KUR’AN-i
Shqip – Albanian

09 - Teube



Teube - Pendimi

1. Lirim nga të gjitha detyrimet (ju shpallet) nga Allahu dhe i Dërguari i Tij mbi ata Mushrikë (politeistë, paganë, mosbesimtarë të Njësisë së Allahut) me të cilët ju bëtë marrëveshje të ndërsjellë.

2. Udhëtoni pra të lirë (o mushrikë) për katër muaj, si të doni e nga të doni në tokë, por dijeni mirë se nuk mund t’i shpëtoni (ndëshkimit të) Allahut dhe është e vërtetë se Allahu do t’i poshtërojë mohuesit.

3. Dhe një shpallje e hapur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij për mbarë njerëzimin në ditën më të madhe (dita e dhjetë e Dhil-Hixhes - muajit të dymbëdhjetë të kalendarit Islam), se Allahu dhe i Dërguari i Tij janë të lirë nga çdo detyrim ndaj mushrikëve. Kësisoj, në qoftë se ju (mushrikë) pendoheni, kjo është më e mirë për ju, por në qoftë se ktheni shpinën, atëherë kijeni të qartë se nuk mund t’i shpëtoni (ndëshkimit të) Allahut. Dhe përgëzoi ata që mohuan për ndëshkimin e dhimbshëm.

4. Përveç atyre mushrikëve (idhujtarëve) me të cilët keni marrëveshje, e të cilët nuk të kanë zhgënjyer më pas në asgjë dhe që nuk kanë ndihmuar askend kundër jush, kështu që përmbushni marrëveshjen e paqes me ta deri në afatin e caktuar. Vërtet që Allahu i do Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Vërtetë Islam).

5. Kur të kenë kaluar Muajt e Shenjtë (i pari, i shtati, i njëmbëdhjeti dhe i dymbëdhjeti i kalendarit Islam), atëherë i vritni mushrikinët kudo që t’i gjeni, i zini ata, i rrethoni dhe jini të përgatitur për çdo lloj të papriture. Por në qoftë se ata pendohen dhe kryejnë rregullisht faljen e përcaktuar ditore, japin Zekatin, atëherë ua lini rrugën të lirë. Vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

6. Dhe në qoftë se ndonjë prej mushrikëve (idhujtarëve) kërkon mbrojtjen tënde, atëherë siguroi atij strehim, me qëllim që ai të dëgjojë Fjalën e Allahut (Kur’anin), dhe pastaj përcilleni në vend të sigurt, sepse ata janë njerëz që nuk dinë.

7. Si mund të ketë marrëveshje tek Allahu dhe i Dërguari i Tij për mushrikët, përveç atyre me të cilët keni lidhur marrëveshje pranë Mesxhidi Haramit (Xhamisë së Shenjtë, Kabës në Mekë)? Për sa kohë që ata të jenë besnikë ndaj jush, edhe ju u qëndroni besnikë atyre. Vërtet Allahu i do Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Vërtetë Islam).

8. Si (mund të kenë besë) ata të cilët nëse ju mundin, nuk përfillin ndaj jush lidhjet që patët me ta, as të farefisit dhe as të marrëveshjes së arritur mes jush? Me gojën e tyre ata ju bëjnë lajka, por zemrat e tyre janë kundërsh jush dhe shumica e tyre janë Fasikunë (të panënshtruar e të pabindur ndaj Allahut).

9. Ata i shkëmbyen Ajetet e Allahut për një vlerë fare të vogël dhe penguan shumë (njerëz) nga Rruga e Tij. Vërtet e poshtër është puna që ata gjithnjë bënë.

10. Në drejtim të besimtarit, ata nuk i respektojnë lidhjet, as të farefisit e as të marrëveshjes! Dhe janë ata që tejkalojnë të gjitha caqet.

11. Por në qoftë se ata pendohen, kryejnë rregullisht faljen e përcaktuar ditore dhe japin Zekatin, atëherë i keni vëllezër në fe. Kësisoj Ne i shtjellojmë Ajetet në imtësi për njerëzit që kuptojnë.

12. Por në qoftë se ata i thyejnë betimet pas besës së dhënë dhe e sulmojnë fenë tuaj me tallje e shpifje, atëherë i luftoni të parët e mosbesimtarëve, pasi padyshim, betimet ata nuk i kanë hiç për gjë, që të mund të ndalen (nga veprat e tyre të liga).

13. A nuk do t’i luftoni ata njerëz të cilët kanë shkelur betimet e tyre dhe u munduan ta përzënë të Dërguarin, ndërkohë që ishin ata që ju sulmuan të parët? A i keni frikë ata? Allahu ka më shumë të drejtë që ju duhet t’i frikësoheni vetëm Atij, në qoftë se jeni besimtarë.

14. I luftoni ata, ndërsa Allahu do t’i ndëshkojë ata me duart tuaja dhe t’i poshtërojë, t’ju japë juve fitore mbi ta dhe të shërojë gjokset e popullit besimtar.

15. Dhe të largojë inatin e zemrave të tyre (të besimtarëve). Allahu ia pranon pendimin atij që do Ai dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

16. A mos menduat se do të mbeteni anash (pa u provuar), dhe pa u sqaruar tek Allahu ata që u përpjekën fort, që luftuan dhe që nuk zgjedhën Velixhah (ndihmues, këshillues, miq, udhëzues nga paganët e mosbesimtarët e t’ju japin atyre të fshehtat) tjetërkënd përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve? Dhe Allahu është në Dijeni të Plotë për gjithçka që ju veproni.

