KUR’AN-i
Shqip – Albanian

25 - El Furkan



El Furkan - Kriteri i së Vërtetës

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. I Lartësuar me Madhështi qoftë Ai i Cili zbriti Kriterin e së Vërtetës (Kur’anin) te robi i Tij (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), që të jetë këshillues për gjithë Aleminin (për njerëzit dhe xhindet).

2. Ai i Cili zotëron mbisundimin e qiejve dhe të tokës dhe i Cili nuk ka të lindur bir (ose pasardhës), dhe i Cili nuk ka asnjë shok në sundim, dhe i Cili krijoi çdo gjë duke e matur saktësisht sipas përmasave të përpikta të duhura.

3. Megjithatë ata kanë marrë për adhurim në vend të Tij aliha (zota) të tjerë të cilët nuk krijuan asgjë, por janë vetë të krijuar dhe nuk kanë në vetvete as dëm as dobi për veten e tyre, si dhe nuk kanë aspak fuqi as për të shkaktuar vdekje, as për të dhënë jetë, as për të ngritur të vdekurit.

4. Ata që mohojnë thonë: “Ky (Kur’an) s’është asgjë veçse gënjeshtër që ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka trilluar dhe të tjerë e kanë ndihmuar për të, duke prodhuar kështu një (gjë) të gabuar të padrejtë dhe një gënjeshtër.”

5. Dhe thanë: “Përralla të të parëve, të cilat ai i ka shkruar dhe që i diktohen atij mëngjes e mbrëmje.”

6. Thuaju: “Ai (Kur’ani) është zbritur nga Ai (Allahu) i Cili di fshehtësinë e qiejve dhe të tokës. Vërtet që Ai është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.”

7. Dhe thonë: “Pse ky i Dërguar (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ha ushqime dhe shetit në tregje (si edhe ne)? Pse nuk i dërgohet atij një melek që të këshillojë bashkë me të?

8. Apo (pse) nuk i është siguruar një thesar, ose pse nuk ka një kopsht prej të cilit do të mund të ushqehet?” Dhalimunët (mosbesimtarët keqbërës) thonë: “Ju nuk i bindeni, veçse një njeriu të magjepsur.”

9. A nuk e sheh se si thurin përngjasime për ty, kështu që ata kanë gabuar rëndë dhe nuk mund të gjejnë Rrugë (të Vërtetë).

10. Qoftë i Lartësuar Ai, i Cili nëse Ai do, mund të të dhurojë ty më tepër mirësi se sa gjithë ato, - Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj dhe të dhuron pallate.

11. Por ata e mohojnë Orën (Çastin e Fundit dhe Ditën e Shpërblimit). Dhe për ata që e mohojnë Orën, Ne kemi përgatitur Zjarr flakërues (në Xhehenem).

12. Kur ai t’u shfaqet që nga larg, do t’ia dëgjojnë zemërimin dhe ulurimën e tij.

13. Dhe kur të jenë hedhur atje në një vend të ngushtë të lidhur bashkë, ata do të kërkojnë me të bërtitur për t’u shkatërruar.

14. Mos bërtitni sot për një shkatërrim, por kërkoni shumë shkatërrime të përsëritura.

15. Thuaj: “A është më mirë ai (ndëshkimi) apo Xhenneti i Përjetshëm i premtuar për besimtarët e përkushtuar?” I tyre do të jetë si shpërblim dhe si qëllim i fundit.

16. Për ta atje do të ketë çfarë të dëshirojnë dhe do të banojnë në të përherë. Është një premtim që është mbi Zotin tënd i cili duhet të përmbushet.

17. Dhe Ditën kur Ai do t’i mbledhë të gjithë së bashku dhe ata (idhuj, ‘njerëz të sjenjtë,’ melekë, të gjithë të adhuruarit) të cilët u adhuruan përkrah e në vend të Allahut, Ai do t’u thotë: “A ishit ju ata të cilët i shtytë në gabim këta robër të Mi apo ata vetë humbën nga Udha (e Drejtë)?”

18. Ata do të thonë: “I Lartësuar qofsh Ti! Nuk shkonte aspak për ne të zgjidhnim për Eulija (mbrojtës e ndihmues të tjerë) në vendin Tënd, por Ti u dhe atyre dhe baballarëve të tyre rehati e mirësi derisa ata harruan këshillën dhe u bënë popull i humbur.

