KUR’AN-i
Shqip – Albanian

03 - Al Imran



Al Imran - Familja Imran

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Mim.

2. All-llah! La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Atij), El-Haj-ju El-Kaj-jum (I Përjetshmi, i Pafillim dhe i Pambarim, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston).

3. Është Ai i Cili të ka zbritur ty (O Muhammed) Librin (Kur’anin) me të vërtetën, duke vërtetuar çfarë ka zbritur para tij. Dhe Ai ka zbritur edhe Teuratin dhe Inxhilin,

4. Kohë më parë, si udhëheqje për njerëzimin. Dhe Ai zbriti edhe Kriterin (e gjykimit mes të mirës dhe të keqes – Kur’anin). Vërtet, ata që mohojnë Ajetet e Allahut, për ta ka ndëshkim të ashpër. Dhe Allahu është i Gjithëfuqishëm, Gjithëzotërues për shpagim.

5. Vërtet asgjë nuk i fshihet Allahut, as në tokë dhe as në qiej.

6. Ai është i Cili ju formëson në mitra ashtu siç Ai dëshiron. La ilahe il-la Huve (nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Atij), i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

7. Është Ai i Cili të ka zbritur ty (O Muhammed) Librin (Kur’anin). Në të ka Vargje plotësisht të qarta të cilat janë themelet e Librit (këto janë Vargjet e Ahkamit - urdhërat etj; të Faraidit - detyrat e detyrimet: Hududet - ligjet për ndëshkimet e vjedhësve, imoralëve etj); dhe të tjera jo krejt të qarta (për t’u kuptuar nga njerëzit). Kështu, sa për ata, në zemrat e të cilëve ka largim nga e vërteta, ata ndjekin atë që nuk është plotësisht e qartë, në këtë mënyrë duke kërkuar Fitneh (mosbesim, sprovime, trazira, fatkeqësi etj) dhe duke kërkuar për kuptimet e fshehta, por askush nuk i di kuptimet e fshehta përveç Allahut. Dhe ata që janë plotësisht të vendosur në dije, thonë: “Ne besojmë në të, i tëri (Ajete të qarta e të paqarta) është nga Zoti ynë.” Dhe nuk marrin mësim, veçse ata që janë të brumosur me mendje të shëndoshë. (Tefsir At-Tabari).

8. (Ata thanë): “Zoti ynë! Mos na i lër zemrat tona që të shmangen nga e vërteta pasi Ti na ke udhëzuar, dhe na dhuro mëshirë nga Mëshira Jote. Vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh.

9. Zoti ynë! Vërtet Ti je Ai i Cili do të grumbullojë të gjithë njerëzit bashkë, në Ditën për të cilën nuk ka pikë dyshimi. Vërtet Allahu kurrë nuk e then Premtimin e Tij.”

10. Vërtet, atyre që nuk besojnë, as pasuria e tyre, as fëmijët e tyre nuk do t’u vlejnë asgjë ndaj Allahut dhe të tillët do të jenë lënda djegëse e Zjarrit (të Xhehenemit).

11. Si sjellja e popullit të Faraonit dhe e atyre para tyre; ata i mohuan Ajetet Tona (provat, treguesit, shpalljet) kështu që Allahu i mbërtheu (me shkatërrim) për mëkatet e tyre. Dhe Allahu është i Ashpër në ndëshkim.

12. Thuaju (O Muhammed) atyre që mohojnë: “Ju do të shkatërroheni dhe do të grumbulloheni bashkë në Xhehenem dhe vërtet, sa i keq është ai vend për pushim!”

13. Tashmë sapo kaloi një shenjë për ju (jehudi) në të dy ushtritë që u takuan (në betejë mes tyre, bëhet fjalë për Luftën e Bedrit): Njëra luftonte për Çështjen e Allahut, ndërsa tjetra ishin mohues. Ata (besimtarët) i panë ata (jobesimtarët) me sytë e tyre sa dyfishi i tyre (megjithëse, jobesimtarët ishin sa trefishi i besimtarëve). Dhe Allahu mbështet me Fitoren e Tij atë që Ai dëshiron. Dhe këtu ka një mësim për ata që janë të brumosur me shikim të thellë. (Tefsir At-Tabari).

14. Vërtet e zbukuruar është për njerëzit dashuria për gjërat që ata i lakmojnë: gratë, fëmijët, sa më shumë ar e argjend (pasuri), kuaj të mirë e të fortë, bagëti dhe toka pjellore. Kjo është kënaqësia e jetës së kësaj bote, por Allahu ka me Vete kthim të shkëlqyer (Xhennetin).

15. Thuaj (O Muhammed): “A t’ju tregoj juve për gjëra shumë më të mira se këto?” Për Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) ka Kopshte të Begatë të Xhennetit nën të cilin rrjedhin lumenj me Zotin e tyre atje. Atje do të rrinë përjetësisht, atje do të kenë edhe Ezvaxhun Muttaharatun - bashkëshorte të dëlira (pa të përmuajshme, pa papastërti të tjera si në këtë botë, etj), edhe Kënaqësinë prej Allahut. Dhe Allahu është Gjithëvëzhgues i robëve të Tij.

16. Ata që thonë: “Zoti ynë! Ne vërtet kemi besuar, kështu pra, falna neve gjynahet tona dhe na shpëto ne nga ndëshkimi i Zjarrit.”

17. (Këta janë) ata të cilët janë të durueshëm, ata të cilët janë të vërtetë (në besim, në fjalë e në vepra) dhe të bindur me përkushtim të çiltër në adhurimin ndaj Allahut, ata që shpenzojnë (japin Zekat dhe Sadaka në Rrugë të Allahut) dhe ata që luten dhe kërkojnë Faljen e Allahut në orët e fundit të natës.

18. Allahu dëshmon se La Ilahe il-la Huve (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij); (dëshmojnë) edhe melekët, edhe ata që kanë mend e që dinë; Ai e mban Krijimin e Tij në Drejtësi të plotë. La Ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Atij), i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

19. Padyshim se feja (e vërtetë dhe e pranuar) tek Allahu është Islami. Edhe atyre që u janë dhënë Librat (jehuditë dhe të krishterët) nuk ndryshuan, veçse pasi atyre u erdhi dija nga Allahu, nga xhelozia mes njëri-tjetrit. Dhe kushdo që mohon Ajetet e Allahut, atëherë sigurisht që Allahu është më i Shpejti në marrjen në llogari.

20. Kështu, në qoftë se ata të kundërshtojnë ty (O Muhammed), thuaju: “Unë ia kam nënshtruar veten plotësisht Allahut (në Islam), dhe po kështu edhe ata që më ndjekin mua.” Dhe thuaju atyre të cilëve u janë dhënë Librat më parë (jehudive dhe të krishterëve) dhe atyre që janë analfabetë (paganëve arabë): “A e nënshtroni edhe ju veten (ndaj Allahut në Islam)?” Në qoftë se ata e bëjnë këtë, atëherë, ata janë të drejtuar nga e mbara, por nëse ata i largohen, detyra jote është vetëm që ta bësh të njohur Mesazhin. Dhe Allahu është Gjithëvëzhgues i robëve të Tij.

21. Vërtet, ata të cilët mohojnë Ajetet e Allahut, vrasin padrejtësisht Pejgamberët, vrasin edhe ata njerëz të cilët urdhërojnë punë të drejta, atëherë bëju të qartë atyre ndëshkim të dhimbshëm (që i pret).

22. Këta janë ata, veprat e të cilëve do të humbasin në këtë botë dhe në Botën e Pastajme dhe ata nuk do të kenë asnjë ndihmues.

23. A nuk i keni parë ata të cilëve u është dhënë një pjesë nga Libri? Ata po ftohen tek Libri i Allahut për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre, por më pas një grup prej tyre shmangen nga e drejta duke qenë kështu të humbur.

24. Kjo ngaqë ata thonë: “Zjarri nuk do të na prekë neve, veçse për pak ditë.” Dhe ajo që ata trilluan për fenë e tyre, i ka mashtruar ata.

