15 - El Hixhr
El Hixhr - Lugina shkëmbore
Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim
Pjesa 14
1. Elif, Lam, Ra. Këto janë Vargjet e Librit dhe Kur’anit të qartë.
2. Ata që mohuan, sa shumë herë do të kishin dëshiruar të kishin qenë Muslimanë (të nënshtruar ndaj Vullnetit të Allahut në Islam me të gjitha kushtet dhe detyrimet e tij).
3. I lini vetëm ata të hanë e të shijojnë (të mirat e përkohshme kësaj bote) si dhe t’i përkushtohen shpresës së kotë. Shpejt do ta kuptojnë!
4. E kurrë nuk e shkatërruam Ne ndonjë vendbanim që nuk i ishte dhënë afat i njohur dhe i përcaktuar për të.
5. Asnjë komb nuk mund ta parashikojë afatin e përcaktuar as edhe nuk mund ta shtyjë atë.
6. Dhe thonë: “O ti (Muhammed) të cilit i është zbritur Përkujtimi (Kur’ani)! Me të vërtetë ti je i marrë!
7. Pse nuk na sjell melekë, nëse ti je prej të vërtetëve?”
8. Ne nuk i zbresim melekët veçse me të vërtetën (për të përmbushur Çështjet e Urdhërat e drejta Tonat për ndëshkim etj) dhe në rast të tillë ata (që nuk besojnë), nuk do të kenë më shtyrje të afatit!
9. Vërtet Ne, jemi Ne që e kemi zbritur Përkujtimin (Kur’anin) dhe padyshim që Ne do të jemi Gjithëruajtës të tij.
10. Sigurisht që Ne sollëm të Dërguar para teje (O Muhammed) ndër sektet e vjetra (fetare të cilët u shmangën nga e drejta).
11. Dhe asnjëherë nuk u erdhi i Dërguar atyre, veçse gjithnjë e tallen.
12. Kështu e lëmë Ne atë (mosbesimin) të hyjë në zemrat e Muxhrimunëve (kriminelëve, politeistëve, të pabindurve e të panënshtruarve ndaj Allahut).
13. Ata nuk mund të besojnë në të (në Kur’an), e tashmë ka kaluar shembulli i të parëve (popuj që i shkatërroi Ndëshkimi i Allahut).
14. Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një portë nga qielli dhe ata të vazhdonin të ngjiteshin atje,
15. Ata sigurisht që do të thoshin: “Na u morën sytë. Jo, ne jemi popull i magjepsur me magji.”
16. Dhe vërtet Ne i kemi sjellë yjet madhështorë në qiell dhe Ne e zbukuruam atë për shikuesit.
17. Dhe për më tepër Ne e kemi mbrojtur atë (qiellin e parë) nga çdo shejtan i mallkuar.
18. Por për ndonjë (shejtan) që vjedh ndonjë fjalë, ndiqet nga një zjarr ndriçues i ndezur fort.
19. Dhe tokën e kemi zgjeruar dhe kemi vendosur në të male të qëndrueshme, si dhe bëmë që në të të rriten të gjitha llojet e gjërave në masë të drejtë e të përcaktuar.
20. Dhe Ne kemi sjellë në të mjete për jetesë, - për ju dhe për ata (krijesa të tjera) për të cilët ju nuk kujdeseni.
21. Dhe s’ka asgjë që të mos i ketë thesaret e pashterrshme te Ne dhe Ne nuk e dërgojmë atë veçse në masë të drejtë e të ditur.
22. Dhe Ne i dërgojmë erërat mbarësuese (që të mbushin retë me ujë), pastaj Ne bëjmë që uji të zbresë nga qielli duke ua dhënë atë Ne për ta pirë dhe nuk jeni ju pronarët e rojet e depozitave dhe burimeve të tij.
23. Dhe vërtet Ne! Ne jemi Ata të Cilët japim jetë dhe sjellim vdekjen, dhe po Ne jemi Gjithëtrashëguesit.
24. Dhe nuk ka dyshim se Ne njohim brezat tuaj të parë që kanë kaluar, po kështu sigurisht që Ne njohim brezat tuaj të tashëm si edhe ata që do të vijnë pastaj.
