KUR’AN-i
Shqip – Albanian

26 - Esh Shuara



Esh Shuara - Poetët

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ta, Sin, Mim.

2. Këto janë Ajetet (Vargjet) e Librit të Qartë.

3. Mbase ti (O Muhammed) do ta mbytësh veten me pikëllim pse ata nuk bëhen besimtarë.

4. Nëse Ne do të donim, Ne do të mund të dërgonim tek ata një shenjë nga qielli, prej së cilës ata do të ulnin qafën të nënshtruar.

5. Dhe sa herë që atyre u vjen një Përkujtim si shpallje e re nga i Gjithëmëshirshmi (Allah), ata gjithnjë i kthejnë shpinën.

6. Kështu ata vërtet që e mohuan (të Vërtetën, Kur’anin), por shpejt do të vijë tek ata lajmi (i së Vërtetës) të cilin ata e përqeshnin.

7. A nuk e shohin ata tokën, - sa shumë nga çdo lloj i mirë Ne bëjmë që të rriten në të?

8. Vërtet që këtu është një Ajet (shenjë treguese), megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë.

9. Dhe padyshim që Zoti yt, Ai është me të vërtetë i Gjithfuqishëm, Mëshirplotë.

10. Dhe (kujto) kur Zoti yt e thirri Musain: “Shko tek populli Dhalim (mohues, keqbërës),-

11. Populli i Faraonit. A nuk do t’i frikësohen ata Allahut dhe të bëhen të drejtë?”

12. Ai tha: “Zoti im! Vërtet që kam frikë se do të më përgënjeshtrojnë,

13. Dhe gjoksi do të më ngushtohet, ndërsa gjuha ime nuk shprehet qartë, kështu që thirr Harunin (të vijë bashkë me mua).

14. Ata kanë në dorë edhe një akuzë krimi ndaj meje dhe kam frikë se do të më vrasin.”

15. Allahu i tha: “Jo, kurrë! Shkoni që të dy me Shenjat Tona. Padyshim që Ne do të jemi me ju dëgjues (të çdo gjëje).

16. Dhe kur ju të dy të shkoni te Faraoni, t’i thoni: ‘Ne jemi të Dërguarit e Zotit të Alemit (Zotit të njerëzve, të xhindeve, të gjithçkaje që ekziston, të gjithësisë),-

17. Kështu që lëri të vijnë me ne Bijtë e Israilit’.”

18. I tha (Faraoni Musait): “A nuk të rritëm ne ty si fëmijë në mesin tonë? Dhe sigurisht që jetove shumë vite të jetës tënde me ne.

19. Dhe e bëre atë punën tënde që e bëre (e mbyte njeriun), dhe tash je prej mosmirënjohësve.”

20. (Musai) i tha: “Atë e bëra atëherë kur isha në padije.

21. Kështu që unë ika prej jush, kur u frikësova nga ju. Por Zoti im më siguroi mua Hukmin (dhuntinë e dijes së plotë mbi ligjet e Fesë së Allahut, gjykimin e drejtë, Urtësinë, Pejgamberinë) dhe më caktoi mua një prej të Dërguarve.

22. Dhe kjo është mirësi e shkuar me të cilën ti më qortove mua: e ti ke skllavëruar Bijtë e Israilit.”

23. Faraoni tha: “E çfarë është Zoti i Alemit (i njerëzve, i xhindeve, i gjithësisë)?”

24. Musai u tha: “Zoti i qiejve dhe i tokës dhe i gjithçkaje që ndodhet ndërmjet tyre, nëse kërkoni të bindeni plotësisht.”

25. Faraoni u tha njerëzve përreth tij: “A nuk e dëgjoni se çfarë thotë?!”

26. Musai u tha: “Zoti juaj dhe Zoti i baballarëve tuaj të parë!”

27. (Faraoni) tha: “Vërtet që i Dërguari juaj që është sjellë tek ju, është një i çmendur!”

28. (Musai u) tha: “Zoti i lindjes dhe i perëndimit dhe i gjithçkaje që ndodhet ndërmjet tyre, veç sikur ta kuptonit!”

29. (Faraoni i) tha: “Nëse ti zgjedh ilah (zot) tjetër pos meje, sigurisht që do të fus në mesin e të burgosurve.”

30. (Musai i) tha: “Edhe sikur të të sjell ndonjë gjë të qartë (e bindëse)?”

31. (Faraoni i) tha: “Sille pra atë nëse vërtet e flet të drejtën!”

