KUR’AN-i
Shqip – Albanian

71 - Nuh



Nuh - Pejgamberi Nuh

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Vërtet që Ne dërguam Nuhun te populli i tij (duke i thënë): “Këshillo popullin tënd para se atyre t’u vijë ndëshkim i dhimbshëm.”

2. Ai tha: “O populli im! Vërtet që unë jam tek ju këshillues i qartë,

3. Që të adhuroni vetëm Allahun, t’i frikësoheni Atij (të përmbushni detyrimin ndaj Tij) dhe mua të më bindeni,

4. (Që Allahu) Ai t’jua falë juve nga gjynahet tuaja dhe t’ju japë një afat deri në një kohë të caktuar. Vërtet se kur të vijë Exheli (koha e përcaktuar) i Allahut, nuk mund të shtyhet më. Veç sikur ta dinit!”

5. Ai tha: “O Zoti im! Vërtet që e ftova popullin tim natën edhe ditën (për të pranuar Besimin në Një Zot),

6. Por gjithë thirrja ime nuk shtoi gjë veçse largimin (e tyre nga e vërteta).

7. Dhe vërtet! Sa herë që u bëja thirrje se Ti mund t’i falje ata, atëherë ata i vinin gishtat në veshë, mbuloheshin me rrobat e tyre, duke vazhduar (në mospranim të ftesës) dhe duke u fryrë e duke u mburrur me krenari.

8. Pastaj vërtet që i thirra hapur (me zë të lartë).

9. Pastaj vërtet që i njoftova në grumbullime dhe i kam ftuar ata në veçanti.

10. Duke u thënë: ‘Kërkoni falje nga Zotit juaj. Vërtet që Ai është Falës i Madh,

11. Ai do t’ju dërgojë juve shi me bollëk,

12. Edhe t’ju shtojë juve pasurinë dhe fëmijët, edhe t’ju dhurojë juve kopshte, edhe t’ju dhurojë juve lumenj.’”

13. Ç’është me ju që nuk shpresoni për shpërblim (nga Allahu ose që nuk besoni në Njësinë e Tij)?

14. Dhe ndërkohë është Ai që ju ka krijuar ju në faza (të ndryshme, nga Nutfah, pastaj Aleka etj).

15. Dhe a nuk e shihni si Allahu ka krijuar shtatë qiejt palë një përmbi një?

16. Dhe e ka bërë hënën dritë në të dhe e ka bërë diellin llambë ndriçuese?

17. Dhe Allahu ju ka nxjerrë prej (dheut të) tokës? (Tefsir El-Tabari).

18. Pastaj Ai do t’ju kthejë në të (në tokë) dhe do t’ju nxjerrë prej saj (përsëri në Ditën e Ringjalljes).

19. Dhe Allahu e ka bërë për ju tokën të hapur e pakufi.

20. Që ju të mund të silleni në të në rrugë të gjëra.

21. Nuhu tha: “Zoti im! Ata më kundërshtuan mua dhe i shkuan pas atij që pasuria dhe fëmijët e të cilit nuk i shtojnë gjë veçse humbje.

22. Dhe kanë thurrur kurth të madh.

23. Dhe kanë thënë: ‘Ju nuk do t’i leni zotat tuaj dhe as nuk do të leni Vaddin, as Suvaan, as Jaguthin, as Jaukun, as Nasrun’ (emra të idhujve të tyre).

24. Dhe vërtet që ata kanë tërhequr shumë në rrugë të gabuar. Dhe mos u shto gjë tjetër Dhalimunëve (politeistëve, mosbesimtarëve, keqbërësve) veçse humbje e zhytje më thellë në të gabuarën.”

25. Për shkak të mëkateve të tyre ata u përmbytën, pastaj u futën në Zjarr dhe nuk gjetën asnjë ndihmues tjetër në vend të Allahut.

26. Dhe tha Nuhu: “Zoti im! Mos lër asnjë prej mosbesimtarëve mbi tokë!

27. Në qoftë se Ti i lë ata, atëherë këta do t’i gabojnë robët e Tu dhe (këta mosbesimtarë) nuk do të lindin veçse mosbesimtarë të ligj.

28. Zoti im! Më fal mua, edhe prindërit e mi, edhe atë që hyn në shtëpinë time si besimtar, edhe gjithë besimtarët dhe besimtaret, dhe mos u shto tjetër Dhalimunëve (politeistëve, mosbesimtarëve, keqbërësve), por vetëm se shkatërrim.”
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free