KUR’AN-i
Shqip – Albanian

43 - Ez Zukhruf



Ez Zukhruf - Stolitë e arit

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ha, Mim.

2. (Betohem) për Librin e Qartë (Kur’anin që qartëson çdo gjë)!

3. Me të vërtetë, Ne e bëmë atë Kur’an në Arabisht që të keni mundësi ta kuptoni.

4. Dhe me të vërtetë, ai (Kur’ani) është në Nënën e Librit (El-Leuh El-Mahfudh) para Nesh, vërtet i Lartësuar, gjithë Urtësi.

5. A (të mos ju këshillojmë e) ta tërheqim Ne Përkujtuesin (Kur’anin) nga ju, sepse jeni popull Musrifun (që kaloni çdo kufi, i shfrenuar)?

6. E sa Pejgamberë kemi dërguar Ne ndër popujt e parë?

7. Dhe nuk erdhi Pejgamber tek ata e që të mos talleshin me të.

8. Pastaj Ne shkatërruam njerëz më të fuqishëm se sa këta, - dhe shembulli i të parëve ka kaluar (para tyre).

9. Dhe me të vërtetë, po t’i pyesësh: “Kush i ka krijuar qiejt dhe tokën?” Me siguri që do të thonë: “I Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri i krijoi ato.”

10. (Ai është) i Cili e ka bërë tokën për ju si shtrat dhe ka bërë për ju rrugë në të, me qëllim që të drejtoheni në të.

11. Dhe i Cili zbret ujë nga qielli me masë të duhur. Pastaj Ne rigjallërojmë me anë të tij tokë të vdekur dhe tamam kështu do të nxirreni edhe ju (të gjallë).

12. Dhe i Cili ka krijuar të gjitha çiftet dhe ka sjellë për ju anije dhe bagëti mbi të cilat udhëtoni;

13. Me qëllim që ju të hipni në to të sigurt dhe pastaj, që të mund të përkujtoni Mirësinë e Zotit tuaj kur të hipni në to dhe të thoni: “Lavdi i qoftë Atij i Cili e ka nënshtruar këtë për ne dhe ne kurrë nuk do të mund ta kishim atë (nën pushtet me përpjekjet tona).

14. Dhe me të vërtetë që te Zoti ynë me siguri do të kthehemi!”

15. Prapëseprapë, ata iu mveshin disa robëve të Tij pjesë me Të (duke shpifur kinse Ai ka fëmijë dhe i quajnë ata si të barabartë me Të, në adhurim me Të). Vërtet që njeriu është në mosmarrëveshje të qartë!

16. Apo mos ka marrë Ai për Vete bija nga çfarë Ai ka krijuar dhe për ju Ai paska zgjedhur bijtë?

17. Dhe nëse ndonjërit prej tyre i jepet lajmi i saj (i lindjes) të cilën ai e ka bërë si të barabartë me të Gjithëmëshirshmin (Allah) (d.m.th., lajmin për lindjen e një vajze), bëhet i zymtë, i nxihet fytyra dhe mbushet me pikëllim të thellë!

18. (A duan ata për Allahun) një krijesë e cila rritet në zbukurime (duke veshur mëndafsh e stoli ari, d.m.th. femra) dhe e cila në ndonjë mosmarrëveshje nuk mund ta mbulojë vetveten, edhe po të jetë e pastër?

19. Dhe ata i bëjnë melekët të cilët vetë janë robët e të Gjithëmëshirshmit (Allah), femra. A mos dëshmuan (e qenë të pranishëm në) krijimin e tyre? Dëshmia e tyre do të shënohet dhe do të pyeten!

20. Dhe thonë: “Po të kishte dashur i Gjithëmëshirshmi (Allahu), ne nuk do t’i kishim adhuruar ata (as idhujt e as melaiket).” Ata nuk kanë për këtë asnjë dije. Ata s’bëjnë asgjë, vetëm se gënjejnë.”

21. Apo mos u kemi dhënë atyre ndonjë Libër para këtij (Kur’anit) pas të cilit ata mbahen fort?

22. Përkundrazi! Ata thonë: “Ne gjetëm baballarët tanë të ndjekin një farë rruge e një lloj feje dhe ne e udhëzojmë veten pas gjurmëve të tyre.”

23. Dhe po kështu, Ne nuk dërguam ndonjë këshillues para teje (O Muhammed) në ndonjë vendbanim, por veçse gjithnjë ata të pasurit nga mesi i tij do të thoshin: “Ne gjetëm baballarët tanë të ndjekin një farë rruge e një lloj feje dhe sigurisht që ne do të ndjekim gjurmët e tyre.”

