KUR’AN-i
Shqip – Albanian

40 - Gafir



Gafir ose El Mu’min - Falësi ose Besimtari

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ha, Mim.

2. Shpallja e Librit është nga Allahu, i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri.

3. Falësi i Madh i gjynahit, Pranuesi i pendimit, i Rrepti në ndëshkim, Dhuruesi (që arrin kudo me mirësitë e Tij), La ilahe il-la Huve (Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Atij). Tek Ai është kthimi i fundit.

4. Askush nuk kundërshton Ajetet e Allahut (provat, shenjat, shpalljet) përveçse ata që mohojnë dhe nuk besojnë. Kësisoj, le të mos gënjejë pra ty (O Muhammed) aftësia e tyre që kapërcejnë nga një vend në një tjetër në tokë (për të plotësuar tekat e për qëllimet e tyre, pasi ndalimi i tyre i fundit do të jetë Zjarri i Xhehenemit).

5. Populli i Nuhut dhe popuj të shumtë pas tyre i përgënjeshtruan (të Dërguarit e tyre) dhe çdo komb (mosbesimtar) u përbetua kundër të Dërguarit të tyre për ta kapur atë dhe kundërshtuar me gënjeshtër, (me qëllim) që me anë të saj të hedh poshtë të vërtetën. Kështu Unë i mbërtheva ata (me ndëshkim) dhe sa i tmerrshëm qe Ndëshkimi Im!

6. Kësisoj Fjala e Zotit tënd u vërtetua dhe u përligj mbi ata që nuk besuan, se ata do të jenë banorët e Zjarrit.

7. Ata (melekë) të cilët mbajnë Arshin (e Allahut) dhe ata rreth tij, lartësojnë lavditë e Zotit të tyre dhe besojnë tek Ai, dhe kërkojnë falje për ata që besojnë (duke thënë): “Zoti ynë! Ti përfshin gjithçka në Mëshirë dhe Dije, fali pra ata që pendohen e ndjekin Udhën Tënde dhe ruaji ata nga ndëshkimi i Zjarrit flakërues!

8. Zoti ynë! Dhe bëj ata të hyjnë në Kopshtet e Begatë të Xhennetit të përhershëm të cilët Ti ua ke premtuar atyre dhe të drejtëve nga të parët e tyre, bashkëshortet e tyre dhe pasardhësit e tyre! Vërtet që vetëm Ti je i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

9. Dhe shpëtoj ata (nga ndëshkimi për çfarë ata bënë) nga gjynahet, dhe këdo që Ti e shpëton (e fal nga ndëshkimi për çfarë ata bënë) nga gjynahet atë Ditë, vërtet që atë e ke futur në Mëshirën Tënde.” Dhe kjo është fitorja më e madhe.

10. Atyre që mohuan do t’u thuhet (në Ditën e Ringjalljes): “Mospëlqimi i Allahut ishte më i madh ndaj jush (në jetën e dynjasë ku ju vazhdimisht e mohonit Besimin), se sa neveria ndaj njëri-tjetrit (tash në Zjarrin e Xhehenemit, pasi tash jeni armiq të njëri-tjetrit), kur u ftuat në Besim, por gjithnjë e hodhët poshtë atë.”

11. Ata do të thonë: “Zoti ynë! Ti na ke bërë ne të vdesim dy herë dhe Ti na ke dhënë jetën dy herë! Tash ne i dëshmojmë dhe i pranojmë gjynahet tona. Pra, a ka ndonjë rrugëdalje shpëtimi (nga Zjarri)?” (Tefsir El-Kurtubi).

12. (Du t’u thuhet): “Ky (dënim) është, pse kur bëhej thirrja për të besuar Allahun Një të Vetëm, ju nuk besuat, por kur Atij i viheshin shokë e i mvisheshin të barabartë, ju i besuat këta. Kështu pra, Gjykimi është vetëm i Allahut, më të Lartit, më të Madhit!”