19. Kësisoj ata (të ashtuquajtur zota të adhuruar prej jush në vend të Allahut) do t’ju nxjerrin juve (politeistëve, mohuesve) gënjeshtrën në lidhje me çfarë thoni dhe ju as nuk mund ta largoni (ndëshkimin) dhe as nuk mund të gjeni ndihmë. Dhe kushdo prej jush që bën padrejtësi (duke i vënë shok Allahut), Ne do ta bëjmë të shijojë ndëshkim të madh.

20. Dhe Ne asnjëherë nuk çuam para teje (O Muhammed) ndonjë të Dërguar, veçse edhe ata të hanin ushqime dhe të shëtisnin në tregje. Dhe Ne i kemi bërë disa prej jush sprovë për të tjerë: A do të keni durim? Dhe Zoti yt është gjithnjë Gjithëvëzhgues (për çdo gjë).

Pjesa 19

21. Ata të cilët nuk i frikësohen Takimit Tonë, thanë: “Pse nuk zbritën mes nesh melekë, apo pse nuk e shohim ne Zotin tonë?” Vërtet që ata mendojnë shumë lartë për veten e tyre dhe janë përbuzës e me kryelartësi të madhe.

22. Ditën kur ata do të shohin melekët, - asnjë lajm të mirë nuk do të ketë për Muxhrimunët (mosbesimtarët, kriminelët, mëkatarët) atë ditë. Dhe do të thonë melekët: “Krejt lajmet e mira janë ndaluar për ju!” (Ata nuk do të shijojnë dhe nuk do të lejohen të hyjnë në Xhennet. Do të hyjnë vetëm ata që pohuan: “La ilahe il-lallah - nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut dhe punuan sipas kushteve e detyrimeve të kësaj Fjale).

23. Dhe Ne do t’i kthehemi çfarëdo lloj pune që bënë ata (mosbesimtarët) dhe do t’i bëjmë veprat e tilla si grimca pluhuri që fluturojnë në erë.

24. Banorët e Xhennetit atë Ditë do të kenë banesën më të mirë dhe do të kenë vendet më të këndshme për prehje.

25. Dhe (kujto) Ditën kur qielli do të çahet pjesë-pjesë me re dhe melekët do të dërgohen me një zbritje madhështore.

26. Mbizotërimi atë Ditë do të jetë (mbizotërimi) i vërtetë i të Gjithëmëshirshmit (Allah) dhe do të jetë Ditë shumë e vështirë për mosbesimtarët.

27. Dhe (kujto) Ditën kur Dhalimi (mosbesimtari, keqbërësi) do të kafshojë duart e do të thotë: “Oh! Sikur të kisha ndjekur një rrugë me të Dërguarin (Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

28. Oh! Mjerë për mua! Sikur të mos e kisha filanin a filanin për mik!

29. Në të vërtetë ai ishte që më largoi nga Përkujtuesi (Kur’ani) pasi më erdhi mua. Dhe vërtet që shejtani është që e braktis njeriun në çastin e nevojshëm.”

30. Pastaj i Dërguari (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) do të thotë: “O Zoti im! Vërtet që populli im e braktisi këtë Kur’an.”

31. Kështu pra, Ne sollëm për çdo Pejgamber armik nga radhët e Muxhrimunëve (mosbesimtarë, politeistë, kriminelë, mëkatarë), por më se i Mjaftueshëm është Zoti yt si Udhëzues dhe Gjithëndihmues.

32. E ata që nuk besojnë thonë: “Pse nuk i është shpallur atij Kur’ani i tërë përnjëherë?” Kështu (e zbresim Ne në pjesë) që Ne të mund të forcojmë me anë të tij zemrën tënde dhe të është shpallur ty i rregulluar mirë dhe kohë pas kohe të përcaktuar.

33. Dhe asnjë shembull përngjasues nuk sjellin dot ata (për ta kundërshtuar ose për të gjetur ndonjë gabim tek ti ose te ky Kur’an), vetëm se Ne të shpallim ty të Vërtetën dhe prej këndej shpjegimin më të mirë.

34. Ata që do të grumbullohen në Xhehenem me fytyra përmbys, e tillë do të jetë gjendja e mjerueshme dhe më e largët nga Rruga (e Drejtë).

35. (Dhe më parë) Sigurisht që Ne i dhamë Musait Librin (Teuratin) dhe e bëmë edhe vëllain e tij Harunin bashkë me të si ndihmues.

36. Dhe Ne u thamë: “Shkoni ju që të dy te populli që ka mohuar Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet, vargjet).” Pastaj Ne i shkatërruam ata plotësisht.

37. Edhe popullin e Nuhut, kur ata mohuan të Dërguarit, Ne e fundosëm atë (popull) dhe Ne e bëmë atë shenjë treguese për njerëzimin. Dhe për Dhalimunët (mosbesimtarët keqbërës) Ne kemi përgatitur dënim të dhimbshëm.