24. (Këshilluesi u) tha: “Edhe nëse unë ju sjell udhëzim më të mirë se sa ai që gjetët ta ndjekin baballarët tuaj?” Ata i thanë: “Në të vërtetë ne nuk besojmë në atë me të cilën ti je dërguar.”

25. Kështu Ne morëm hak mbi ta dhe shiko pra se si qe fundi i atyre që mohuan.

26. Dhe (kujto) kur Ibrahimi i tha babait të tij dhe popullit të tij: “Me të vërtetë që unë jam i pafajshëm nga çfarë ju adhuroni,

27. Në vend të Atij i Cili më krijoi mua dhe padyshim që Ai do të më udhëzojë mua.”

28. Dhe ai (Ibrahimi) e bëri atë (Fjalën La ilahe il-la Allah - nuk ka tjetër të adhuruar të merituar përveç Allahut Një e të Vetëm) Fjalë të jetonte ndër pasardhësit e tij, që ata të mund të riktheheshin (me pendim tek Allahu ose të merrnin mësim).

29. Por, përkundrazi Unë u dhashë (mirësitë e kësaj jete) këtyre (politeistëve) dhe baballarëve të tyre që t’i shijonin, derisa erdhi e vërteta (Kur’ani, Islami) tek ata dhe një i Dërguar i qartë (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që i qartëson çështjet.

30. Dhe kur u erdhi e vërteta (Kur’ani), ata (mohuesit) thanë: “Kjo është magji dhe sigurisht që nuk besojmë në të.”

31. Dhe thanë: “Pse ky Kur’an nuk është zbritur te ndonjë burrë i shquar i këtyre dy qyteteve (Mekës dhe Taifit)?”

32. A janë ata të cilët përcaktojnë e ndajnë Mëshirën e Zotit tënd? Jemi Ne që përcaktojmë e ndajmë mes tyre jetesën e tyre në këtë botë dhe Ne i ngritëm disa prej tyre mbi të tjerë në rang të shoqërisë me qëllim që ata të marrin të tjerë në punët e tyre. Por Mëshira e Zotit tënd është më e mirë se ajo (pasuri) të cilën ata e grumbullojnë pa masë.

33. Dhe po të mos ishte që gjithë njerëzimi të bëhej një komb i vetëm (të gjithë mosbesimtarë që të dëshironin vetëm jetë dynjaje), Ne do të kishim dhuruar për ata që nuk besojnë të Gjithëmëshirshmin (Allah), çati argjendi për shtëpitë e tyre dhe shkallë (po nga argjendi) për t’u ngjitur,

34. Dhe për shtëpitë e tyre dyer (argjendi) dhe frone (argjendi) ku mund të rehatoheshin,

35. Dhe stoli ari. Prapëseprapë e gjithë kjo, nuk do të kishte qenë asgjë përveç se një kënaqësi e kësaj bote. E Jeta e Fundit, tek Zoti yt është vetëm për Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

36. Dhe kushdo që largohet (verbon veten) nga përkujtimi i të Gjithëmëshirshmit, Ne i caktojmë atij shejtanin që të jetë për të shok e mik i ngushtë i tij.

37. Dhe vërtet që ata (shejtanët) i pengojnë ata nga Udha (e Drejtë), por (mosbesimtarët) mendojnë se në të vërtetë ata janë të udhëzuar në Udhë të mbarë!

38. Derisa, kur (një i tillë) vjen tek Ne, ai i thotë (shejtanit, mikut të tij): “Sikur mes meje dhe teje të ishte një largësi sa dy lindjet” - me të vërtetë sa shok i keq je ti!

39. Nuk do t’ju sjell aspak dobi juve këtë Ditë, pasi ju u gabuat dhe humbët nga e vërteta dhe ju do të jeni bashkëpjesëtarë (ju dhe miku juaj) në ndëshkim.

40. A mund ta bësh ti (O Muhammed) të shurdhin të dëgjojë, apo a mund të udhëzosh të verbërin dhe atë që është në gabim e humbje të qartë?

41. Edhe sikur Ne të të largonim ty (O Muhammed), Ne padyshim që do të hakmerreshim mbi ta.

42. Apo (nëse) Ne të tregonim ty atë me të cilin Ne i frikësojmë ata, atëherë Ne padyshim që kemi Fuqi të plotë përmbi ta.

43. Shtrëngohu pra fort (O Muhammed) pas asaj që të është frymëzuar ty. Nuk ka dyshim se ti je në Udhën e Drejtë.

44. Dhe vërtet që ky (Kur’an) është me siguri Përkujtues për ty dhe për popullin tënd dhe për këtë, do të pyeteni.

45. Dhe pyeti ata të Dërguarit Tanë të cilët Ne i dërguam para teje: “A caktuam Ne ndonjëherë alihah (zota) për t’u adhuruar në vend të të Gjithëmëshirshmit (Allah)?”

