KUR’AN-i
Shqip – Albanian

67 - El Mulk



El Mulk - Mbisundimi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

Pjesa 29

1. I Lartësuar me Madhështi qoftë Ai, në Dorë të të Cilit është Mbisundimi dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.

2. I Cili ka krijuar vdekjen dhe jetën, me qëllim që të provojë kush nga ju është më i miri në vepra. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, gjithnjë Falësi i Madh.

3. I Cili ka krijuar shtatë qiejt të renditur një përmbi një: ju nuk mund të shihni asnjë gabim në Krijimin e të Gjithëmëshirshmit. Kthe pra shikimin përsëri: “A mund të shohësh ndonjë të çarë?”

4. Pastaj hidhe shikimin përsëri dhe përsëri; vështrimi juaj do t’ju kthehet tek ju në një gjendje të turbulluar, të poshtëruar e të molisur.

5. Dhe vërtet që Ne e kemi zbukuruar qiellin më të afërt me drita dhe Ne i kemi bërë drita të tilla gjuajtëse për të larguar shejtanët; dhe për ta Ne kemi përgatitur ndëshkimin e Zjarrit flakërues.

6. Dhe për ata të cilët nuk besojnë Zotin e tyre (Allahun), është ndëshkimi i Xhehenemit, - dhe vërtet fund i keq (është) fundi i tillë!

7. Kur ata të flaken në të, ata do ta dëgjojnë të marrë frymë (tmerrësisht) duke u djegur në flakë.

8. Ai pothuaj shpërthen me vrull. Çdo herë që hidhet në të një grup, ruajtësi i tij do të pyesë: “A nuk erdhi tek ju këshillues?”

9. Ata do të thonë: “Po, sigurisht! Vërtet që një këshillues na erdhi neve, por ne e përgënjeshtruam atë dhe thamë: ‘Allahu as që ka zbritur gjë (shpallje të Tij), ndërsa ju jeni në gabim të madh.’”

10. Dhe do të thonë: “Veç sikur të kishim dëgjuar ose të kishim menduar, ne nuk do të kishim qenë mes banorëve të Zjarrit flakërues!”

11. Pastaj ata do të dëshmojnë mëkatin e tyre. Kështu pra, larg prej banorëve të Zjarrit flakërues!”

12. Vërtet se ata që e kanë frikë Zotin e tyre në Gajb (pa e parë Atë), për ta do të ketë falje dhe shpërblim të madh (në Xhennet).

13. Dhe nëse ju e mbani fshehtë fjalën tuaj, apo e nxirrni hapur atë, padyshim që Ai është i Gjithëditur për gjithçka në gjokse (të njerëzve).

14. A nuk e di Ai i Cili ka krijuar? Dhe Ai është më i Buti dhe më Dashamirësi (ndaj robëve të Tij), i Mirënjohuri për çdo gjë.

15. Ai është i Cili e ka bërë tokën të dobishme dhe të përshtatshme për ju, kështu që ecni nëpër rrugë dhe hani nga Rizku (të mirat e furnizimi) i Tij dhe tek Ai do të jetë Ringjallja.

16. Apo ndjeheni të sigurt se Ai i Cili është mbi qiell (Allahu), nuk do ta bëjë tokën të fundoset bashkë me ju dhe veç kur ta shihni të dridhet (si në tërmet)?

17. Apo ndjeheni të sigurt se Ai i Cili është mbi qiell (Allahu), nuk do të dërgojë kundër jush vorbull uragani të egër? Atëherë, do ta merrni vesh sa (i tmerrshëm) ka qenë Këshillimi Im!

18. Dhe vërtet ata para tyre përgënjeshtruan (të Dërguarit e Allahut), e pra, si qe (sa i tmerrshëm qe) mohimi (Ndëshkimi) Im!

19. A nuk i shohin ata zogjtë sipër tyre duke hapur krahët e tyre dhe duke i palosur ata? Askush nuk i mban ata përveç të Gjithëmëshirshmit (Allah). Vërtet që Ai është Gjithëshikues i çdo gjëje.

20. Kush është ai përveç të Gjithëmëshirshmit që mund të jetë ushtri e juaja për t’ju ndihmuar? Vërtet mohuesit nuk janë në gjë tjetër veçse në mashtrim.

21. Kush është ai i cili mund t’ju furnizojë ju, në qoftë se Ai do ta ndalonte Rizkun (mirësitë dhe furnizimin) e Tij? Përkundrazi, ata vazhdojnë të jenë në kryelartësi dhe në ikje (nga e vërteta).

22. A është ai i cili ecën kokëngulthi me fytyrë të poshtëruar më drejt i udhëzuar, apo ai i cili (sheh dhe) ecën i matur në Udhë të Drejtë (të Besimit të Vërtetë)?

23. Thuaj (O Muhammed): “Është Ai i Cili ju solli ju pa qenë më parë (ju krijoi) dhe ju ka pajisur ju me të dëgjuar (veshë), me të shikuar (sytë) dhe me zemrat (me ndjenjat dhe me të kuptuarit). Fare i pakët është falënderimi juaj.”

24. Thuaj: “Është Ai i Cili ju ka krijuar ju në tokë dhe tek Ai ju do të mblidheni të gjithë bashkë (në Jetën e Fundit).”

25. E ata thonë: “Kur do të vijë ky premtim (Dita e Ringjalljes) pra, nëse thoni të vërtetën?”

26. Thuaj (O Muhammed): “Dija (për kohën e saj) është vetëm tek Allahu, ndërsa unë jam vetëm këshillues i qartë.”

27. Por kur ata do ta shohin atë (Ndëshkimin në Ditën e Gjykimit) të afrohet, fytyrat e atyre që nuk besuan do të jenë të ndryshuara (të nxira, të zymta, në pikëllim) dhe do t’u thuhet: “Ky është (premtimi) të cilin ju po e kërkonit!”

28. Thuaj (O Muhammed): “Më thoni, nëse Allahu më shkatërron mua dhe ata që janë me mua, apo Ai derdh Mëshirën e Tij mbi ne, kush mund t’i shpëtojë mosbesimtarët nga ndëshkimi i dhimbshëm?”

29. Thuaj: “Ai është i Gjithëmëshirshmi (Allah), ne Atij i besojmë dhe tek Ai ne mbështetemi. Kështu pra, ju do ta merrni vesh se kush është në gabim e në humbje të qartë.”

30. Thuaj: “Më thoni, nëse uji juaj do të zhdukej (të humbte në thellësi), kush atëherë mund t’ju vijë juve me ujë të rrjedhshëm (burimi)?”
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free