13. Ai është i cili ju shpall qartë Ajetet e Tij (provat, shenjat, shpalljet) dhe zbret për ju (furnizim) nga qielli. Dhe nuk i përkujtojnë veçse ata që i kthehen Allahut në nënshtrim e me pendim.

14. Kësisoj, lutjuni ju vetëm Allahut duke e bërë besimin tuaj të pastër vetëm për Atë Një e të Vetëm, duke iu përkushtuar plotësisht vetëm Fesë së Tij dhe vetëm për Hir të Tij, sado që të urrejnë mosbesimtarët (këtë Besim).

15. (Ai është Allahu) Zotëruesi i Shkallëve e Gradave më të Larta, Zotëruesi i Arshit. Ai dërgon Frymëzimin me Urdhërin e Tij te cilido nga robët e Tij që Ai do, me qëllim që ai (ky rob i Tij i zgjedhur prej Tij i cili merr këtë shpallje) të mund të këshillojë (njerëzit) për Ditën e Takimit të Ndërsjellë (Ditën e Llogarisë).

16. Ditën kur ata të gjithë do të dalin duke mos iu fshehur asgjë e tyre ndaj Allahut. I Kujt është mbretërimi këtë Ditë? (Allahu Vetë do të përgjigjet): është i Allahut Një dhe i Vetëm, i të Papërballueshmit!

17. Këtë Ditë çdokush do të shpërblehet për atë që ka fituar. Asnjë padrejtësi (nuk do t’i bëhet kujt). S’ka dyshim se Allahu është i Shpejti në llogari.

18. Dhe këshilloi ata (O Muhammed) për një Ditë e cila po afrohet (Dita e Llogarisë), kur zemrat do të zënë grykën e njerëzve dhe ata as nuk do të munden t’i kthejnë ato në gjoksin e tyre, as nuk do të munden t’i nxjerrin ato jashtë. Nuk do të ketë as ndonjë që t’u bëhet shok, as ndërmjetësues për Dhalimunët (mohuesit, keqbërësit) të cilëve nuk do t’u kushtohet aspak vëmendje.

19. Allahu njeh shikimet me cep të syrit dhe gjithçka që fshehin gjokset.

20. Dhe Allahu gjykon me drejtësi e me të vërtetën, ndërsa ata (idhuj e çdo i adhuruar tjetër) që ata (politeistët e çdo lloji) u luten në vend të Tij, nuk mund të gjykojnë asgjë. Vërtet që Allahu, Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëvëzhguesi.

21. A nuk udhëtuan ata nëpër tokë që të shohin se cili ishte fundi i atyre (popujve) para tyre? Ata ishin edhe më lartë në fuqi se këta dhe në gjurmët (që lanë) në tokë, por Allahu i mbërtheu ata në ndëshkim për mëkatet e tyre. Dhe ata nuk patën asnjë që t’i mbronte nga Allahu.

22. Kjo ngaqë tek ata shkuan të Dërguarit me shenja e tregues të qartë, por ata nuk besuan. Kështu pra, Allahu i mbërtheu ata me ndëshkim. Vërtet që Ai është Fuqiploti, i Ashpri në ndëshkim.

23. Dhe padyshim që Ne e dërguam Musain me Ajetet Tona (provat, shenjat, treguesit) dhe me autoritet të qartë -

24. Te Faraoni, Hamani dhe Karuni, por ata e quajtën e i thanë: “magjistar, gënjeshtar!”

25. Pastaj, kur ai u solli të Vërtetën nga Ne, thanë: “Vrisni bijtë e atyre që besojnë me të dhe leni gjallë gratë e tyre”, por përbetimet e mosbesimtarëve nuk janë tjetër, pos dështim!

26. Faraoni tha: “Më lini mua ta vras Musain dhe le të thërrasë Zotin e tij (të më ndalojë)! Kam frikë se ai do t’ju ndërrojë juve fenë tuaj, ose se ai mund të bëjë që të përhapet në tokë e keqja dhe ligësitë!”

27. Musai tha: “Padyshim që unë jam mbështetur tek Zoti im dhe tek Zoti juaj nga çdo kryeneç që nuk beson në Ditën e Llogarisë!”

