KUR’AN-i
Shqip – Albanian

23 - El Mu’minun



El Mu’minun – Besimtarët

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

Pjesa 18

1. Vërtetë që tashmë kanë fituar besimtarët.

2. Ata të cilët janë të nënshtruar në faljen e namazit.

3. Edhe ata të cilët largohen nga Laghvu (fjalët e kota, të rreme e të liga, mashtrimet, përgojimet dhe gjithë çfarë ka ndaluar Allahu).

4. Edhe ata që japin Zekatin.

5. Edhe ata që ruajnë dëlirësinë (ruajnë pjesët e tyre vetjake nga marrëdhëniet e paligjshme),

6. Përveç me bashkëshortet ose (robinat) që ua kap dora e djathtë, pasi në këto raste ata nuk ngarkohen me faj;

7. Por kush kërkon përtej kësaj, atëherë të tillët janë që kalojnë caqet;

8. Edhe ata që janë besnikë ndaj amanetit (detyrimet ndaj Allahut, ndershmëria, besimi, përgjegjësia morale) dhe besës së tyre;

9. Edhe ata të cilët ndjekin me rreptësi plotësimin e faljeve të Namazit.

10. Këta janë me të vërtetë trashëguesit,

11. Të cilët do ta trashëgojnë Firdeusin (Xhenneti më i Lartë). Ata do të jetojnë aty përgjithmonë.

12. Dhe sigurisht që Ne e krijuam njeriun (Ademin) nga një copë baltë (ujë me dhe).

13. Pas kësaj Ne e bëmë atë (njeriun, pasardhësin e Ademit) si Nutfah (lëngu i ngjizur i bashkimit të vezëve mashkullore me ato femërore) duke e strehuar atë në një banesë të sigurt (mitra e nënës).

14. Pastaj Ne e bëmë Nutfan në një copë gjak të mpiksur, pastaj Ne e bëmë gjakun e mpiksur në një xhungë mishi (si të përtypur), pas kësaj Ne bëmë prej asaj xhunge mishi (si të përtypur) eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj Ne e nxorrëm jashtë si një krijim të ri. I Shenjtëruar pra qoftë Allahu, më i Miri i krijuesve.

15. Pas kësaj ju sigurisht që do të vdisni.

16. Pastaj me siguri se përsëri ju do të ringjalleni në Ditën e Ringjalljes.

17. Dhe vërtet që Ne ndërtuam mbi ju shtatë palë qiej dhe Ne nuk jemi për asnjë çast të pavetëdijshëm për krijimin.

18. Dhe dërguam nga qielli ujë në masë të duhur dhe Ne i dhamë atij banim në tokë e sigurisht që Ne jemi të Zotë ta heqim atë përsëri.

19. Pastaj sollëm e rritëm prej tij për ju kopshte hurmash dhe vreshta në të cilët ka mjaft fruta për ju, prej të cilave ju hani.

20. Dhe pema (e ullirit) që rriten në Turi Sina-në e cila nxjerr vaj që është i shijshëm e i dëshiruar për ata që e përdorin për ushqim.

21. Edhe te bagëtit vërtet që ka mësim për ju. Ne ju japim juve të pini (qumësht) nga çfarë gjindet në barkun e tyre. Në to ka edhe përfitime të tjera të shumta, prej tyre edhe hani.

22. Dhe mbi to si edhe në anije ju mbarteni.

23. Dhe sigurisht që Ne e dërguam Nuhun te populli i tij, e (ai) u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju s’keni ilah (të adhuruar) tjetër veç Atij (Ky është Besimi i Pastër Islam në Një Zot të Vetëm). A nuk frikësoheni?”

24. Por prijësit e mosbesimtarëve nga populli i tij thanë: “Ai nuk është më tepër veçse një njeri si edhe ju, (i cili) kërkon të bëhet mbisundues mbi ju. Po të kishte dashur Allahu, Ai sigurisht që do të kishte zbritur melekë. Ne kurrë nuk kemi dëgjuar një gjë të tillë nga të parët.

25. Ai është veç një njeri tek i cili ka zënë vend çmenduria, kështu që prisni për pak kohë.”

26. (Nuhu) tha: “O Zoti im! Më ndihmo për shkak se më mohojnë.”

