KUR’AN-i
Shqip – Albanian

20 - Ta - Ha



Ta - Ha

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ta, Ha.

2. Ne nuk ta kemi zbritur ty (O Muhammed) Kur’anin për të të sjellë pikëllim.

3. Por vetëm një Këshillim për ata që kanë frikë (Allahun).

4. Shpallje prej Atij i Cili ka krijuar tokën dhe qiejt e lartë.

5. I Gjithëmëshirshmi (Allah) Isteva (u ngrit lartë dhe qëndroi mbi) Arsh (Fronin e Tij Madhështor, vërtet ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij).

6. Atij i përkasin gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë dhe gjithë ç’është ndërmjet tyre, edhe gjithë ç’është nën dhe.

7. Dhe nëse ti e thua me zë duanë, nuk ka dyshim që Ai e di të pashfaqurën dhe atë ç’është akoma më e fshehtë në thellësi.

8. Allahu! La ilahe il-la Huve (nuk ka asnjë të adhuruar tjetër më të drejtë përveç Atij)! Atij i takojnë Emrat më të bukur dhe më të Lartë.

9. A të ka mbërritur tregimi për Musanë?

10. (Kujto) kur ai pa një zjarr, i tha familjes së tij: “Pritni! Vërtet që shoh një zjarr, mbase mund t’ju sjell që andej ndonjë urë ose mbase gjejmë ndonjë udhërrëfim te zjarri.”

11. Dhe kur shkoi tek ai (iu afrua zjarrit), u thirr në emër: “O Musa!

12. Vërtet që Unë jam Zoti yt! Hiqi pra këpucët, se ti me të vërtetë ndodhesh në Luginën e Shenjtë Tuva.

13. Dhe Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që të frymëzohet ty.

14. Sigurisht që Unë, vërtet Unë jam Allahu! La ilahe il-la Ene (nuk ka asnjë të adhuruar tjetër më të drejtë përveç Meje), kështu që më adhuro Mua dhe plotëso rregullisht faljen e namazit për Përkujtimin Tim.

15. Sigurisht që Ora (Çasti i Fundit) po afrohet - dhe Unë pothuaj e mbaj të fshehtë atë nga Vetja Ime - që çdo njeri të shpërblehet për atë që përpiqet.

16. Kështu që lëre atë që nuk beson në të (në Ditën e Ringjalljes, të Llogarisë dhe të Shpërblimit), që të ndjek epshet e tij. Ti largohu prej tij që të mos humbasësh.

17. Edhe, ç’është ajo që ke në dorën e djathtë, o Musa?”

18. Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im mbi të cilin unë mbështetem, me të cilin shkund gjethe nga pemët për delet e mia si edhe për punë të tjera.”

19. (Allahu) i tha: “Hidhe për tokë, o Musa!”

20. Ai e hodhi atë në tokë, kur ç’të shohë! Ai ishte gjarpër që rrëshqiste shpejt!

21. (Allahu) i tha: “Kape dhe mos ki frikë, Ne do ta kthejmë atë siç ishte më parë,

22. Dhe shtrëngoje dorën (e djathtë) në anën tënde (të majtë): do të dalë e bardhë (e ndriçuese) pa asnjë shenjë (sëmundje a dëmtimi) si tregues tjetër,-

23. Me qëllim që Ne të të tregojmë ty disa nga Shenjat Tona të Mëdha.

24. Shko te Faraoni! Vërtet që ai ka tejkaluar (gjithë kufijtë në mosbesim, mosnënshtrim, arrogancë e tirani).”

25. (Musai) i tha: “O Zoti im! Ma hap mua gjoksin tim (më jep besim, guxim, gatishmëri)!