32. Kështu (Musai) hodhi shkopin e tij kur, ç’të shohësh! Gjarpër i vërtetë!

33. Dhe nxori dorën, kur ç’të shohësh! Krejt e bardhë në sy të të gjithë shikuesve!

34. (Faraoni) u tha krerëve rreth tij: “Vërtet që ky është një magjistar tepër i ditur.

35. Ai dëshiron t’ju nxjerrë ju nga toka juaj me magjinë e tij. Atëherë çfarë këshille jepni dhe çfarë urdhëroni?”

36. Ata i thanë: “Largoje atë dhe vëllain e tij (për pak kohë nga vëmendja) dhe dërgo thirrës nëpër qytete,

37. Që të sjellin tek ti të gjithë magjistarët më të përgatitur.”

38. Kështu magjistarët u sollën në një orë të përcaktuar në ditën e zgjedhur.

39. Dhe iu tha të gjithë njerëzve: “A do të grumbulloheni edhe ju?

40. Që të mund të ndjekim magjistarët, nëse ata do të jenë të fituarit.”

41. Kështu, kur erdhën magjistarët, ata i thanë Faraonit: “A vërtet do të ketë shpërblim për ne, nëse do të dalim fitues?”

42. Ai tha: “Po, dhe do të jeni pas kësaj me siguri prej të afruarve (pranë meje).”

43. Musai atyre u tha: “Hidheni atë që keni për të hedhur!”

44. Kështu ata hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre dhe thanë: “Me fuqinë e Faraonit, vërtet që ne, vetëm ne, do të jemi fituesit!”

45. Pastaj Musai hodhi shkopin e tij dhe ç’të shohësh: ai i gëlltiti të gjitha mashtrimet (magjinë mashtruese) që ata nxorrën!

46. Dhe magjistarët ranë përmbys në sexhde,

47. Duke thënë: “Ne besojmë në Zotin e Alemit (të njerëzve, të xhindeve, të gjithçkaje që ekziston).

48. Zotin e Musait dhe të Harunit.”

49. (Faraoni) tha: “Ju i besuat atij, para se t’ju lejoja unë? S’ka dyshim se ai (Musai) është prijësi juaj i cili jua mësoi juve magjinë! Kështu pra, vërtet që keni për ta marrë vesh më vonë. Me të vërtetë që Unë do t’ua pres duart dhe këmbët tuaja tërthorazi dhe do t’ju vras të gjithëve.”

50. Ata (magjistarët) thanë: “S’ka rëndësi! Sigurisht që te Zoti ynë (Allahu) do të kthehemi;

51. Padyshim se ne vërtet besojmë që Zoti ynë do të na i falë gjynahet tona, pasi ne jemi të parët e besimtarëve (të Musait, dhe në Besimin e Pastër në Një Zot të cilin ai e ka sjellë nga Allahu).”

52. Dhe Ne e frymëzuam Musain duke i thënë: “Largoji robët e Mi natën se vërtet do të ndiqeni.”

53. Pastaj Faraoni dërgoi nëpër qytete thirrës.

54. (Duke thënë:) “Vërtet që ata s’janë veçse një bandë e vogël.

55. Dhe sigurisht që ata na kanë bërë atë që na ka tërbuar ne.

56. Por ne siç jemi të gjithë të grumbulluar, jemi shumë të paralajmëruar.”

57. Në këtë mënyrë, Ne i nxorëm ata prej kopshteve dhe prej burimeve,

58. Prej thesareve, dhe (prej) çdo vendi tjetër të nderuar.

59. Dhe kësisoj bëmë që ato (kopshtet, burimet, thesaret) t’i trashëgojnë Beni Israilët.

60. Kështu ata i ndoqën (Bijtë e Israilit) në mëngjes, me lindjen e diellit.

61. Dhe kur dy ushtritë panë njëra-tjetrën, njerëzit e Musait thanë: “Me siguri që do të kapemi.”

62. (Musai) tha: “Jo, kurrë! Sigurisht që me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë mua.”

63. Pastaj Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): “Bjeri detit me shkopin tënd.” Dhe ai (deti) u hap dhe secila anë (e ujit që u ça) u bë si një masë mali e palëvizshme.

