KUR’AN-i
Shqip – Albanian

46 - El Ahkaf



El Ahkaf - Dunat e rërës

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

Pjesa 26

1. Ha, Mim.

2. Shpallja e Librit (këtij Kur’ani) është prej Allahut, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

3. Ne nuk i krijuam qiejt dhe tokën dhe gjithë ç’është ndërmjet tyre veçse me të vërtetën dhe për një afat të përcaktuar, por ata që nuk besojnë, largohen prej asaj për të cilën këshillohen.

4. Thuaju: “Mendoni! Gjithë ata që ju i lutni në vend të Allahut, më thoni pra: Çfarë kanë krijuar ata nga toka? Apo mos kanë ndonjë pjesë në qiej? Më sillni ju një Libër (para këtij) ose ndonjë dije të trashëguar (në mbështetje të pohimeve tuaja), nëse jeni që thoni të drejtën!”

5. Dhe kush është në rrugë më të gabuar se sa ai i cili lut në vend të Allahut të atillë që nuk do t’i përgjigjen atij deri në Ditën e Ringjalljes dhe të cilët madje janë krejt të pavetëdijshëm për lutjet që u bëhen atyre?

6. Dhe kur njerëzimi të grumbullohet (Ditën e Kijametit), ata (idhujt e tyre) do të bëhen armiq të tyre dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre.

7. Dhe kur atyre u lexohen Vargjet Tona të Qarta, thonë për të vërtetën (Kur’anit) që u arriti atyre: “Kjo është magji e kulluar!”

8. Apo thonë: “Ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka shpikur atë.” Thuaju: “Nëse unë e kam shpikur atë, ju nuk keni mundësi asgjë të më mbroni ndaj Allahut. Ai e di më së miri gjithë çfarë thoni mes veti për të (për Kur’anin)! Më se i Mjaftueshëm është Ai si Dëshmues mes meje dhe jush dhe Ai është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëploti.”

9. Thuaj (O Muhammed): “Unë nuk jam gjë e re nga të Dërguarit (e tjerë të Allahut) dhe as nuk e di se ç’do të ndodh me mua apo me ju. Unë vetëm ndjek atë që më është shpallur mua dhe unë s’jam veçse këshillues i qartë.”

10. Thuaj: “Shihni pra! Nëse ky (Kur’ani) është prej Allahut dhe ju e mohuat atë, ndërsa një dëshmues nga Bijtë e Israilit (Abdullah bin Selam radijAllahu ‘anhu.) dëshmoi se ky Kur’an është prej Allahut dhe i besoi (e përqafoi Islamin), ndërsa ju jeni aq kryelartë (e nuk e besoni)!” Vërtet që Allahu nuk e drejton popullin Dhalimun (mohues, politeist e keqbërës).

11. Dhe ata që mohojnë (të fortit e të pasurit) thonë për ata që besojnë (të dobëtit dhe të varfrit): “Po të kishte qenë ai (Islami në të cilin i fton njerëzit Muhammedi) gjë e mirë, atëherë ata (vegjëlia e varfër), nuk do ta përqafonin para nesh!” Dhe kur nuk u drejtuan prej tij (Kur’anit), thonë: “Kjo është një gënjeshtër e lashtë!”

12. Dhe para tij ishte Libri i Musait, udhëzues dhe mëshirë, ndërsa ky është Libër vërtetues në gjuhën arabe për t’u tërhequr vërejtjen atyre që bëjnë padrejtësi dhe për të përgëzuar Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugën e Allahut).

13. Padyshim se për ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu” dhe pastaj qëndrojnë të vendosur në këtë Besim të Pastër Islam, mu për këta nuk do të ketë aspak frikë dhe as nuk do të pikëllohen.

