44 - Ed Duhan
Ed Duhan – Tymi
Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim
1. Ha, Mim.
2. Betohem për Librin e qartë (Kur’anin që i sqaron të gjitha gjërat).
3. Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në një natë të bekuar (Nata e Kadrit). Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë (njerëzimin nga Ndëshkimi i Allahut që do t’i kapë mohuesit e Njësisë së Allahut).
4. Në këtë (natë) vendoset çdo çështje e Vullnetit dhe Urdhëresave (për vitin tjetër).
5. Si Urdhër i përcaktuar nga Ne. Vërtet që Ne gjithnjë po dërgojmë (të Dërguar, Shpallje).
6. (E zbritëm si) Mëshirë nga Zoti yt. Vërtet që Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.
7. Zoti i qiejve dhe i tokës dhe i gjithë ç’është mes tyre, veç sikur të besonit me bindje.
8. La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Vetëm Atij). Ai është që jep jetë dhe shkakton vdekje, Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj të lashtë.
9. Por ja! Ata luajnë në dyshim.
10. Pritni atëherë Ditën kur qielli do të nxjerrë tym që shihet qartë,
11. Duke i mbuluar njerëzit; ky është një ndëshkim i dhimbshëm.
12. (Do të thonë): “Zoti ynë! Largoje nga ne ndëshkimin, vërtet që do të bëhemi besimtarë!”
13. Si mund të ketë paralajmërim për ta, kur një i Dërguar që i sqaron gjërat qartë tashmë ka shkuar mes tyre?
14. Pastaj ata ikën prej tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe thanë: “Ai është i mësuar (i shtyer prej dikujt tjetër), i çmendur!”
15. Vërtet që Ne do ta largojmë ndëshkimin për pak kohë, (por) sigurisht që ju do të ktheheni (aty në atë gjendje që ishit më parë).
16. Ditën kur Ne do t’ju kapim ju me shtrëngimin më të fortë, padyshim që Ne do të kërkojmë hakmarrje të plotë.
17. Dhe vërtet që Ne përpara tyre e vumë në sprovë popullin e Faraonit, kur atyre u erdhi një i Dërguar i shquar (Musai ‘alejhis–selam).
18. Duke u thënë: “M’i ktheni robët e Allahut (Bijtë e Israilit). Vërtet që unë jam i Dërguar i besueshëm te ju.
19. Dhe mos e lartësoni veten para Allahut. Vërtet që kam ardhur tek ju me autoritet të qartë.
20. Dhe unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj nga (kërcënimi) që të më gurëzoni ju mua.
21. Por nëse ju nuk më besoni mua, atëherë largohuni e më lini vetëm.”
22. (Por ata ishin të papërmbajtur) kështu që ai (Musai ‘alejhis–selam) iu lut Zotit të vet: “Vërtet që këta janë popull Muxhrim (mosbesimtarë, mëkatarë, kriminelë).”
23. (Allahu i tha): “Ik me robët e Mi natën. Sigurisht që do të ndiqeni.
24. Dhe lëre detin siç është (të hapur). Sigurisht që ata janë një ushtri që do të përmbytet.
25. Sa shumë kopshte dhe burime lanë ata (populli i Faraonit),
26. Dhe (fusha) me drithëra të gjelbëruara, dhe vende fisnike,
27. Dhe mirësitë e jetesës në të cilat ata gjenin kënaqësi!
28. Kështu ishte! Dhe Ne bëmë njerëz të tjerë t’i trashëgojnë ata (Ne i bëmë Bijtë e Israilit të trashëgojnë mbretërinë e Egjiptit).
29. Dhe nuk vajtuan për ta as qielli e as toka dhe as nuk iu dha atyre afat.
30. Dhe vërtet që Ne i shpëtuam Bijtë e Israilit nga dënimi poshtërues,
31. (I ushtruar) nga Faraoni; vërtet që ai ishte kryelartë dhe prej Musrifunëve (që kalon çdo kufi, duke shkuar tepër larg si mosbesimtar, kriminel, tiran).
32. Dhe Ne i zgjodhëm ata (Bijtë e Israilit) mbi gjithë Alemin (mbi njerëzit dhe xhindet) në dije (në kohën e Musait ‘alejhis–selam),
33. Dhe u dhamë atyre shenja në të cilat kishte sprovim të qartë.
34. Me të vërtetë që këta (Kurejshit) thonë:
35. “S’ka tjetër veç vdekjes sonë të parë dhe nuk do të ringjallemi.
36. Sillni prapë pra baballarët tanë, nëse flisni të vërtetën!”
37. A janë ata më të mirë, apo populli i Tubbait dhe atyre para tyre? Ne i shkatërruam ata, sepse ata vërtet ishin Muxhrimunë (mohues, mosbesimtarë, kriminelë).
38. Dhe Ne nuk i krijuam qiejt dhe tokën dhe gjithçka tjetër që ndodhet mes tyre thjesht për lojë.
39. Ne nuk i krijuam ata për tjetër veçse me të vërtetën, por shumica e tyre nuk e dinë.
40. Vërtet se Dita e Gjykimit është kohë e përcaktuar për të gjithë ata.
41. Dita kur asnjë Meula (i afërt, mbrojtës) nuk i sjell dot aspak dobi një Meulai (të afërmi, mbrojtësi tjetër që ka pasur në dynja) dhe nuk mund të marrin asnjë ndihmë,
42. Përveç atij të cilin do ta mëshirojë Allahu. Vërtet që Ai është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.
43. Me të vërtetë që pema e Zekumit,
44. Do të jetë ushqimi i mëkatarëve.
45. Si vaj që vlon, ajo do t’u vlojë në bark,
46. Si të përvëluarit e ujit që vlon.
47. (Do t’u thuhet melekëve për mëkatarin): “Kapeni dhe tërhiqeni atë zvarrë në mes të Zjarrit flakërues,
48. Pastaj hidhini mbi kokë ndëshkimin e ujit të vluar;
49. Shijoje këtë! Vërtet që (shiteshe) sikur të ishe i fuqishmi, bujari!
50. Sigurisht që kjo është ajo për të cilën ishit në dyshim!”
51. Sigurisht që Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) do të jenë në vendin e Sigurisë (Xhennet).
52. Ndër Kopshte e Burime,
53. Të veshur në mëndafsh të butë e mëndafsh të trashë përballë njëri-tjetrit,
54. Kështu (do të jetë) dhe do t’i martojmë ata me Hyritë (bukuroshet e brishta) me sy të mëdhenj të mrekullueshëm.
55. Ata do të kërkojnë aty nga çdo lloj fruti në paqë e siguri;
56. Kurrë më nuk do të shijojnë atje vdekjen, përveç vdekjes së parë (në dynja) dhe Ai (Allahu) do t’i ruajë ata prej ndëshkimit të Zjarrit flakërues,
57. Si Mirësi nga Zoti yt! Mu kjo do të jetë vërtet arritja më e lartë!
58. Sigurisht që Ne e kemi bërë këtë (Kur’an) të thjeshtë në gjuhën tënde, me qëllim që ata të mund të përkujtojnë.
59. Prit pra (O Muhammed); Vërtet, edhe ata po presin.