28. Dhe një njeri besimtar nga familja e Faraonit, i cili e fshehte besimin e tij, tha: “A do të vrasësh një njeri sepse thotë, ‘Zoti im është Allahu’, dhe tashmë ju ka ardhur me shenja e tregues të qartë nga Zoti juaj? Edhe nëse ai është gënjeshtar, mbi të do të jetë (gjynahi) i gënjeshtrës së tij; por nëse ai po e thotë të vërtetën, atëherë mbi ju do të bjerë nga ai (dënim) me të cilin ai ju frikëson.” Vërtet që Allahu nuk e drejton një që është Musrif (politeist, vrasës, shtypës që kalon çdo cak), gënjeshtar!

29. O njerëzit e mi! I juaji është mbretërimi këtë ditë, ju jeni më të lartët në tokë. Por kush do të na shpëtojë ne nga Ndëshkimi i Allahut, nëse bie mbi ne?” Faraoni u tha: “Unë ju tregoj juve vetëm atë që unë e shoh (të drejtë) dhe unë ju udhëzoj vetëm në rrugën e qeverisjes së drejtë!”

30. Dhe ai që besoi, tha: “O njerëzit e mi! Me të vërtetë që kam frikë për ju një përfundim si ajo dita (e shkatërrimit) e popujve të shumtë!

31. Si fati i popullit të Nuhut, edhe Aadit, edhe Themudit, edhe i atyre që erdhën pas tyre. Dhe Allahu nuk dëshiron asnjë padrejtësi për robët e Tij.

32. O njerëzit e mi! Me të vërtetë që kam frikë për ju Ditën në të cilën do të jetë thirrja e përbashkët.”

33. Një Ditë kur do të ktheni shpinën dhe t’ia mbathni duke mos pasur asnjë mbrojtës prej Allahut. Dhe cilindo që e humb Allahu, për të nuk ka udhëzues.

34. Dhe me të vërtetë që juve ju erdhi Jusufi në kohën e shkuar me tregues të qartë, por ju nuk pushuat së dyshuari në atë që ai jua solli, derisa kur ai vdiq, ju thatë: “Asnjë të Dërguar nuk do të çojë Allahu pas tij.” Kështu pra, Allahu i humb rrugën atij i cili është Musrif (politeist, vrasës, shtypës) dhe Murta (ai i cili dyshon në Këshillat e Allahut dhe në Njësinë e Tij).

35. Ata që kundërshtojnë Ajetet e Allahut pa u ardhur atyre asnjë dije e provë, kjo (kundërshti) është mjaft e urryer dhe e neveritur tek Allahu dhe (tek) ata që besojnë. Kësisoj pra, Allahu vulos zemrën e çdo tirani kryelartë (kështu që ata nuk mund ta drejtojnë veten në Udhën e Drejtë).

36. E Faraoni tha: “O Haman! Ndërto për mua një kullë që të mund të arrijë rrugët -

37. Rrugët e qiejve dhe të mund të shoh Zotin e Musait, por unë me të vërtetë që e quaj atë gënjeshtar.” Kështu pra, në sytë e Faraonit u bë joshëse dhe si e drejtë e liga e punëve të tij dhe ai qe i ndaluar nga Udha (e Drejtë). Dhe qëllimi e betimi i Faraonit nuk çoi veçse në humbje dhe shkatërrim.

38. Njeriu që besoi, tha: “O njerëzit e mi! Më ndiqni mua, sepse unë do t’ju udhëzoj në Rrugën e drejtimit të Drejtë.

39. O njerëzit e mi! Nuk ka dyshim se kjo jetë e kësaj bote nuk është veçse një kënaqësi (e shpejtë, e përkohshme), dhe sigurisht se Jeta e Fundit, ajo është banesa që do të mbetet përgjithmonë.

40. Kushdo që bën një vepër të keqe, nuk do të shpërblehet veçse me një të tillë si ajo dhe kushdo që bën një vepër të mirë e të drejtë, qoftë burrë apo grua duke qenë besimtar i vërtetë (në Njësinë e Allahut), të tillët do të hyjnë në Xhennet në të cilin do t’u shërbehet (me të gjitha të mirat pa masë e) pa kufi.