64. Pastaj Ne i sollëm pranë atij vendi të tjerët (ata të Faraonit).

65. Dhe Ne e shpëtuam Musain dhe të gjithë ata (që ishin) me të.

66. Pastaj Ne i fundosëm të tjerët.

67. Vërtet që këtu ka një shenjë treguese, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë.

68. Dhe vërtet që Zoti yt, Ai është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.

69. Dhe lexoju atyre ndodhinë e Ibrahimit.

70. Kur ai i tha babait të tij dhe popullit të vet: “Çka jeni duke adhuruar ju?”

71. Ata i thanë: “Ne adhurojmë idhujt dhe gjithnjë jemi tepër të përkushtuar ndaj tyre.”

72. Ai u tha: “A ju dëgjojnë kur u thërrisni (atyre)?

73. Apo mos ju sjellin dobi, a mos ju dëmtojnë?”

74. Ata thanë: “Jo, aspak, por kështu i gjetëm baballarët tanë të veprojnë.”

75. Ai u tha: “A po shihni se çfarë jeni duke adhuruar,-

76. Ju dhe të parët tuaj?

77. Me të vërtetë që ata (që i adhuroni ju) janë armiqët e mi, përveç Zotit të Alemit (të njerëzve, të xhindeve dhe i gjithësisë e çfarë ka në të);

78. I Cili më ka krijuar mua dhe Ai është i Cili më udhëzon;

79. Dhe është Ai i Cili më ushqen dhe më jep të pij.

80. Dhe kur unë jam i sëmurë, është Ai i Cili më shëron;

81. Dhe i Cili do të më vdes mua dhe pastaj do të më sjellë në jetë (do të më ringjallë përsëri);

82. Dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë mua gabimet e mia Ditën e Shpërblimit.

83. Zoti im! Më dhuro mua Hukman (dije e thellë për Fenë e Allahut, gjykimin e drejtë, urtësinë, Pejgamberinë) dhe më bashko me të drejtët.

84. Dhe më dhuro përkujtim të nderuar ndër brezat e pastajmë.

85. Dhe më bëj mua një prej trashëguesve të Kopshteve të Begatë të Kënaqësisë (së Xhennetit).

86. Dhe fale babain tim, vërtet që ai është prej të gabuarve.

87. Dhe mos më turpëro mua në Ditën (e Ringjalljes) kur (gjithë kijesat) do të ringjallen.

88. Ditën në të cilën as pasuria dhe as fëmijët nuk do të vlejnë.

89. Përveç atij i cili sjell tek Allahu zemër të pastër (të pastër prej shirkut, politeizmit dhe hipokrizisë).”

90. Dhe Xhenneti do t’u sillet afër Muttekinëve (të përkushtuarve në Besimin e Pastër Islam).

91. Dhe Zjarri (i Xhehenemit) do t’u shfaqet plotësisht atyre që gabuan rrugën.

92. Dhe atyre do t’u thuhet: “Ku janë ata të cilët ju i adhuruat -

93. Në vend të Allahut? A mund t’ju ndihmojnë ju, apo a e ndihmojnë vetveten?”

94. Pastaj ata do të hidhen kryengulthi (në Zjarr), - ata dhe Ghavun-ët (shejtanët dhe ata që i zhytën në gabim e ligësi).

95. Dhe gjithë ushtritë (ndjekësit) e Iblisit së bashku.

96. Ata do të thonë atje duke u grindur (me njëri-tjetrin):

97. “(Betohemi) për Allah! Njëmend ne ishim në gabim të qartë,

98. Kur ne ju mbajtëm ju (të adhuruarit e rrejshëm) si të barabartë (në adhurim) me Zotin e Alemit (të gjithësisë, të të gjitha botëve, të njerëzve dhe të xhindeve);

99. Dhe askush nuk na ka sjellë ne në gabim përveç Muxhrimunëve (Iblisit dhe atyre njerëzve të zhytur në krime).

100. Tash ne nuk kemi asnjë ndërmjetësues,

101. As edhe ndonjë mik të afërt (për të na ndihmuar).

102. Veç sikur të kishim një mundësi të ktheheshim (në dynja), vërtet që do të ishim prej besimtarëve!”

103. Vërtet që këtu ka një shenjë treguese, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë.

104. Dhe vërtet që Zoti yt: Ai është me të vërtetë i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.

105. Populli i Nuhut i përgënjeshtroi të Dërguarit.

106. Kur vëllau i tyre Nuhu, u tha atyre: “A nuk do t’i frikësoheni Allahut dhe t’i bindeni Atij?

107. Vërtet unë jam i Dërguar i besueshëm te ju.

108. Kini pra frikë Allahun, plotësoni detyrimin tuaj ndaj Tij dhe m’u bindni mua.

109. Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj për të (për Mesazhin tim), shpërblimi im është vetëm nga Zoti i Alemit (i gjithësisë, i njerëzve dhe i xhindeve).