17. Nuk është për Mushrikët (politeistët, mohuesit, mosbesuesit e Njësisë së Allahut) të përkujdesen për Xhamitë e Allahut, duke qenë se vetë dëshmojnë për veten e tyre se janë mohues. Të tillëve u shkuan kot veprat e tyre dhe ata janë përgjithmonë në Zjarr.

18. Xhamitë e Allahut do të mirëmbahen vetëm nga ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që kryejnë rregullisht faljen e përcaktuar ditore, që japin Zekatin dhe që kanë frikë vetëm Allahun. Mu këta janë ata në udhëzim të vërtetë.

19. A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe mirëmbajtjen e Xhamisë së Shenjtë njësoj me vlerën e atyre që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit dhe që përpiqen fort e luftojnë në Çështjen e Allahut? Ata nuk janë të barabartë tek Allahu. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin Dhalim (politeist e keqbërës).

20. Ata që besuan, që migruan, që u përpoqën dhe që luftuan për Çështjen e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre, janë në shkallë tepër të lartë para Allahut. Ata janë të fituarit.

21. Zoti i tyre i përgëzon ata me Mëshirë prej Tij dhe se Ai është i kënaqur (me ta) si dhe sihariqin e Kopshteve të Begatë për ta, ku ka kënaqësi të pasosura.

22. Ata do të banojnë atje përherë. Vërtet që me Allahun është shpërblim i madh.

23. O ju që keni besuar! Mos i merrni për Eulija (mbrojtës e ndihmues) baballarët tuaj dhe vëllezërit tuaj, nëse ata parapëlqejnë mosbesimin mbi Besimin. Dhe kushdo prej jush që vepron kështu, atëherë ai është prej Dhalimunëve (keqbërësve, të gabuarve).

24. Thuaju (O Muhammed): “Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, të afërmit tuaj, pasuria që ju e keni fituar, tregtia që frikësoheni se do të dështojë dhe vendbanimet tuaja ku ju gjeni kënaqësi, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij, më të dashura se përpjekja dhe lufta për Çështjen e Allahut, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë Vendimin (dënimin) e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin Fasik (kryeneç, të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).”

25. Vërtet që Allahu tashmë ju ka dhënë juve fitore në shumë beteja dhe në Ditën e (luftës së) Hunejnit, kur ju u gëzuat me numrin e madh të radhëve tuaja, por ai nuk ju solli kurrfarë dobie dhe toka e paanë siç është, u ngushtua për ju, pastaj ju kthyet shpinën dhe ia mbathët.

26. Pastaj Allahu zbriti qetësinë dhe sigurinë tek i Dërguari (Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe mbi besimtarët, dërgoi edhe forca (melekë) që ju nuk i patë dhe i ndëshkoi mosbesimtarët. I tillë është shpërblimi i mosbesimtarëve.

27. Pastaj Allahu do të pranojë pendimin e atij që Ai do. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

28. O ju që keni besuar! Vërtetë që Mushrikët (politeistët, paganët, mohuesit e Njësisë së Allahut) janë nexhesunë (të ndyrë), andaj pas këtij viti, mos i lejoni t’i afrohen Xhamisë së Shenjtë (Kabës në Mekë). Edhe po të keni frikë urinë, Allahu do t’ju pasurojë ju nga Begatitë e Tij, nëse Ai do. Sigurisht Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

29. Luftoni kundër atyre të cilët nuk besojnë Allahun, as Ditën e Fundit, që nuk heqin dorë nga ajo që ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, kundër atyre nga popujt e Librave të Parë (jehudi e të krishterë) që nuk pranojnë fenë e së vërtetës (Islamin), derisa ata ta paguajnë Xhizjen (taksë e mbledhur nga popullsia jomuslimane e cila është nën pushtetin dhe mbrojtjen e shtetit musliman) me vullnet dhe përulje dhe ta ndjejnë veten të nënshtruar.

30. Dhe jehuditë thonë: “Uzejri është biri i Allahut,” dhe të krishterët thonë: “Mesihu është biri i Allahut.” Kjo është thënie prej gojës së tyre dhe veprojnë njësoj si mosbesimtarët e kohëve të mëparshme. Mallkimi i Allahut qoftë mbi ta! Si janë mbajtur me gënjeshtra larg së vërtetës!

31. Ata (jehuditë dhe të krishterët) morën rabinët dhe murgjit e tyre si perëndi të tyre në vend të Allahut (duke iu bindur atyre në gjërat që i bënë ata vetë të ligjshme ose të paligjshme sipas dëshirave të tyre pa u urdhëruar nga Allahu dhe në kundërshtim me Ligjet e Allahut), (morën për Zot të tyre) edhe Mesihun, birin e Merjemes, ndërkohë që ata (jehuditë dhe të krishterët) qenë urdhëruar (në Teurat dhe Inxhil) të mos adhurojnë kënd tjetër por vetëm Një Ilah (një të adhuruar të vetëm - Allahun), La ilahe il-la Huve (Askush nuk meriton, nuk ka të drejtë e nuk duhet të adhurohet përveç Atij) Lavdi e Madhështi i qoftë Atij. (I Lartë është Ai) nga të pasurit shokë ato që ata ia mveshin Atij!