41. Dhe o njerëzit e mi! Si është kjo? Unë ju ftoj në shpëtim, ndërsa ju më ftoni në Zjarr!

42. Ju më ftoni të mohoj Allahun dhe të bashkoj me Të të tjerë në adhurim përkrah Tij, gjë për të cilën unë nuk kam asnjë dije. Dhe Unë ftoj tek i Gjithëfuqishmi, gjithnjë Falësi i Madh!

43. Nuk ka dyshim se ju më ftoni mua (të adhuroj) te një i cili nuk mundet t’i përgjigjet lutjes sime në këtë botë apo në Jetën e Fundit. Dhe kthimi ynë do të jetë tek Allahu dhe padyshim që El-Musrifunët (politeistët, vrasësit, shtypësit që kalojnë çdo kufi), ata do të jenë banorët e Zjarrit!

44. Dhe juve do t’ju bjerë ndërmend çfarë po ju them. Dhe çështjen time unë ia lë Allahut. Vërtet që Allahu është Gjithëvëzhgues i robëve (të Tij).”

45. Kështu Allahu e shpëtoi atë (besimtarin) nga poshtërsitë që ata i kurdisën, ndërsa njerëzit e Faraonit i rrethoi ndëshkimi i keq.

46. Përballë Zjarrit ata do të sillen mëngjes e mbrëmje dhe Ditën kur do të vendoset Ora (do t’u thuhet melekëve): “Futeni popullin e Faraonit në ndëshkimin më të rreptë!”

47. Dhe kur të jenë duke u grindur në Zjarr, të dobëtit do t’u thonë atyre që ishin kryelartë: “Vërtet që ne ju ndoçëm ju. A mundeni tash të merrni prej nesh ndopak nga Zjarri?”

48. Ata që ishin kryelartë do të thonë: “Ne jemi të gjithë në këtë (Zjarr)! Vërtet që Allahu ka gjykuar mes robëve (të Tij)!”

49. Dhe ata në Zjarr do t’u thonë ruajtësve (melekëve) të Xhehenemit: “Lutjuni Zotit tuaj të na e lehtësojë neve ndëshkimin për një ditë!”

50. Ata (rojet) do t’u thonë: “A nuk erdhën tek ju të Dërguarit me dëshmi e prova të qarta?” Do të thonë: “Po (na kanë ardhur).” Do t’u përgjigjen: “Thërrisni atëherë (si të doni)! Dhe thirrja e mosbesimtarëve s’është veçse (endje) në humbje!”

51. Sigurisht që Ne do t’i nxjerrim fitimtarë të Dërguarit Tanë dhe ata që besojnë (në Allahun Një, në Islam) në jetën e kësaj bote dhe Ditën kur do të ngrihen e të paraqiten dëshmuesit (Ditën e Llogarisë),

52. Ditën kur shfajësimet e tyre do të jenë pa asnjë dobi për Dhalimunët (politeistët, keqbërësit, mohuesit e Njësisë së Allahut) dhe i tyre do të jetë mallkimi dhe i tyre do të jetë vendbanimi i keq (ndëshkimi në Zjarrin e Xhehenemit).

53. Dhe vërtet që Ne i dhamë Musait udhëzimin dhe bëmë që Bijtë e Israilit të trashëgojnë Librin (Teuratin),

54. Udhëzues dhe përkujtues për njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë.

55. Kështu që ji i duruar (O Muhammed). Sigurisht që Premtimi i Allahut është i vërtetë dhe kërko falje për gabimin tënd dhe lartëso lavditë e Zotit tënd në Ashi (nga mesdita deri në perëndim) dhe në Ibkar (nga agimi deri në mesditë).

56. Vërtet se ata që kundërshtojnë Ajetet e Allahut (provat, treguesit, shpalljet) pa u ardhur atyre asnjë dije e provë, nuk ka asgjë tjetër në gjokset e tyre përveç mendjemadhësisë. Ata kurrë nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Kërko pra mbështetje tek Allahu (O Muhammed). Vërtet që Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëvëzhguesi.