110. Kini pra frikë Allahun, plotësoni detyrimin tuaj ndaj Tij dhe m’u bindni mua.”

111. Ata i thanë: “A të besojmë ty, ndërkohë kur ty të ndjekin më të dobëtit?”

112. Ai tha: “Unë nuk e di se çfarë bënin ata (që ju u thoni të dobët)!

113. Llogaria e tyre është vetëm me Zotin tim, veç sikur ta dinit.

114. Dhe unë nuk do t’i largoj besimtarët.

115. Unë jam paralajmërues i hapur.”

116. Ata thanë: “Nëse ti nuk pushon, o Nuh, padyshim që do të jesh prej atyre që gurëzohen (deri në vdekje).”

117. Ai tha: “Zoti im! Vërtet që populli im më ka përgënjeshtruar mua.

118. Atëherë pra, gjyko Ti mes meje dhe atyre, dhe më shpëto mua dhe ata nga besimtarët që janë me mua.”

119. Dhe Ne e shpëtuam atë dhe ata (që ishin) me të në barkën e ngarkuar.

120. Pastaj, më pas, i fundosëm të tjerët (mosbesimtarët).

121. Vërtet që këtu ka shenjë treguese, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë.

122. Dhe vërtet që Zoti yt, Ai është me të vërtetë i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti!

123. (Edhe populli) Aad i përgënjeshtroi të Dërguarit.

124. Kur vëllai i tyre Hudi u tha atyre: “A nuk do t’i frikësoheni Allahut dhe t’i nënshtroheni Atij?

125. Vërtet unë jam i Dërguar i besueshëm te ju.

126. Kini pra frikë Allahun, plotësoni detyrimin tuaj ndaj Tij dhe m’u bindni mua.

127. Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj për të (për Mesazhin tim të Besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), shpërblimi im është vetëm nga Zoti i Alemit (i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjindet në të; i njerëzve dhe i xhindeve).

128. A ndërtoni pallate të larta në çdo kodrinë, ndërsa nuk banoni në to?

129. Dhe mbani për vete pallate, sikur do të jetoni në to përgjithmonë,

130. Dhe kur përdorni forcën, e shfrytëzoni si tiranë?

131. Kini pra frikë Allahun, plotësoni detyrimin tuaj ndaj Tij dhe m’u bindni mua.

132. Dhe kini frikë Atë, plotësoni detyrimin tuaj ndaj Atij i Cili ju ka ndihmuar ju me atë që doni.

133. Ai ju ka ndihmuar me bagëti e fëmijë.

134. Edhe me kopshte e burime.

135. (Dhe) vërtet që për ju kam frikë ndëshkimin e një Dite të Madhe.”

136. Ata i thanë: “Për ne është krejt njësoj, nëse ti na këshillon apo nuk je prej atyre që këshillojnë.

137. Kjo nuk është tjetër veçse përrallë e rreme dhe fe e të parëve. (Tefsir At-Tabari).

138. Dhe ne nuk do të ndëshkohemi.”

139. Kësisoj ata e përgënjeshtruan atë dhe Ne i shkatërruam ata. Vërtet që këtu ka shenjë treguese, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë.

140. Dhe vërtet që Zoti yt, Ai është me të vërtetë i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.

141. (Populli) Themud, i përgënjeshtroi të Dërguarit.

142. Kur vëllai i tyre Salihu u tha atyre: “A nuk do t’i frikësoheni Allahut dhe t’i nënshtroheni Atij?

143. Vërtet unë jam i Dërguar i besueshëm te ju.

144. Kini pra frikë Allahun, plotësoni detyrimin tuaj ndaj Tij dhe m’u bindni mua.

145. Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj për të (për Mesazhin tim të Besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), shpërblimi im është vetëm nga Zoti i Alemit (i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjindet në të, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).

146. A do të liheni të sigurt në ato (të mira) që i keni këtu?

147. Në kopshte dhe burime.

148. Edhe (fusha) të gjelbëruara drithi dhe hurma me degët duke u thyer.

149. Dhe skalitni shtëpitë në male me shumë mjeshtri.

150. Kini pra frikë Allahun, plotësoni detyrimin tuaj ndaj tij dhe m’u bindni mua.

151. Dhe mos iu nënshtroni urdhërit të El-Musrifunëve (prijësit e tyre politeistë, kriminelë, mëkatarë që kalojnë çdo kufi),

152. Të cilët bëjnë ligësi në tokë dhe nuk ndreqen.”

153. Ata i thanë: “Ti s’je veçse një prej të zënëve nga magjia!

154. Ti s’je veçse një qenie njerëzore si dhe ne. Na sill atëherë një shenjë, nëse ti vërtet je prej të drejtëve e të besuarve.”