26. Dhe lehtësoma detyrën time;

27. Dhe zgjidhma nyjën nga gjuha (ma largo mangësinë e të shprehurit).

28. Që ata ta kuptojnë fjalën time,

29. Më cakto edhe një ndihmës nga familja ime,

30. Harunin, vëllain tim;

31. Ma shto fuqinë me të,

32. Dhe bëje të ketë pjesë në detyrën time (të përçimit të Mesazhit dhe të Pejgamberisë),

33. Që ne të të lavdërojmë Ty shumë,

34. Dhe të të përkujtojmë Ty shumë,

35. Vërtet që Ti për ne je gjithnjë Gjithëvëzhgues (i Vëmendshëm për mirësi).”

36. (Allahu) i tha: “Të është pranuar kërkesa tashmë, o Musa!

37. Dhe sigurisht që Ne të dhamë mirësi ty edhe një herë tjetër më parë,

38. Kur Ne frymëzuam nënën tënde me atë Mesazh:

39. Duke i thënë: ‘Vëre atë (fëmijën) në arkë dhe hidhe në lumë (Nil), pastaj lumi do ta nxjerrë në breg dhe atje, ai që është armik i Imi dhe armik i tij do ta marrë.’ Dhe Unë të brumosa ty me dashuri prej Meje, me qëllim që ti të rritesh nën Syrin Tim,

40. Kujto kur motra jote shkoi dhe tha: ‘A t’ju tregoi unë një (grua) që t’i japë gji atij?’ Kështu Ne të rikthyem te nëna jote, që asaj t’i qetësoheshin sytë dhe që të mos pikëllohej. Pastaj ishe ti që mbyte një njeri, por Ne të shpëtuam ty nga një fatkeqësi e madhe dhe të sprovuam me një sprovë të rëndë. Pastaj ti qëndrove disa vite me popullin e Medjenit. Pastaj ti erdhe këtu sipas kohës së përcaktuar që Unë urdhërova (për ty), o Musa!

41. Dhe Unë të zgjodha ty për Veten Time (për Mesazhin Tim).

42. Shko ti dhe vëllai yt me Ajetet e Mia (provat, shenjat, shpalljet) dhe mos u bëni të plogësht e të dobët asnjëri prej ju të dyve duke më përmendur Mua.

43. Shkoni ju të dy te Faraoni se vërtet ai i ka kaluar (gjithë kufijtë në mosbesim, mosnënshtrim, arrogancë e tirani);

44. Dhe i flisni atij butë e shtruar, mbase mund të marrë qortim ose mund të frikësohet.”

45. Ata i thanë: “Zoti ynë. Në të vërtetë ne kemi frikë se mos ai shpejton të na ndëshkojë ose se mos tejkalon (kundër nesh).”

46. Ai (Allahu) u tha: “Mos u frikësoni, padyshim që Unë jam me ju të dy duke dëgjuar e shikuar çdo gjë.

47. Shkoni pra që të dy dhe i thoni: ‘Me të vërtetë që ne jemi të Dërguarit e Zotit tënd, kështu që lëri Bijtë e Israilit të vijnë me ne dhe mos i torturo ata; sigurisht që ne kemi ardhur me shenjë nga Zoti yt! Dhe paqë qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin!

48. Sigurisht që neve na është shpallur qartë se ndëshkimi do të jetë për atë që hedh poshtë dhe i kthen shpinën (të Vërtetës e nuk i bindet Allahut)’.”

49. Faraoni tha: “Kush është pra Zoti juaj, o Musa?”

50. (Musai) i tha: “Zoti ynë është Ai i Cili i dha çdo gjëje formën dhe llojin e vet dhe pastaj e udhëzoi drejt.”

51. (Faraoni) tha: “Po për brezat e parë, ç’thoni atëherë?”

52. (Musai) i tha: “Dija për ta është me Zotin tim në Shkresën e duhur. Zoti im as nuk është i pavetëdijshëm dhe Ai as nuk harron.”

53. I Cili për ju e bëri tokën si shtrat (të shtrirë) dhe për ju ka hapur rrugë e lidhje në të, ka zbritur edhe ujë nga qielli. Dhe vetëm Ne bëjmë që me ndihmën e tij të mbijnë elementet e çifteve të bimëve të llojllojshme.