46. Dhe me të vërtetë që Ne e dërguam Musain me Ajetet Tona (me provat, shenjat, shpalljet) te Faraoni dhe paria e tij (duke i ftuar ata në Fenë e Allahut, në Besimin e Pastër Islam) duke u thënë: “Me të vërtetë që unë jam i Dërguari i Zotit të Aleminit (njerëzve, xhindeve dhe gjithë ç’është që ka krijuar Allahu).”

47. Por kur ai u shkoi atyre me Ajetet Tona (provat, shenjat, treguesit), kur ja! Ata qeshën me to!

48. Dhe nuk u çuam ndonjë Ajet (shenjë etj) veçse të ishte më e madhe se simotra e saj (e shenjës së dërguar më parë) dhe Ne i shtrënguam ata me dënim, me qëllim që të mund të ktheheshin (nga politeizmi në Fenë e Allahut, në Islam).

49. Dhe i thanë (Musait): “O ti magjistar! Lute Zotin tënd për ne sipas asaj që Ai ka lidhur marrëveshje me ty. Sigurisht që do të drejtohemi (në të mbarën).”

50. Por kur Ne e larguam dënimin prej tyre, kur ja! Ç’të shohësh! Ata e thyen marrëveshjen.

51. Kështu Faraoni i shpalli popullit të tij duke thënë: “O populli im! A nuk është i imi sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin poshtë meje? A nuk shikoni pra?

52. A nuk jam unë më i mirë se ky (Musai) që është një i mjerë i përbuzur dhe që rrallë e shpreh veten qartë?

53. Pse atëherë nuk i dhurohen atij bylyzykë floriri apo t’i vijnë melekët të ecin me të?”

54. Kështu ai (Faraoni) e mashtroi dhe e humbi popullin e tij dhe ata iu bindën atij. Vërtet që ata ishin popull Fasikunë (të panënshtruar, të pabindur ndaj Allahut).

55. Kështu kur ata nxitën hidhërimin Tonë, Ne i ndëshkuam ata dhe i përmbytëm të gjithë bashkë.

56. Dhe i bëmë ata të shkuar (i fshimë dhe lavdia e tyre u fshi, por mbetën mësim dhe) shembull për brezat e pastajmë.

57. Dhe kur biri i Merjemes sillet si shembull, kur ç’të shohësh! Populli yt çirret me të madhe (duke u zgërdhirë me këtë shembull)!

58. Dhe thonë: “A janë më të mirë zotat tanë apo ai (Isai)?” Ata ta sollën ty këtë shembull veçse për kundërthënie. (Po!) Ata vërtet janë popull grindavec.

59. Ai (Isai) ka qenë vetëm një rob. Ne i dhuruam Mirësinë Tonë atij dhe Ne e bëmë atë shembull për Beni Israilët (krijimin dhe lindjen e tij pa baba).

60. Dhe po të kishim dashur Ne, atëherë Ne (do t’ju kishim shuar juve o njerëz dhe) do të kishim bërë t’ju zëvendësonin melekët në tokë. (Tefsir At-tabari).

61. Dhe ai (Isai) do të jetë shenjë njohëse për Orën (për ardhjen e Kijametit, d.m.th., Isai do të zbresë në tokë). Kështu që mos kini asnjë dyshim për të (për Ditën e Kijametit) dhe më ndiqni Mua. Kjo është Udha e Drejtë.

62. Dhe mos e lini shejtanin t’ju largojë ju (nga feja e drejtë, nga Islami), vërtet që ai është për ju armik i hapur.

63. Dhe kur erdhi Isai me Dëshmitë e qarta (nga Ne), tha: “Unë kam ardhur tek ju me El-Hikmeh (Pejgamberinë) dhe me qëllim që t’ju bëj të qartë juve disa nga çështjet për të cilat keni mosmarrëveshje, kështu që kini frikë Allahun dhe m’u bindni mua.

64. Vërtet që Allahu! Ai është Zoti im dhe Zoti juaj. Adhuroni pra vetëm Atë. Kjo është Rrugë e Drejtë.”

65. Por ndryshuan sektet nga mesi i tyre. Mjerë për ata pra, që bëjnë padrejtësi (duke i mveshur Isait gjëra krejt të pavërteta) nga ndëshkimi i një Dite të dhimbshme!