57. Krijimi i qiejve dhe i tokës është padyshim më madhështor se krijimi i njerëzimit e megjithatë shumica e njerëzve nuk e dinë.

58. Dhe nuk janë njësoj të verbërit me ata që shohin, nuk janë (njësoj) ata që besojnë (tek Allahu, në Islam) dhe punojnë mirësi e drejtësi dhe ata që bëjnë poshtërsi. Fare pak është ajo që falënderoni!

59. Nuk ka dyshim se Ora është e sigurtë se është duke ardhur, për të nuk ka pikë dyshimi, por shumica e njerëzve nuk besojnë.

60. Dhe Zoti juaj thotë: “M’u lutni Mua, Unë do t’ju përgjigjem. Me të vërtetë se ata të cilët e përbuzin adhurimin ndaj Meje, ata padyshim që do të hyjnë në Xhehenem me poshtërim!”

61. Allahu është Ai i Cili e ka bërë për ju natën që të pushoni gjatë saj dhe ditën për të parë. Vërtet që Allahu është Zotërues e Dhurues i Mirësive për njerëzimin, por megjithatë shumica e njerëzve nuk falënderojnë.

62. I tillë është Allahu, Zoti juaj, Krijuesi i çdo gjëje, La ilahe il-la Huve (askush nuk meriton, nuk ka të drejtë e nuk duhet të adhurohet veç Atij). Si atëherë largoheni (nga e Vërteta, nga Allahu duke adhuruar të tjerë në vend të Tij)!?

63. Po kështu u larguan dhe u mashtruan ata të cilët gjithnjë i mohuan Ajetet e Allahut (shenjat, provat, shpalljet e Tij).

64. Allahu është Ai i Cili e ka bërë për ju tokën vend-banimi dhe qiellin me kupë si mbulesë, edhe ju ka dhënë juve formë, edhe i ka bërë (format) tuaja të përsosura, edhe ju ka furnizuar me gjërat më të mira. I tillë është Allahu, Zoti juaj. I Lartësuar me Madhështi pra qoftë Allahu, Zoti i Aleminit (i njerëzve, xhindeve, i gjithçkaje).

65. Ai është i Përhershmi i Pafillim dhe i Pambarim, La ilahe il-la Huve (s’ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Atij). Lutjuni pra Atij duke e bërë besimin tuaj të pastër vetëm për Atë, Një e të Vetëm. Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e Aleminit (Zotin e gjithësisë dhe gjithçkaje që gjindet në të).

66. Thuaj: “Jam ndaluar të adhuroj ata të cilët ju i adhuroni në vend të Allahut, përderisa mua më kanë ardhur dëshmi të qarta nga Zoti im dhe jam urdhëruar të nënshtrohem në Islam si musliman ndaj Zotit të Aleminit (njerëzve, xhindeve dhe gjithë ç’është).

67. Ai është i Cili ju ka krijuar ju nga dheu (Ademin), pastaj nga Nutfah (lëngu i ngjizur i krijuar nga bashkimi i farës së vezës mashkullore me ato femërore), pastaj nga një copë gjaku e mpiksur, pastaj ju nxjerr jashtë si foshnja, pastaj ju jep rritje që të mund të arrini moshën e fuqisë dhe më pas të jeni të moshuar, - edhe pse disa prej jush vdesin më përpara, - dhe që të arrini një kohë të përcaktuar, me qëllim që mbase të kuptoni (realitetin).

68. Ai është i Cili jep jetë dhe sjell vdekje dhe kur Ai vendos për një gjë, Ai i thotë asaj: “Bëhu!” - dhe ajo është e bërë.

69. A nuk i shihni ata të cilët kundërshtojnë në Ajetet e Allahut (provat, dëshmitë, shpalljet)? Si largohen ata (nga e Vërteta)?