25. Dhe padyshim që Zoti yt do t’i grumbullojë ata të gjithë bashkë. Me të vërtet që Ai është më i Urti Gjithëgjykues, i Gjithëditur.
26. Vërtet që Ne e krijuam njeriun prej argjillës tingëlluese, prej baltës së zezë e të lëmuar.
27. Edhe xhindet Ne i krijuam kohë më parë prej flakës pa tym të zjarrit.
28. Dhe përkujto kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë do të krijoj një njeri (Ademin) prej argjillës tingëlluese, prej baltës së zezë e të lëmuar (duke i dhënë formë).
29. Kështu që kur Unë t’i kem dhënë plotësisht formën atij dhe t’i kem fryrë shpirtin që e kam krijuar për të, atëherë përkuluni para tij duke rënë në sexhde (me nderim).
30. Kështu melekët të gjithë ranë në sexhde me nderim, të gjithë së bashku.
31. Përveç Iblisit - ai nuk pranoi të jetë prej atyre që bien në sexhde (të nënshtruar ndaj Allahut e me nderim ndaj Ademit).
32. (Allahu) i tha: “O Iblis! Cili është shkaku që ti nuk qe e nuk u bashkove me ata që u nënshtruan e ranë në sexhde?”
33. (Iblisi) u përgjigj: “Unë nuk jam prej atyre që t’i nënshtrohem e t’i bie në sexhde një qenie njerëzore të cilin Ti e krijove prej argjillit tingëllues, prej baltës së zezë e të lëmuar.”
34. (Allahu) i tha: “Atëherë, dil jashtë prej këtu, pasi me të vërtetë ti je Raxhim (i përzënë, i mallkuar). (Tefsir At-Tabari).
35. Dhe padyshim që mallkimi do të jetë mbi ty deri në Ditën e Llogarisë.”
36. (Iblisi) tha: “O Zoti im! Më jep atëherë afat deri ditën kur ata (të vdekurit) do të rikthehen në jetë.”
37. (Allahu) Tha: “Sigurisht që ti je prej atyre që u është dhënë afat, -
38. Deri Ditën e kohës së caktuar (Kijametit).”
39. (Iblisi) tha: “O Zoti im! Për shkak se Ti më humbe mua e më fute në rrugë të shtrembër, unë padyshim që do t’ua zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në tokë dhe do t’i fus në rrugë të shtrembër që të gjithë,
40. Përveç robëve të Tu të zgjedhur e të udhëzuar nga mesi i tyre.”
41. (Allahu) i tha: “Kjo (Rruga e robëve të Mi të përkushtuar) është Rruga e cila do t’i udhëheqë drejt e tek Unë.
42. Në të vërtetë ti nuk do të kesh aspak forcë mashtruese mbi robët e Mi përveç atyre të cilët të ndjekin ty në të gabuarën nga Gavunët (mosbesimtarët, mohuesit, të humburit).
43. Dhe s’ka dyshim se Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata.
44. Ai ka shtatë porta dhe për secilën nga ato ka grup të përcaktuar (sipas mëkateve e krimeve të bëra).
45. Sigurisht që Muttekunët (të përkushtuarit në Rrugën Time) do të jenë mes Kopshteve të Begatë dhe burimeve të pashtershëm të Xhennetit.
46. (Do t’u thuhet këtyre): ‘Hyni atje në Paqë dhe në Siguri.’
47. Dhe do të largojmë nga gjokset e tyre çdo gjurmë plage a dhimbje (që mund të ken pasur); (do të jenë) vëllezër që shohin njëri-tjetrin me gaz (të nderuar) mbi fronet e tyre të lartë.
48. Asnjë shenjë lodhjeje nuk do t’i prekë e nuk do të ndjejnë, as edhe nuk do t’u kërkohet kurrë që të dalin prej andej.”