14. Të këtillët do të jenë banorët e Kopshteve të Begatë për të banuar atje përherë si shpërblim për çfarë patën punuar.

15. Dhe Ne i kemi përcaktuar njeriut që të jetë i mirë dhe i përkushtuar ndaj prindërve të tij. Nëna e tij e mbart atë me mundime dhe e lind atë me mundime; mbartja e tij dhe gjidhënia atij është tridhjetë muaj, derisa kur të arrijë moshën e fuqisë dhe arrin dyzet, thotë: “Zoti im! Më dhuro mua fuqi e mundësi që të mund të jem falënderues për Mirësitë e Tua që më ke dhuruar mua dhe prindërve të mi dhe që të mund të punoj mirësi e drejtësi, të atilla vepra që gjejnë Kënaqësinë Tënde, më dhuro edhe pasardhës të mirë. Vërtet që të jam kthyer Ty me pendim dhe vërtet që unë jam prej muslimanëve (duke iu nënshtruar Vullnetit Tënd).”

16. Ata janë prej atyre të cilëve Ne do t’ua pranojmë më të mirën e punëve të tyre dhe nuk do t’i vëmë re të këqiat e tyre. (Ata do të jenë) nga banorët e Xhennetit - një premtim i vërtetë që u është premtuar.

17. Por ai që u thotë prindërve: “Uff, të dyve ju! A më premtoni se do të ngrihem (ringjallem përsëri), ndërkohë që kanë kaluar breza para meje?” Ndërsa ata (prindërit) i luten Allahut për ndihmë (dhe qortojnë ashpër të birin): “Mjerë ti! Beso! Vërtet që Premtimi i Allahut është i vërtetë!” Por ai thotë: “Kjo s’është asgjë veçse përrallë e të parëve.”

18. Ata janë për të cilët Fjala (e ndëshkimit) u përligj ndër brezat e parë të xhindeve dhe njerëzve që tashmë kanë kaluar. Vërtet që ata përherë janë të humburit.

19. Dhe për të gjithë do të ketë shkallëzime sipas asaj çfarë punuan, që Ai t’i shpërblejë ata plotësisht për veprat e tyre dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.

20. Atë Ditë kur ata që nuk besuan (në Njësinë e Allahut në Islam) do të vendosen para Zjarrit (e do t’u thuhet): “Ju i morët gjërat tuaja të mira në jetën e dynjasë dhe u kënaqët në të. Tash këtë Ditë ju do të shpërbleheni me ndëshkim poshtërues, sepse ju ishit mospërfillës në tokë pa të drejtë dhe sepse ju ngritët krye e nuk u nënshtruat (nën Vullnetin e Allahut).”

21. Dhe kujto (Hudin) vëllanë e (popullit) Aad, kur ai këshilloi popullin e tij në El-Ahkaf (“Dunat e rërës”, vend në jug të Gadishullit Arabik). Dhe sigurisht që para tij kanë kaluar këshillues, si edhe pas tij (gjithsecili duke thënë): “Mos adhuroni tjetër veçse Allahun. Vërtet që unë kam frikë për ju ndëshkimin e një Dite të Madhe.”

22. Ata thanë: “A ke ardhur të na largosh nga zotat tanë? Na e sill pra atë me të cilën ti na kërcënon, nëse je nga ata që flet të vërtetën!”

23. Ai u tha: “Dija (për kohën e ardhjes së saj) është vetëm tek Allahu, ndërsa unë ju shpall juve atë me të cilën gjë unë jam dërguar, porse unë ju shoh ju popull të zhytur në padije!”

24. Pastaj, kur ata e panë atë si një re të dendur drejt luginave të tyre, thanë: “Kjo është një re që po na sjell shi!” Jo! Përkundrazi, ajo ishte (dënimi) për të cilin ju kërkuat të shpejtohej! Një erë në të cilën qe ndëshkimi i dhimbshëm!

25. Duke shkatërruar çdo gjë me Urdhërin e Zotit të saj! Kështu ata u bënë të atillë sa s’mund të shihej asgjë veç vendbanimeve të tyre! Kësisoj e shpërblejmë Ne popullin Muxhrim (politeist, mohues e mëkatar)!

