KUR’AN-i
Shqip – Albanian

31 - Lukman



Lukman

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Mim.

2. Këto janë Vargjet e Librit të Urtë (Kur’anit).

3. Udhëzues dhe mëshirë përkujtimi për Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugën e Allahut).

4. Ata që kryejnë faljen e përcaktuar ditore (Ikametus-Salat) dhe japin Zekatin (detyrimin e përcaktuar mbi pasurinë) dhe që kanë besim të vendosur në Jetën e Pastajme.

5. Këta janë në udhëzim nga Zoti i tyre dhe këta janë të fituarit.

6. Dhe nga njerëzit është ai që blen (përkushtohet në veprimtari) tregime boshe (lojë, dëfrim, filma, muzikë) për të gabuar (njerëzit) nga Rruga e Allahut pa asnjë dije dhe e merr atë (Rrugën e Allahut, Kur’anin, Islamin) me synimin për t’u tallur. Për të tillët do të ketë ndëshkim poshtërues (në Zjarr).

7. Dhe kur i lexohen ndonjë të këtilli Vargjet Tona (të Kur’anit), ai kthen shpinën me krenari e mospërfillje sikur nuk i dëgjoi, sikur t’i kishte veshët e zënë. Bëni të njohur atij pra, ndëshkim të dhimbshëm.

8. Vërtet se ata që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, mu për këta janë Kopshtet e Kënaqësisë së Xhennetit,

9. Për të banuar ndër ta. Është Premtim i Allahut me të vërtetë dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

10. Ai ka krijuar qiejt pa shtylla mbështetëse që t’i shihni dhe ka ngulitur në tokë male që të qëndrojnë fort, se përndryshe ajo do të dridhej bashkë me ju. Dhe Ai ka shpërndarë nëpër të gjallesa të çdo lloji. Dhe Ne dërgojmë ujë nga qielli dhe Ne bëjmë të rriten në të gjithfarë lloje bimësh të vlefshme.

11. Ky është krijimi i Allahut. Më tregoni pra Mua ç’farë kanë krijuar ata (të cilët ju i adhuroni) në vend a përkrah Tij. Por vërtet Dhalimunët (politeistët, keqbërësit, mohuesit) janë në gabim të qartë.

12. Dhe me të vërtetë që Ne i dhuruam Lukmanit El-Hikmeh (urtësinë dhe dhuntinë e dijes mbi Fenë e Allahut, gjykimin e drejtë) duke i thënë: “Falëndero Allahun,” dhe kushdo që falënderon, ai falënderon për veten e tij (për të mirën e vet). Dhe kushdo që nuk është falënderues, atëherë sigurisht që Allahu është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë), Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.

13. Dhe (kujto) kur Lukmani i tha birit të vet kur po e këshillonte: “O biri im! Mos bashko të tjerë në adhurim me Allahun. Vërtet që bashkimi i të tjerëve në adhurim me Allahun është Dhulm (padrejtësi, gabim) i madh (më i madhi).”

14. Dhe Ne kemi kërkuar nga njeriu (të jetë i përkushtuar e i dëgjueshëm) ndaj prindërve të tij. Nëna e tij e mbarti atë me mundime pas mundimesh e vështirësi pas vështirësish dhe dhënia e gjirit është dy vjet - më falënderoni Mua dhe prindërit e tu, - tek Unë është kthimi i fundit.

15. Por nëse ata të dy përpiqen me ty, që ti të bashkosh në të adhuruarit vetëm Mua të tjerë për të cilët ti nuk ke asnjë dije, atëherë mos iu bind atyre, por sillu me ta në dynja me dashamirësi dhe ndiq rrugën e atij i cili më kthehet Mua me pendim dhe nënshtrim. Pastaj tek Unë do të jetë kthimi juaj dhe Unë do t’ju tregoj çfarë keni punuar.

16. O biri im! Sikur të jetë (ndonjë gjë) sa një thërrmi e farës së mustardës dhe sikur ajo të jetë në thellësi të një shkëmbi, ose në qiej, ose në tokë, Allahu do ta sjell atë. Vërtet që Allahu është më i Mprehti (me Dije deri në imtësi të çdo gjëje), i Mirënjohur (me Dije të thellë për çdo imtësi).

17. O biri im! Ekim-is-Salat (fale rregullisht namazin e përcaktuar), urdhëro (njerëzit për) El-Ma’ruf (Islamin, të drejtën) dhe ndaloji nga El-Munkeri (mosbesimi në Allahun, politeizmi i çdo lloji dhe çdo e keqe) si dhe bën durim për çfarëdo që të bie e të ndodh. Vërtet që këto janë disa nga detyrimet e rëndësishme (të urdhëruara nga Allahu).

18. Dhe mos e kthe fytyrën mënjanë me kryelartësi nga njerëzit dhe as mos ec nëpër tokë duke fyer e mospërfillur (të tjerët). Vërtet që Allahu nuk do çfarëdo arroganti e mburraveci qoftë.

19. Dhe ji i përmbajtur (e mos trego fyerje) në ecje dhe ule zërin. Vërtet se më i ashpri zë, është pëllitja e gomarëve.”

