KUR’AN-i
Shqip – Albanian

52 - Et Tur



Et Tur - Mali Sina

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. (Betohem) për Turin (Malin Sina)!

2. Për Librin e Skalitur (Libri në El-Leuh El-Mahfudh - Libri i Allahut ku Ai ka shkruar gjithçka) -

3. Në Fletë të pahapura!

4. Për El-Bejt El-Ma’mur (Shtëpia më e vizituar mbi qiej, drejt mbi Kabën në Mekë që vazhdimisht vizitohet nga melekët)!

5. Për kupën (e qiellit) të ngritur lartë!

6. Për detin e fryrë të mbushur plot.

7. Padyshim që Ndëshkimi i Zotit tënd me të vërtetë që do të vijë.

8. Nuk ka asnjë që mund ta shmangë atë.

9. Ditën kur qielli të dridhë me dridhje të tmerrshme.

10. Dhe malet të shkulen me shkulje të tmerrshme (andej-këndej).

11. Atëherë mjerë ajo Ditë për përgënjeshtruesit.

12. Të cilët luajnë në mashtrim.

13. Ditën kur ata do të shtyhen fort për në Zjarrin e Xhehenemit me shtytje të tmerrshme.

14. “Ky është Zjarri që ju gjithnjë e përgënjeshtruat.

15. A është magji kjo, apo ju nuk shihni?

16. Shijoni aty nxehtësinë e tij dhe nëse e duroni apo nuk e duroni, është krejt njësoj. Ju vetëm se po shpërbleheni për çfarë patët punuar.”

17. Vërtet që Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) do të jenë në Kopshte të Begatë dhe në Kënaqësi.

18. Duke shijuar atë që Zoti i tyre u ka dhuruar atyre dhe (për atë) që Zoti i tyre i ruajti ata nga ndëshkimi i Zjarrit flakërues.

19. “Hani dhe pini me gëzim për çfarë patët punuar.”

20. Do të rrinë të shtrirë (në qetësi) në frone të lartë të vendosur radhë-radhë dhe Ne do t’i martojmë me Hyritë (bukuroshet e brishta) me sy të mëdhenj të mrekullueshëm.

21. Dhe ata që besojnë dhe pasardhësit e të cilëve i ndjekin ata në Besim - atyre Ne do t’u bashkojmë pasardhësit e tyre dhe nuk do t’ua pakësojmë në asgjë shpërblimin e veprave të tyre. Çdo njeri është peng për atë çfarë ai ka fituar.

22. Dhe Ne do t’u japim atyre fruta e mish si të duan.

23. Atje do të kalojnë dorë me dorë kupa (me pije të kulluara). Atje nuk ka as Lavg (fjalë e keqe, e ligë, e pistë, bisedë e kotë ose grindje) dhe as gjynah (sepse çdo gjë do të jetë e pastër, e lejuar për ta).

24. Dhe rreth do t’u sillen djelmosha në shërbim të tyre si të ishin margaritarë të ruajtur.

25. Disa do të afrohen tek njëri-tjetri duke pyetur njëri-tjetrin.

26. Duke thënë: “Një kohë, kur ishim me familjet tona, ne kishim frikë (nga ndëshkimi i Allahut).

27. Kështu Allahu ka qenë Dashamirës ndaj nesh dhe na ruajti nga ndëshkimi i Zjarrit.

28. Vërtet që ne gjithnjë iu lutëm vetëm Atij në jetën e parë. Sigurisht që Ai është vërtet El-Bar-ru (më i Miri Dhurues, më i Besueshmi, më i Begati, Dhuruesi i Madh), Mëshirëploti.”

29. Kështu pra, kujtoji (njerëzimit dhe ftoje atë në Besimin e Vërtetë Islam, O Muhammed). Për Mëshirën e Zotit tënd, ti nuk je as falltor as i marrë.

30. Ose thonë: “(Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem është) vjershëtor! Presim kur t’i bjerë ndonjë fatkeqësi ndërkohë!”

31. Thuaju: “Prisni! Se edhe unë jam nga ata që presin!”

32. A mendja e tyre ua urdhëzon atyre këtë (të shpifin gënjeshtër kundër teje, O Muhammed), apo ata janë njerëz që kalojnë çdo kufi (në mosbesim të thellë)?

33. Apo mos thonë: “Ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka shpikur atë (Kur’anin)?” Përkundrazi, ata nuk kanë fare besim.

34. Le të bëjnë ata atëherë një rrëfim që t’i përngjajë atij (Kur’ani), nëse janë që flasin të vërtetën.

35. A nuk u krijuan ata nga asgjë (pa qenë fare), apo vetë ishin krijuesit?

36. Apo mos i krijuan ata qiejt dhe tokën? Por ata nuk kanë aspak Besim të qëndrueshëm.

37. Apo mos kanë ata Thesaret e Zotit tënd? Apo janë ata tiranët me të drejtë e forcë për të bërë si të duan?

38. Apo mos kanë shkallë për t’u ngjitur (në qiell) me anë të të cilave ata dëgjojnë (fjalët e melekëve)? Atëherë le të nxjerrin dëgjuesit e tyre ndonjë provë të qartë.

39. Apo mos Ai (Allahu) ka vetëm bija e ju keni bijtë?

40. Apo mos është se ti (Muhammed) kërkon ndonjë shpërblim (prej tyre, për shpalljen e ftesës në Islam), kështu që ata janë ngarkuar me barrë të rëndë borxhi?

41. Apo mos është me ta Gajbi (e fshehta) dhe ata e shkruajnë?

42. Apo mos kanë qëllim ndonjë kurth (kundër teje, o Muhammed)? Por në të vërtetë ata që nuk besojnë (Allahun Një e të Vetëm, në Islam), ata janë vetë në kurth.

43. Apo mos kanë ndonjë zot tjetër veç Allahut? Lavdi i qoftë Allahut nga gjithçka që ata ia mveshin Atij si shokë e të barabartë (me Të)!

44. Edhe po të shihnin një copë qielli të binte poshtë, ata do të thoshin: “(Janë) re të grumbulluara e të dendura!”

45. Kështu që lëri në të tyren derisa të takojnë Ditën e tyre në të cilën ata do të tmerrohen.

46. Ditën kur kurthi i tyre nuk do t’u vlejë aspak dhe as nuk do të ndihmohen.

47. Dhe padyshim, për ata që bëjnë padrejtësi është një ndëshkim tjetër (ndëshkimi në dynja dhe në varre) para atij (në Xhehenem), por shumica e tyre nuk e dinë. (Tefsir El-Tabari).

48. Prit pra me durim (O Muhammed) për Vendimin dhe Gjykimin e Zotit tënd, pasi ti me të vërtetë që je nën Sytë Tanë dhe lartëso Lavditë e Zotit tënd kur të ngrihesh.

49. Edhe gjatë natës po kështu lartëso Lavditë e Tij, edhe me perëndimin e yjeve.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free