27. Kështu Ne e frymëzuam atë (duke i thënë): “Ndërto anijen para Syve Tanë dhe nën Frymëzimin Tonë. Pastaj, kur të vijë Urdhëri Ynë dhe, kur edhe nga furra të gurgullojë ujë, merr në anije nga çdo lloj (gjallesë) çift, edhe familjen tënde përveç atyre për të cilët është thënë Fjala dhe mos m’u drejto Mua për mbrojtje për ata që ishin keqbërës. Padyshim që ata do të fundosen.”

28. Dhe kur të kesh hipur në anije, ti dhe kushdo që është me ty, thuaj: “Gjithë lavdërimet janë për Allahun i Cili na shpëtoi ne nga populli Dhalimun (politeist, mohues, keqbërës, shtypës).”

29. Dhe thuaj: “Zoti im! Më bëj të zbres në tokë në një vend të bekuar, pasi Ti je më i Miri i atyre që bëjnë vendosjen.”

30. Vërtet që në këtë (ngjarje) ka Ajete (prova, shenja, mësime për njerëzit që kuptojnë), pasi Ne gjithnjë i vëmë në provë (njerëzit).

31. Pastaj pas tyre, Ne krijuam brezni tjetër.

32. Dhe Ne çuam tek ata një të Dërguar nga mesi i tyre (duke u thënë): “Adhuroni Allahun. Ju nuk keni ilah (të adhuruar) tjetër përveç Atij. A nuk do të frikësoheni!?”

33. Dhe prijësit e popullit të tij të cilët nuk besuan dhe që mohuan Takimin në Jetën e Përtejme dhe të cilëve Ne u kishim dhuruar gjithë të mirat e kësaj jete, thanë: “Ai nuk është më tepër se një njeri si edhe ju, ai ha nga ato që hani ju dhe pi nga ato që pini edhe ju.

34. Nëse do t’i bindeshi një qenie njerëzore si edhe vetë ju, atëherë ju padyshim që do të jeni të humbur.

35. Mos vallë ai ju premton juve se kur të keni vdekur dhe të jeni bërë dhe e kocka, do të nxirreni të gjallë (duke u ringjallur)?

36. Larg, tepër larg është ajo që ju është premtuar.

37. Nuk ka asgjë veçse jeta e jonë e kësaj bote! Ne vdesim dhe jetojmë! Dhe nuk do të ringjallemi!

38. Ai s’është veçse një njeri i cili ka shpifur gënjeshtër ndaj Allahut, por ne nuk do ta besojmë atë.”

39. Ai (i Dërguari tek ai popull) tha: “O Zoti im! Më ndihmo për shkak se më mohojnë.”

40. (Allahu) tha: “Shumë shpejt është e sigurt se do të dëshpërohen (ata).”

41. Kështu që Es-Sajha (dënimi - britma shkatërruese e dërguar nga qielli) i kapi me meritë dhe Ne i bëmë ata si mbetje të bimëve të thara. Larg pra, nga populli Dhalimun (politeist, mosbesimtar, keqbërës)!

42. Pastaj, pas tyre, Ne krijuam brezni tjetër.

43. Asnjë popull nuk mund ta paraprijë afatin e vet dhe as ta shtyjë atë.

44. Pastaj Ne çuam të Dërguarit Tanë një pas një. Çdo herë që vinte te një populli i Dërguari i tyre, ata e mohonin atë, kështu që Ne bëmë që ata të ndjekin njëri-tjetrin (në shkatërrim) dhe Ne i bëmë ata Ahadith (ndodhi të vërteta, të besueshme e të gjalla për njerëzimin, që të marrë mësim prej tyre). Larg pra, nga populli që nuk beson!

45. Pastaj Ne dërguam Musanë dhe vëllain e tij Harunin, me Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) Tona dhe autoritet të qartë,

46. Tek Faraoni dhe krerët e tij, por ata u sollën me paturpësi dhe ishin popull arrogant e mburravec (duke mos iu bindur Allahut dhe duke e mbivlerësuar veten përmbi të Dërguarit e Allahut).