25. Si do të jetë gjendja e tyre kur Ne do t’i grumbullojmë së bashku në Ditën e Madhe për të cilën nuk ka pikë dyshimi (Dita e Ringjalljes) dhe secilit do t’i paguhet saktësisht çfarë ai ka fituar? Dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.

26. Thuaj: “O Allah! Zotërues i Mbretërimit! Ti ia jep mbretërimin atij që Ti do dhe Ti ia merr mbretërimin atij që Ti do. Ti e mvesh me nder atë që Ti do dhe Ti e poshtëron atë që Ti do. Në Dorën Tënde është mirësia. Vërtet, Ti je i Zoti për të bërë gjithçka.

27. Ti e bën natën të hyjë te dita dhe Ti e bën ditën të hyjë te nata (shton dhe pakëson orët e ditës dhe të natës gjatë ndryshimit të stinëve, bën rrotullimin e tokës), Ti e sjell të gjallën nga e vdekura dhe Ti e sjell të vdekurën nga e gjalla, Ti i jep begati e mirësi atij që Ti do pa masë e pa kufi.”

28. Besimtarët mos t’i marrin mohuesit si Eulija (ndihmues, mbështetës) në vend se t’i marrin besimtarët. Dhe kushdo që e bën këtë, ai kurrë nuk do të ndihmohet nga Allahu në asnjë lloj mënyre; mund t’u mbështeteni vetëm në qoftë se vërtet ndjeni rrezik prej tyre. Dhe Allahu ju këshillon ju përkundër Vetes së Tij (ndaj Ndëshkimit të Tij). Dhe kthimi i fundit është tek Allahu.

29. Thuaj (O Muhammed): “Edhe nëse e fshihni çfarë keni në gjokse (apo) edhe nëse e shprehni atë, Allahu e di atë dhe Ai di se çfarë ka në qiej e çfarë ka në tokë. Dhe Allahu është i Zoti për të bërë çdo gjë.”

30. Ditën kur gjithësecilit do t’i vihen përpara gjithë mirësitë që ka bërë dhe gjithë të këqiat që ka bërë, atëherë ai do të dëshironte t’i kishte sa më larg veprat e tij të ulëta. Kështu Allahu ju këshillon përkundër Vetes së Tij (ndaj Ndëshkimit të Tij) dhe Allahu është Dhurues i mirësive ndaj robëve të Tij.

31. Thuaj (O Muhammed): “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua (pranoni Islamin, ndiqni Kur’anin dhe Sunetin), Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.”

32. Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.).” Por në qoftë se ata shmangen, atëherë Allahu nuk i do mohuesit.”

33. Allahu zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit përmbi gjithë Aleminin (njerëzimin, xhindet dhe gjithçka që ekziston, në kohët e tyre);

34. Pasardhës një pas një dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

35. (Përkujto) kur bashkëshortja e Imranit tha: “Zoti im! Të jam betuar Ty për (fëmijën) që është në barkun tim, të jetë i përkushtuar për shërbimet e Tua (i shkëputur nga çdo punë e kësaj bote për t’i shërbyer Vendit Tënd të adhurimit), kështu pra, ma prano këtë mua. Padyshim që Ti je vërtet Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.

36. Pastaj kur ajo lindi (fëmijën e saj, Merjemen), tha: “Zoti im! Kam lindur vajzë” - dhe Allahu e dinte më mirë se ç’kishte lindur ajo – “dhe djali nuk është si vajza e unë e quajta atë Mejrem dhe kërkoj mbështetjen Tënde për të dhe për pasardhësit e saj nga shejtani i mallkuar.”

37. Kështu Zoti i saj (Allahu) e pranoi atë me shumë mirësi. Ai e bëri atë të rritet në rrugë të mirë dhe e la nën kujdesin e Zekerijes. Sa herë që ai (Zekerija) hynte në Mihrabin (dhomë) për ta parë, gjithnjë e gjente me mirësi e me ushqime. Ai i thoshte: “Oj Merjem! Nga e ke marrë këtë?” Ajo i përgjigjej: “Kjo është nga Allahu. Vërtet Allahu i jep begati e mirësi atij që Ai do, pa masë e pa kufi!”

38. Atë kohë Zekerija iu lut Zotit të tij duke thënë: “Zoti im! Më siguro mua nga ana Jote një pasardhës të mirë. Ti me të vërtetë je Gjithëdëgjuesi i Duave (lutjeve).”

39. Pastaj atë e thirrën melekët, ndërsa po falej në Mihrab (duke i thënë): “Allahu të përgëzon ty me Jahjanë për të vërtetuar Fjalën e Allahut (krijimin e Isait ‘alejhis–selam. si urdhër nga Allahu: “Bëhu”- dhe ai u bë!), fisnik, të dëlirë, Pejgamber nga të drejtët.”

40. Ai (Zekerija) tha: “Zoti im! Si mund të kem fëmijë kur unë jam shumë i thyer në moshë e gruaja ime është që nuk lind?!“ Allahu tha: “Në këtë mënyrë Allahu bën çfarë Ai don.”

41. Ai tha: “Zoti im! Më jep një shenjë (që ta kuptoj).” Allahu i tha: “Shenja për ty do të jetë se ti nuk do t’u flasësh njerëzve për tri ditë përveçse me shenja dhe kujtoje Zotin tënd (sa më shumë me lavdërime) dhe madhëroje Atë pasdite dhe në mëngjes.” (Tefsir El-Kurtubi).

42. (Përkujto) edhe kur melekët i thanë: “O Merjem! Allahu të ka veçuar ty, të ka pastruar ty (nga besimet e kota e mosbesimi, të ka bërë ty të dëlirë) dhe të ka zgjedhur e të ka vendosur përmbi gratë e Alemit.

43. O Merjeme! Nënshtroju me bindje Zotit tënd (Allahut) dhe bjer në sexhde (lëshimi e vendosja me fytyrë në tokë gjatë faljes së namazit) dhe përkulu bashkë me ata që i përkulen (e që i falen Allahut).”

44. Kjo është pjesë nga njoftimet për Ghabin (për të panjohurën, njoftime për ndodhitë e shkuara për të cilat nuk ke asnjë njohuri) me të cilat Ne të frymëzojmë ty (O Muhammed). Ti nuk ke qenë me ta kur ata hodhën short me penat e tyre të shkrimit se cili duhej të ngarkohej për t’u kujdesur për Merjemen, nuk ishe me ta as edhe kur ata u kundërshtuan mes veti.

45. (Përkujto) kur mekekët thanë: “O Merjem! Vërtet Allahu të sjell përgëzimet e një Fjale (Bëhu!) nga Ai, emri i tij do të jetë Mesihu Isa i biri i Merjemes, i nderuar në këtë botë dhe në Botën e Pastajme dhe do të jetë një prej atyre që janë më afër Allahut.

46. Ai do t’u flasë njerëzve në djep dhe në burrëri dhe do të jetë prej të drejtëve.”

47. Ajo tha: “Zoti im! Si do të lind birin tim, kur mua nuk më ka prekur asnjë njeri?” Ai i tha: “Kështu (do të bëhet), pasi Allahu krijon çfarë Ai don.” Kur Ai vendos për diçka, Ai vetëm i thotë : “Bëhu!” - dhe ajo është e bërë.

48. Dhe Ai (Allahu) do t’i mësojë atij (Isait ‘alejhis–selam.) Librin dhe Hikmetin (do t’i japë Sunnetin – rrugën e zbatimit, urtësinë), edhe Teuratin, edhe Inxhilin.

49. Dhe do ta bëjë atë (Isain) të Dërguar te Bijtë e Israilit (e do t’u thotë): “Kam ardhur te ju me një shenjë nga Zoti juaj: do të bëj me baltë formën e një zogu, do t’i fryj atij dhe ai me Lejen dhe Urdhërin e Allahut do të bëhet zog; do ta shëroj atë që ka lindur i verbër dhe atë që vuan nga lebra dhe do të ngjall të vdekurit me Vullnetin dhe Urdhërin e Allahut; dhe do t’ju tregoj se çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Padyshim që këtu ka dëshmi për ju nëse besoni.

