KUR’AN-i
Shqip – Albanian

90 - El Beled



El Beled – Qyteti

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Betohem Unë për këtë qytet (Mekën)!

2. Dhe ti je i lirë (me të drejta të plota si banor i këtij qyteti, i lirë nga gjynahet dhe nga të ndëshkuarit e armiqve të Islamit Ditën e hapjes, të çlirimit) në këtë qytet (Mekë).

3. Për lindësin (Ademin ‘alejhis–selam, babain e parë) dhe për atë që ai lindi (pasardhësit e tij)!

4. Vërtet që Ne e krijuam njeriun në vështirësi.

5. A mendon ai se atë nuk mund ta mposhtë askush?

6. Ai thotë (me mburrje): “Unë kam shpenzuar shumë pasuri!”

7. A mendon ai se askush nuk e sheh?

8. A nuk i bëmë Ne për të dy sy?

9. Dhe një gjuhë e dy buzë?

10. Dhe i sqaruam atij për të dy rrugët (të drejtën dhe të gabuarën)?

11. Por ai nuk ka bërë asnjë përpjekje për të kaluar në udhën e rrëpirët (rrugën e vështirë)?

12. Dhe çfarë do të të bëjë ty të kuptosh se cila është rruga e rrëpirët?

13. (Ajo është) të liruarit e një qafe (robi),

14. Ose dhënia e ushqimit në kohën kur mbretëron uria,

15. Ose një jetimi nga të farefisit,

16. Ose një të varfri të goditur nga skamja.

17. Pastaj u bë prej atyre që besuan dhe që këshillonin njëri-tjetrin për durim e vendosmëri dhe që këshillonin njëri-tjetrin për mëshirë e keqardhje.

18. Këta janë ata të Dorës së Djathtë (banorët e Xhennetit).

19. Por ata që mohuan Ajetet Tona (provat, treguesit, Shpalljet), këta janë ata të Dorës së Majtë (banorët e Xhehenemit).

20. Zjarri do të jetë i mbyllur sipër tyre (ata do të jenë të mbështjellë nga të gjitha anët nga zjarri pa asnjë hapësirë a dritare).(Tefsir Ibn Kethiri, Kurtubi dhe Tabariu).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free