32. Ata (mosbesimtarët, jehuditë dhe të krishterët) duan ta shuajnë Dritën e Allahut (me të cilën është dërguar Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – Islamin) me gojën e tyre, por Allahu nuk do ta lejojë këtë, përkundrazi Drita e Tij do të përsoset, edhe pse Kafirët (mohuesit) e urrejnë (këtë).

33. Është Ai që ka sjellë të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me udhëzim dhe me fenë e së vërtetës (Islamin) për ta nxjerrë atë përmbi të gjitha fetë, edhe pse Mushrikët (politeistët, paganët, mohuesit e Njësisë së Allahut) e urrejnë (këtë).

34. O ju që keni bësuar! Vërtet një shumicë e parisë fetare të jehudive dhe të krishterëve, e glabërojnë pasurinë e njerëzve me mashtrime dhe i pengojnë ata nga Rruga e Allahut (nga Islami). Dhe atyre që grumbullojnë pasuri në ar e argjend (para, pasuri për të cilën nuk paguajnë Zekat) dhe nuk e shpenzojnë në Rrugën e Allahut, lajmëroi për një dënim të dhimbshëm.

35. Atë Ditë kur ai (Kanz: para, ar, argjend që nuk i është dhënë Zekati) do të nxehet fort në Zjarrin e Xhehenemit dhe me të do të damkoset balli i tyre, krahët e tyre dhe shpina e tyre (duke u thënë): “Ky është thesari të cilin ju e grumbulluat (dhe e varrosët) për veten tuaj. Tani shijoni (thesaret) që grumbulluat.”

36. Vërtet që numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj në vit, ashtu siç u urdhërua nga Allahu Ditën kur Ai krijoi qiejt dhe tokën; nga këta, katër janë të Shenjtë. Kjo është feja e drejtë dhe mos i bëni padrejtësi vetes suaj në ta dhe luftoni kundër Mushrikëve të bashkuar siç ju luftojnë edhe ata juve të bashkuar, por dijeni se Allahu është me Muttekunët (të përkushtuarit ndaj Allahut në Besimin e Pastër Islam).

37. Shtyerja e afatit (të Muajit të Shenjtë) është vërtet një shtim në mosbesim. Me këtë mosbesimtarët janë të humbur, sepse e bëjnë të ligjshëm një vit dhe e ndalojnë një vit tjetër me qëllim që të rregullojnë numrin e muajve të ndaluar nga Allahu dhe të bëjnë të ndaluarit të ligjshëm. Ligësia e veprave të tyre u është shtirur sikur të jenë të drejta. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin mosbesimtar.

38. O ju që keni besuar! Çështë me ju, pasi kur ju kërkohet të marshoni në Çështjen Allahut (Xhihad), ju nuk shkuleni nga vendi? A mos vallë jeni më të kënaqur me jetën e kësaj bote se sa me Jetën e Pastajme? Por vërtet e vogël është kënaqësia e jetës së kësaj bote e krahasuar me Jetën e Pastajme.

39. Nëse ju nuk marshoni përpara, Ai do t’ju ndëshkojë ju me një dënim të dhimbshëm dhe do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, dhe ju nuk mund t’i sillni aspak dëm Atij. Dhe Allahu është i Zoti për të bërë çdo gjë.

40. Në qoftë se ju nuk e ndihmoni atë (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), (është njëlloj) pasi është Allahu që vërtet e ndihmoi atë, kur e dëbuan mohuesit vet të dytin dhe kur ata (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe Ebu Bekri radijAllahu ‘anhu.) të dy ishin në shpellë dhe ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha shokut të tij (Ebu Bekrit radijAllahu ‘anhu.): “Mos u mërzit. Sigurisht që Allahu është me ne.” Pastaj Allahu dërgoi Sekinah (paqën dhe qetësinë) e Tij mbi të dhe i dha forcë atij (me melekë) të cilët ju nuk i patë, dhe e bëri fjalën e mosbesimtarëve më të poshtëruarën, ndërsa ishte Fjala e Allahut që është më e lartësuara dhe Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

41. Ecni përpara qoftë kur e keni të lehtë (jeni të shëndoshë, në moshë, të pasur, të armatosur) ose të rëndë (të sëmurë, të moshuar, të varfër, pa mjete) dhe përpiquni fort me pasurinë tuaj dhe me jeten tuaj në Çështjen e Allahut. Kjo është më e mira për ju, veç sikur ta dinit.

42. Sikur të ishte një fitim i afërt dhe udhëtim i lehtë, ata (hipokritët) do të vinin pas teje, por për ta ishte largësi e vështirë. Ata do të betohen në Allahun: “Sikur të kishim pasur mundësi, do të dilnim me ju.” Ata shkatërrojnë veten e tyre dhe Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.

43. Allahu të faltë (O Muhammed)! Përse u dhe leje atyre (të ngelin pa dalur në Xhihad), përderisa ata e treguan të vërtetën, u panë mjaft qartë prej teje dhe ti i njohe gënjeshtarët?

44. Ata që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, nuk duhet të të kërkonin leje për t’u çliruar nga detyrimi për të luftuar me pasurinë dhe jeten e tyre. Dhe Allahu është i Gjithëdituri për ata që janë Muttekinë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam).

45. Janë vetëm ata të cilët nuk besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit dhe ata, zemrat e të cilëve janë në dyshim, që të kërkojnë leje (që të çlirohen nga detyrimi i Xhihadit). Kështu ata lëkunden në dyshimet e tyre.

