe Ne kemi bërë atje një llambë të shndritshme (diellin).
14. Dhe Ne kemi derdhur nga retë ujë të mjaftueshëm.
15. Që Ne të mund të prodhojmë me anë të tij drithëra dhe bimësi -
16. Dhe kopshte të begatë.
17. Me të vërtetë, Dita e Vendimit (ndarjes së banorëve të Xhennetit dhe të Xhehenemit) është kohë e përcaktuar që më parë.
18. Dita kur do t’i fryhet Surit dhe ju do të paraqiteni tufë-tufë. (Tefsir At-Tabari).
19. Dhe qielli do të hapet dhe do të bëhet si të ishte me porta,
20. Dhe malet do të shkulen nga vendi dhe do të duken si të kishin qenë vegim.
21. Me të vërtetë që Xhehenemi është pritë -
22. Vendbanimi i përcaktuar për Tagunët (ata që kalojnë kufijtë e përcaktuar nga Allahu si politeistët, mohuesit e Njësisë së Allahut, hipokritët, mëkatarët, kriminelët),
23. Ata do të banojnë atje përgjithmonë.
24. Asgjë të freskët nuk do të shijojnë atje, as edhe pije,
25. Përveç ujë që vlon dhe kullimin e plagëve të qelbura,
26. Një shpërblim plotësisht i merituar.
27. (Sepse) me të vërtetë ata as që mendonin për një dhënie llogarie.
28. Por ata i përgënjeshtruan me paturpësi plotësisht të gjitha Ajetet Tona (provat, dëshmitë, shpalljet dhe çfarë u solli i Dërguari Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).
29. Dhe Ne gjithçka e kemi shënuar në Libër.
30. Shijoni pra, (përfundimet e veprave tuaja të poshtra) dhe Ne nuk do t’ju shtojmë tjetër veçse ndëshkim.
31. Vërtet që për Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) do të jetë ngadhënjim (Xhenneti);
32. Kopshte dhe vreshta,
33. Dhe vasha të njoma, të dëlira, të një moshe,
34. Dhe një kupë plot (me pije të kulluar).
35. Asnjë Laghua (fjalë të liga, të rreme, të ulëta, fjalë të kota) nuk do të dëgjojnë atje, as edhe gënjeshtër;
36. Një shpërblim nga Zoti yt, dhuratë e peshuar saktë dhe e merituar (sipas veprave të tyre më të mira),
37. (Nga) Zoti i qiejve dhe i tokës dhe i gjithçkaje që gjindet mes tyre, i Gjithëmëshirshmi. Askush nuk mund të guxojë të flasë (me Të Ditën e Llogarisë, veçse pas Lejes së Tij).
38. Ditën kur Er-Ruhu (Meleku Xhibril) dhe melekët e tjerë do të paraqiten në rreshta; askush nuk do të flasë, përveç atij që i Gjithëmëshirshmi (Allahu) do ta lejojë dhe ai do të flasë të drejtën.
39. Ajo është sigurisht Dita e së Vërtetës. Kështu pra, kush të dojë, le të përpiqet të kërkojë e të gjejë vend (rrugë) për te Zoti i tij (duke iu nënshtruar Atij dhe duke ndjekur Rrugën e Tij)!
40. Vërtet që Ne ju kemi paralajmëruar për një dënim të afërt, Ditën kur njeriu do të shohë ato (punët) të cilat i kanë çuar që më parë duart e tij dhe (atë Ditë) mohuesi do të thotë: “Mjerë unë! Ah, sikur të kisha qenë dhe!”