50. Dhe unë kam ardhur të përforcoj atë që ka qenë para meje nga Teurati, të bëj të ligjshme për ju disa nga ato gjëra që kanë qenë të ndaluara për ju. Dhe kam ardhur tek ju me provë nga Zoti juaj. Kështu pra, kini frikë Allahun dhe m’u bindni mua.

51. Vërtet Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, adhuroni pra Vetëm Atë. Kjo është Udha e Drejtë.”

52. Atëherë kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim, tha: “Cilët do të jenë ndihmuesit e mi në Çështjen e Allahut?” Havarijunët (nxënësit, besimtarët) e tij thanë: “Ne jemi ndihmësit e Allahut; ne besojmë Allahun dhe dëshmo se vërtetë jemi muslimanë (të nënshtruar ndaj Vullnetit të Allahut).

53. Zoti ynë! Ne besojmë në atë çfarë Ti na ke dërguar dhe ndjekim të Dërguarin Tënd (Isain). Na shkruaj pra prej dëshmuesve (të së vërtetës - La ilahe il-Allah - Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut).”

54. Dhe ata (që nuk i besuan atij) thurën komplot (për të vrarë Isain sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Edhe Allahu thuri komplot. Dhe Allahu është më i Miri i atyre që thurin komplot.

55. (Përkujto) Kur Allahu i tha: “O Isa! Unë do të të marr ty dhe do të të ngre lart pranë Meje dhe do të të pastroj ty prej atyre që nuk besojnë dhe do t’i bëj ata që të ndjekin ty (besimtarët e vërtetë të Njësisë së Allahut) përmbi ata që mohojnë (Njësinë e Allahut, që mohojnë Pejgamberët e Allahut, si disa që mohojnë Musain ose Isain ose Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) deri në Ditën e Ringjalljes. Pastaj ju do të ktheheni tek Unë dhe Unë do të gjykoj mes jush për çështjet që ju u kundërshtuat.

56. Sa për ata që nuk besojnë, Unë do t’i ndëshkoj ata me dënim të ashpër në këtë botë dhe në Botën Tjetër dhe ata nuk do të kenë asnjë që t’i ndihmojë.”

57. Dhe sa për ata që besojnë (në Njësinë e Allahut) dhe që punojnë mirësi e drejtësi, atyre Allahu do t’ua paguajë plotësisht shpërblimin. Dhe Allahu nuk i do Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit).

58. Këto janë çfarë Ne po t’i lexojmë ty (O Muhammed), nga Ajetet (Vargjet) dhe nga Përkujtuesi më i Urtë (nga Kur’ani).

59. Vërtet që shembulli i Isait tek Allahu është si shembulli i Ademit: Ai e krijoi atë prej dheu, pastaj Ai i tha atij: “Bëhu!” dhe ai u bë.

60. Kjo është e vërteta nga Zoti yt, kështu që ti mos u bëj prej atyre që dyshojnë.

61. Atëherë kushdo që të kundërshton ty për çështjen e atij (Isait), pas gjithë kësaj dije që të ka ardhur ty për të (Isain si rob i Allahut dhe pa asnjë pjesë në shenjtëri), thuaj: “Ejani, le të thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju - pastaj të falemi dhe të lutemi për Mallkimin e Allahut përmbi gënjeshtarët.”

62. Vërtetë ky është tregimi i saktë (për historinë e Isait) dhe - La i lahe il-Allah - nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut. Dhe vërtet Allahu është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

63. Dhe në qoftë se ata largohen (dhe nuk i pranojnë këto prova e dëshmi), atëherë sigurisht Allahu është plotësisht i Vetëdijshëm për ata që bëjnë djallëzi e poshtërsi.

64. Thuaj (O Muhammed): “O ithtarë të Librave të Parë! (jehudi e të krishterë): Ejani te një fjalë që është e drejtë dhe e përbashkët mes nesh dhe jush: që të mos adhurojmë askënd përveç Allahut, që të mos i vëmë shokë Atij në adhurim, dhe që asnjë prej nesh të mos marrë të tjerë për zot përveç Vetëm Allahut.” Pastaj në qoftë se ata largohen, thuaju: “Dëshmoni për ne se jemi muslimanë (besimdrejtë).”

65. O ithtarë të Librave të Parë! (jehudi e të krishterë): përse grindeni për Ibrahimin ndërkohë që Teurati dhe Inxhili nuk ishin shpallur deri vonë pas tij!? A nuk e kuptoni, pra (gënjeshtrën tuaj)?

66. Vërtet, ju jeni ata të cilët keni bërë fjalë për çfarë ju keni dije. Pse atëherë haheni për çështje për të cilën ju nuk keni asnjë dijeni? Është Allahu i Cili di, ndërsa ju nuk dini gjë.

67. Ibrahimi nuk ishte as jehudi e as i krishterë, por ai ishte vetëm musliman Hanifan (me besim të vërtetë e të pastër Islam vetëm në Allahun Një e të Vetëm) dhe nuk ishte prej Mushrikëve (prej idhujtarëve).

68. Vërtet, nga njerëzit që janë më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin, janë ata të cilët e ndoqën atë dhe këtë Pejgamber (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ata të cilët kanë besuar. Dhe Allahu është Vali (Mbrojtësi, Ndihmuesi) i besimtarëve.

69. Një grup prej popujve të Librave të Parë duan që t’ju fusin në rrugë të gabuar, por ata nuk do të udhëheqin kënd në rrugën e tyre të shtrembër vetëm se veten e tyre, por ata nuk e ndjejnë.

70. O ithtarë të Librave të Parë! Përse i mohoni Ajetet e Allahut (Vargjet për Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem që janë në Teurat dhe Inxhil), ndërsa ju vetë dëshmoni (për vërtetësinë e tyre)?

71. O ithtarë të Librave të Parë! Përse, e përzieni të vërtetën me gënjeshtrën dhe e fshihni të vërtetën duke e ditur atë?

72. Dhe një parti e ithtarëve të Librave të Parë, thanë: “Besoni në mëngjes në çfarë u është shpallur besimtarëve (muslimanë) dhe mohojeni atë pasdite me qëllim që ata të mund të shmangen nga e vërteta e tyre.

73. Dhe mos i besoni askujt, përveç atij që ndjek fenë tuaj.” Thuaj (O Muhammed): “Padyshim se Udhëheqja më e Drejtë është Udhëheqja e Allahut” dhe mos beso se ndokush mund të marrë ndonjë gjë si ajo që ke marrë ti (nga Shpallja Hyjnore), se përndryshe ata mund të kërkojnë debat para Zotit tënd.” Thuaj: “Gjithë Mirësia është në Dorë të Allahut. Ai ia dhuron atij që Ai do. Dhe Allahu është i Gjithëmjaftueshëm për të përmbushur nevojat e krijesave të Tij, i Gjithëditur.”

74. Ai përzgjedh për të derdhur Mëshirën e Tij (Islamin, Pejgamberinë) atë që Ai dëshiron dhe Allahu është Zotëruesi dhe Dhuruesi i Mirësive të pafund.

75. Nga ithtarët e Librave të Parë është ai i cili nëse i besohet një Kintar (sasi e madhe pasurie), do ta shlyente atë shumë shpejt; por prej tyre është edhe ai i cili nëse i besohet një dinarë (vlerë fare e vogël), nuk ta kthen atë, po të mos ia kërkosh pa iu ndarë, sepse thonë: “Nuk është turp e gabim për ne të mashtrojmë dhe t’u marrim pasurinë analfabetëve.” Por ata flasin gënjeshtër ndaj Allahut duke e ditur atë (të vërtetën).

76. Padyshim se kushdo që përmbush premtimin edhe e çon në vend amanetin, edhe i frikësohet shumë Allahut, atëherë me të vërtetë që Allahu i do shumë ata që janë Muttekinë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam).

77. Vërtet ata që shkëmbyen një vlerë të vogël duke humbur Premtimin e Allahut dhe betimet e tyre, këta nuk do të kenë aspak pjesë në Botën e Pastajme (në Xhennet). Allahu nuk do t’u flasë atyre, as nuk do t’u hedhë shikimin në Ditën e Ringjalljes dhe as nuk do t’i pastrojë, dhe për ta do të ketë ndëshkim të dhimbshëm.