46. Sikur të kishin ndër mend që të dilnin për Xhihad, padyshim që do të kishin bërë ndonjë përgatitje për të, por Allahu nuk dëshironte nisjen e tyre, kështu që Ai i bëri të mbeten pas duke u thënë (atyre): “Rrini me ata që rrinë (fëmijët, gratë e pleqtë).”

47. Po të kishin dalë ata me ju, ata nuk do t’ju shtonin tjetër pos ngatërresë dhe shumë shpejt do të përçanin mesin tuaj, duke kërkuar t’ju turbullojnë; dhe ndër ju ka të tillë që i dëgjojnë ata. Allahu është i Gjithëditur për Dhalimunët (politeistët, keqbërësit).

48. Vërtët që edhe më parë ata menduan përçarjen tuaj dhe jua prishën punët tuaja, derisa erdhi e vërteta (fitorja) dhe u duk qartë Vendimi i Allahut edhe pse ata e urrenin atë.

49. Prej tyre është edhe ai që thotë: “Më lejo mua (të lirohem nga detyrimi i Xhihadit) dhe mos më gjyko.” Padyshim që ata kanë rënë në gjykim dhe vërtet Xhehenemi po i rrethon mosbesimtarët.

50. Po të të bjerë ty ndonjë e mirë (në luftë), kjo i pikëllon ata, por nëse të zë ndonjë fatkeqësi, ata thonë: “Ne i morëm masat tona që më parë,” dhe kthejnë shpinën duke qenë të gëzuar.

51. Thuaj: “Kurrë nuk do të na ndodhë gjë neve, përveçse çfarë Allahu ka përcaktuar për ne. Ai është Meula (Zot, Ndihmës e Mbrojtës) për ne.” Dhe tek Allahu le të mbështeten plotësisht besimtarët.

52. Thuaj: “A mos prisni për ne (gjë tjetër) përveç njërës prej dy më të mirave (rënien shehid ose fitoren)? Ndërsa ne për ju presim ose që Allahu t’ju mundojë me dënim prej Tij, ose nga duart tona. Prisni pra, se edhe ne po presim bashkë me ju.”

53. Thuaj: “Shpenzuat ju (për Çështjen e Allahut) me dëshirë a pa dëshirë, ajo nuk do t’ju pranohet juve. Vërtet që ju gjithnjë jeni njerëz Fasikun (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).”

54. Asgjë tjetër nuk pengon që t’u pranohet ndihmesa e tyre, përveç asaj se ata nuk besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe se nuk erdhën në falje (të Namazit) veçse me përtesë, edhe për atë se ndihmesën e tyre e japin krejt pa dëshirë.

55. Prandaj, mos të mahnitë pasuria e tyre dhe as fëmijët e tyre. Në të vërtetë Allahu do që t’i ndëshkojë ata me këto gjëra në jetën e kësaj bote dhe që t’ju dalë shpirti duke qenë mosbesimtarë.

56. Ata betohen në Allahun se vërtet janë me ju, por ata nuk janë prej jush (prej atyre që besojnë), por ata janë njerëz (hipokritë) që kanë frikë.

57. Po të gjenin ndonjë vend tjetër strehimi ose shpellë apo ndonjë vend të fshehtë, ata menjëherë do të shkonin aty me nxitim.

58. Dhe prej tyre ka disa që të fajësojnë ty në çështjen e (ndarjes së) sadakasë (bamirësisë). Në qoftë se ata marrin hise prej saj, janë të kënaqur, por nëse nuk u jepet gjë prej saj, kur ç’të shohësh! Janë bërë si të tërbuar!

59. Vetëm sikur të ishin kënaqur me atë që u dha Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe të thoshin: “Allahu është më se i Mjaftueshëm për ne! Allahu do të na dhurojë neve nga Begatitë e Tij dhe i Dërguari i Tij nga sadakatë (lëmosha)! Tek Allahu i kthejmë shpresat tona duke iu lutur Atij!”

60. Sadakatë (lëmosha, këtu me kuptimin Zekat) janë vetëm për Fukaratë (të varfër që nuk kërkojnë) dhe për Mesakinët (të vobegtit që lypin), për ata që janë punësuar për vjeljen e të ardhurave; dhe për të tërhequr zemrat e atyre që janë të prirur drejt Islamit, për të liruar robërit, për ata që janë në borxhe, për Çështjen e Allahut (Muxhahidinëve që luftojnë në Rrugë të Allahut), për rrugëtarin (e mbetur mes katër rrugëve ose endacakun): një detyrim i ngarkuar nga Allahu. Dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

61. Dhe mes tyre ka edhe prej atyre që e fyejnë Pejgamberin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe thonë: “Ai është gjithë (sy e) veshë (për të marrë vesh çdo gjë).” Thuaju: “Ai dëgjon çfarë është më e mirë për ju. Ai beson në Allahun; ai ka besim tek besimtarët dhe është mëshirë për ata nga mesi juaj të cilët besojnë.” Por ata që fyejnë të Dërguarin (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) do të kenë dënim të dhimbshëm.

62. Ata betohen për Allahun para jush (muslimanëve) me qëllim që t’ju kënaqin juve, por më e drejtë është që ata ta bëjnë të kënaqur Allahun dhe të Dërguarin e Tij (me adhurim e vepra të sinqerta) nëse vërtet janë besimtarë.

63. A nuk e dinë ata se kushdo që i kundërvihet dhe i shpall armiqësi Allahut (‘Azze ue Xhel.) dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), padyshim që për të do të jetë Zjarri i Xhehenemit për të jetuar. Ky është poshtërimi më i madh.