38. (Po kështu) edhe Aadin, edhe Themudin, edhe banorët e Er-Rass-it dhe shumë breza mes tyre.

39. Dhe për secilin prej tyre Ne sollëm shembuj (si prova, shenja e mësime) dhe secilin prej tyre Ne e çuam në shkatërrim të plotë (për shkak të mosbesimit të tyre dhe poshtërsive të tjera).

40. Dhe sigurisht që ata kanë kaluar nga qyteti (i Lutit) mbi të cilin u derdh shi shkatërrues (me gurë nga qielli). A nuk po e shohin ata pra atë? Për më tepër, ata nuk shpresonin për ndonjë ringjallje.

41. Dhe kur të shohin ty (O Muhammed), të marrin ty vetëm si objekt tallje (duke thënë): “A ky është ai të cilin Allahu e ka sjellë si të Dërguar?

42. Ai pothuaj do të na kishte larguar ne nga zotat tanë, po të mos kishim qenë ne të duruar e këmbëngulës në adhurimin e tyre!” Dhe ata do ta mësojnë kur të shohin ndëshkimin, se kush është në rrugë të gabuar e tepër larg nga Udha (e Drejtë)!

43. A e ke parë ti (O Muhammed) atë i cili ka zgjedhur si ilah (zot) të tij dëshirën e vet? A do të ishe ti atëherë Vekil (vëzhgues e rregullues i punëve të tij) përmbi të?

44. A mendon se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata janë veçse si bagëti; - jo, ata janë edhe më tej në rrugë të gabuar, larg Udhës (së Drejtë).

45. A nuk e ke parë se si Zoti yt e zgjat hijen? Po të donte Ai, do ta kishte bërë atë të palëvizshme - pastaj Ne e kemi bërë diellin udhëzuesin e saj.

46. Pastaj Ne e tërheqim atë drejt Nesh - një tërheqje e fshehtë, e lehtë dhe e matur.

47. Dhe është Ai i Cili e bën natën mbulojë për ju dhe gjumin si prehje dhe e bën ditën Nushur (si ringjallje pas gjumit të natës, si “një vdekje” duke u ngritur e duke u sjellë andej-këndej me gjallëri gjatë ditës).

48. Dhe është Ai i Cili dërgon erërat si lajmëtarë të përgëzimit duke paraprirë Mëshirën e Tij (shiun) dhe Ne zbresim nga qielli ujë të pastër,-

49. Që Ne të mund t’i japim me të jetë tokës së vdekur. Ne u japim për të pirë prej tij shumë kafshëve dhe njerëzve që Ne krijuam.

50. Dhe sigurisht që Ne e kemi shpërndarë atë (ujin) me qëllim që ata të mund të përkujtojnë Mirësinë e Allahut, por shumica e njerëzve nuk pranojnë (Besimin e Vërtetë) dhe s’pranojnë gjë tjetër veçse mohim a mosmirënjohje.

51. Dhe po të kishim dashur Ne, do të kishim ngritur këshillues në çdo qytet.

52. Kështu pra, mos iu bind mosbesimtarëve, por përpiqu ndaj tyre (duke i thirrur në fe) me zellin e përkushtimin më të lartë me anë të tij (Kur’anit).

53. Dhe është Ai i Cili i ka lënë të lirë dy dete: ky i shijshëm dhe i ëmbël dhe ky (tjetri) i hidhur dhe i kripur dhe Ai ka vënë pengesë të pakalueshme e kufi të prerë mes tyre.

54. Dhe Ai është i Cili ka krijuar njeriun prej një uji dhe ka caktuar për të lidhje gjaku dhe lidhje martese. Dhe Zoti yt është kurdoherë i Gjithëfuqishëm për të bërë çfarë Ai do.

55. E ata në vend të Allahut adhurojnë atë që as nuk mund t’u sjellë dobi, as nuk i dëmton dhe mosbesimtari është gjithnjë ndihmues (i shejtanit) përkundër Zotit të vet.

56. Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (O Muhammed) veçse si përgëzues dhe këshillues.

57. Thuaj: “Nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për këtë (Mesazh të cilin e kam sjell nga Zoti im dhe për thirrjen në të), vetëm se kush të dojë mund të marrë Udhë drejt Zotit të vet.”