54. Hani ju dhe kullotni bagëtinë tuaj në të. Vërtet që këtu ka shenja e prova për njerëzit e brumosur me arsye.

55. Prej saj (tokës) Ne ju kemi krijuar, dhe në të do t’ju kthejmë ju, dhe prej saj Ne do t’ju nxjerrim ju përsëri edhe një herë tjetër.

56. Dhe sigurisht që Ne ia treguam atij (Faraonit) të gjitha Shenjat Tona dhe Treguesit Tanë por ai i hodhi poshtë ato dhe nuk i pranoi fare.

57. Ai (Faraoni) tha: “A ke ardhur të na nxjerrësh ne nga toka jonë me magjinë tënde, o Musa?

58. Atëherë sigurisht që edhe ne mund të sjellim të njëjtën magji si tënden. Na cakto një takim mes nesh dhe teje, (takim) në të cilin as ne dhe as ti të mos e humbim, në një vend të hapur ku të dy palët do të kenë mundësi e rast të barabartë (dhe ku shikuesit do të dëshmojnë garën).”

59. (Musai) i tha: “Takimi juaj është dita e festës (si dhe që) të mblidhen njerëzit paradite.”

60. Kështu Faraoni u tërhoq, thuri grackën e tij dhe pastaj u kthye prapë.

61. Musai u tha atyre: “Mjerë për ju! Mos trilloni gënjeshtër kundër Allahut, që Ai të mos ju shkatërrojë plotësisht me ndëshkim. Dhe vërtet se ai që trillon gënjeshtër (kundër Allahut), do të dështojë sa s’ka më keq.”

62. Pastaj ata e rrahën mirë çështjen mes tyre se ç’duhet të bënin, por e mbajtën të fshehtë fjalën e tyre.

63. Ata thanë: “Vërtet që këta të dy janë dy magjistarë. Qëllimi i tyre është t’ju nxjerrin ju nga toka juaj me magji dhe të mënjanojnë e të mundin prijësit e të parët tuaj.

64. Kësisoj bashkërendoni përbetimin tuaj dhe pastaj vihuni në radhë dhe do të jetë vërtet triumfues ai që fiton epërsi këtë ditë.”

65. Ata thanë: “O Musa! Ose hidh ti i pari apo të jemi ne të parët që do të hedhim?”

66. (Musai) u tha: “Jo! Hidhni ju më parë!” Pastaj ç’të shohësh! Litarët dhe shkopinjtë e tyre, prej magjisë së tyre, iu dukën atij sikur rrëshqisnin me shpejtësi.

67. Kështu që Musai ndjeu frikë në vetvete.

68. Ne i thamë: “Mos ke frikë! Sigurisht që ti do të kesh epërsi,

69. Dhe hidhe atë që ke në dorën tënde të djathtë (shkopin)! Ai do ta përpijë atë që kanë bërë ata. Ajo që ata kanë bërë është veçse një mashtrim magjistari dhe magjistari nuk do të jetë kurrë i fituar, sado aftësi që mund të arrijë.”

70. Kështu magjistarët ranë me fytyrë përtokë në sexhde; Ata thanë: “Besuam në Zotin e Harunit dhe të Musait.”

71. (Faraoni) u tha: “Besoni ju tek ai (Musai), para se t’ju jap leje unë? Nuk ka dyshim se ai është prijësi juaj i cili jua ka mësuar juve magjinë. Kështu pra, unë do t’ua pres duart dhe këmbët tuaja tërthorazi dhe sigurisht që do t’ju kryqëzoj në trungjet e hurmave dhe vërtet që do ta merrni vesh se cili prej nesh (unë, Fararoni apo Allahu, Zoti i Musait) mund të japë ndëshkim më të ashpër e më të gjatë.”

72. Ata i thanë: “Ne nuk të përfillim e nuk të vlerësojmë ty përmbi Shenjat e Qarta që na kanë ardhur dhe përmbi Atë i Cili na krijoi ne. Kështu pra, vendos e urdhëro çfarë të duash, pasi ti mund të vendosësh vetëm përsa i takon jetës së kësaj bote.