64. Hipokritët frikësohen se mos shpallet ndonjë Sure (kaptinë Kur’ani) për ta. Thuaju: “Vazhdoni të talleni! Por padyshim, Allahu do të ndriçojë gjithçka që ju keni frikë.”

65. Në qoftë se i pyet ata (përse tallen), atëherë shprehen hapur: “Ne vetëm po flasim kot dhe për shaka.” Thuaju: “A me Allahun (‘Azze ue Xhel.), me Ajetet e Tij (provat, shenjat, shpalljet) dhe me të Dërguarin e Tij po talleni?”

66. Mos kërkoni fare ndjesë; ju (hipokritë) keni mohuar pasi patët besuar e nëse Ne falim disa prej jush, Ne do të ndëshkojmë të tjerë nga mesi juaj, sepse ishin Muxhrimunë (mosbesues, politeistë, kriminelë).

67. Hipokritët dhe hipokritet janë prej njëri-tjetrit; ata u urdhërojnë njerëzve El-Munker (të keqen, mohim e politeizëm, gjithçka që ka ndaluar Islami) dhe i ndalojnë ata nga El-Ma’ruf (e drejta, besimi Islam dhe urdhërat e tij), pastaj i kyçin duart (duke mos dhënë Sadaka, Zekat e duke mos shpenzuar në Çështjen e Allahut). Ata e kanë harruar Allahun, kështu që edhe Ai i ka harruar ata. Me të vërtetë që hipokritët janë Fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

68. Hipokritëve dhe hipokriteve e edhe mosbesimtarëve, Allahu u ka premtuar Zjarrin e Xhehenemit; aty do të banojnë. Ai do t’ju mjaftojë. Allahu i ka mallkuar ata dhe për ta ka dënim të pandërprerë.

69. Si puna e atyre që ishin para jush, të cilët ishin më të fuqishëm se ju, kishin më shumë pasuri e fëmijë. Ata e shijuan pjesën e tyre (për një kohë); shijoni pra edhe ju pjesën tuaj (për një kohë) siç e shijuan ata para jush pjesën e tyre (për një kohë). Edhe ju u dhatë e u kënaqët në lojra e dëfrime njësoj siç u dhanë e u kënaqën edhe ata në lojra e dëfrime. Kështu janë ata, veprat e të cilëve janë të kota në këtë botë dhe në Botën e Përtejme. Të tillët janë ata të humburit.

70. A nuk ka arritur tek ata lajmi i atyre (popujve) para tyre? - Popullit të Nuhut, Aadit dhe Themudit, i popullit të Ibrahimit, banorëve të Medjenit dhe qytetet e përmbysur (vendbanimet që i thirri në fe Luti): këtyre u erdhën të Dërguarit e tyre me argumente të qarta. Kështu pra, nuk është Allahu i Cili u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë vetit padrejtësi.

71. Besimtarët dhe besimtaret janë Eulija (ndihmues, mbrojtës e miq) për njëri-tjetrin, ata u mishërojnë (njerëzve) El-Ma’ruf (Islamin dhe gjithë përmbajtjen e tij) dhe i ndalojnë (njerëzit) nga El-Munker (mosbesimi, dhe gjithçka tjetër që Islami ndalon), ata i kryejnë rregullisht e në mënyrë të përkryer faljet e përcaktuara ditore, japin Zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata mbi të cilët Allahu do të derdhë Mëshirën e Tij. Vërtet Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

72. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve Kopshte të Begatë të Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar ndër ta ngaherë dhe në villat mahnitëse në Kopshtet e Xhennetit të Adnit. Por lumturia më e madhe është Kënaqësia e Allahut. Ky është ai ngadhënjimi më i madh.

73. O Pejgamber! Lufto fort kundër mosbesimtarëve dhe hipokritëve dhe ji i ashpër kundër tyre. Vendbanimi i tyre është Xhehenemi - dhe vërtet më i keqi është ky fund.

74. Ata betohen në Allahun se nuk kanë thënë gjë (të keqe), por në të vërtetë ata thanë fjalën e mosbesimit, ata mohuan pasi pranuan Islamin, ata vendosën atë (përbetim që të vrisnin Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që nuk qenë në gjendje ta vinin në jetë dhe ata nuk mund të gjenin shkak tjetër për të vepruar kështu përveç asaj që Allahu dhe i Dërguari i Tij i pasuruan ata nga Begatitë e Tij. Në qoftë se ata më pas pendohen, kjo do të jetë më mirë për ta, por nëse kthejnë shpinën, Allahu do t’i ndëshkojë ata me dënim të dhimbshëm në jetën e kësaj bote dhe në Jetën e Pastajme. Dhe askush nuk është për ta Vali (mbrojtës, mbështetës) ose ndihmues në tokë.

75. Dhe prej atyre (hipokritëve) janë disa që bënë marrëveshje me Allahun (duke thënë): “Nëse Ai na dhuron neve Begatinë e Tij, me të vërtetë që ne do të jepnim Sadaka (lëmoshën e detyruar dhe lëmoshë vullnetare e bamirëse në Çështjen e Allahut) dhe padyshim që do të ishim prej të drejtëve.”

76. Pastaj kur Ai u dha atyre nga Begatitë e Tij, ata u bënë koprracë (si të ishin duarthatë dhe nuk pranuan të jepnin asnjë lloj Sadakaje) dhe kthyen shpinën pa dëshirë (për të dhënë gjë).