47. Ata thanë: “A të besojmë në dy njerëz si vetë ne dhe duke qenë populli i tyre nën robërinë tonë?”

48. Kësisoj ata i mohuan që të dy (Musain dhe Harunin) duke u bërë prej të shkatërruarve.

49. Dhe me të vërtetë që Ne i dhamë Musait Librin (Teuratin), që ata të mund të drejtoheshin.

50. Dhe Ne e bëmë birin e Merjemes dhe nënën e tij si shenjë (mrekulli) duke u dhënë atyre strehë në vend të lartë, një vend pushimi, sigurie dhe me burime.

51. O ju të Dërguar! Hani nga Tajjibatet (ushqimet e bëra hallall e të ligjshme prej Allahut për ju) dhe punoni mirësi e drejtësi. Me të vërtetë që Unë jam i Mirënjohur e i Gjithëditur për gjithçka që ju punoni.

52. Dhe me të vërtetë që kjo feja juaj është një fe (Islami); dhe Unë jam Zoti juaj; kështu pra, m’u frikësoni (vetëm) Mua (plotësoni detyrimet tuaja ndaj Meje).

53. Por ata (njerëzit) e kanë copëtuar fenë e tyre në degëzime, secili grup duke u kënaqur me besimin e vet.

54. Kështu që lëri ata në gabimin e tyre për një farë kohe.

55. A mos mendojnë ata se duke u shtuar Ne atyre pasuri dhe fëmijë,

56. Ne u shpejtojmë atyre gjithnjë mirësi? Jo, por ata nuk e ndjejnë.

57. Vërtet se ata të cilët jetojnë në ankth nga frika e Zotit të tyre;

58. Edhe ata që besojnë në Ajetet (provat, shenjat, shpalljet, vargjet) e Zotit të tyre;

59. Edhe ata që nuk bashkojnë kënd (në adhurim) si shokë me Zotin e tyre;

60. Edhe ata që japin (sadaka e mirësi), që e japin me zemrat e tyre gjithë frikë e përkushtim (nëse do t’u pranohet bamirësia apo jo nga Zoti i tyre), sepse ata janë të sigurt në kthimin e vet te Zoti i tyre (për llogari).

61. Pikërisht këta janë që bëjnë garë për vepra të mira dhe janë më të parët në to (faljen e rregullt të përcaktuar çdo ditë sipas kohës, japin e bëjnë bamirësi etj).

62. Dhe Ne nuk ngarkojmë askënd mbi mundësitë që ai ka dhe me Ne është Shkrimi i cili flet të vërtetën; atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.

63. Jo, por zemrat e tyre janë të mbuluara (e të verbuara) që ta kuptojnë këtë (Kur’an) dhe kanë edhe vepra të tjera (të liga) përveç atyre që po bëjnë,

64. Derisa, kur Ne i bulojmë ata që jetojnë në rehati e luks me ndëshkim, ç’të shohësh! Luten të nënshtruar me rënkim.

65. Mos u lutni me zë të lartë këtë ditë! Sigurisht që nuk do të ndihmoheni prej Nesh.

66. Është e vërtetë se juve u janë lexuar Vargjet e Mia, por ju gjithnjë kthenit shpinën e iknit.

67. Me kryelartësi (ata - Kurejshit paganë dhe politeistët e tjerë të Mekës ndjeheshin krenarë me mburrje se banonin në kufijtë e shenjtë të Mekës - Harami i Mekës) flisnin me ligësi për të (Kur’anin) gjithë natën (si të tregonin përralla).

68. A nuk e bluajnë në mendje Fjalën (Kur’anin), apo nuk u ka ardhur atyre çfarë u pat ardhur edhe të parëve të tyre?

69. Apo mos është se ata nuk e njohën të Dërguarin e tyre (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), kështu që e mohojnë atë?

70. Apo thanë: “Ai është i çmendur?” Përkundrazi, ai u solli atyre të Vërtetën (Adhurimin vetëm të Allahut - Një e të Vetëm, Kur’anin, Islamin), por shumica e tyre (e njerëzve) e urrejnë dhe nuk e dëshirojnë të vërtetën.