73. Sigurisht që ne kemi besuar në Zotit tonë, që Ai të na falë gabimet tona dhe magjinë të cilën ti na e detyrove neve. Dhe Allahu është më i Mirë në shpërblim në krahasim me shpërblimin tënd dhe atë që mbetet (Ndëshkimi i Tij në krahasim me ndëshkimin tënd).”

74, S’ka dyshim se kushdo që shkon te Zoti i tij si Muxhrim (mëkatar, mosbesimtar, kriminel), atëherë sigurisht që për të është Xhehenemi, aty ai as nuk do të vdesë e as nuk do të jetojë.

75. Por kushdo që shkon tek Ai (Allahu) si besimtar (i Tij) dhe ka bërë vepra të mira e drejtësi, mu për këta janë shkallët më të larta (në Jetën e Përtejme),

76. Kopshtet e Begatisë së Përjetshme nën të cilët rrjedhin lumenj, ku do të banojnë përjetë: i tillë është shpërblim i atyre që e dëlirin veten e tyre (duke u larguar nga çdo e keqe që ka ndaluar Allahu dhe duke plotësuar gjithçka që Ai ka urdhëruar).

77. Ne i dërguam Musait frymëzim (duke i thënë): “Udhëto natën me robët e Mi dhe qëllo për ta rrugë të thatë nëpër det (duke e goditur atë me shkop) dhe mos u frikëso se do të kapeni (prej Faraonit) dhe as mos u tremb (se do të fundosesh në det).”

78. Pastaj Faraoni i ndoqi nga pas me hordhitë e tij, por uji i detit i mbuloi dhe i gëlltiti ata duke i përpirë që të gjithë.

79. Dhe Faraoni e tërhoqi popullin e tij drejt humbjes dhe nuk e udhëzoi.

80. O Bijtë e Israilit! Ne ju shpëtuam prej armikut tuaj dhe Ne bëmë marrëveshje me ju në anën e djathtë të Turi (Sinait) dhe po Ne ju zbritëm juve Manna dhe Selva (rrëshirë të ëmbël dhe shkurtëza),

81. (Duke ju thënë): Hani nga Tajjibatet (gjërat e mira të lejuara) me të cilat Ne ju kemi furnizuar dhe mos bëni shtypje e mizori atje, se përndryshe Zemërimi Im zbret i merituar përmbi ju dhe ai, mbi të cilin bie Zemërimi Im, ai është padyshim i humbur e i mbaruar (Tefsir At-Tabari).

82. Dhe vërtet që Unë jam gjithnjë Falës i Madh për atë që pendohet, që beson dhe që punon mirësi e drejtësi dhe pastaj u qëndron këtyre (deri në vdekje).

83. “E ç’të bëri ty të nxitohesh prej popullit tënd, o Musa?”

84. Ai u përgjegj: “Ata janë pranë gjurmëve të mia dhe nxitova drejt Teje, o Zoti im, që Ti të mund të ishe i Kënaqur.”

85. (Allahu) i tha: “Me të vërtetë që Ne tashmë e kemi sprovuar popullin tënd në mungesën tënde dhe Es-Samirij-ji i çoi në rrugë të gabuar.”

86. Pastaj Musai u kthye te populli i tij i inatosur dhe me keqardhje. Ai thirri: “O populli im! A nuk ju bëri Zoti juaj një premtim të drejtë e të ndershëm? A ju duk atëherë i largët ky premtim? Apo mos deshët që t’ju zbriste Zemërimi i Zotit tuaj mbi ju dhe kështu që ju e thyet premtimin tuaj që më dhatë mua (duke mohuar besimin në Allahun dhe duke adhuruar viçin)?”

87. Ata i thanë: “Ne nuk e thyem premtimin ndaj teje nga dëshira jonë por u detyruam të mbajmë peshën e zbukurimeve (të Faraonit), pastaj i hodhëm ato në zjarr dhe këtë na shtiu në mend Es-Samirij-ji.”