26. Dhe vërtet që Ne u kishim mundësuar atyre atë që nuk u mundësuam juve (O Kurejsh)! Dhe Ne u patëm dhënë atyre të dëgjuarit, të shikuarit edhe zemrat, por as të dëgjuarit e tyre, as të shikuarit e tyre dhe as zemrat e tyre nuk u vlejtën asgjë, përderisa ata mohuan Ajetet e Allahut (Pejgamberët e Allahut dhe atë me të cilën ata u dërguan, provat, shenjat, shpalljet) dhe qenë krejt të rrethuar prej atij që ata gjithnjë e përqeshën!

27. Dhe me të vërtetë që Ne kemi shkatërruar qytete rreth e rrotull jush dhe Ne (vazhdimisht) u kemi treguar Ajetet (provat, dëshmitë, shpalljet) në forma të ndryshme, me qëllim që ata të mund të ktheheshin (tek e vërteta, tek Besimi i vërtetë në Një Zot).

28. Pse atëherë nuk i ndihmuan ata të cilët i patën marrë për aliha (të adhuruar, zota) në vend të Allahut si afrues tek Ai? Por, përkundrazi ata u shuan krejtësisht prej tyre (kur erdhi ndëshkimi ndër ta). Dhe ajo qe gënjeshtra e tyre dhe shpikjet e tyre të cilat ata i thurnin.

29. Dhe (kujto) kur Ne dërguam drejt teje (O Muhammed) një grup të vogël xhindesh të dëgjojnë Kur’anin dhe sapo u gjendën tek ai, thanë: “Dëgjoni në heshtje!” Dhe kur mbaroi, ata u kthyen te shoqëria e tyre si këshillues.

30. Ata thanë: “O populli ynë! Me të vërtetë që kemi dëgjuar një Libër (Kur’anin) të zbritur pas Musait, duke vërtetuar çfarë ka ardhur para tij: ai të udhëzon tek e vërteta dhe tek Udha e Drejtë.

31. O populli ynë! Përgjigjuni Thirrësit të Allahut (të Dërguarit të Allahut, Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe besojeni atë. Ai (Allahu) do t’ua falë juve gjynahet tuaja dhe do t’ju shpëtojë nga ndëshkimi i dhimbshëm (i Xhehenemit).”

32. Dhe kushdo që nuk i përgjigjet Thirrësit të Allahut, ai nuk mund të shpëtojë në tokë dhe pos Atij, ai nuk mund të ketë asnjë mbrojtës. Të atillët janë në gabim e humbje të qartë.

33. A nuk e shohin ata se Allahu i Cili krijoi qiejt dhe tokën dhe nuk ndjeu aspak lodhje nga krijimi i tyre, është i Zoti të ngjallë të vdekurit? Po, sigurisht! Vërtet që Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.

34. Dhe Ditën kur ata që nuk besojnë, do të sillen te Zjarri (do t’u thuhet): “A nuk është kjo e vërteta?” Ata do të thonë: “Po, për Zotin tonë!” Ai do t’u thotë: “Atëherë, shijoni pra ndëshkimin, për atë se gjithnjë ju mohuat!”

35. Kështu pra, ji i duruar (O Muhammed) ashtu siç bënë durim të Dërguarit e vendosur e me vullnet të fortë dhe mos ji i nxituar për ta (mosbesimtarët). Ditën kur ata do ta shohin atë (dënimin) i cili u është premtuar (me të cilin frikësohen, do të jetë), sikur të mos kishin qëndruar më tepër se një orë të një dite. (O njerëz! Ky Kur’an mjafton si) Mesazh i qartë (e shpallje për t’ju mbrojtur ju nga shkatërrimi). Por a do të shkatërrohet tjetërkush veç popullit El-Fasik (të panënshtruar, të pabindur ndaj Allahut)?
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free