77. Kështu që Ai i ndëshkoi ata duke u futur hipokrizinë në zemër deri në Ditën në të cilën ata do të takojnë Atë, sepse ata e thyen atë (marrëveshjen me Allahun) të cilën vetë ia kishin premtuar Atij dhe për atë se ata gjithnjë thurnin gënjeshtra.

78. A nuk e dinë ata se Allahu i di mendimet më të fshehta të tyre dhe Nexhvin e tyre (këshillimet e fshehta), dhe se Allahu është i Gjithëdituri i Gajbeve (i gjithë të padukshmeve dhe i të panjohurave)?

79. Ata të cilët marrin nëpër gojë dhe tallen me besimtarë të atillë që japin Sadaka me vullnetin e tyre dhe (me) ata të cilët nuk munden që të gjejnë për të dhënë Sadaka përveçse çfarë kanë në dorë, Allahu do t’ua përplasë vetë atyre përqeshjen dhe për ta do të ketë dënim të dhimbshëm.

80. Edhe nëse ti kërkon falje për ta (hipokritët) ose nuk kërkon falje për ta; bile edhe sikur të kërkosh shtatëdhjetë herë faljen e tyre, (prapë) Allahu nuk do t’i falë ata, sepse ata nuk kanë besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin Fasik (kryeneç, të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

81. Ata (hipokritët) që ndenjën larg (pa shkuar në luftë) duke u kënaqur me qëndrimin e tyre pas të Dërguarit të Allahut, ata urryen të luftonin me pasurinë dhe jetën e tyre për Çështjen e Allahut dhe thanë: “Mos marshoni në vapë.” Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është akoma më i fortë në nxehtësi (se vapa e diellit).” Veç sikur të mund ta kuptonin!

82. Kështu që lëri të qeshin pak dhe do të qajnë shumë (në Botën Tjetër) si shpërblim për çfarë fituan (duke bërë mëkate, gjynahe).

83. Në qoftë se Allahu të kthen ty prap te ndonjë grup i tyre (hipokritëve) dhe ata të kërkojnë leje për të dalë (me ty në luftë), thuaju: “Kurrë më ju nuk do të dilni me mua dhe kurrë nuk do të luftoni armikun me mua. Ju pranuat të rrini të fjetur në rastin e parë, tash rrini pra, me ata që mbetën prapa.”

84. Dhe asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (Xhenazen) kurrë, e as mos qëndro pranë varrit të tij. Me të vërtetë që ata nuk besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe vdiqën duke qenë Fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

85. Dhe le të mos të t’i marrin mendtë pasuria e tyre dhe fëmijët e tyre. Në të vërtetë Allahu do që t’i ndëshkojë ata me këto gjëra në dynja dhe t’u ndahet shpirti që këtej duke qenë mosbesimtarë.

86. Dhe kur shpallet ndonjë Sure (pjesë Kur’ani) që i udhëzon ata të besojnë Allahun dhe të përpiqen e të luftojnë përherë me të Dërguarin e Tij, të pasurit prej tyre kërkojnë lejen tënde që t’i lirosh ata (nga detyrimi i Xhihadit) dhe thonë: “Na lër pas. Ne duam të jemi me ata që rrinë (në shtëpitë e tyre).”

87. Ata janë të kënaqur të jenë me ato (gratë) që rrinë në shtëpi. Zemrat e tyre janë të vulosura (nga çdo e mirë dhe udhëzim i drejtë), kështu që ata nuk kuptojnë (se çfarë po humbasin).

88. Por i Dërguari (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ata që besuan me të e që u përpoqën fort dhe luftuan me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre (në Çështjen e Allahut), të tillët janë ata për të cilët janë të mirat dhe mu këta janë ngadhënjyesit.

89. Allahu u ka përgatitur atyre Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë. Ky është ngadhënjimi madhështor.

90. Ndërsa ata nga beduinët që u shfajësuan dhe erdhën (tek ti, o Pejgamber) për të kërkuar leje për t’i përjashtuar nga beteja si dhe ata që gënjyen Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe qëndruan në shtëpi (pa kërkuar leje): ata që mohuan nga mesi i tyre do të kenë ndëshkim të dhimbshëm.

91. Nuk përbën faj aspak për ata që janë të dobët, ose të sëmurë, ose që nuk gjejnë asnjë burim për të shpenzuar (në Xhihad), në qoftë se ata janë të përkushtuar dhe të vërtetë (në detyrat) ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nuk ka vend për ankesë ndaj Muhsininëve (mirëpunuesve në Rrugë të Allahut). Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

92. As edhe për ata të cilët të erdhën ty për t’u dhënë kafshë për udhëtim dhe kur ti u the: “Nuk mund t’ju gjej kafshë ose mjete udhëtimi,” ata u kthyen prapë, ndërsa sytë e tyre u mbushën me lot keqardhje që ata nuk mund të gjenin asgjë për të dhënë (për Xhihad).

93. (Por) ka vend (për pakënaqësi) vetëm ndaj atyre të cilët janë të pasur e prapëseprapë kërkojnë leje (për t’u liruar nga Xhihadi). Ata janë të kënaqur të jenë me ato (gratë) që rrinë në shtëpi dhe Allahu ua vulosi zemrat e tyre nga çdo e mirë dhe udhëzim i drejtë, kështu që ata nuk kuptojnë (se çfarë po humbasin).