58. Dhe mbështetu e vëri shpresat tek i Përjetshmi i Cili nuk vdes kurrë dhe madhëro Lavdinë e Tij. Dhe më se i Mjaftueshëm është Ai me Dijeni të Plotë për gjynahet e robëve të Tij;

59. I Cili krijoi qiejt dhe tokën dhe gjithë ç’është ndërmjet tyre në Gjashtë Ditë. Pastaj Ai Isteva (u ngrit lart dhe qëndroi mbi) Arsh (Fronin e Tij Madhështor, vërtet ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij - El-Istiva). I Gjithëmëshirshmi (Allah)! Kështu pra, pyete Atë, sepse Ai është El-Khabir (në Dijeni të Plotë, i Mirënjohuri për gjithçka).

60. Dhe kur u thuhet atyre (mosbesimtarëve): “Bini me fytyrë përtokë në sexhde për të Gjithëmëshirshmin (Allah)”, ata thonë: “Dhe çfarë është i Gjithëmëshirshmi? A të biem me fytyrë në tokë në sexhde ndaj atij që na urdhëron ti (O Muhammed)?” Dhe kjo u shton atyre vetëm neveri (e largim nga e Vërteta).

61. I Lartësuar me Madhështi qoftë Ai i Cili ka vendosur në qiell yje e yllësi madhështore, dhe që vuri në të dhe një ndriçues të madh (diellin) dhe hënën që ndriçon.

62. Dhe Ai është i Cili ka vënë natën dhe ditën në vazhdimësi për atë i cili dëshiron të përkujtojë ose dëshiron që të tregojë mirënjohje.

63. Dhe robët e të Gjithëmëshirshmit janë ata të cilët ecin në tokë me përulje dhe me qetësi dhe kur u drejtohen atyre të paditurit (me fjalë të këqia), ata ua kthejnë me fjalë të buta e mirësi (paqë).

64. Edhe ata të cilët e kalojnë natën para Zotit të tyre me fytyrë në tokë në sexhde dhe në këmbë (në adhurim të Tij).

65. Edhe ata të cilët thonë: “Zoti ynë! Largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit. Vërtet që ndëshkimi i Tij është gjithnjë dënim i pandalshëm, i përhershëm.”

66. Vërtet i keq është ai (Xhehenemi) vend për të banuar e për të qëndruar në të.

67. Edhe ata të cilët kur shpenzojnë, nuk janë as shpërdorues, as dorështrënguar, por mbajnë një të mesme të drejtë mes dy anëve.

68. Edhe ata të cilët nuk lusin ilah (zot) tjetër me Allahun, që nuk vrasin njeri të atillë që e ka ndaluar Allahu përveç për çështje të drejtë, që nuk kryejnë zina (marrëdhënie të paligjshme imorale) - dhe kushdo që e bën këtë, do të marrë ndëshkimin.

69. Ndëshkimi do t’i dyfishohet atij Ditën e Llogarisë dhe do të banojë në të i turpëruar;

70. Përveç atyre që pendohen dhe besojnë (me Besimin e Pastër Islam) dhe që punojnë mirësi e drejtësi, mu këtyre Allahu do t’ua shëndrrojë gjynahet në vepra të mira dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

71. Dhe kushdo që pendohet dhe punon mirësi e drejtësi, atëherë ai me të vërtetë pendohet para Allahut me pendesë të vërtetë.

72. Edhe ata të cilët nuk dëshmojnë gënjeshtrën (nuk rrinë aty ku flitet dhe punohet gënjeshtra dhe nuk bëjnë dëshmi të rreme) dhe kur kalojnë pranë ndonjë loje të ligë e bisede boshe, largohen prej saj me dinjitet e nder.

73. Edhe ata të cilët kur u kujtohen Ajetet e Zotit të tyre, nuk janë mospërfillës që mbyllin veshë e sy ndaj tyre.

74. Edhe ata të cilët thonë: “Zoti ynë! Na dhuro neve nga gratë tona dhe fëmijët tanë të atillë që të jenë qetësia e syve tanë dhe na bëj prijës të Muttekinëve (të të përkushtuarve në Besimin e Pastër Islam).”

75. Ata do të shpërblehen me vendin më të lartë (në Xhennet) për durimin e tyre. Aty do të takohen me përshëndetje dhe me fjalë paqe e nderimi,

76. Për të banuar në të; i shkëlqyer si vendbanim dhe si vend qëndrimi.

77. Thuaj (O Muhammed): “Zoti im kujdeset për ju vetëm nga duaja (lutja) juaj drejtuar Atij. Por tash me të vërtetë që ju e keni mohuar (Atë), kështu që ai (dënimi) do të jetë për ju i pandashëm (ndëshkim i përhershëm, i pandërprerë).”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free