KUR’AN-i
Shqip – Albanian

62 - El Xhumuah



El Xhumuah - E Xhumaja

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë lavdërojnë Allahun, Mbretëruesi i Papërballueshëm, i Shenjti, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

2. Ai është i Cili çoi mes analfabetëve një të Dërguar (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga vetë mesi i tyre duke u kënduar atyre Vargjet e Tij, duke i pastruar ata (nga ndytësia e mosbesimit dhe e politeizmit) duke u mësuar atyre Librin (Kur’anin, Islamin dhe ligjet e tij) dhe Hikmetin (Sunnetin - urtësinë e të Dërguarit të Allahut, rrugën, sjelljen dhe vënien në jetë të Ligjit të Allahut sipas shembullit të tij sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Dhe vërtet që më parë ishin në gabim e humbje të qartë.

3. Dhe Ai e ka dërguar atë (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) edhe tek të tjerë prej atyre (muslimanëve) të cilët akoma nuk u janë bashkuar atyre, por ata do të vijnë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

4. Kjo është Mirësia e Allahut të cilën Ai e dhuron mbi kë të dojë Ai. Dhe Allahu është Zotëruesi i Mirësive të Mëdha.

5. Shembulli i atyre të cilëve iu besua Teurati, por të cilët më pas nuk e zbatuan atë, është si shembulli i gomarit i cili është i ngarkuar rëndë me libra (por që në të vërtetë s’përfiton gjë prej tyre dhe nuk i kupton ata). Sa i keq është shembulli i atyre njerëzve të cilët mohojnë Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) e Allahut. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin Dhalimun (politeist, mosbesimtar e keqbërës).

6. Thuaj (O Muhammed): “O ju jehudi! Nëse pretendoni se ju jeni më të afërmit e Allahut në përjashtim të të gjithë pjesës tjetër të njerëzimit, atëherë dëshirojeni vdekjen nëse jeni të vërtetë (për atë që thoni).”

7. Por ata kurrë nuk do ta dëshironin atë, për shkak të atyre veprave që kanë përgatitur duart e tyre para tyre! Dhe Allahu i njeh mirë Dhalimunët (politeistët, mosbesimtarët, keqbërësit).

8. Thuaju (atyre): “Sigurisht që vdekja prej së cilës ju ikni, ka për t’ju zënë, pastaj do të ktheheni prapë tek (Allahu) i Gjithëdituri i së fshehtës dhe i së shfaqurës dhe Ai do t’ju tregojë juve çfarë keni punuar.”

9. O ju që keni besuar (muslimanë)! Kur të bëhet thirrja për falje Ditën e Xhuma, nxitoni me zell te përkujtimi i Allahut (Khutbah - ligjërata e Xhumasë dhe falja e këtij namazi) dhe lëreni tregtinë (dhe çdo punë tjetër). Kjo është më e mira për ju, veç sikur ta dinit!

10. Pastaj kur të mbarojë falja, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni Mirësitë e Allahut (me punë të ndryshme) dhe kujtojeni shumë Allahun që të mund të jeni të fituar.

11. Dhe kur ata shohin ndonjë tregti ose ndonjë qejf, vërsulen atje duke vënë kokën përpara drejt saj dhe të lënë ty në këmbë. Thuaju: “Ajo që është me Allahun, është shumë më e mirë se çdo kënaqësi e tregti! Dhe Allahu është Dhuruesi më i Mirë i begative.”
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free