78. Dhe vërtet, prej tyre është një parti të cilët e shtrembërojnë Librin me gojën e tyre (kur e lexojnë atë), që ju të mund të mendoni se është nga Libri, por çfarë lexojnë nuk është fare nga Libri dhe madje thonë: “Kjo është nga ana e Allahut”, por në të vërtetë nuk është nga Allahu, duke thënë kështu gënjeshtër ndaj Allahut e duke e ditur atë.

79. Nuk është e mundur për askënd të cilit Allahu i ka dhënë Librin, edhe El-Hukm (gjykimin,urtësinë dhe dijeninë e plotë të fesë), edhe Pejgamberinë që t’u thotë njerëzve: “Më mirë bëhuni adhuruesit e mi se sa të Allahut.” Përkundrazi, (ai duhet t’u thotë): “Jini Rabbanijunë (njerëz të ditur fetarë që zbatojnë çfarë dinë dhe i ftojnë edhe të tjerët), sepse ju po u mësoni Librin njerëzve dhe ju po e studioni atë.”

80. As nuk do t’ju urdhëronte të merrni melekët ose Pejgamberët për zota. A mos vallë do t’ju urdhëronte të mohonit pasi që ju t’i ishit nënshtruar Vullnetit të Allahut (si muslimanë)? (Tefsir At-Tabari).

81. Dhe (përkujto) kur Allahu mori premtimin e Pejgamberëve, duke u thënë: “Merrni gjithçka që Unë ju kam dhënë nga Libri dhe nga Hikmeti (dituria), se pas jush do të vijë ndër ju një i Dërguar (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që të vërtetojë çfarë keni ju në duar, (dhe atëherë) ju duhet ta besoni dhe duhet ta ndihmoni atë.” (Më pas Allahu u) tha: “A pajtoheni me këtë dhe a do ta përkrahni Premtimin Tim (të cilin Unë po e vendos me ju)?” Ata thanë: “Ne pajtohemi.” Ai u tha: “Atëherë dëshmoni ju, dhe Unë jam me ju prej dëshmuesve (për këtë).”

82. Atëherë kushdo që shmanget nga e vërteta pas kësaj, ata do të jenë Fasikunë (të pabindur, të panënshtruar, të cilët i largohen bindjes ndaj Allahut).

83. A mos kërkojnë fe tjetër në vend të fesë së Allahu (Islamit), ndërkohë që Atij iu nënshtruan gjithë krijesat në qiej dhe në tokë, me dëshirë e pa dëshirë. Dhe tek Ai do të kthehen të gjitha.

84. Thuaj: “Ne besojmë në Allahun dhe në çfarë na është dërguar neve, dhe në çfarë i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Asbatëve (dymbëdhjetë bijve të tij), dhe në çfarë iu dha Musait, Isait dhe gjithë Pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes njëri-tjetrit prej tyre dhe Atij (Allahut) i jemi nënshtruar (si muslimanë).”

85. Dhe kushdo që kërkon ndonjë fe tjetër përveç Islamit, ajo kurrë nuk do t’i pranohet atij dhe në Botën e Pastajme do të jetë prej të humburve.

86. Si do ta udhëzojë Allahu një popull i cili mohoi besimin pasi që kishte sjellë besim dhe pasi që dëshmuan se i Dërguari i Allahut (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është i vërtetë dhe pas ardhjes së argumenteve të qarta ndër ta? Allahu nuk e udhëzon popullin Dhalimun (mosbesimtar, keqbërës, të pabindur).

87. Ata janë të atillë, shpërblimi i të cilëve është se mbi ta mbetet Mallkimi i Allahu dhe i melekëve dhe i gjithë njerëzimit.

88. Ata do të banojnë atje (në Zjarr) dhe atyre as nuk do t’ju lehtësohet dënimi, as nuk do t’u vonohet, as nuk do t’u shtyhet për më pas.

89. Përveçse për ata të cilët pas kësaj pendohen dhe kryejnë vepra të drejta. Vërtet Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

90. Vërtet, ata që mohuan pasi kishin besuar dhe pastaj vazhduan ta thellojnë mosbesimin e tyre, atyre kurrë nuk do t’u pranohet pendimi (sepse ata pendohen vetëm me gjuhë dhe jo nga zemra e tyre). Dhe të humbur janë ata.

91. Vërtet, ata që mohuan dhe vdiqën duke qenë mosbesimtarë, nuk do t’i pranohet asnjërit prej tyre edhe sikur të falnin ar sa faqja e dheut për t’u liruar. Ata janë të cilët do të kenë ndëshkim të dhimbshëm dhe nuk do të kenë asnjë ndihmues.

Pjesa 4

92. Në asnjë mënyrë nuk do të arrini Birr-in (përkushtimin ndaj Allahut dhe Shpërblimin e Tij), pa shpenzuar (në Çështjen e Allahut) nga gjërat më të shtrenjta që keni dhe çfarëdo të mirë që të shpenzoni, Allahu për të është i Gjithëditur.

93. Të gjitha llojet e ushqimeve ishin të ligjshme për Bijtë e Israilit, përveç çfarë vetë Israili (Jakubi) bëri të paligjshme për veten e tij para se të shpallej Teurati. Thuaj (O Muhammed): “Sillni këtu Teuratin dhe lexoni atë, nëse jeni të drejtë.”

94. Pas kësaj, kushdo që trillon gënjeshtër ndaj Allahut, atëherë të tillët vërtet do të jenë Dhalimunë (mosbesimtarë, keqbërës).

95. Thuaj: “Allahu ka thënë të vërtetën. Ndiqni pra fenë e Ibrahimit, Hanifan (Besimin e vërtetë të pastër Islam në Një Zot të Vetëm, Allahun) dhe ai nuk ishte Mushrik (idhujtar, politeist, pagan, mohues i Njësisë së Allahut).”

96. Me të vërtetë që, Shtëpia e parë (për adhurim e lutje) e caktuar për njerëzimin ishte ajo në Bekkah (Meke), gjithë bekime e mirësi dhe udhëzuese për gjithë Alemin (njerëzimin e xhindet).

97. Në të ka shenja të qarta, (si për shembull:) Mekami i Ibrahimit (vendqëndrimi i Ibrahimit); kushdo që hyn në të (Ka’abë) fiton sigurinë. Dhe Haxhi (Udhëtimi për të vizituar Ka’abën) është një detyrë që njerëzit i detyrohen Allahut për ta kryer, ata të cilët munden të përballojnë shpenzimet. Dhe kushdo që nuk beson (mohon Haxhin si shtyllë të Islamit), atëherë Allahu është më i Pasuri, nuk ka nevojë për askënd në Alemin (ndër njerëz, ndër xhinde, ose në mbarë gjithësinë. Ai është Krijuesi i saj).

98. Thuaj (O Muhammed): “O ithtarë të Librave të Parë! Përse nuk i pranoni Ajetet e Allahut ndërkohë që Allahu është Dëshmues për gjithçka që ju veproni?”

99. Thuaj: “O ithtarë të Librave të Parë! Përse i pengoni nga Rruga e Allahut ata që kanë besuar duke kërkuar ta paraqitni atë (Rrugën e Allahut) të shtrembër, ndërkohë që ju vetë jeni dëshmitarë (të Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem si i Dërguar i Allahut dhe përçues i Islamit)? Dhe Allahu nuk është i pavetëdijshëm për çfarë ju veproni.”

100. O ju që keni besuar! Nëse ju i besoni një grupi prej atyre të cilëve u janë zbritur Librat e Parë (jehudive apo të krishterëve), padyshim që ata do t’ju kthenin në mohues pasi jeni bërë besimatrë (të vërtetë).

101. Dhe si do të mohoni, ndërkohë që juve ju janë lexuar Ajetet (Vargjet) e Allahut dhe mes jush është i Dërguari i Tij (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)? Dhe kushdo që mbahet fort pas Allahut (ndjek Fenë e Tij, Islamin), atëherë me të vërtetë që ai është drejtuar në Rrugën e Drejtë.