155. Ai u tha: “Ja ku është deveja; ajo ka të drejtë të pijë ujë dhe ju keni të drejtë të pini ujë, secila (palë) në ditë të njohur.

156. Dhe mos e prekni ta dëmtoni, se përndryshe do t’ju kapë ndëshkimi i një Dite të Madhe.”

157. Po ata e mbytën atë dhe më pas u erdhi keq e ndjenë dhëmbshuri.

158. Kështu që ndëshkimi i mbështolli ata. Vërtet që këtu ka një shenjë treguese, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë.

159. Dhe vërtet që Zoti yt, Ai është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.

160. Populli i Lutit (banorët e Sodomit në Palestinë) i përgënjeshtruan të Dërguarit.

161. Kur vëllai i tyre Luti u tha atyre: “A nuk di t’i frikësoheni Allahut dhe t’i nënshtroheni Atij?

162. Vërtet që unë jam i Dërguar i besueshëm te ju.

163. Kini pra frikë Allahun, plotësoni detyrimin tuaj ndaj Tij dhe m’u bindni mua.

164. Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj për të (për Mesazhin tim të Besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), shpërblimi im është vetëm nga Zoti i Alemit (i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjindet në të, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).

165. A shkoni me burrat e botës.

166. Dhe i lini mënjanë ato të cilat Allahu i ka krijuar për të qenë bashkëshortet tuaja? Por vërtet që ju jeni popull që kalon çdo kufi!”

167. Ata i thanë: “Në qoftë se nuk pushon, o Lut, me të vërtetë që do të të përzëmë!”

168. Ai u tha: “Unë me të vërtetë që jam prej atyre që kundërshtoj me urrejtje të thellë dhe zemërim të madh këtë poshtërsi (sodominë) që ju veproni.

169. Zoti im! Më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata.”

170. Kështu Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij të gjithë, -

171. Përveç një gruje të kaluar nga mosha (bashkëshortja e Lutit e cila qe) prej atyre që mbetën mbrapa (dhe u shkatërruan).

172. Pastaj Ne i shkatërruam të tjerët.

173. Dhe Ne derdhëm mbi ta shi (gurësh për ndëshkim). Dhe sa i keq ishte shiu i atyre të cilët u qortuan!

174. Vërtet që këtu ka një shenjë treguese, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë.

175. Dhe vërtet që Zoti yt, Ai është me të vërtetë i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.

176. Banorët e Ejket-it (banorët e Pyllit, populli i Medjenit dhe i Pejgamberit Shuajb) i përgënjeshtruan të Dërguarit.

177. Kur Shuajbi atyre u tha: “A nuk do t’i frikësoheni Allahut dhe t’i nënshtroheni Atij?

178. Vërtet unë jam i Dërguar i besueshëm tek ju.

179. Kini pra frikë Allahun, plotësoni detyrimin tuaj ndaj Tij dhe m’u bindni mua.

180. Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj për të (për Mesazhin tim të Besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), shpërblimi im është vetëm nga Zoti i Alemit (i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjindet në të, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).

181. Matni saktësisht dhe mos u sillni humbje (të tjerëve).

182. Dhe peshoni me peshore të vërtetë e të drejtë.

183. Dhe mos u merrni me të padrejtë njerëzve duke ua pakësuar gjërat e tyre (duke u matur mangut e duke i mashtruar), as mos bëni poshtërsi duke sjellë prishje dhe djallëzi në tokë.

184. Dhe kini frikë Atë i Cili ju krijoi ju dhe brezat e parë të njerëzimit.”

185. Ata i thanë: “Ti s’je veçse një prej të zënëve nga magjia!

186. Ti s’je veçse një qenie njerëzore si edhe ne dhe në të vërtetë ne dyshojmë se ti je prej gënjeshtarëve!

187. Bëje pra një copë qielli të bjerë mbi ne, nëse ti je vërtet prej të drejtëve e të besuarve.”

188. Ai u tha: “Zoti im është Njohësi më i Mirë për çfarë ju punoni.”

189. Por ata e mohuan atë, kështu që ndëshkimi i ditës me hije (një re e madhe) i mbështolli ata, vërtet që ishte ndëshkimi i një Dite të Madhe.