20. A nuk e sheh (o njeri) se Allahu jua ka nënshtruar juve gjithçka është në qiej dhe gjithçka është në tokë dhe ka plotësuar Mirësitë e Tij mbi ju të dukshme (Islamin, ligjet e tij, kënaqësitë e lejuara të dynjasë, shëndetin, pamjen etj) e të padukshme (Besimin tek Allahu, dijen, urtësinë, kënaqësitë dhe gëzimet në Xhennet në Jetën e Pastajme)? Por nga njerëzit është edhe ai i cili kundërshton e vë dyshime për Allahun pa asnjë dije, ose udhëzues, ose ndonjë Libër që ta ndriçojë!

21. Dhe kur atyre u thuhet: “Ndiqni atë që ka zbritur Allahu”, ata thonë: “Jo! Do të ndjekim atë që gjetëm te baballarët tanë.” (A do të bënin kështu) edhe sikur shejtani t’i ftonte ata në ndëshkimin flakërues (të Zjarrit)?

22. Dhe kushdo që ia nënshtron fytyrën (vetveten) e tij Allahut duke qenë Muhsin (mirëpunues), atëherë ai ka kapur mbajtësin më të sigurt (Fjalën: La ilahe il-lallah). Dhe tek Allahu është përfundimi për gjykim i të gjitha çështjeve.

23. Dhe le të mos të dëshpërojë ty (O Muhammed) mosbesimi i kujdo qoftë. Tek Ne është kthimi i tyre dhe Ne do t’i njoftojmë ata për gjithçka që kanë bërë. Vërtet që Allahu është i Gjithëdituri për çfarë gjindet në gjokse (të njerëzve).

24. Ne i lëmë ata të kënaqen për pak kohë, pastaj në fund Ne do t’i dërgojmë ata (të hyjnë) në ndëshkim të rëndë (të pandërprerë).

25. Dhe nëse ti i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe tokën”, me siguri do të përgjigjen: “Allahu”. Thuaju: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun!” Por shumica e tyre nuk e dinë.

26. Të Allahut janë gjithë ç’është në qiej dhe në tokë. Me të vërtetë që Allahu, Ai është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë), i Denjë për të gjitha lavdërimet.

27. Dhe sikur të gjitha pemët në tokë të ishin pena dhe deti (botëror të ishte bojë për të shkruar) me shtatë dete (të tjerë) pas tij për t’iu shtuar atij, prapëseprapë Fjalët e Allahut nuk do të shterronin. Me të vërtetë Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

28. Krijimi i ju të gjithëve dhe ringjallja e ju të gjithëve janë si (krijimi dhe ringjallja) e një njeriu të vetëm. Vërtet që Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëvëzhgues.

29. A nuk e sheh se Allahu ndërfut natën te dita (e shkurton natën dhe e zgjat ditën) dhe e ndërfut ditën te nata (e shkurton ditën dhe e zgjat natën), dhe ka nënshtruar diellin dhe hënën secili duke ndjekur rrugën e vet deri në një afat të përcaktuar, dhe se Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që bëni?

30. Kjo ngaqë Allahu, Ai është i Merituari, Ai është i Vërteti dhe gjithçka që ata lusin në vend të Allahut ose përkrah Tij është Batil (e rreme, e humbur, e kotë); dhe se vërtet Allahu, Ai është më i Larti, më i Madhi.

31. A nuk e sheh se anijet lundrojnë në det me Mirësinë e Allahut që Ai të mund t’ju tregojë nga Shenjat e Tij? Vërtet që këtu ka shenja treguese për çdo durimtar e falënderues.

32. Dhe kur ata i mbulon vala si hije (si re ose malet e ujit që ngrihen mbi ta), ata lusin Allahun, duke iu lutur tërësisht me gjithë përkushtimin vetëm Atij, por kur Ai i nxjerr ata shëndoshë e mirë në tokë, ka disa prej tyre të cilët ndalen në mes, ndërmjet (Besimit dhe mosbesimit). Por askush nuk i mohon Ajetet Tona (provat, shenjat, treguesit), përveç çdo të pabesi mosmirënjohës.

33. O njerëz! Kini frikë Zotin tuaj dhe t’i frikësoheni një Dite kur asnjë baba nuk mund t’i vlejë qoftë edhe një grimë birit të vet; as edhe biri nuk mund t’i vlejë qoftë edhe një grimë babait të tij. Vërtet që Premtimi i Allahut është i vërtetë, atëherë le të mos ju mashtrojë kjo jetë e dynjasë, as të mos ju mashtrojë i pari i mashtruesve (shejtani) ndaj Allahut.

34. Vërtet që Allahu! Vetëm tek Ai është dija e Orës (e Çastit të Fundit, Kijametit); Ai zbret shiun dhe di se çfarë ka në mitra. Askush nuk e di se ç’do të fitojë e ç’do t’i ndodhë nesër dhe askush nuk e di se në ç’tokë (ç’vend) do të vdesë. Me të vërtetë që Allahu është i Gjithëditur, i Mirënjohur (për çdo gjë).

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free