88. Pastaj ai nxorri (nga zjarri) për ta një statujë viçi i cili dukej sikur po pëlliste. Ata thanë: “Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait, ndërsa Musai e ka harruar (zotin e vet).”

89. A nuk e panë ata se ai nuk mund t’u kthente atyre asnjë fjalë dhe se ai nuk kishte aspak fuqi as për t’i dëmtuar, as për t’u bërë mirë?

90. Edhe Haruni padyshim që u kishte thënë atyre më parë: “O populli im! Ju po sprovoheni në këtë gjë dhe nuk ka dyshim se Zoti juaj (Allahu) është i Gjithëmëshirshëm, më ndiqni pra mua dhe bindjuni urdhërit tim.”

91. Ata i thanë: “Ne nuk do të ndahemi së adhuruari atë (viçin), derisa të kthehet te ne Musai.”

92. (Musai) tha: “O Harun! Çfarë të ndali ty kur i vërejte ata që po gabonin,

93. Dhe nuk më ndoqe mua (siç të këshillova)? A e ke thyer urdhërin tim?”

94. Ai (Haruni) i tha: “O bir i nënës sime! Mos më kap për mjekrre dhe as për koke! Në të vërtetë unë kisha frikë se mos thua: ‘Ti ke shkaktuar ndonjë mosmarrëveshje mes Bijve të Israilit dhe nuk e ke respektuar fjalën time’!”

95. I tha (Musai Samirijit): “Dhe si është puna me ty, o Samirij? (Pse veprove kështu?)”

96. (Samiriji) i tha: “Unë pashë atë që ata nuk e panë; kështu që unë mora një grusht (pluhur) nga gjurma e të dërguarit (nga gjurma e kalit të Xhibrilit) dhe e hodha atë (në zjarr në të cilin ishin hedhur stolitë e popullit të Faraonit ose viçit). Kështu ma shtiu në mend shpirti im.”

97. (Musai) i tha: “Ik që këtej atëherë! E padyshim që sa të jesh gjallë ke për të thënë: ‘mos më prekni (e do të jetosh i vetëm e i braktisur larg njerëzve)’; dhe sigurisht (që për ndëshkimin e ardhshëm) ti ke një premtim që nuk do të të harrojë. Shihe edhe të adhuruarin tënd (viçin) të cilit ti i qe përkushtuar. Sigurisht që ne do ta djegim (e ta shkrijmë) dhe do t’ia shpërndajmë copat në det.”

98. Padyshim që Zoti juaj është vetëm Allahu, Një i Vetëm i Cili La ilahe il-la Huve (nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Atij). Ai përfshin gjithçka me Dijen e Tij të Plotë.

99. Kështu pra, Ne të sjellim ty (o Muhammed) disa njoftime nga çfarë ka ndodhur më parë dhe sigurisht që Ne të kemi dhënë ty nga Ana Jonë një Përkujtues (Kur’anin).

100. Kushdo që largohet prej tij (Kur’anit), me të vërtetë që do të mbajë një barrë të rëndë (gjynahesh) në Ditën e Kijametit.

101. Ata do të banojnë në këtë (gjendje në Xhehenem) dhe vërtet që e tmerrshme do të jetë ajo barrë për ta në Ditën e Kijametit;

102. Ditën kur do t’i fryhet Surit (për herë të dytë), mu atë Ditë Ne do t’i mbledhim Muxhrimunët (mëkatarët, kriminelët, mosbesimtarët në Njësinë e Allahut) me sy të turbulluar ose të verbuar nga etja. (Tefsir El-Kurtubi).

103. Vetëm me pëshpëritje do t’i flasin njëri-tjetrit (duke thënë): “Nuk qëndruat më shumë se dhjetë (ditë në dynja).”

104. Ne e dimë mjaft mirë se çfarë do të thonë kur më i mençuri dhe prijësi i tyre (në këtë rrugë) do të thotë: “Ju nuk qëndruat më shumë se një ditë!”