71. Po të kishte qenë e vërteta në përputhje me dëshirat e tyre, padyshim që qiejt dhe toka dhe gjithë ç’është në to do të ishte shprishur e shpërbërë! Jo, por Ne u kemi sjellë atyre paralajmëruesin e tyre, por ata i largohen dhe i kthejnë shpinën paralajmëruesit të tyre.

72. Apo mos është se ti (O Muhammed) u kërkon atyre ndonjë pagesë? Por shpërblimi i Zotit tënd është më i miri dhe Ai është më i Miri Dhurues i begative.

73. Dhe është e vërtetë se ti (O Muhammed) i thërret ata në Rrugë të Drejtë (të Besimit të Pastër Islam).

74. Dhe me të vërtetë se ata që nuk besojnë në Jetën e Përtejme, janë shmangur tepër larg nga Rruga (e Drejtë e Besimit të Vërtetë Islam).

75. Edhe po të kishim Ne mëshirë për ta dhe të largonim fatkeqësinë që është mbi ta, prapëseprapë ata do të këmbëngulnin me kokëfortësi në mosbesim dhe në lajthitjet e tyre duke u endur verbërisht.

76. Dhe vërtet që Ne i mbërthyem ata me ndëshkim, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre dhe as nuk u lutën me nënshtrim ndaj Tij.

77. Derisa, kur Ne të hapim për ta portën e ndëshkimit të ashpër, pastaj ç’të shohësh! Ata do të jenë zhytur në shkatërrim me dhimbje, me pikëllim e në dëshpërim të thellë.

78. Është Ai i Cili ka krijuar për ju të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemrën (ndjenjat dhe të kuptuarit). Fare i pakët është falënderimi juaj.

79. Dhe është Ai i Cili ju ka krijuar ju në tokë dhe tek Ai ju do të mblidheni përsëri.

80. Dhe është Ai i Cili jep jetë dhe sjell vdekje, i Tij është edhe këmbimi i vazhdueshëm i ditës dhe i natës. A nuk do të kuptoni, pra?

81. Përkundrazi, thonë njësoj siç thanë edhe të parët.

82. Thanë: “Kur të jemi të vdekur dhe të jemi bërë dhe e eshtra, vërtet që do të ringjallemi përsëri?

83. Vërtet që kjo na është premtuar neve dhe baballarëve tanë para nesh! Kjo s’është veçse përrallë e të parëve!”

84. Thuaju: “E kujt është toka dhe gjithë ç’është në të, (flisni) nëse e dini?!”

85. Do të thonë: “E Allahut!” Thuaju: “A nuk do të përkujtoni atëherë?”

86. Thuaju: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Arshit Madhështor?”

87. Do të thonë: “Allahu.” Thuaju: “A nuk do t’i frikësoheni Allahut (t’i besoni, t’i nënshtroheni)?”

88. Thuaju: “Në Dorë të Kujt është i mbisundimi i gjithçkaje? Dhe Ai mbron gjithçka, ndërsa kundër të Cilit nuk ka asnjë mbrojtës, veç sikur ta dinit?” (Nëse Allahu shpëton dikë, askush nuk mund ta ndëshkojë atë dhe nëse Allahu ndëshkon dikë, askush nuk mund ta shpëtojë atë). (Tefsir El-Kurtubi).

89. Do të thonë: “(Gjithë kjo është) e Allahut.” Thuaju: “Si jeni mashtruar atëherë dhe jeni larguar nga e vërteta?”

90. Por ama Ne u kemi sjellë atyre të vërtetën (Islamin) dhe me të vërtetë që ata (mosbesimtarët) janë gënjeshtarë.

91. Asnjë fëmijë (pasardhës) nuk lindi Allahu dhe nuk gjindet asnjë ilah (zot) tjetër përkrah me Të; (po të kishin qenë shumë zota) atëherë ç’të shihje! Secili zot do të kishte hequr mënjanë çfarë do të kishte krijuar vetë dhe disa do të përpiqeshin të mposhtnin të tjerët! I Lartësuar është Allahu mbi çdo gjë që ata i mveshin e ia përshkruajnë Atij!

92. I Gjithëdituri i të fshehtës dhe i të shpallurës! I Lartë është Ai mbi çdo gjë që ata i mveshin e ia përshkruajnë si shokë Atij!