70. Ata që përgënjeshtrojnë Librin (Kur’anin) dhe atë me të cilin Ne sollëm të Dërguarit Tanë (Mesazhin e të adhuruarit të Allahut Një e të Vetëm), me besimin në Ringjallje dhe Shpërblim, këta pra, shpejt do ta mësojnë.

71. Kur jakat e hekurit t’u mbështillen në qafë dhe prangat, ata do të tërhiqen zvarrë,

72. Në ujin që vlon, pastaj në Zjarr do të digjen.

73. Pastaj do t’u thuhet atyre: “Ku janë ata që ia patët bashkuar në adhurim si shokë -

74. Përkrah e në vend të Allahut?” Do të thonë: “Ata kanë humbur prej nesh. Bile, përkundrazi ne nuk i jemi lutur ndonjë gjëje më parë.” Kështu pra, Allahu i çon në humbje mosbesimtarët.

75. Kjo kështu për ju pasi ishit të ngazëllyer në tokë pa të drejtë dhe se ju ishit mësuar të kënaqeshit pa masë (në rrugën tuaj të shtrembër).

76. Hyni në portat e Xhehenemit për të mbetur në të dhe vërtet sa i shëmtuar është vendbanimi për kryeneçët e pabindur!

77. Kështu që ji i duruar (O Muhammed). Sigurisht që Premtimi i Allahut është i vërtetë. Dhe nëse Ne të tregojmë ty (O Muhammed në këtë jetë) ndonjë pjesë të asaj që Ne u kemi premtuar atyre, ose të bëjmë të vdesësh, atëherë ata përsëri tek Ne do të kthehen.

78. Dhe sigurisht që Ne kemi sjellë të Dërguar para teje (O Muhammed); për disa prej tyre Ne ta kemi njoftuar ndodhinë e tyre dhe për disa Ne nuk të kemi njoftuar ngjarjen e tyre. Dhe asnjëherë nuk ka qenë që t’i jepej ndonjë të Dërguari që ai të sillte ndonjë shenjë (mrekullie) veçse me Lejen dhe Vullnetin e Allahut. Kësisoj kur vjen Urdhëri i Allahut, çështja do të vendoset me vërtetësi dhe ndjekësit e së rremes do të jenë të humbur kudo dhe kurdo.

79. Allahu është Ai i Cili i ka bërë bagëtitë për ju, nga ato që mund të udhëtoni me to dhe nga ato që mund të hani prej tyre.

80. Dhe ju prej tyre keni (edhe shumë) përfitime të tjera; që të mund të arrini me anë të tyre një dëshirë që është në gjokset tuaja (duke mbartur mallrat tuaja nëpër tokë) dhe në to dhe në anije edhe (vetë) ju mbarteni.

81. Dhe Ai ju tregon juve Shenjat e Tij dhe Dëshmitë (e Njësisë së Tij). Atëherë cilën nga Shenjat dhe Dëshmitë e Allahut ju mohoni?

82. A nuk kanë udhëtuar ata nëpër tokë dhe të shohin cili qe fundi i atyre para tyre? Ata ishin më lart se këta në fuqi dhe në gjurmët (që lanë) në tokë, por përsëri gjithë çfarë fituan, nuk u solli aspak dobi.

83. Ndërsa kur të Dërguarit e tyre erdhën tek ata me dëshmi të qarta, ata ishin të gëzuar (e krenarë në vetvete) nga ajo që ata njihnin nga dija (e gjërave të dynjasë) dhe ai (ndëshkimi) me të cilin ata u tallën, i rrethoi ata.

84. Ndërsa kur ata e panë Ndëshkimin Tonë, thanë: “Ne besojmë në Allahun Një e të Vetëm dhe mohojmë gjithë çfarë patëm bashkuar me Të si shokë e të barabartë me Të.”

85. Por besimi i tyre, nuk mund t’u sillte dobi atyre kur e panë Ndëshkimin Tonë. (Po kështu) Kjo ka qenë Rruga e Allahut në marrëdhënie me robët e Vet. Dhe atje mosbesimtarët humbën plotësisht (kur i mbuloi Ndëshkimi Ynë).
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free