KUR’AN-i
Shqip – Albanian

83 - El Mutaffifin



El Mutaffifin - Mashtruesit

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Mjerë për El-Mutaffifinët (mashtruesit në masë e në peshojë, ata që e hanë hakun e të tjerëve).

2. Të cilët kur kanë për të marrë nga njerëzit me masë, e kërkojnë masën të plotë,

3. Dhe kur kanë për t’u dhënë njerëzve me masë ose me peshë, japin më pakë se ç’duhet.

4. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen (për llogari),

5. Në një Ditë të Madhe?

6. Në Ditën kur njerëzimi do të qëndrojë para Zotit të Aleminit (Zotit të njerëzve, të xhindeve dhe i gjithçkaje që është në gjithësi)?

7. Jo! (Nuk është siç mendojnë ata se nuk do të ringjallen për llogari). Vërtet se Shkrimi (i veprave) të El-Fuxhxhar (të mosbesimtarëve, të mëkatarëve, të keqbërësve, të ligjve) është i ruajtur në Sixhxhin?

8. Dhe çfarë të bën ty të kuptosh se ç’është Sixhxhin-i?

9. Libër i skalitur (i ruajtur mirë).

10. Mjerë atë Ditë për përgënjeshtruesit!

11. Ata që përgënjeshtrojnë Ditën e Shpërblimit.

12. Dhe askush nuk mund ta përgënjeshtrojë atë, përveç çdonjërit prej atyre që kalojnë çdo kufi (në mosbesim, në padrejtësi, krime e mëkate)!

13. Kur i këndohen atij Vargjet Tona (të Kur’anit), ai thotë: “Përralla të të parëve!”

14. Jo, kurrë nuk është kështu! Por në zemrat e tyre është Raan (mbulesë, njollosje prej gjynaheve e poshtërsive) të cilën ata e patën fituar (duke e punuar me duart e tyre).

15. Dhe për më tepër! Sigurisht që ata do të mbulohen (që të mos shohin dot) nga të parët Zotin e tyre atë Ditë.

16. Pastaj, padyshim që do të hyjnë patjetër dhe do të shijojnë flakën e zjarrtë të Xhehenemit.

17. Pastaj do t’u thuhet atyre: “Ky është ai që ju gjithnjë e mohuat!”

18. Përkundrazi! Me të vërtetë që Shkrimi (i veprave) të El-Ebrar (besimtarët e vërtetë, të drejtë e të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm) është (i ruajtur) në Il-lijunë.

19. Dhe çfarë të bën ty të kuptosh se ç’është Il-lijjunë?

20. Libër i skalitur (i ruajtur mirë).

21. Të cilin e dëshmojnë ata më të afërtit (melekë të Allahut).

22. Vërtet që El-Ebrar (besimtarët e vërtetë, të drejtë e të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam) do të jenë në Lumturi (në Xhennet).

23. Mbi frone të lartë duke vështruar (gjithçka).

24. Në fytyrat e tyre do të dallosh shkëlqimin e kënaqësisë.

25. Atyre do t’u jepet për të pirë pije e pastër e kulluar e ruajtur mirë.

26. Fundi i së cilës do të vijë erë Misku dhe për këtë le të përpiqen të gjithë ata që duan të jenë përpjekës (të nxitojnë me padurim në bindje dhe përkushtim ndaj Allahut).

27. Ajo (pije) do të jetë e përzier me Tesnim,

28. Një burim nga i cili pijnë ata më të afërtit tek Allahu.

29. Vërtet (se gjatë jetës së dynjasë) ata që bënë krime gjithnjë i përqeshnin ata që besuan.

30. Dhe sa herë që kalonin pranë tyre, ata ia bënin me sy njëri-tjetrit (në tallje ndaj besimtarëve).

31. Dhe kur ata ktheheshin te vetë njerëzit e tyre, ata ktheheshin duke u tallur,

32. Dhe kur i shihnin ata (të cilët besuan), thoshin: “Vërtet që këta janë të humbur!”

33. Por ata (mosbesimtarët, mëkatarët) nuk qenë dërguar vëzhgues mbi ta (mbi besimtarët).

34. Por këtë Ditë (Ditën e Shpërblimit) ata që besojnë do të qeshin me mosbesimtarët mohues.

35. (Besimtarët) në frone të lartë duke vështruar (gjithçka).

36. A nuk janë shpërblyer mosbesimtarët (plotësisht) për gjithçka që patën punuar?
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free