49. Shpallu robëve të Mi (O Muhammed) se Unë, vërtet që jam Unë gjithnjë Falësi i Madh, Mëshirëploti.
50. Dhe se Ndëshkimi Im, ai është me të vërtetë ndëshkim i dhimbshëm.
51. Tregoju edhe për miqtë (melekët) e Ibrahimit,
52. Kur ata hynë tek ai dhe i thanë: “Selam”- (Paqë mbi ty)! (Ibrahimi) u tha: “Në të vërtetë ne kemi frikë nga ju.”
53. Ata i thanë: “Mos u frikësoni! Ne të përgëzojmë ty për një djalë tepër të mençur e të urtë.”
54. (Ibrahimi) u tha: “A më përgëzoni ndërkohë që mosha e thyer më ka mbërthyer mua? Me çfarë pra më përgëzoni?”
55. Ata i thanë: “Ne të sjellim ty lajmin e gëzuar me vërtetësi, kështu që mos u bëj i dëshpëruar.”
56. (Ibrahimi) u tha: “Dhe kush dëshpërohet nga Përkujtimi i Zotit të tij përveç atyre që janë në rrugë të humbur?”
57. (Ibrahimi përsëri) foli: “E cila është detyra me të cilën keni ardhur, o të Dërguar?”
58. Ata (melekët) iu përgjigjen: “Ne jemi dërguar te një popull Muxhrim (i prishur e i zhytur thellë në krime e mëkate, mosbesimtarë, kriminelë).
59. (Të gjithë) Me përjashtim të familjes së Lutit, këta të gjithë do t’i shpëtojmë (nga shkatërrimi),
60. Përveç gruas së tij për të cilën Ne kemi mësuar (dhe është vendosur) se ajo do të jetë prej atyre që do të mbetet prapa (e do të shkatërrohet).”
61. Pastaj, kur të Dërguarit (melekët) shkuan te familja e Lutit,
62. Ai (Luti) u tha: “Në të vërtetë ju jeni njerëz të panjohur për mua.”
63. Ata i thanë: “Po, (nuk kemi qëllim të keq ndaj teje, por) ne kemi ardhur tek ti me atë (ndëshkim) në të cilin ata dyshonin.
64. Dhe të kemi sjellë ty të vërtetën (lajmin për shkatërrimin e popullit tënd). Dhe padyshim se jemi që e themi të vërtetën.
65. Pastaj udhëto në pjesën e fundit të natës me familjen tënde dhe ti shko pas tyre në fund e mos lejo kënd nga ju të kthejë kokën pas e të shikojë, por vazhdo drejt e atje ku je urdhëruar.”
66. Kështu Ne ia bëmë të njohur atij këtë vendim, se rrënjët e atyre (popullit të tij) do të këputeshin përfundimisht herët në agim.
67. Ndërsa banorët e qytetit (Sadum) erdhën të gëzuar (kur morën lajmin e ardhjes së djelmoshave të panjohur).
68. (Luti) u tha: “Në të vërtetë këta janë mysafirët e mi, kështu që mos më turpëroni;
69. Dhe kini frikë Allahun e mos më poshtëroni.”
70. Ata (banorët e qytetit) i thanë: “A nuk ta kemi ndaluar ty që të presësh (apo të mbrosh njerëzit e botës, vizitorë të huaj, të varfër etj)?”
71. (Luti) u tha: “Këto (vajzat e popullit) janë bijat e mia (për t’u martuar drejtësisht me to), nëse doni të veproni.”
72. Vërtet, (Betohem) për jetën tënde (O Muhammed)! Në marramendjen e tyre të egër, ata po endeshin të verbuar në çmenduri.
73. Por As-Sajha (ndëshkimi - britma tronditëse shkatërruese, zë e zhurmë e madhe me breshëri gurësh) i përpiu ata para agimit.
74. Dhe Ne i kthyem përmbys (qytetet e Sodomit) duke derdhur mbi ta edhe gurë nga balta e pjekur.
75. Sigurisht që këtu ka shenja treguese për ata që shohin, që kuptojnë e që nxjerrin mësime (nga Shenjat e Allahut).
76. Dhe mu këto (qytete) janë në rrugë të madhe (në vend të njohur e të qartë, në rrugën nga Meka për në Siri ku është sot Deti i Lutit ose Deti i Vdekur).