102. O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun ashtu siç duhet pasur frikë Ai dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë (besimdrejtë e plotësisht të nënshtruar ndaj Allahut).

103. Dhe mbahuni fort, të gjithë ju së bashku pas Litarit të Allahut (Kur’anit) dhe mos u përçani e mbani në mendje Përkujtimin e Allahut përmbi ju, pasi ju ishit armiq mes njëri-tjetrit, por Ai bëri bashkimin mes zemrave tuaja, kështu që me Mirësinë e Tij ju u bëtë vëllezër (në Besimin Islam); dhe ishit në buzë të greminës së Zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej tij. Kësisoj Allahu jua bën të qarta Ajetet (provat, treguesit, shpalljet), që të mund të drejtoheni.

104. Le të dalë nga ju një grup njerëzish të përkushtuar që të ftojnë njerëzit te mirësia, të urdhërojnë El-Ma’ruf (të njohurën, Islamin dhe gjithë ç’përmban ai) dhe të ndalojnë El-Munker (mosbesimn, mohimin, besimin në shumë perëndi). Dhe me këta (njerëz) janë ata që janë të fituarit.

105. Dhe mos u bëni si ata të cilët u përçanë dhe u ndanë mes tyre pasi u patën ardhur prova të qarta. Dhe mu për këta do të ketë ndëshkim të madh.

106. Në Ditën (e Ringjalljes) kur disa fytyra do të zbardhen e kur disa fytyra do të nxihen; e sa për ata që do të nxihen (do t’u thuhet atyre): “A e flakët tej Besimin pasi e patët pranuar atë? Atëherë shijoni dënimin (në Zjarr) për braktisjen e Besimit (që patët).”

107. Ndërsa për ata që do t’u zbardhet fytyra, ata do të jenë në Mëshirën e Allahut (në Xhennete) dhe aty do të banojnë përgjithmonë.

108. Këto janë Vargjet e Allahut: Ne t’i lexojmë ato ty (O Muhammad) me të vërtetën, e Allahu nuk i dëshiron aspak padrejtësi Alemit (Krijimit të Tij, njerëzve dhe xhindeve).

109. Dhe të Allahut janë gjithë ç’ka në qiej dhe gjithë ç’ka në tokë dhe të gjitha çështjet i kthehen përsëri (për gjykim) Allahut.

110. Ju (besimtarë të vërtetë të Islamit dhe ndjekës të vërtetë të rrugës së Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) jeni njerëzit më të mirë të të gjitha kohëve të njerëzimit: Ju urdhëroni Ma’rufin (të njohurën, Islamin dhe gjithë çfarë përmban ai) dhe ndaloni Munkerin (mosbesimin, mohimin, besimin në shumë perëndi e tjer dhe gjithë çfarë ndalon Islami), dhe vërtet ju besoni në Allahun. Sikur të kishin besuar ithtarët e Librave të Parë, do të kishte qenë më mirë për ta; nga mesi i tyre ka disa që kanë besim, por shumica e tyre janë Fasikunë (të pabindur ndaj Allahut).

111. Ata nuk do t’ju dëmtojnë juve aspak, përveç një shqetësimi të parëndësishëm. Edhe nëse luftojnë kundër jush, ata do t’ju kthejnë shpinën dhe nuk do të kenë asnjë ndihmë.

112. Mbi ta është poshtërimi kudo që të jenë, përveç kur janë nën mbrojtje të Allahut ose nga njerëzit. Ata kanë tërhequr mbi veten e tyre Zemërimin e Allahut dhe mbi ta është vetëm shkatërrimi. Kjo ngaqë ata gjithnjë mohuan Ajetet e Allahut dhe vranë Pejgamberët padrejtësisht. Kjo ngaqë ata nuk iu bindën Allahut dhe gjithnjë tejkaluan kufijtë (në mosbindje ndaj Allahut, në krime e mëkate).

113. Ata nuk janë të gjithë njësoj: ka prej tyre nga popujt e Librave të Parë që janë për të drejtën, ata lexojnë Vargjet e Allahut gjatë orëve të natës dhe bien në sexhde (në falje e adhurim ndaj Allahut).

114. Ata besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit; ata urdhërojnë Ma’rufin (Islamin dhe ndjekin Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem si i Dërguar i Allahut) dhe ndalojnë Munkerin (mosbesimin, mohimin dhe luftimin e Islamit) dhe shpejtojnë në të gjitha punët e mira dhe vërtet këta janë prej të drejtëve.

115. Dhe çfarëdo mirësie që ata të bëjnë, asgjë nuk do t’u mohohet. Dhe Allahu është i Gjithëditur për El-Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

116. Sigurisht, atyre që mohojnë Besimin (Islamin dhe ligjet e tij), as pasuritë e tyre, as fëmijët e tyre nuk do t’u vlejnë aspak përkundër Allahut. Ata janë banorët e Zjarrit dhe ata atje do të banojnë. (Tefsir At-Tabari).

117. Ngjasimi i asaj çfarë ata shpenzojnë në këtë botë është tamam si ajo era që është shumë e ftohtë: ajo goditi të korrat e atij populli që i bëri padrejtësi vetes së tij dhe i shkatërroi ato. Atyre nuk u bëri padrejtësi Allahu, por vetë ata i bënë padrejtësi vetvetes së tyre.

118. O ju që keni besuar! Mos i merrni për Bitanah (ndihmues, këshillues, mbrojtës, shokë, miq etj) ata që janë jashtë fesë suaj, mbasi ata nuk do të lënë gjë pa bërë për t’ju prishur ju. Ata duan t’ju shkatërrojnë juve egërsisht. Urrejtja tashmë është dukur të dalë qartë nga goja e tyre, por ajo çfarë fshehin gjokset e tyre është akoma më e tmerrshme. Në të vërtetë, Ne i kemi bërë të qarta për ju Ajetet (shenjat, provat,treguesit), nëse jeni që kuptoni.

119. Hapni sytë! Ju jeni që i doni ata, por ata nuk ju duan. Ju i besoni të gjithë Librat e Parë (Teuratin, Inxhilin, etj, ndërsa ata mohojnë Librin tuaj, Kur’anin). Dhe kur ju takojnë, ju thonë: “Ne besojmë”, por kur janë vetëm, ata hanë thonjtë nga inati për ju. Thuaj: “Shkatërrohuni në tërbimin tuaj. Sigurisht Allahu është i Gjithëditur për (çfarë fshihet në) gjokset tuaj.”

120. Në qoftë se juve ju bien të mira, kjo i pikëllon ata, por nëse ju zë ndonjë e keqe, ata gëzohen për të. Por nëse ju qëndroni të duruar dhe bëheni Muttekinë (të përkushtuar ndaj Allahut), as dëmi më i vogël nuk do t’ju vijë nga dinakëria e tyre. Sigurisht, Allahu është Rrethues për gjithçka që ata bëjnë.

121. Dhe (kujto) kur ti (Muhammed) le shtëpinë tënde në mëngjes për të vendosur besimtarët në vendet e tyre për luftë (në Uhud). Dhe Allahu është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.

122. Kur dy parti prej jush pothuaj e humbën kurajën, por Allahu ishte Valiu (Mbrojtësi dhe Siguruesi) i tyre. Dhe vetëm në Allahun duhet t’i varin shpresat e tyre besimtarët.

123. Dhe më parë Allahu ju nxori juve fitimtarë në Bedër, kur ju ishit një forcë e vogël dhe e dobët. Kështu që kijeni frikë Allahun që të jeni me të vërtetë falënderues.

124. (Përkujto) kur ti (O Muhammed) u tha besimtarëve: “A nuk është mjaft për ju, që Zoti juaj t’ju ndihmojë juve duke ju zbritur tre mijë melekë?

125. Sigurisht, nëse qëndroni me durim dhe me përkushtim, edhe nëse armiku vërshon e sulet mbi ju, Zoti juaj do t’ju ndihmojë me pesë mijë melekë me shenja të qarta që t’i dalloni.”