66. A presin vetëm për Orën - që ajo t’u vijë papritur duke mos e hetuar fare?

67. Shokët atë Ditë do të jenë armiq me njëri-tjetrin përveç El-Muttekunëve (të përkushtuarve në Besimin e Pastër Islam).

68. (Besimtarëve të vërtetë do t’u thuhet): “O adhuruesit e Mi! Aspak frikë nuk do të ketë për ju këtë Ditë, as nuk do të pikëlloheni,

69. Ju që besuat në Ajetet Tona (gjithçka që zbritëm e dërguam Ne) dhe qetë Muslimanë (që iu nënshtruan plotësisht Vullnetit të Allahut në Fenë e Tij të Besimit të Pastër Islam),

70. Hyni në Xhennet, ju dhe bashkëshortet tuaja të gëzuar.”

71. Tabaka të artë dhe gota do t’u sillen rreth e rrotull dhe në të do të ketë çfarë t’u dojë shpirti, gjithçka që mund të kënaqë sytë; dhe aty ju do të banoni përgjithmonë.

72. Ky është Xhenneti të cilin u bëtë që ta trashëgoni për shkak të veprave tuaja që ju gjithnjë bëtë (në jetën e dynjasë).

73. Aty për ju do të ketë fruta me bollëk prej të cilave do të hani.

74. Vërtet që Muxhrimunët (mohuesit, mëkatarët, kriminelët) do të jenë nën dënimin e Xhehenemit për të mbetur atje përgjithmonë.

75. (Dënimi) nuk do të lehtësohet mbi ta dhe do të hidhen atje në hidhërim të thellë, në mjerim e dëshpërim.

76. Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata qenë Dhalimunë (politeistë, keqbërës, djallëzorë).

77. Dhe do të thërrasin: “O Malik (ruajtësi i Xhehenemit)! Le të na japë fund Zoti yt.” Ai do t’u thotë: “Sigurisht që do të mbeteni përjetë.”

78. Tashmë me të vërtetë që Ne kemi sjellë të vërtetën (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem me Kur’an) te ju, por shumica juaj kanë urrejtje për të vërtetën.

79. A mos kanë vendosur ndonjë përbetim? Atëherë edhe Ne po përgatisim gjithashtu (përbetim).

80. Apo mos mendojnë se Ne nuk i dëgjojmë të fshehtat e tyre dhe këshillimet e tyre të ngushta? (Patjetër që Ne dëgjojmë gjithçka) dhe të Dërguarit Tanë (melekët përcjellës) janë pranë tyre duke shkruar.

81. Thuaj (O Muhammed): “Në qoftë se i Gjithmëshirshmi (Allah) do të kishte bir (ose fëmijë, siç trilloni ju), atëherë unë jam i pari i adhuruesve të Allahut (që mohoj dhe e hedh poshtë këtë shpifje tuajën dhe i pari që besoj në Allahun Një e të Vetëm, pa fëmijë, pa të barabartë me Të).” (Tefsir At-Tabari).

82. Lavdi Zotit të qiejve dhe të tokës, Zotit të Arshit (Fronit)! I Lartësuar është Ai përmbi gjithçka që ata ia mveshin Atij.

83. Lëri pra ata të flasin marrëzi, derisa ata të takojnë Ditën e tyre e cila u është premtuar.

84. Dhe është Ai (Allahu) i Cili është i vetmi Ilah (Zot për t’u adhuruar) në qiell dhe i vetmi Ilah (Zot për t’u adhuruar) në tokë. Dhe Ai është më i Urti Gjithëgjykues, i Gjithëdituri.

85. Dhe i Shenjtëruar është Ai të Cilit i takon mbretërimi i qiejve dhe i tokës dhe i gjithë ç’gjindet ndërmjet tyre, dhe me të Cilin është dija e Orës (Momentit të Kijametit), dhe tek i Cili ju të gjithë do të ktheheni.

86. Dhe ata (idhujt, zotat e paqenë) të cilët ata i lusin në vend të Tij, nuk kanë aspak fuqi për të ndërmjetësuar; - përveç atyre të cilët dëshmojnë për të vërtetën dhe i dinë (faktet për Njësinë e Allahut).

87. Dhe nëse i pyet ata se kush i ka krijuar, patjetër që do të përgjigjen: “Allahu.” Si atëherë janë larguar (nga të adhuruarit Allahun i Cili i ka krijuar ata)?

88. (Allahu është në Dijeni) për thënien (e Pejgamberit Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “O Zoti im! Vërtet që këta janë një popull që nuk beson!”

89. Largohu pra prej tyre (O Muhammed) dhe thuaju: “Selam” (Paqë)! Por ata do ta mësojnë.
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free