KUR’AN-i
Shqip – Albanian

68 - El Kalem



El Kalem - Penda (Lapsi)

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Nun. Për kalemin dhe për atë që shkruajnë!

2. Ti (O Muhammed), nga Dashamirësia e Zotit tënd, nuk je i çmendur.

3. Dhe vërtet për ty do të jetë shpërblimi i pafund.

4. Dhe vërtet ti (Muhammed) je në një shkallë të lartë të moralit.

5. Shpejt ti do ta shohësh dhe ata do ta shohin,

6. Cili prej jush është i çmendur.

7. Vërtet që Zoti yt është Ai i Cili di më mirë, kush nga njerëzit ka dalë nga Rruga e Tij dhe Ai i di më mirë ata që janë udhëzuar.

8. Kështu pra, ti mos iu bind përgënjeshtruesve (të cilët mohojnë Njësinë e Allahut, Kur’anin e Tij, të Dërguarin e Tij, Islamin).

9. Ata kanë dëshirë që ti të bësh ujdi me ta, që edhe ata të bëjnë ujdi me ty.

10. Dhe mos iu bind kujtdo Hel-lafin Mehin (betohet në gënjeshtër e për çdo gjë, që është me zemër të dobët, përhapës i sherrit). (Tefsir At-Tabari).

11. (Mos iu bind) përgojuesit që sillet (ndër njerëz) me shpifje,

12. (Mos iu bind) ndaluesit të së mirës, atij që kalon çdo kufi, atij të zhyturit në gjynah,

13. (Mos iu bind) të pashpirtit, për më tepër, me prejardhje të ulët (i lindur jashtë ligjit).

14. (Ishte i tillë) sepse pati pasuri dhe fëmijë.

15. Kur Vargjet Tona i këndohen atij, ai thotë: “Përralla të të parëve!”

16. Ne do ta damkosim atë në turi.

17. Me të vërtetë që Ne i sprovuam ata ashtu siç i vumë Ne në provë njerëzit e kopshtit, kur ata u betuan të mbledhin frutat në mëngjes,

18. Pa thënë: “Insha’e Allahu (Në dashtë Allahu).”

19. Pastaj aty kaloi (urdhër, ndëshkim, zjarr) nga Zoti yt dhe e dogji atë, ndërkohë që ata ishin në gjumë.

20. Kështu (kopshti) u nxi në mëngjes (duke u bërë) si sterrë nate (duke u shkatërruar plotësisht).

21. Pastaj thirrën njëri-tjetrin sapo zbardhi agimi.

22. Duke thënë: “Shkoni tek ara juaj në agim, nëse do të mblidhni frutat.”

23. Kështu ata u nisën duke biseduar fshehur me zë të ulët (duke thënë),

24. Të mos lejojnë të afrohet në të asnjë Miskin (i varfër).

25. Dhe ata shkuan në mëngjes të vendosur duke menduar se ata kanë fuqi (të pengojnë të varfrit të marrin nga frutat atje, me vendim të padrejtë).

26. Por kur e shikuan atë (kopshtin), thanë: “Me të vërtetë që ne jemi futur në rrugë të gabuar (pastaj shtuan),

27. Po! (Për më tepër) vërtet jemi privuar (na janë shkatërruar frutat)!”

28. Më i miri prej tyre, tha: “A nuk ju thashë, përse nuk thoni, Insha’e Allahu (Në dashtë Allahu)?”

29. Ata thanë: “Lavdi i qoftë Zotit tonë! Vërtet që ne ishim keqbërës.”

30. Dhe u këthyen duke e qortuar njëri-tjetrin.

31. Ata thanë: “Mjerë për ne! Vërtet ne ishim Tagunë (që kaluan kufijtë, të pabindur).

32. Shpresojmë se Zoti ynë do të na e zëvendësojë me ndonjë edhe më të mirë se ky (kopsht). Me të vërtetë që Ne i kthehemi Zotit tonë.”

33. I tillë është ndëshkimi (në këtë jetë), por padyshim se ndëshkimi i Jetës së Pastajme është më i madh, veç sikur ta dinin!

34. Padyshim që për Muttekinët (të përkushtuarit, në Besimin e Vërtetë Islam) janë Kopshtet e Kënaqësisë (në Xhennet) tek Zoti i tyre.

35. A do të sillemi Ne atëherë me Muslimanët (të nënshtruarit ndaj Allahut) si me Muxhrimunët (kriminelët, politeistët e mosbesimtarët)?

36. Ç’është me ju, si gjykoni ashtu?

37. A mos keni ndonjë libër, e prej tij mësoni?

38. (e mendoni) Se ju do të keni çfarë ju të zgjidhni?

39. Apo keni betime nga Ne që arrijnë deri në Ditën e Kijametit, se do ta arrini atë që dëshironi?

40. Pyeti ata, se cili prej tyre është që u garanton atë?

41. Apo ata kanë “shokë” (zota tjerë) që u garantojnë? Atëherë le t’i sjellin “shokët” e tyre nëse e thonë të vërtetën!

42. (Kujto) Ditën kur Kërciri do të zbulohet (Ditën e Ringjalljes) dhe do të thirren të bien në Sexhde (para Allahut), por ata (hipokritët) nuk do të munden të bëjnë kështu.

43. Sytë e tyre do të tmerrohen, turpi do t’i mbulojë; ata gjithnjë u ftuan të bien në sexhde (të falen), kur ishin shëndosh e mirë (në dynja, por ata nuk e bën këtë).

44. Pra, më lini Mua të Vetëm me të atillët që përgënjeshtrojnë këtë Mesazh (Kur’an)! Ne do t’i afrojmë ata tek ndëshkimi pak nga pak, nga të mos e marrin vesh.

45. Dhe atyre Unë do t’u jap afat. Vërtet që Plani Im është i fuqishëm.

46. Apo është se ti (Muhammed) u kërkon atyre shpërblim, saqë ata janë ngarkuar tepër në borxh?

47. Apo se Gajbi (të Fshehtat e El-leuh El-Mahfudh) është në duart e tyre, kështu që ata mund të shkruajnë?

48. Prit pra me durim për Vendimin e Zotit tënd dhe mos u bë si Shoku i Peshkut, kur ai thirri (Allahun) duke qenë në pikëllim të thellë.

49. Sikur të mos i dhurohej atij Mëshirë nga Zoti i tij, ai vërtet që do të ishte (lënë në barkun e peshkut, por Ne e falëm atë), kështu që ai u hodh në bregun e shkretë, ndërkohë që ai ishte për t’u fajësuar.

50. Por Zoti i tij, e zgjodhi atë dhe e bëri prej të drejtëve.

51. Dhe me të vërtetë ata që nuk besojnë, gati sa nuk të zhdukin ty me shikimet e tyre (nga urrejtja), kur ata dëgjojnë Mesazhin Përkujtues (Kur’anin), dhe thonë: “Vërtet që ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është i çmendur!”

52. Por ai (Kur’ani) nuk është veçse Përkujtues për gjithë Alemin (për njerëzit, xhindet, për gjithësinë, për gjithë ç’është).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free