93. Thuaj: “O Zot! Nëse Ti do të më tregoje mua atë me të cilën ata janë kërcënuar (ndëshkimin),

94. Zoti im! Atëherë (më ruaj mua nga Ndëshkimi Yt dhe) mos më vendos mua mes njerëzve Dhalimunë (politeistë e keqbërës).”

95. Dhe vërtetë që Ne jemi të Zotë të të tregojmë ty (O Muhammed) atë me të cilin Ne i kemi kërcënuar ata.

96. Largoje të keqen me atë gjë që është më e mira. Ne jemi të Mirënjohur për çfarë ata flasin.

97. Dhe thuaj: “Zoti im! Të mbështetem Ty (të më ruash) nga përshpëritjet e shejtanit.

98. Dhe të mbështetem Ty, O Zoti im! Se përndryshe ata do të më afroheshin.”

99. Aq sa, kur t’i vijë vdekja ndonjërit prej tyre (mosbesimtarëve) thotë: “Zoti im! Më kthe prapë,

100. Që të mund të bëj mirësi në çfarë kam mbetur mbrapa!” Jo! (Kjo) është veç një fjalë që ai e flet, ndërsa pas është Berzakhu (perde, pengesë ndarëse) deri Ditën kur do të sillen përsëri në jetë.

101. Pastaj, kur t’i fryhet Surit, as nuk do të ketë ndonjë afërsi e marrëdhënie mes tyre atë Ditë, as edhe nuk do të pyesin për njëri-tjetrin.

102. Pastaj ata, peshoja (e punëve të mira) e të cilëve është e rëndë, mu këta janë të fituarit.

103. Ndërsa ata, peshoja (e punëve të mira) e të cilëve është e lehtë, mu këta janë që humbin veten e tyre, (dhe) në Xhehenem do të banojnë.

104. Zjarri do të djegë fytyrat e tyre dhe në të do të ngërdheshen me buzë të shfytyruara.

105. “A nuk jua lexuan Vargjet e Mia (Kur’anin) juve dhe pastaj ju gjithnjë i mohuat ato?”

106. Do të thonë: “Zoti ynë! Mjerimi ynë na mbuloi, e ne ishim popull i gabuar.

107. O Zoti ynë! Na nxirr që këtej, (dhe) nëse ndonjëherë do të ktheheshim (tek e keqja përsëri), atëherë vërtet që do të ishim Dhalimunë (politeistë, keqbërës).”

108. Ai (Allahu) do t’u thotë: “Rrini aty me turp! Dhe mos më flisni Mua!”

109. Vërtet që ishte një grup prej robëve të Mi të cilët gjithnjë thonin: “Zoti ynë! Ne besojmë, kështu që falna ne dhe ki mëshirë për ne, se Ti je më i Miri i mëshiruesve!”

110. Por ju i tallët ata, aq sa ju i bëtë ata të harrojnë Përkujtimin Tim, ndërsa ju qeshnit me ta!

111. Sigurisht që Unë i shpërbleva ata këtë Ditë për durimin e tyre, (dhe) me të vërtetë që ata janë të cilët janë të fituar.

112. Ai (Allahu) do të thotë: “Sa vite qëndruat në tokë?”

113. Do të thonë: “Një ditë ose një pjesë të saj. Pyeti ata që mbajnë llogari.”

114. Ai (Allahu) do t’u thotë: “Ju qëndruat vetëm fare pak, veç sikur ta dinit!

115. A menduat se Ne ju kishim krijuar për lojë (e pa ndonjë qëllim) dhe se nuk do të mund të silleshit prapë te Ne?”

116. I Lartë është Allahu, Mbisunduesi i Vërtetë, La ilahe il-Allah (nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Allahut), Zoti i Arshit të Lartë.

117. Dhe kushdo që lut (ose adhuron) në vend të Allahut çdo ilah (zot) tjetër për të cilin nuk ka asnjë provë, atëherë llogaria e tij është vetëm te Zoti i tij. Vërtet që Kafirët (mohuesit e Njësisë së Allahut) nuk do të kanë kurrë sukses.

118. Dhe thuaj: “Zoti im! Fal dhe ki mëshirë, se Ti je më i Miri i mëshiruesve!”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free