126. Allahu e bëri këtë vetëm e vetëm si mesazh përgëzues për ju dhe si qetësues për zemrat tuaja. Dhe nuk ka asnjë fitore vetëm se nga Allahu, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

127. (U ndihmoi) që Ai të veçojë (e të ndajë) një pjesë të atyre që nuk besojnë, apo që t’i poshtërojë me turp që kështu të tërhiqen të shkatërruar.

128. Vendimi nuk është i yti (O Muhammed por i Allahut) nëse Ai kthehet me mëshirë ndaj tyre (dhe i fal) apo i ndëshkon, pasi ata në të vërtetë janë Dhalimunë (keqbërës, mohues e jobesimtarë).

129. Dhe të Allahut janë gjithë ç’ka në qiej dhe gjithë ç’ka në tokë. Ai ia fal atij që Ai do dhe ndëshkon atë që Ai do. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

130. O ju që keni besuar! Mos e hani Riba-në (kamatë, fajde) të dyfishuar, a të shumëfishuar, por kini frikë Allahun që të mund të jeni të fituar.

131. Dhe kini frikë Zjarrin i cili është i përgatitur për mohuesit.

132. Dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që të mund të mëshiroheni.

133. Dhe nxitoni në rrugën e faljes nga Zoti juaj dhe drejt Xhennetit të gjërë sa hapësira e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

134. Ata që shpenzojnë (për Çështjen e Allahut) në kohë begatie e fatkeqësie; ata të cilët e përmbajnë zemërimin dhe ata të cilët e falin njëri-tjetrin; vërtet Allahu i do shumë Muhsinunët (mirëpunuesit në rrugë të Allahut).

135. Dhe ata të cilët kur kanë bërë Fahishah (shkelje të kurorës apo marrëdhënie imorale – zina) apo që e kanë njollosur veten me gjynah, e kujtojnë Allahun dhe kërkojnë falje për gjynahet e tyre - dhe kush mund t’i falë gjynahet përveç Allahut? - dhe nuk vazhdojnë në gabimin që kanë bërë, kur e dinë atë.

136. Për të tillët shpërblimi është Falja nga Zoti i tyre dhe Kopshte me lumenj që rrjedhin poshtë tyre për të banuar ndër to përgjithmonë. Sa i shkëlqyer është ky shpërblim për punuesit (e veprave të mira e të drejta sipas Urdhrave të Allahut).

137. Mjaft shembuj të ngjajshëm patën përballë kombet që kanë kaluar përpara jush (siç keni përballuar edhe ju në betejën e Uhudit). Udhëtoni pra nëpër botë dhe shihni fundin e atyre që mohuan.

138. Ky (Kur’an) është fjalë e qartë për njerëzimin, udhëheqje dhe këshillë për Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

139. Kështu pra, as mos u ligështoni (kundër armikut tuaj), as mos u dëshpëroni dhe do të jeni fitimtarë, në qoftë se me të vërtetë jeni besimtarë.

140. Nëse ju prek ndonjë plagë (dhe fatkeqësi), të jeni të sigurt se e njëjta plagë (dhe fatkeqësi) ka prekur edhe të tjerët. Kështu janë edhe ditët (të mira dhe jo aq të mira), të cilat Ne ua çojmë njerëzve me radhë, që Allahu të mund t’i provojë ata që besojnë dhe që Ai të mund të marrë martirë nga mesi juaj. Dhe Allahu nuk i do Dhalimunët (mohuesit, keqbërësit, mosbesimtarët).

141. Dhe që Allahu të mund t’i pastrojë besimtarët (nga gjynahet) dhe t’i shkatërrojë mosbesimtarët.

142. A mos mendoni se do të hyni në Xhennet, para se Allahu t’i sprovojë ata të cilët luftuan nga mesi juaj (për Çështjen e Allahut) si edhe t’i sprovojë ata që janë të durueshëm?

143. Ju ishit ata që dëshironit vdekjen (për të rënë Shehidë) para se të ballafaqoheshit me të. Tash ju e keni parë qartë atë me sytë tuaj.

144. Muhammedi nuk është tjetër veçse i Dërguar. Tashmë shumë të Dërguar kanë kaluar para tij. Në qoftë se ai vdes ose vritet, atëherë a do të ktheheshit menjëherë prapa (si mosbesimtarë)? Dhe ai që kthehet përsëri prapa, as dëmin më të vogël nuk i shkakton Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.

145. Dhe askush nuk mund të vdesë vetëm se me Lejen e Allahut dhe për një kohë të përcaktuar. Dhe kushdo që dëshiron shpërblim në këtë botë, Ne do t’i japim atij çfarë të dojë nga ajo dhe kushdo që dëshiron shpërblim në Botën e Pastajme, Ne do t’i japim atij nga ajo. Dhe Ne do t’i shpërblejmë falënderuesit.

146. Dhe shumë nga Pejgamberët luftuan (për Çështjen e Allahut) dhe bashkë me ta luftuan edhe grupe të mëdha njerëzish të ditur e fetarë, por ata kurrë nuk e humbën kurajën për çka pësuan në Rrugën e Allahut dhe as nuk u dobësuan, dhe as nuk e poshtëruan veten. Dhe Allahun i don durimtarët.

147. Dhe ata nuk thanë gjë tjetër vetëm: “Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe tejkalimet në punët tona, dhe bëna këmbëngulës e të vendosur (në luftë), dhe na ndihmo e na jep fitore mbi popullin mosbesimtar.”

148. Kështu Allahu ua dha atyre shpërblimin e kësaj bote dhe sihariqin e shkëlqyer për Jetën e Pastajme. Dhe Allahu i do shumë Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut).

149. O ju që keni besuar! Në qoftë se ju u bindeni atyre që nuk besojnë, ata shpejt do t’ju kthejnë prapa dhe po u kthyet prapa (nga besimi në mohim), do të ktheheni veçse si të humbur.

150. Por Allahu është Maula (Zoti, Mbrojtësi, Ndihmuesi, Mbështetësi) juaj dhe Ai është Ndihmësi më i Mirë.

151. Ne do t’i mbushim me tmerr zemrat e atyre që nuk besojnë, sepse ata i vunë shok në adhurim Allahut, gjë për të cilën Ai nuk ka sjellë asnjë provë dhe dëshmi mbështetëse. Vendbanimi i tyre do të jetë Zjarri dhe sa i keq është banimi i Dhalimunëve (keqbërësve, mohuesve, mosbesimtarëve)!

152. Dhe në të vërtetë Allahu e përmbushi Premtimin e Tij, kur ju po i asgjësonit ata (armiqtë tuaj) me Lejimin dhe Vullnetin e Tij, deri sa erdhi çasti që humbët durimin dhe filluat të haheni me njëri-tjetrin për rregullin, pastaj nuk e zbatuat atë, pasi Ai ju tregoi juve (plaçkën e luftës) atë që ju e donit. Nga mesi juaj ka disa që dëshirojnë këtë botë dhe disa që dëshirojnë Botën e Pastajme. Pastaj, Ai bëri që ju t’ia mbathni këmbëve prej tyre (armiqve tuaj), me qëllim që Ai të mund t’ju provonte ju. Por tashmë Ai sigurisht që ju fali dhe Allahu është Zotërues e Dhurues i mirësive të mëdha për besimtarët.

153. Dhe (përkujtoni) kur ju ikët (të tmerruar), madje pa i hedhur as edhe një shikim njëri-tjetrit dhe i Dërguari ishte mbrapa jush duke ju thirrur që të ktheheni. Atje vërtet Allahu ju dha juve brengë pas brenge duke ju shpërblyer me të mësuarit që të mos hidhëroheni për ato gjëra që ju kanë ikur dhe as për atë çfarë ju ka goditur. Dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju bëni.

