KUR’AN-i
Shqip – Albanian

73 - El Muzzemmil



El Muzzemmil - I mbuluari

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O ti (Muhammed) i mbuluar me rroba!

2. Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj.

3. Gjysmën e saj, ose më pak se aq,

4. Ose pak më shumë dhe këndo Kur’an (me zë) me ngadalë, bukur dhe qartë.

5. Vërtet që Ne do të të zbresim ty Mesazh të rëndë (ligje, detyrime etj).

6. Vërtet që ngritja natën (për faljen Tahaxhxhud) është shumë e rëndë, e fortë dhe mjaft e mirë për të përmbajtur (vetveten, shpirtin) dhe më e përshtatshmja (për të kuptuar) Fjalë (e Allahut).

7. Vërtet që ditën je i zënë vazhdimisht me detyrimet e zakonshme.

8. Por kujto Emrin e Zotit tënd dhe përkushtoja veten Atij me devotshmëri të plotë.

9. Zot i lindjes dhe i perëndimit, La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet veç Atij Një e të Vetëm). Kështu pra, vetëm Atë merre për Vekil (Zot, rregullues të punëve të tua).

10. Dhe bëj durim ndaj asaj që thonë dhe largohu prej tyre me dinjitet.

11. Dhe më lër Vetëm Mua të merrem me përgënjeshtruesit (mohuesit e Vargjeve të Mia) dhe me ata që kanë në dorë të mira të kësaj jete dhe t’u lë afat për pak kohë.

12. Se me të vërtetë me Ne janë prangat dhe Zjarri i egër flakërues.

13. Dhe ushqim që nuk gëlltitet dhe ndëshkim të dhimbshëm.

14. Ditën kur toka dhe malet të dridhen fuqishëm dhe malet do të jenë grumbull rërë i derdhur që rrjedh.

15. Vërtet që Ne ju kemi çuar juve (o njerëz) të Dërguar (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për të dëshmuar mbi ju, ashtu siç çuam të Dërguar (Musain ‘alejhis–selam) te Faraoni.

16. Por Faraoni nuk iu bind të Dërguarit, andaj Ne e mbërthyem atë me ndëshkim të ashpër.

17. Atëherë si do të mundeni ju ta mënjanoni ndëshkimin në qoftë se mohoni e nuk besoni, Ditën e cila do t’i bëjë fëmijët të thinjur,

18. (Ditë) në të cilën qielli do të çahet? Sigurisht që Premtimi i Tij patjetër që do të përmbushet.

19. Vërtet që ky është një përkujtim këshillues, kështu që kushdo që të dojë, le të marrë Udhë drejt Zotit të tij!

20. Vërtet që Zoti yt e di se ti dhe një grup i atyre që janë me ty, kaloni në adhurim më pak se dy të tretat e natës ose gjysmën e saj, apo një të tretën e saj. Dhe Allahu e mat natën dhe ditën. Ai e di se ti nuk mund të falesh gjatë gjithë natës, andaj Ai t’u kthye ty (me mëshirë). Këndo pra nga Kur’ani aq sa të mund të jetë më lehtë për ty. Ai e di se do të ketë nga mesi juaj të sëmurë, të tjerë në udhëtim në tokë duke kërkuar Begatitë e Allahut dhe më tej, të tjerë duke luftuar për Çështjen e Allahut. Kështu pra, këndoni nga Kur’ani sa të jetë e lehtë për ju prej tij dhe përmbushni Salatin (faljen e namazit) dhe jepni Zekatin dhe jepni borxh tek Allahu një hua të mirë. Dhe çfarëdo të mire që ju dërgoni përpara jush për veten tuaj, padyshim që do ta gjeni atë tek Allahu më të mirë dhe më të madhe në shpërblim. Dhe kërko faljen e Allahut. Vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free