KUR’AN-i
Shqip – Albanian

89 - El Fexhr



El Fexhr - Çelja e ditës

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. (Betohem) për çeljen e ditës!

2. Për dhjetë netët!

3. Për çiftin dhe për tekun!

4. Për natën kur ajo largohet!

5. Vërtet që në to (këto betime) ka dëshmi të mjaftueshme për njerëzit me mend.

6. A nuk ke parë (dhe a nuk mendon) si bëri Zoti yt me Ad-in?

7. Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta, (ose të cilët qenë të lartë si shtylla),

8. Që si ata (populli Ad) nuk është krijuar askush në tokë!

9. Dhe me Themudin, të cilët skalitnin shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi),

10. Dhe me Faraonin, njeriun e hurit? (I cili i torturonte njerëzit duke i varur në hunj).

11. Të cilët i kaluan të gjithë kufijtë në vendet e tyre.

12. Dhe duke kryer atje shumë poshtërsi.

13. Kështu që Zoti yt derdhi mbi ta shumë ndëshkime të ashpra.

14. Vërtet që Zoti yt është kurdoherë Gjithëvëzhgues (mbi ta).

15. Sa për njeriun, të cilin Zoti i tij e provon duke i dhënë atij nderime e mirësi, atëherë ai thotë (i krekosur): “Zoti im më ka nderuar mua.”

16. Por kur Ai e provon atë me shtrëngim të të mirave të jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar mua!”

17. Jo, nuk është ashtu! Por ju nuk silleni me mirësi e zemërgjerësi ndaj jetimit!

18. Dhe as nuk nxitni njëri-tjetrin për ta ushqyer të varfërin (El-Miskin)!

19. Dhe ju e hani me të madhe (pa të drejtë) trashëgiminë.

20. Dhe pasurinë ju e doni së tepërmi.

21. Jo (mosni kështu)! Kur toka të dërrmohet tërësisht, e të bëhet pluhur.

22. Dhe kur të vijë Zoti yt me melekët radhë-radhë.

23. Dhe atë Ditë Xhehenemi do të sillet afër. Atë Ditë njeriu do të përkujtojë; por si do t’i sjellë dobi atij ai përkujtim?

24. Ai do të thotë: “Ah, i gjori unë! Sikur të isha parapërgatitur për jetën time!”

25. E pra, atë Ditë askush nuk do të ndëshkojë me Ndëshkimin e Tij.

26. Dhe askush si Ai nuk do të lidhë me Lidhjen e Tij.

27. (Do t’u thuhet të përkushtuarve në Udhën e Allahut): “O ti (njeri) në rehati e kënaqësi!

28. Kthehu te Zoti yt,- i vetëkënaqur dhe që e kënaqe mjaft Zotin tënd (e fitove Kënaqësinë e Tij)!

29. Hyr pra ndër robët e Mi të nderuar,

30. Dhe hyr në Xhennetin Tim!”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free