Pjesa 11

94. Ata (hipokritët) do t’ju paraqesin juve (muslimanëve) shfajësimet e tyre kur të ktheheni tek ata. Thuaju: “Mos paraqitni asnjë shfajësim, ne nuk do t’ju besojmë. Allahu tashmë na e ka bërë të njohur lajmin për ju. Allahu dhe i Dërguari i Tij do të vëzhgojnë veprat tuaja, pastaj në fund do të silleni përsëri tek i Gjithëdituri i Gajbit (të panjohurës) dhe i të njohurës dhe Ai do t’jua bëjë të njohur gjithçka që ju vazhdimisht vepruat.” (Tefsir At-Tabari).

95. Ata do të betohen para jush (muslimanëve) për Allahun, kur të ktheheni tek ata, (si shkak) që të mund të largoheni prej tyre. Kështu pra, largohuni prej tyre. Vërtet që ata janë Rixhsun (jo të pastër), dhe vendbanimi i tyre është Xhehenemi,- shpërblim për atë që ata vetë e fituan.

96. Ata (hipokritët) ju betohen juve me qëllim që të jeni të kënaqur me ta, por nëse jeni të kënaqur me ta, vërtet që Allahu nuk është aspak i kënaqur me njerëzit Fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

97. Beduinët janë më të këqijtë në mosbesim dhe hipokrizi dhe për më tepër në padije në lidhje me kufijtë (e Urdhërave dhe Ligjeve të Allahut) të cilët Allahu ia ka shpallur të Dërguarit të Tij. Dhe Allahu është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

98. Ka edhe prej atyre beduinëve që e shohin atë që shpenzojnë (për Çështjen e Allahut) si gjobë dhe presin me padurim fatkeqësi për ju. Mbi ta rënshin fatkeqësitë dhe ligësitë! Dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

99. Ka edhe prej atyre beduinëve që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe e shohin atë (pasuri) që e japin për Çështjen e Allahut si afrim tek Allahu dhe si shkak për të tërhequr lutjet e të Dërguarit. Padyshim që këto janë afrim për ta. Allahu do t’i fusë në Mëshirën e Tij. Me të vërtetë që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

100. Me ata të cilët të parët përqafuan Islamin nga Muhaxhirunët (besimtarët që u shpërngulën nga Meka në Medinë) dhe Ansarët (besimtarët e Medinës që i strehuan dhe i ndihmuan ata) si dhe ata që i ndoqën besnikërisht ata (në Besim), me këta Allahu është mjaft i kënaqur dhe ata janë më se të kënaqur me Të. Ai ka përgatitur për ta Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë. Ky është ngadhënjimi madhështor.

101. Edhe rreth jush ka beduinë që janë hipokritë, e edhe nga banorët e Medinës (ka disa të tillë). Ata e shtojnë dhe janë të vendosur në hipokrizi. Ti (Muhammed) nuk i njeh ata, (por) Ne i njohim ata. Ne do t’i ndëshkojmë ata dy herë dhe pas kësaj do të sillen përsëri në dënimi të madh.

102. Ka edhe të tjerë që i kanë njohur e pranuar gabimet e tyre, ata e kanë përzier një punë të mirë me një tjetër të ligë. Mbase Allahu do t’u kthehet atyre me falje. Me të vërtetë që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

103. Merr Sadaka (e Zekat) nga pasuria e tyre me qëllim që t’i pastrosh dhe t’i bësh të dëlirë me anë të saj, lut edhe Allahun për ta. Vërtet që lutjet tuaja janë burim sigurie për ta. Dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

104. A nuk e dinë ata se Allahu pranon pendimin nga robët e Tij dhe i merr Sadakatë (i pranon lëmoshat e dhëna për Hir të Tij) dhe se Vetëm Allahu është Ai i Cili fal dhe pranon pendimin, Mëshirëplotë?

105. Dhe thuaju: “Punoni! Allahu do t’i shohë punët tuaja, edhe i Dërguari i Tij, edhe besimtarët. Dhe ju do të silleni përsëri tek i Gjithëdituri i së fshehtës dhe i së hapurës, kur Ai do t’ju njohë ju me punët që keni bërë.”

106. Ndërsa të tjerët rrinë në pritje të Vendimit të Allahut, nëse Ai do t’i ndëshkojë ata apo do t’i falë. Dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

107. Sa për ata që ngritën xhami duke sjellë prishje dhe mosbesim, për të përçarë besimtarët dhe si pararojë për ata që luftuan kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) kohë më parë, ata vërtet që do të betohen se qëllimi i tyre ishte veçse për mirë, por Allahu dëshmon se ata janë padyshim gënjeshtarë.

108. Kurrë mos rri në të. Padyshim se xhamia, themelet e së cilës u vunë që nga dita e parë në përkushtim është më e vlefshme që ju të rrini në të (për falje). Në të ka burra që parapëlqejnë ta mbajnë veten të pastër e të dëlirë dhe Allahu i do ata që e mbajnë veten të pastër e të dëlirë.

109. A është atëherë më i mirë ai i cili vuri themelin e ndërtesës së tij tek përkushtimi ndaj Allahut dhe të Kënaqësisë së Tij të Vyer, apo ai i cili vuri themelin e ndërtesës së tij të paqëndrueshëm buzë greminës, saqë u thërrmua bashkë me të në Zjarrin e Xhehenemit? Dha Allahu nuk i udhëzon njerëzit Dhalimunë (politeistë, keqbërës).