105. Ty të pyesin edhe në lidhje me malet, thuaj: “Zoti im do t’i shkulë dhe do t’i shpërndajë si thërmija pluhuri.

106. Pastaj do ta lërë atë (tokën) si rrafsh të hapur e të sheshtë.

107. Nuk do të shihni në të asgjë të kërrusur a të përkulur (në vend të tyre).”

108. Atë Ditë njerëzimi do të ndjekë me përpikmëri zërin e thirrësit të Allahut pa iu shmangur aspak atij dhe gjithë zërat do të nënshtrohen për të Gjithëmëshirshmin (Allah); asgjë nuk do të dëgjohet veç zhurmës së lehtë të hapave të tyre.

109. Atë Ditë asnjë ndërhyrje nuk do të vlejë veçse për atë, për të cilin i Gjithëmëshirshmi (Allah) ka dhënë leje dhe fjala e të cilit është pranuar prej Tij.

110. Ai (Allahu) e di çfarë u ndodhë atyre (krijesave të Tij) në këtë botë dhe çfarë do t’u ndodhë atyre (në Jetën e Fundit) dhe ata kurrë nuk do të përfshijnë gjë nga Dija e Tij.

111. Edhe të gjitha fytyrat do të nënshtrohen para El-Hajju El-Kajjum (të Përjetshmit, para të Përhershmit, Mbrojtësit të gjithësisë, para Allahut). Krejt i humbur është (në këtë Ditë) ai i cili mbajti barrën e padrejtësive e të poshtërsive.

112. Dhe ai që punon nga veprat e mirësisë e të drejtësisë duke qenë besimtar (në Islam), atëherë ai nuk do të ketë aspak frikë për ndonjë padrejtësi as edhe se mos do t’i mungojnë diç (nga shpërblimi që i takon).

113. Kështu pra, Ne e kemi zbritur atë Kur’an Arabisht dhe kemi shpjeguar në të me hollësi këshillat, me qëllim që ju të mund t’i frikësoheni Allahut, ose që të bëjë që ata të marrin mësim prej tij.

114. Lartë pra, mbi gjithçka qoftë Allahu, Mbisunduesi i Vërtetë dhe mos u nxito (o Muhammed) me Kur’anin para se ai të të shpallet ty plotësisht, dhe thuaj: “Zoti im! Ma shto mua dijen.”

115. Edhe më parë Ne morëm me siguri besën e Ademit, por ai harroi dhe Ne nuk gjetëm nga ana e tij vendosmëri në veten e tij.

116. (Kujto) edhe kur Ne u thamë melekëve: “Bini në sexhde për Ademin!” Ata ranë në sexhde përveç Iblisit: ai nuk pranoi.

117. Pastaj Ne i thamë: “O Adem! Padyshim që ky është armik për ty dhe për bashkëshorten tënde, kështu që mos e lini atë t’ju nxjerrë të dyve nga Xhenneti e kështu të jeni të mjeruar e në pikëllim.

118. Sigurisht që ju nuk do të keni kurrë uri atje dhe nuk do të jeni të zhveshur.

119. Nuk do të vuani atje as edhe nga etja dhe nga nxehtësia e diellit.”

120. Pastaj atij i pëshpëriti shejtani duke i thënë: “O Adem! A dëshiron të të çoj te Pema e Përjetësisë dhe te një mbretërim që kurrë nuk do të shterojë?”

121. Pastaj ata që të dy (Ademi dhe Hava) hëngrën nga pema dhe kësisoj atyre iu dukën pjesët e turpshme dhe filluan të ngjisin në trup gjethet nga Kopshtet e Xhennetit për t’u mbuluar. Kështu pra bëri Ademi duke mos iu bindur Zotit të tij dhe duke gabuar.

