KUR’AN-i
Shqip – Albanian

32 - Es Sexhde



Es Sexhde – Adhurimi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Mim.

2. Shpallja e Librit (Kur’anit) është nga Zoti i Aleminit (i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjindet në të, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve), në të cilin nuk ka kurrfarë dyshimi!

3. Apo mos thonë: “Ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka thurur e trilluar atë?” Përkundrazi, është e vërteta nga Zoti yt, që ti të mund të këshillosh një popull tek i cili nuk ka ardhur asnjë këshillues para teje, me qëllim që ata të mund të udhëzohen.

4. Allahu është Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe gjithçka që ndodhet ndërmjet tyre në Gjashtë Ditë. Pastaj Ai Isteva (u ngrit lartë dhe qëndroi mbi) Arsh (në Fronin e Tij Madhështor, vërtet ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij). Ju (o njerëz) nuk keni askënd tjetër përveç Atij si Vali (mbrojtës e ndihmues), as edhe ndërmjetësues. A nuk do të përkujtoni, pra?

5. Ai rregullon çdo çështje nga qiejt në tokë, pastaj ajo (çështje) do të shkojë lart tek Ai në një Ditë, gjatësia e së cilës është sa një mijë vjet në llogarinë tuaj (llogaria e kohës tash në këtë botë).

6. I tillë është Ai, i Gjithëdituri i të padukshmes (të fshehtës) dhe të dukshmes, i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.

7. I Cili përsosi çdo gjë që Ai krijoi dhe Ai e filloi krijimin e njeriut nga balta.

8. Pastaj Ai solli pasardhësit e tij nga esenca e një lëngu të përçmuar.

9. Pastaj Ai e formësoi atë në përmasa e madhësinë e duhur dhe i fryu atij shpirtin (e krijuar për atë njeri). Dhe ju solli juve të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemrat. Sa pak që falënderoni!

10. Dhe thonë: “Kur të jemi (të vdekur e) të humbur në tokë, a vërtet do të ribëhemi nga e para?” Përkundrazi, ata në të vërtetë mohojnë Takimin me Zotin e tyre!

11. Thuaju: “Meleku i vdekjes i cili është vënë mbi ju, do t’jua merr shpirtrat, pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.”

12. Dhe veç sikur të shihje kur Muxhrimunët (kriminelët, mëkatarët, mosbesimtarët) të varin kokat para Zotit të tyre (duke thënë): “Zoti ynë! Tash pamë dhe dëgjuam, na kthe pra përsëri (në dynja), do të bëjmë mirësi e drejtësi. Me të vërtetë që tash ne besojmë me bindje të plotë.”

13. Dhe sikur të kishim dashur Ne, sigurisht që Ne do t’i kishim dhënë çdo njeriu udhëzimin e tij, por u vendos e do të vërtetohet Fjala Ime (për keqbërësit) se Unë do ta mbush Xhehenemin me xhinde e njerëz bashkë.

14. Shijoni atëherë ju (vuajtjet e zjarrit) për harresën tuaj të Takimit në këtë Ditën tuaj dhe me siguri edhe Ne do t’ju harrojmë ju (duke u lënë në dënim). Dhe shijoni pra ju vuajtjet e përhershme për çfarë ju punuat.

15. Vetëm ata besojnë në Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet), të cilët kur u kujtohen atyre ato, lëshohen me fytyrë në sexhde dhe lartësojnë Lavditë e Zotit të tyre dhe ata nuk janë kryelartë.

16. Anët e shtatit të tyre braktisin shtratin për të lutur Zotin e tyre në frikë e shpresë; ata shpenzojnë (në mirësi e për Çështjen e Allahut) nga ato (begati) të cilat ua kemi dhuruar Ne.

17. Askush nuk e di se çfarë është ruajtur për ta nga kënaqësitë e syrit si shpërblim për çfarë ata punuan.

18. A është atëherë ai i cili është besimtar, si ai i cili është Fasik (mosbesimtar, i pabindur ndaj Allahut, i lig)? Aspak nuk janë njësoj.

19. Sa për ata që besojnë (në Allahun Një, në Islam) dhe punojnë mirësi e drejtësi, për ata janë Kopshtet e Begatë të Xhennetit si shpërblim i tyre për çfarë ata punuan.

20. Dhe sa për ata që janë Fasikunë (mosbesimtarë, të pabindur ndaj Allahut, të lig), vendbanimi i tyre do të jetë Zjarri. Sa herë që do të duan të dalin që andej, do të kthehen përsëri aty dhe do t’u thuhet: “Shijoni ndëshkimin e Zjarrit të cilin ju gjithnjë e mohuat.”

21. Dhe sigurisht që Ne do t’i bëjmë ata të shijojnë edhe nga ndëshkimi i afërt (në këtë jetë) para ndëshkimit të madh (në Jetën e Pasosur), me qëllim që ata mbase (pendohen e) kthehen (tek e vërteta, e pranojnë Islamin).

22. Dhe kush bën padrejtësi më të madhe se ai të cilit i kujtohen Ajetet e Zotit të tij (provat, shenjat, treguesit, shpalljet e Allahut, Zotit të tij të Vërtetë) dhe pastaj u kthen shpinën atyre? Sigurisht që Ne do të marrim shpagim nga Muxhrimunët (kriminelët, mosbesimtarët, mëkatarët).

23. Dhe vërtet që Ne i dhamë Musait Librin (Teuratin), kështu që mos dysho në takimin me të (takimin me Musain gjatë natës El-Isra dhe El-Miraxh në qiej). Dhe Ne e patëm bërë atë (Teuratin) udhëzim për Bijtë e Israilit.

24. Dhe Ne bëmë nga mesi i tyre prijës duke udhëzuar nën Urdhërin Tonë kur qenë të duruar dhe gjithnjë besuan me vendosmëri në Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet Tona).

25. Sigurisht që Zoti yt është Ai i Cili do të gjykojë mes tyre Ditën e Ringjalljes, në lidhje me çfarë ata ndryshuan e ishin në kundërshtim me njëri-tjetrin.

26. A nuk shërben si mësim e udhëzim për ta se sa breza kemi shkatërruar Ne para tyre në vendbanimet e të cilëve ata ecin e sillen? Vërtetë që aty ka tregues. A nuk do të dëgjojnë, pra?

27. A nuk kanë parë ata se si Ne e drejtojmë ujin (retë e shiut) drejt tokës së thatë pa bimësi dhe që andej rrisim bimësi e cila sjell ushqim për bagëtitë e tyre dhe për vetë ata? A nuk do të shohin, pra?

28. Dhe thonë: “Kur do të jetë ky El-Fet’h (vendimi mes nesh dhe jush, Dita e Llogarisë) nëse jeni që flisni të vërtetën?”

29. Thuaju: “Ditën e Fet’hit (Vendimit) asnjë përfitim nuk do t’u sjellë atyre që mohojnë, nëse (atëherë) do të besojnë! As nuk do t’u jepet më afat.”

30. Largohu pra prej tyre dhe prit; vërtet se (edhe) ata po presin.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free