57 - El Hadid
El Hadid - Hekuri
Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim
1. Gjithë ç’është në qiej dhe në tokë lavdërojnë Allahun dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.
2. I Tij është Mbizotërimi i qiejve dhe i tokës. Ai është që jep jetë dhe sjell vdekje dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.
3. Ai është më i Pari (s’ka asgjë para Tij, Ai është i Pafillim) edhe më i Fundit (s’ka asgjë pas Tij, Ai është i Pambarim), edhe më i Larti (s’ka asgjë mbi Të), edhe më i Afërti (nuk ka gjë më të afërt se Ai, nuk ka asnjë pengesë ndërmjet Tij dhe krijesave të Tij). Dhe Ai është i Gjithëditur për çdo gjë.
4. Ai është i Cili krijoi qiejt dhe tokën në Gjashtë Ditë, pastaj Ai Isteva (u ngrit lart dhe qëndroi mbi) Arsh (Fronin e Tij Madhështor vërtet ashtu siç i shkon Madhështis së Tij). Ai di çfarë hyn në tokë, edhe çfarë del prej saj, edhe çfarë zbret nga qielli, edhe çfarë ngritet në të dhe Ai është me ju (me Dijen e Tij) kudo që të jeni. Dhe Allahu është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju punoni.
5. I Tij është Mbizotërimi i qiejve dhe i tokës dhe tek Allahu kthehen të gjitha çështjet (për vendim e gjykim).
6. Ai shkrin natën te dita (shkurton orët e natës dhe po aq i shton ditës) dhe Ai shkrin ditën te nata (shkurton orët e ditës dhe po aq i shton natës). Dhe Ai është i Gjithëditur për çfarë ka në gjokse.
7. Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe shpenzoni nga ajo për të cilën Ai ju ka bërë kujdestarë. Dhe të atillët prej jush të cilët besojnë dhe shpenzojnë (në Rrugën e Allahut), i tyre do të jetë shpërblim i madh.
8. E çfarë keni që nuk besoni në Allahun! Ndërkohë që i Dërguari (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ju fton të besoni Zotin tuaj dhe Ai vërtet që ka marrë besën tuaj, në qoftë se jeni besimtarë të vërtetë.
9. Ai është i Cili zbret Ajete të qarta (prova, shenja, Vargje, Shpallje) te robi i Tij (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), me qëllim që t’ju nxjerrë ju nga errësira në dritë. Dhe vërtetë që Allahu është ndaj jush shumë Dashamirës, Mëshirëplotë.
10. E çfarë keni që nuk shpenzoni për Çështjen e Allahut? Ndërkohë Allahut i përket trashëgimia e qiejve dhe e tokës. Nuk janë njësoj ndërmjet jush ata që shpenzuan dhe luftuan para çlirimit (të Mekës). Të tillët janë në gradë më të lartë se ata që shpenzuan dhe luftuan më pas. Por për të gjithë Allahu ka premtuar të mira dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni.
11. Kush është ai i cili do t’i japë Allahut një hua të mire e që Ai të mund t’ia shumëfishojë atë atij disa herë në të mirë të tij? Dhe (përveç kësaj) do të ketë një shpërblim të nderuar (Xhennetin).
12. Ditën kur do të shihni besimtarët dhe besimtaret, se si u prin ndriçimi përpara tyre dhe nga e djathta e tyre. (u thuhet:) Përgëzime për ju këtë Ditë! Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar ndër ta përgjithmonë! Me të vërtetë që ky është ai ngadhnjimi madhështor!
13. Ditën kur hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë besimtarëve: “Na prisni edhe ne që të ndriçohemi prej dritës suaj!” Do t’u thuhet: “Kthehuni mbrapa në fund! Pastaj kërkoni ndonjë dritë!” Kështu do të vendoset ndërmjet tyre një mur me një portë në të. Brenda do të jetë mëshirë dhe jashtë do të jetë ndëshkim.
14. (Hipokritët nga jashtë) do t’u thërrasin (besimtarëve brenda): “A nuk qemë me ju?” Besimtarët do t’u përgjigjen: “Po! Por ju u udhëhoqët nga epshet; ju dëshironit shkatërrimin tonë; ju dyshuat (në Besim); ju u mashtruat nga dëshirat e rreme derisa erdhi Urdhëri i Allahut. Dhe juve ju mashtroi kryemashtruesi (Shejtani) për Allahun.”
15. Kështu këtë Ditë, prej jush nuk pranohet ndonjë kompensim (për t’u liruar), as edhe prej atyre që mohuan. Vendbanimi juaj është Zjarri. Ai është vendi tamam për ju. Dhe vërtet sa përfundim i keq është ai.”
16. A nuk ka ardhur koha për zemrat e atyre që besojnë (Allahun dhe të Dërguarin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të ndikohen nga Mesazhi Përkujtues i Allahut (Kur’ani) dhe nga ajo që u është shpallur nga e Vërteta (dhe të përkujtojnë Allahun), që të mos bëhen si ata të cilëve u janë dhënë Librat e Parë (si jehuditë e të krishterët) më përpara, për të cilët kaloi shumë kohë dhe zemrat e tyre u forcuan (u bënë gur)? Dhe shumica e tyre ishin Fasikunë (të pabindur, të panënshtruar ndaj Allahut duke kaluar çdo kufi).