154. Pastaj pas brengës, Ai zbriti për ju sigurinë. Një pjesë prej jush e kaploi gjumi, ndërsa një pjesë tjetër po mendonin për veten e tyre (se si të shpëtonin kokën e tyre duke mos përfillur të tjerët dhe Pejgamberin e tyre) dhe menduan keq edhe për Allahun - mendim paditurie. Ata thanë: “A kemi ne ndonjë pjesë në këtë çështje?” Thuaj (O Muhammed): “Në të vërtetë çështja i takon plotësisht Allahut.” Ata fshehin në veten e tyre çfarë ata nuk guxojnë të ta shprehin ty, duke thënë: “Në qoftë se ne do të kishim ndonjë lidhje me këtë çështje, atëherë askush prej nesh nuk do të ishte vrarë këtu.” Thuaju: “Edhe sikur ju të kishit ndenjur në shtëpitë tuaja, ata për të cilët ishte përcaktuar vdekja, padyshim që do të ishin drejtuar vetë për te vendi i caktuar për vdekjen e tyre”, por (kjo) vetëm që Allahu të mund të provonte çfarë ka në gjokset tuaj dhe që të dëlirte atë që kishit ju në zemra. Dhe Allahu është i Gjithëditur për (çfarë keni në) gjokset tuaj.

155. Ata prej jush që u kthyen prapa ditën kur u takuan dy ushtritë (beteja e Uhudit), ishte shejtani që i bëri ata të rrëshqisnin (dhe të braktisin fushën e luftës) për shkak të disa gjynaheve të bëra. Dhe tashmë vërtet që Allahu i ka falur ata. Vërtet Allahu është gjithnjë Falës i Madh, tepër Durimtar.

156. O ju që keni besuar! Mos u bëni si ata (hipokritët) që mohuan dhe u thanë vëllezërve të tyre, kur këta udhëtojnë nëpër botë, apo kur dalin për të luftuar: “Sikur ata të kishin qëndruar me ne, ata nuk do të kishin vdekur ose nuk do të ishin vrarë”, që Allahu ta bënte këtë shkak për keqardhje në zemrat e tyre. Është vetëm Allahu që jep jetë dhe sjell vdekje. Dhe Allahu është Gjithëvëzhgues për çdo gjë që ju bëni.

157. Dhe nëse vriteni ose vdisni në Rrugë të Allahut, Falja dhe Mëshira nga Allahu janë shumë më të vlefshme se gjithçka që ata grumbullojnë (nga pasuria e kësaj bote).

158. Dhe nëse ju vdisni ose vriteni, tek Allahu të gjithë do të grumbulloheni.

159. Dhe nga Mëshira e Allahut (ti Muhammed) u solle butë me ta. Po të ishe i rreptë e me zemër të ashpër, ata do të kishin hequr dorë prej teje, kështu që mos i vë re (gabimet e tyre), kërko Falje për ta (nga Allahu) dhe këshillohu me ta në të gjitha çështjet. Pastaj kur të kesh marrë vendim, besoja atë Allahut, sepse padyshim që Allahu i do ata që i mbështesin shpresat vetëm tek Ai.

160. Në qoftë se Allahu ju ndihmon, askush nuk mund t’ju mposhtë. E në qoftë se Ai ju braktisë ju, a ka ndonjë që mund t’ju ndihmojë përveç Atij? Dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten pra besimtarët.

161. Nuk është vepër e asnjë Pejgamberi që të marrë fshehtas e pa meritë nga plaçka e luftës. Dhe kushdo që i mashtron shokët e tij për plaçkën e luftës, do ta nxjerrë në Ditën e Ringjalljes çfarë ka marrë. Atëherë çdo njeri do të paguhet plotësisht për çfarë ai ka fituar - dhe atyre nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi.

162. A është atëherë i njëjtë ai që iu bind Allahut dhe kërkoi Kënaqësinë më të mirë të Tij (duke mos marrë në mënyrë të paligjshme nga plaçka e luftës), njësoj si ai që tërheq mbi vete Zemërimin e Allahut? Vendbanimi i tij është Xhehenemi dhe vërtet, sa i keq është një fund i tillë!

163. Ata janë në shkallë të ndryshme pranë Allahut dhe Allahu është Gjithëvëzhgues për çdo gjë që ata bëjnë.

164. Vërtet Allahu derdhi mbi besimtarët mirësi të madhe kur Ai çoi ndër ta një të Dërguar (Muhamedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga mesi i tyre, duke iu lexuar atyre Vargjet e Tij (Kur’anin), duke i pastruar ata (nga gjynahet e tyre) dhe duke u këshilluar atyre Librin dhe Hikmetin (urtësinë dhe Sunnetin e Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, rrugën e tij të zbatimit në jetë të rregullave të Islamit, fjalët, veprimet e faljes etj), edhe pse para kësaj ata kanë qenë në gabim të qartë.

165. (Si është puna me ju?) Kur ju godet një fatkeqësi e vetme, megjithëse i shpartalluat (armiqtë tuaj) dy herë më shumë, përsëri thoni: “Nga na erdhi neve kjo!?” Thuaju: “Është nga vetë ju (për shkak të veprave tuaja të ulëta).” Vërtet Allahu është i Zoti për të bërë çdo gjë.

166. Ajo që ju goditi juve ditën e ballafaqimit të dy ushtrive (në Uhud), ishte me Lejen dhe Vullnetin e Allahut, me qëllim që Ai të mund të provonte besimtarët.

167. Dhe që Ai të mund t’i provonte edhe hipokritët, iu tha atyre: “Ejani dhe luftoni në Rrugën e Allahut ose (të paktën) mbroni veten tuaj.” Ata thanë: “Po ta kishim ditur se do të zhvillohej luftë, ne padyshim që do të vinim pas jush.” Atë ditë ata ishin më afër mohimit se sa Besimit, duke thënë me gojën e tyre çfarë nuk ishte në të vërtetë në zemrat e tyre. Dhe Allahu ka dije të plotë për gjithçka që ata fshehin.

168. (Këta janë) ata të cilët thanë për vëllezërit e tyre të vrarë, në kohën kur ata vetë qëndruan (në shtëpitë e tyre): “Sikur të na kishin dëgjuar ne, ata nuk do të ishin vrarë.” Thuaju: “Largoni vdekjen nga vetja juaj, në qoftë se flisni të vërtetën.”

169. Mos mendoni për ata që janë vrarë në Rrugë të Allahut se kanë vdekur. (Jo!) Përkundrazi, janë të gjallë me Zotin e tyre dhe atje u shërbehet.

170. Ata gëzohen në ato mirësi që u ka derdhur Allahu nga Begatitë e Tij të pafund, duke u gëzuar për hir të atyre që akoma nuk janë bashkuar me ta, por janë akoma (e nuk kanë rënë Shehidë - martirë), se për ta nuk do të ketë aspak frikë e as nuk do të pikëllohen.

171. Ata gëzohen në Mirësitë dhe Begatitë e Allahut dhe nuk ka dyshim se Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.

172. Ata që iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit të Tij pasi qenë plagosur, për ata prej atyre të cilët bënë vepra të mira dhe iu frikësuan Allahut, do të ketë shpërblim të madh.

173. Ata (besimtarë) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Vërtet, populli (pagan) ka grumbulluar kundër jush (një ushtri të madhe), kështu që frikësojuni atyre”, kjo në të vërtetë vetëm u shtoi Besimin dhe thanë: “Allahu Vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve.”

174. Kështu që ata u kthyen me Mirësi dhe Begati nga Allahu. Asnjë e keqe nuk i preku dhe ndoqën Kënaqësinë e Allahut dhe Allahu është Zotëruesi dhe Dhuruesi i Mirësive të pafund.

175. Vetëm Shejtani jua shtie në mendje frikën e Eulijave të tij (të shokëve, pasuesve të tij si mosbesimtarët, paganët, mohuesit etj), kështu që mos iu frikësoni atyre aspak, por m’u frikësoni vetëm Mua, nëse jeni besimtarë të vërtetë.

176. Dhe ty (O Muhammed), le të mos pikëllojnë ata të cilët nxitojnë në mohim. Vërtet as dëmin më të vogël nuk do t’i shkaktojnë Allahut. Është Dëshira e Allahut për të mos u dhënë atyre asnjë pjesë në Botën e Përtejme dhe për ta do të ketë ndëshkim të madh.

177. Vërtet, ata që blenë mosbesimin me çmimin e Besimit, nuk do t’i shkaktojnë as dëmin më të vogël Allahut dhe për ta do të ketë ndëshkim të dhimbshëm.

