KUR’AN-i
Shqip – Albanian

77 - El Murselat



El Murselat - Të Dërguarit

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. (Betohem) për të dërguarit (erërat ose melekët, ose Pejgamberët) e çuar një pas një!

2. Dhe për erërat që fryejnë fort!

3. Dhe për erërat që shpërndajnë retë dhe shiun!

4. Dhe për Vargjet (e Kur’anit) që ndajnë të drejtën nga e gabuara!

5. Dhe për melekët që u sjellin Shpalljet Hyjnore të Dërguarve,

6. Për të prerë gjithë shfajësimet dhe për të këshilluar!

7. Padyshim se ajo që u është premtuar, do të ndodhë patjetër!

8. E kur yjet të shuhen,

9. Dhe kur qielli të çahet,

10. Dhe kur malet të fshihen (nga era si të ishin pluhur).

11. Dhe kur të Dërguarit të mblidhen në kohën e përcaktuar për ta.

12. Për çfarë Dite shtyhen këto shenja?

13. Për Ditën e Ndarjes (së njerëzve të Xhennetit nga ata të caktuar për Xhehenem).

14. Dhe çfarë do të të bëjë ty të kuptosh se ç’është Dita e Ndarjes?

15. Mjerë ajo Ditë për mohuesit!

16. A nuk i shkatërruam Ne të parët (popujt e hershëm)?

17. Kësisoj Ne do t’i bëjmë brezat e mëpasmë t’i ndjekin ata.

18. Kështu merremi Ne me Muxhrimunët (politeistët, mohuesit, mëkatarët, kriminelët)!

19. Mjerë ajo Ditë për mohuesit!

20. A nuk ju kemi krijuar Ne prej një uji të përçmuar?

21. Pastaj Ne e vendosëm atë në një vend të sigurtë (në mitër),

22. Për një kohë të njohur (të qëndrimit të foshnjës në bark të nënës)?

23. Kështu e përcaktuam Ne dhe Ne jemi më të mirët Matës e Përcaktues (të çdo gjëje).

24. Mjerë ajo Ditë për mohuesit!

25. A nuk e kemi bërë Ne tokën mbajtëse,

26. Për të gjallët dhe për të vdekurit?

27. Dhe (a nuk) kemi vendosur në të male të qëndrueshme dhe të larta dhe (a nuk) ju kemi dhënë juve për të pirë ujë të ëmbël?

28. Mjerë ajo Ditë për mohuesit!

29. (Do t’u thuhet mosbesimtarëve): “Ndahuni ju për tek ai që ju e patët mohuar!

30. Ndahuni ju për tek hija (e tymit të Zjarrit të Xhehenemit që ngrihet) në tri kolona tymi,

31. Që as nuk bëjnë hije dhe as që vlejnë ndopak ndaj flakës së egër të Zjarrit.”

32. Vërtet që ai (Xhehenemi) hedh gaca (të mëdha) sa një Kasr (sa një kështjellë, ose sa një trung i madh),

33. Si të ishin deve të verdha (varg) ose tufa litarësh.

34. Mjerë ajo Ditë për mohuesit!

35. Ajo do të jetë Ditë, gjatë së cilës ata nuk do të flasin.

36. Dhe nuk do të lejohen as të arsyetohen.

37. Mjerë ajo Ditë për mohuesit!

38. Ajo do të jetë Dita e Vendimit (ndarjes së banorëve të Xhennetit dhe të Xhehenemit)! Ne ju kemi sjellë ju dhe të parët tuaj të gjithë bashkë!

39. Kështu që po të keni ndonjë plan, përdoreni atë kundër Meje (Allahut, ‘Azze ue Xhel.)!

40. Mjerë ajo Ditë për mohuesit!

41. Vërtet që Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) do të jenë mes hijesh dhe burimesh,

42. Dhe frutash nga çfarë të duan.

43. “Hani e pini të qetë e në rehati për atë që keni vepruar.

44. Vërtet që kështu i shpërblejmë Ne Muhsinunët (mirëbërësit në Rrugën e Allahut).”

45. Mjerë ajo Ditë për mohuesit!

46. (O ju mohues!) “Hani dhe kënaqeni veten (në këtë botë) për pak kohë. Vërtet që jeni Muxhrimunë (politeistë, mohues, kriminelë, mëkatarë).”

47. Mjerë ajo Ditë mohuesit!

48. Dhe kur atyre u thuhet: “Përkuluni!”, ata nuk përkulen (nuk e kryejnë faljen e tyre).

49. Mjerë ajo Ditë për mohuesit!

50. Atëherë në çfarë fjale pas këtij (Kur’ani) do të besojnë ata?
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free