17. Dijeni se Allahu i jep jetë tokës pas vdekjes së saj! Me të vërtetë që Ne i kemi bërë të qarta Ajetet (shenjat, treguesit, shpalljet) për ju, ashtu që të kuptoni.
18. Vërtet se ata që japin Sadaka dhe ato që japin Sadaka (japin Zekatin, japin lëmoshë e bamirësi të tjera) dhe lënë tek Allahu një hua të mirë, ajo do të shtohet shumëfish (në përfitim të tyre) dhe i tyri do të jetë shpërblimi i nderuar (Xhenneti).
19. Dhe ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarit e Tij - këta janë Sad-dikunë (të sinqertit që besojnë Allahun Një të Vetëm dhe që pasojnë Pejgamberët) dhe Shehidët (dëshmorët në Rrugën e Allahut),- këta do të kenë shpërblimin e tyre. Por ata që mohojnë Ajetet Tona, mu këta do të jenë banorët e Zjarrit flakërues.
20. Dijeni se jeta e kësaj bote është vetëm lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, mburrje e ndërsjellë mes jush dhe rivalitet për pasuri e fëmijë, tamam si bimësia pas shiut ku rritja e saj e kënaq bujkun; më pas ajo thahet dhe e shihni të zverdhet, pastaj ajo bëhet kashtë. Por në Jetën e Pastajme (është) dënim i ashpër (për mosbesimtarët e keqbërësit) dhe Falje nga Allahu dhe Kënaqësia e Tij (për besimtarët e mirëpunuesit). E jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.
21. Vraponi drejt Faljes nga Zoti juaj dhe drejt Xhennetit, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe e tokës, i përgatitur për ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarit e Tij.
22. Asnjë fatkeqësi nuk bie në tokë ose mbi ju që të mos jetë e shkruar në Librin (e Vendimeve në El-Leuh El-Mahfudh) para se Ne ta sjellim atë në zbatim. Sigurisht që kjo për Allahun është e lehtë.
23. Me qëllim që ju të mos pikëlloheni për ato që s’mund t’i kapni dhe që ju të mos gëzoheni për shkak të asaj që ju është dhënë. Dhe Allahu nuk e do asnjë arrogant mendjemadh.
24. Ata që janë dorështrënguar – dhe që u këshillojnë edhe njerëzve të tjerë të jenë koprracë – (Allahu nuk ka nevojë për bamirësinë e tyre). Dhe kushdo që largohet (nga Besimi Islam), atëherë Allahu është vërtet më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë), Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.
25. Tashmë Ne me të vërtetë që kemi sjellë të Dërguarit Tanë me tregues e prova të qarta dhe shpallëm me ta Shkrimet dhe Peshoren (drejtësinë), me qëllim që njerëzimi të përmbajë drejtësinë. Dhe Ne e kemi zbritur (nxorëm) hekurin në të cilin ka forcë të madhe (në çështjet e luftës), si edhe shumë përfitime për njerëzimin, me qëllim që Allahu të provojë kush është ai i cili do ta ndihmojë Atë (Fenë e Tij) dhe të Dërguarit e Tij në Gajb (pa e parë Atë). Vërtet që Allahu është Fuqiplotë, i Gjithëfuqishëm.
26. Dhe vërtet që Ne dërguam Nuhun dhe Ibrahimin dhe sollëm tek pasardhësit e tyre Pejgamberinë dhe Shkrimet (Hyjnore). Kështu prej tyre ka të drejtuar, por shumë prej tyre janë Fasikunë (të pabindur, të panënshtruar ndaj Allahut duke kaluar çdo kufi).
27. Pastaj Ne pas tyre çuam të Dërguarit Tanë dhe Ne dërguam Isain, birin e Merjemes dhe atij i dhamë Inxhilin. Dhe në zemrat e atyre që besuan dhe e ndoçën atë, sollëm dhembshuri e mëshirë. Por murgësinë të cilën ata ia mveshën vetes së vet, nuk e urdhëruam Ne, por ata vetë (e kërkuan), vetëm për të fituar me anë të saj Kënaqësinë e Allahut, ndërsa në të vërtetë ata nuk iu përmbajtën asaj me qëndrimin e merituar. Kësisoj Ne u dhamë atyre që besuan nga mesi i tyre shpërblimin e tyre (të merituar), por një shumicë e tyre janë Fasikunë (të pabindur, të panënshtruar ndaj Allahut, duke kaluar çdo kufi).
28. O ju që keni besuar (Musain, o ju jehudi; dhe Isain, birin e Merjemes, o ju të krishterë)! Kini frikë Allahun dhe besoni edhe të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Ai do t’ju japë dy herë shpërblim nga Mëshira e Tij, dhe Ai do t’ju japë juve dritë me të cilën do të ecni (në Udhën e Drejtë) dhe Ai do t’ju falë ju. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.
29. Kështu që ithtarët e Librave të Parë (jehuditë dhe të krishterët) ta marrin vesh mirë, se ata nuk kanë aspak ndonjë fuqi mbi Mirësitë e Allahut dhe se Mirësitë e Allahut janë (plotësisht të gjitha) në Dorën e Tij për t’i dhuruar ato mbi atë që Ai do. Dhe Allahu është Zotëruesi i Mirësive më të mëdha.