178. Dhe le të mos mendojnë mosbesimtarët, se shtyrja e afatit nga ana Jonë për dënimin e tyre është gjë e mirë për ta. Ne e shtyjmë afatin e ndëshkimit vetëm e vetëm që atyre t’u shtohet barra e mëkateve. Dhe për ta do të ketë ndëshkim poshtërues.

179. Allahu nuk do t’i lërë besimtarët në këtë gjendje që janë tash, por derisa Ai të veçojë të ligën nga e mira dhe as nuk do t’ju zbulojë juve sekretet e Gajbit (e të fshehtës), por Allahu zgjedh nga të Dërguarit e Tij atë që Ai dëshiron. Besoni pra në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij. Dhe në qoftë se besoni dhe e keni frikë Allahun, atëherë për ju do të ketë shpërblim të madh.

180. Dhe le të mos mendojnë ata të cilët me zili mbajnë dhe nuk japin nga ato gjëra që u ka dhuruar Allahu nga Begatitë e Tij, se kjo është mirë për ta (dhe në këtë mënyrë ata nuk paguajnë detyrimin e Zekatit). Përkundrazi, do të jetë akoma më keq për ta; gjërat që ata nga zilia nuk i jepnin, do t’u mbështillen në qafë në Ditën e Ringjalljes. Dhe Allahut i përket trashëgimia e qiejve dhe e tokës dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju veproni.

181. Nuk ka dyshim se Allahu ka dëgjuar fjalën e atyre (jehudive) të cilët thanë: “Vërtet Allahu është i varfër e ne jemi të pasur!” Ne do ta regjistrojmë atë çfarë thanë ata si edhe vrasjen padrejtësisht prej tyre të Pejgamberëve, dhe Ne do t’u themi atyre: “Vuani mundimin e djegies (së Zjarrit).”

182. Kjo për shkak (të të këqiave) që i kanë dërguar duart tuaja para jush. Dhe padyshim, Allahu kurrë nuk është i padrejtë ndaj robëve të Tij.

183. Ata (jehuditë) thanë: “Allahu na ka porositur që të mos besojmë në asnjë të Dërguar derisa ai i Dërguari të na sjellë neve një kurban të cilin do ta përpijë zjarri nga qielli.” Thuaju: “Në të vërtetë erdhën tek ju të Dërguar para meje me prova të qarta, bile edhe me atë provë për të cilën ju po flisni. Përse atëherë i vratë ata? (Përgjigjuni) nëse jeni të drejtë.”

184. Atëherë në qoftë se të përgënjeshtrojnë ty (O Muhammed), po kështu u mohuan edhe të Dërguarit e tjerë para teje, të cilët erdhën me Bejjinat (me tregues e prova të qarta të shkoqitura plotësisht) dhe me Zeburin dhe me Librin Ndriçues.

185. Gjithsecili do ta shijojë vdekjen dhe vetëm në Ditën e Ringjalljes do t’ju paguhet plotësisht shpërblimi juaj. Dhe kushdo që do të largohet prej Zjarrit dhe do të futet në Xhennet, vërtet ai ka fituar. Jeta e kësaj bote është vetëm një kënaqësi mashtruese.

186. Ju padyshim që do të mundoheni dhe do të provoheni në pasuri dhe në veten tuaj dhe vërtet që do të dëgjoni shumë gjëra të cilat do t’ju pikëllojnë prej atyre popujve të cilët morën Librat e Parë para jush (jehudive dhe të krishterëve) dhe prej atyre që i vënë shok Allahut në adhurim, por në qoftë se këmbëngulni në durimin tuaj dhe bëheni Muttekinë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam), atëherë padyshim që ky do të jetë një tregues përcaktues për të gjitha çështjet më të mëdha vendimtare.

187. (Dhe përkujtoni) kur Allahu mori besë nga ata të cilëve iu dhanë Librat e Parë, për ta bërë të njohur e të qartë lajmin (e ardhjes së Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe të mos e fshihnin atë, por ata e hodhën atë tej pas shpine dhe bënë tregti me të për një fitim të mjerë! Dhe vërtet më e keqja është ajo që ata blenë!

188. Mos mendo se janë të shpëtuar nga ndëshkimi ata që kënaqen e gëzohen për atë që e kanë bërë dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e bënë, pra mos llogarit shpëtim për ta. Ata do të kenë ndëshkim të dhimbshëm.

189. Dhe Allahut i takon mbizotërimi dhe mbisundimi i qiejve dhe i tokës dhe Allahu është i Zoti përmbi gjithçka, i Zoti për të bërë çdo gjë.

190. Vërtet në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në këmbimin e ndërsjellë të ditës dhe të natës, ka padyshim tregues për ata që kanë mend.

191. Ata që e përkujtojnë Allahun në këmbë, të ulur, e të mbështetur dhe që mendojnë thellë për krijimin e qiejve dhe të tokës (duke thënë): “Zoti ynë! Ti nuk e ke krijuar gjithë këtë kot (pa qëllim). Lavdi të qoftë Ty! Na ruaj pra prej ndëshkimit të Zjarrit!

192. Zoti ynë! Vërtet ata të cilët Ti i fut në Zjarr, padyshim që i ke poshtëruar ata. Dhe për Dhalimunët (mohuesit, keqbërësit) nuk do të ketë ndihmues.

193. Zoti ynë! Vërtet ne e kemi dëgjuar thirrjen e një ftuesi (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që thërret në Besim: ‘Besoni në Zotin tuaj’ - dhe ne kemi besuar. Zoti ynë! Na i fal neve gjynahet tona, edhe na i hiq nga barra jonë veprat tona të ulëta dhe na bëj që të mund të vdesim duke qenë në të drejtën së bashku me ata që janë Ebrarë (Besimtarët e vërtetë, të drejtë e të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm).

194. Zoti ynë! Na siguro çfarë Ti na premtove me anë të Dërguarve të Tu dhe mos na pikëllo Ditën e Ringjalljes. Vërtet Ti kurrë nuk e then Premtimin.”

195. Në këtë mënyrë Zoti i tyre e pranoi prej tyre (duanë e tyre dhe iu përgjigj atyre): “Unë kurrë nuk do të lejoj që të humbasë vepra e kujtdo prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni (pjestarë të barabartë) prej njëri-tjetrit. Kështu pra, ata të cilët e lanë vendin e tyre dhe që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe që vuajtën për Çështjen Time dhe që luftuan dhe që u vranë (për Çështjen Time), padyshim që Unë do t’ua heq nga barra veprat e tyre të këqia dhe do t’i pranoj ata ndër Kopshte të Begatë poshtë të cilëve rrjedhin lumenj: shpërblim nga Allahu dhe tek Allahu është më i miri shpërblim.”

196. Dhe le të mos ju mashtrojë dora e lirë dhe bollëku i jobesimtarëve kudo në tokë.

197. (Ajo është) një kënaqësi kalimtare dhe e shpejtë; pastaj vendbanimi i tyre i fundit është Xhehenemi. Dhe vërtet më i keqi vend është banimi i tyre.

198. Por për ata të cilët e kanë frikë Zotin e tyre, janë Kopshtet e Begatë të Xhennetit poshtë të cilëve rrjedhin lumenj. Aty ata do të banojnë përgjithmonë: një kënaqësi e dhuruar nga Allahu dhe ajo që është prej Allahut është më e mira për Ebrarët (besimtarët e vërtetë, të drejtë e të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm).

199. Dhe vërtet ka edhe nga popujt e Librave të Parë (jehudi e të krishterë) prej atyre të cilët besojnë në Allahun dhe në atë që iu është shpallur juve dhe në atë që u është shpallur atyre më parë, duke iu nënshtruar plotësisht Allahut dhe të cilët nuk i shesin Vargjet e Allahut për një çmim të vogël. Për këta shpërblimi është me Zotin e tyre. Vërtet, Allahu është më i Shpejti në llogari.

200. O ju që keni besuar! Duroni dhe bëhuni më të duruar (se sa armiku juaj) dhe ruani vendin tuaj duke vendosur roje ushtarake të përhershme nga vendet ku mund t’ju sulmojë armiku juaj dhe kini frikë Allahun, që të mund të jeni të fituar.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free