77. Me të vërtetë që atje është një shenjë treguese e madhe për besimtarët.
78. Edhe banorët e Ejkes (banorët e Pyllit, të Medjenit të Pejgamberit Shuajb ‘alejhis–selam) ishin po kështu Dhalimunë (mohues, politeistë, keqbërës).
79. Kësisoj Ne vendosëm dhe u hakmorrëm mbi ta dhe që të dy këto (vende) janë në rrugë të madhe, hapur që të shihen qartë.
80. Po kështu, edhe banorët e Hixhrit (Luginës Shkëmbore) nuk i pranuan të Dërguarit.
81. Dhe Ne u dhamë atyre Shenjat Tona, por ata ishin krejt kundër tyre.
82. Dhe vazhdonin të latonin e të skalitnin shtëpitë në malet shkëmbore (duke e ndjerë veten) të mbrojtur.
83. Por As-Sajha (ndëshkimi, britma shkatërruese, zë e zhurmë e madhe e dërguar nga qielli) i mbështolli herët në agim.
84. Dhe pa asnjë dobi qe gjithë ajo që bënë (me shumë mjeshtri e kujdes).
85. Dhe nuk i krijuam Ne qiejt dhe tokën dhe gjithë ç’është ndërmjet tyre veçse me të vërtetën (me të drejtën e jo pa qëllim ose pa vlerë); Ora e Fundit sigurisht që po vjen, kështu që (O Muhammed) lëri mënjanë me falje e me ndjesë butësie e mëshire (e mos i ndëshko) gabimet e tyre. (Ky varg është zbritur herët, para vargjeve për Xhihadin - luftën e shenjtë në Rrugë të Allahut kundër gjithë mosbesimtarëve të tjerë).
86. Vërtet që Zoti yt, Ai është Gjithëkrijuesi, i Gjithëdituri.
87. Dhe tashmë sigurisht që Ne të dhuruam ty shtatë vargjet e përsëritura vazhdimisht dhe Kur’anin Madhështor.
88. Mos i drejto sytë e tu me lakmi në ato çfarë u kemi dhuruar Ne disa grupeve të tyre (mosbesimtarëve) dhe as mos u pikëllo për ta (pse nuk besuan), por ule krahun tënd (me butësi) te besimtarët.
89. Dhe thuaj: “Unë me të vërtetë jam paralajmërues i qartë.”
90. Siç u kemi zbritur ndarësve (jehudive, të krishterëve që i ndanë pjesë-pjesë Librat e Parë),
91. Të cilët e bënë pjesë-pjesë Kur’anin (sipas qejfit të tyre, duke besuar në një pjesë të tij ose duke i copëtuar e duke i shpërndarë ndër vizitorët e Kabës pjesë të shkëputura e pa lidhje të tij dhe duke mohuar pjesën tjetër). (Tefsir At-Tabari).
92. Kështu pra, për Zotin tënd (O Muhammed)! Ne padyshim që do t’i marrim ata të gjithë në pyetje e në llogari -
93. Për gjithë ç’farë kanë punuar.
94. Kësisoj shpalle hapur atë (Mesazhin e Allahut) që je urdhëruar dhe largohu prej Mushrikëve (politeistë, paganë, idhujtarë, mohues të Njësisë së Allahut, që i vënë shokë Atij).
95. Nuk ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër tallësve e përgojuesve të tu.
96. Ata të cilët sollën përkrah me Allahun ilah (zot, të adhuruar) tjetër, shpejt do ta mësojnë.
97. Nuk ka dyshim se Ne e dimë se gjoksi yt është i ngushtuar (e të është pikëlluar zemra) nga ato gjëra që ata flasin.
98. Kështu që lavdëro madhështinë e Zotit tënd dhe të jesh prej atyre që ia nënshtrojnë veten Atij duke rënë në sexhde me adhurim.
99. Dhe adhuro (e shërbeji) Zotit tënd, deri sa të arrijë e pashmangshmja e sigurtë (vdekja).