122. Pastaj Zoti i tij e zgjodhi atë (nga Mëshira e Tij) dhe iu kthye atij duke e falur dhe duke e udhëzuar atë.

123. (Allahu) u tha: “Zbritni poshtë (nga Xhenneti në tokë) që të dy ju, të gjithë së bashku do të jeni armiq të njeri-tjetrit. Pastaj, nëse ju vjen te ju (o njerëz) udhëzim prej Meje, atëherë kushdo që ndjek Udhëzimin Tim, nuk do të humb e as nuk do të bjerë në mjerim e skamje.

124. Por kushdo që i kthen shpinën Mesazhit Tim, padyshim që për të do të ketë jetë të vështirë dhe Ne do ta ngremë të verbuar në Ditën e Ringjalljes.”

125. Ai do të thotë: “O Zoti im! Përse më ke ngritur mua të verbër, ndërsa e kam pasur shikimin më parë?”

126. (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën Ajetet Tona (shenjat, vargjet, provat) ty, por ti nuk i përfille ato, kështu që këtë Ditë ti do të lihesh pas dore.”

127. Dhe në këtë mënyrë Ne e shpërblejmë atë që kalon kufijtë dhe nuk beson në Ajetet e Zotit të tij: dhe ndëshkimi i Jetës së Pastajme është shumë më i ashpër dhe më i vazhdueshëm.

128. A nuk shërben si udhëzim për ta se sa shumë breza Ne kemi shkatërruar para tyre nëpër vendbanimet e të cilëve ata ecin? Me të vërtetë që këtu ka shenja të qarta për njerëzit e brumosur me arsye.

129. Dhe po të mos kishte qenë për një Fjalë të vendosur që më parë nga Zoti yt dhe një kohë e përcaktuar si afat për ta, ndëshkimi duhet patjetër të kishte ardhur (për ta në këtë botë).

130. Kështu, bëj durim pra (O Muhammed) për çfarë thonë dhe lartëso Lavdinë e Zotit tënd para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij dhe gjatë disa orëve të natës si dhe në dy skajet e ditës (përmendje tërthorazi e pesë kohëve të faljeve të detyruara të ditës), me qëllim që të mund të kënaqesh me shpërblimin të cilin do të të dhurojë ty Allahu.

131. Dhe mos i hidh sytë me lakmi për gjërat të cilat Ne ua kemi dhënë disave prej tyre (mosbesimtarëve, politeistëve) për kënaqësi të shkëlqimit (të përkohshëm) të jetës së kësaj bote me qëllim që Ne të mund t’i provojmë me to, por shpërblimi (në Jetën e Fundit) i Zotit tënd është më i mirë dhe më i vazhdueshëm.

132. Urdhëro edhe faljen e namazit në familjen tënde dhe ji i qetë e i vazhdueshëm në përmbushjen e tyre. Ne nuk të kërkojmë ty furnizim; Ne t’i sigurojmë ato ty. Pra, fryti dhe fundi më i mirë (Xhenneti) është për Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

133. Ata thonë: “Pse nuk na sjell ai neve një shenjë si provë nga Zoti i tij?” A nuk u ka ardhur atyre prova e qartë e cila është në Librat e Parë (Teurat e Inxhil për ardhjen e Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)?

134. Dhe po t’i kishim shkatërruar ata me një ndëshkim para këtij (para ardhjes së Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem si i Dërguar dhe para shpalljes së Kur’anit), ata padyshim që do të kishin thënë: Zoti ynë! Veç sikur Ti të na kishe sjellë një të Dërguar, ne sigurisht që do të kishim ndjekur Ajetet (vargjet, urdhrat, shpalljet) e Tua para se të ishim poshtëruar e turpëruar.”

135. Thuaju (O Muhammed): “Gjithsecili (besimtar e mosbesimtar) është në pritje, kështu që prisni edhe ju dhe do ta mësoni se cilët janë ata që janë në Udhën e Drejtë e të Rrafshtë (në Fenë e Allahut, në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm) dhe cilët janë ata të cilët janë udhëzuar (në Rrugë të Drejtë).”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free