190. Vërtet që këtu ka një shenjë treguese, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë.

191. Dhe vërtet që Zoti yt, Ai është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.

192. Dhe sigurisht që ky (Kur’ani) është shpallje nga Zoti i Alemit (i gjithësisë, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).

193. Të cilin Ruhu (Meleku Xhibril) i besueshëm e ka zbritur -

194. Në zemrën tënde (O Muhammed) që të mund të jesh prej këshilluesve,

195. (I zbritur) në gjuhën e qartë Arabe.

196. Dhe me të vërtetë që ai (Kur’ani dhe zbritja e tij Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është njoftuar në Librat e zbritur popujve të mëparshëm.

197. A nuk shërben për ta si tregues se dijetarët e shquar të Beni Israilëve e njohën atë (si të vërtetë, si Abdullah bin Salam radijAllahu ‘anhu., i cili përqafoi Islamin)?

198. Dhe po t’ia kishim shpallur atë (Kur’anin) kujtdo tjetër nga jo-arabët, -

199. Dhe ai t’ua kishte lexuar atyre (arabëve), ata nuk do të kishin besuar në të.

200. Kësisoj e kemi bërë Ne atë (mohimin që i bëjnë ata Kur’anit) të hyjë në zemrat e Muxhriminëve (politeistë, kriminelë, të zhytur në mëkate).

201. Ata nuk do të besojnë në të derisa të shohin ndëshkimin e dhimbshëm.

202. Ai do t’u vijë atyre befas, kur të mos e nuhasin aspak.

203. Pastaj ata do të thonë: “A mund të na jepet afat?”

204. A do të dëshironin pra, që Ndëshkimi Ynë të shpejtohet mbi ta?

205. Më thoni Mua, edhe nëse Ne i lëmë të kënaqen me vite,

206. Dhe pastaj atyre u mbërrin ai (ndëshkimi) i cili u qe premtuar,

207. Gjithë ajo me të cilën ata po kënaqeshin nuk do t’u vlejë aspak.

208. Dhe Ne kurrë nuk shkatërruam ndonjë vendbanim veçse duke qenë në të këshilluesit e tij -

209. Nëpërmjet përkujtimit dhe Ne kurrë nuk kemi qenë të padrejtë.

210. Dhe nuk janë shejtanët që e kanë zbritur atë (Kur’anin).

211. As nuk do t’u takonte aspak atyre, as edhe nuk kanë mundësi (ta krijojnë e ta paraqesin atë).

212. Sigurisht që ata janë larguar larg nga të dëgjuarit.

213. Kështu pra, mos lutni ilah (zot) tjetër me Allahun se përndryshe do të jeni prej atyre që ndëshkohen.

214. Dhe këshilloje farefisin tënd të afërm (O Muhammed).

215. Dhe të jesh i dashur e kokëulur ndaj besimtarëve që të vijnë pas.

216. Pastaj nëse nuk të binden ty, thuaju: “Unë jam i pafajshëm për çfarë ju veproni.”

217. Dhe mbështetu e vari shpresat tek i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.

218. I Cili të sheh ty (O Muhammed) kur ti ngrihesh (vetëm, natën për faljen e Tahaxhud-it: falje jo e detyruar pas mesit të natës).

219. Dhe lëvizjet e tua në mesin e atyre që bien në sexhde (në faljen e përbashkët në Xhami).

220. Vërtet që Ai, vetëm Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.

221. A t’ju bëj të njohur (o njerëz) se mbi kë zbresin shejtanët?

222. Ata zbresin te çdo gënjeshtar mëkatar.

223. I cili i hap mirë veshët (për të dëgjuar shejtanët dhe ata zbrazin ç’mund të kenë vjedhur nga e panjohura prej melekëve) dhe shumica e tyre janë gënjeshtarë.

224. Sa për poetët vjershëtor, të gabuarit i ndjekin ata,

225. A nuk sheh se ata flasin për çdo çështje (sa lëvdërojnë, sa përqeshin) në poezitë e tyre?

226. Dhe thonë çfarë nuk veprojnë.

227. Përveç atyre që besojnë (në Njësinë e Allahut, në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), dhe që punojnë mirësi e drejtësi, dhe që e kujtojnë Allahun shumë, dhe hakmerren dhe u përgjigjen (në poezi) poezisë së padrejtë (të cilën mosbesimtarët e thurin kundër muslimanëve). Dhe ata që bëjnë padrejtësi, do ta shohin se me çfarë përmbysje do të përmbysen.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free