110. Ndërtesa që ngritën ata, nuk do të pushojë kurrë së qeni shkak i hipokrizisë dhe i dyshimit në zemrat e tyre, derisa zemrat e tyre të copëtohen (të vdesin). Dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

111. Me të vërtetë Allahu ka blerë nga besimtarët jetën e tyre dhe pasurinë e tyre me Çmimin se i tyre do të jetë Xhenneti. Ata luftojnë për Çështjen e Allahut, kështu që ata vrasin (mosbesimtarë) dhe vriten. Është një premtim i vërtetë të cilin Ai ia detyroi Vetes në Teurat, Inxhil dhe në Kur’an. E kush është më i vërtetë në besën e tij se sa Allahu? Atëherë gëzohuni në marrëveshjen që keni përfunduar. Ky është ngadhënjimi madhështor.

112. (Besimtarët të cilëve Allahu u ka blerë jetën janë) ata që i kthehen Allahut me pendim (duke u larguar nga politeizmi, mosbesimi, hipokrizia etj), ata që e lusin Atë, ata që e lavdërojnë Atë, ata që agjërojnë, ata që përkulen (në falje), që bien në sexhde (me fytyrë përtokë në falje), ata që urdhërojnë El-Ma’ruf (Islamin dhe detyrimet e tij), ata që ndalojnë nga El-Munker (mosbesimi, dhe gjithçka që ka ndaluar Islami), ata që ndjekin kufijtë e përcaktuar nga Allahu (kryejnë urdhërimet e Allahut dhe largohen prej ndalimeve të Tij). Pra, përgëzoi besimtarët!

113. Nuk shkon për Pejgamberin dhe për ata që besojnë, të kërkojnë Faljen e Allahut për Mushrikinët (politeistët, idhujtarët, paganët, mohuesit e Njësisë së Allahut) edhe sikur ata të jenë më të afërmit, pasi u është bërë e qartë atyre se ata janë banorët e Zjarrit (sepse ata kanë vdekur duke qenë mosbesimtarë).

114. Edhe lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij ishte vetëm për shkak të premtimit që ai ia bëri atij (babait), por kur iu qartësua mirë atij se ai (babai i tij) ishte armik i Allahut, ai u largua prej tij. Vërtet Ibrahimi ishte El-Evveh (që i lutej Allahut me nënshtrim, e madhëronte Atë shumë) dhe shumë i duruar. (Tefsir Al-Kurtubi).

115. Allahu kurrë nuk do ta humbë atë popull pasi që ta ketë udhëzuar atë, derisa Ai t’u bëjë të qartë atyre se nga cilat gjëra ata duhet të largohen. Vërtet Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.

116. Me të vërtetë është Allahu! I Tij është mbisundimi i qiejve dhe i tokës. Ai jep jetë dhe sjell vdekje dhe përveç Allahut ju nuk keni as ndonjë Vali (ruajtës e mbrojtës), as ndonjë ndihmues.

117. Allahu ia fali Pejgamberit, Muhaxhirinëve (muslimanëve të shpërngulur nga Meka) dhe Ansarëve (muslimanëve strehues në Medinë) të cilët e morën mbrapa atë (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në çastet e vështira (në kohën e ekspeditës së Tebukut), pas asaj që zemrat e një pjese të tyre pothuaj ishin shmangur (nga Rruga e Drejtë), por Ai e pranoi pendimin e tyre. Padyshim që Ai është gjithë Mirësi ndaj tyre, Mëshirëplotë.

118. (Ai fali) edhe tre të lënë pas (të cilët nuk u bashkuan në ekspeditën e Tebukut), përderisa edhe toka me gjerësinë e saj u ngushtua për ta siç u ngushtua edhe vet vetja e tyre dhe e kuptuan se nuk ka ikje prej Allahut, se nuk ka mbështetje veçse tek Ai. Pastaj Ai e pranoi pendimin e tyre, që ata të mund t’i ktheheshin Atij me pendim. Dhe vërtet Allahu është Ai i Cili pranon pendimin e robëve të Vet, Mëshirëplotë.

119. O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe jini me ata që janë të vërtetë (në fjalë e në vepra).

120. Nuk i shkonte popullit të Medinës, e as beduinëve fqinjë me të, që të mbeteshin prapa të Dërguarit të Allahut (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem në luftë për Çështjen e Allahut) dhe të parapëlqenin jetën e tyre para jetës së tij. Kjo ngaqë ata nuk vuajnë nga etja, nga lodhja apo nga uria në Çështjen e Allahut, as nuk ndërmarrin ndonjë hap për të shtuar dhimbjet e plagët e armikut, por veçse (gjithçka) u shkruhet atyre nga kjo (në mirësi e nderim të tyre) vepër drejtësie. Vërtet Allahu nuk e kursen shpërblimin për mirëpunuesit (në Rrugën e Allahut).

121. As nuk shpenzojnë gjë (për Çështjen e Allahut) - shumë ose pak - as nuk kalojnë luginë, pa iu shkruar në të mirë të tyre veprat të cilat ata i kryen, në formën më të përsosur.

122. Dhe nuk është (e përshtatshme) për besimtarët të dalin për luftë (Xhihad) të gjithë bashkë. Nga çdo grup i tyre, vetëm një pjesë duhet të marshojë, me qëllim që ata të cilët rrinë pas, të njihen me fenë (Islame) dhe që të mund t’i këshillojnë njerëzit e tyre kur të kthehen tek ata, dhe që të mund të jenë të vetëdijshëm (për të keqen).

123. O ju që keni besuar! Luftoni mobesimtarët që i keni afër jush dhe le të shijojnë ata ashpërsinë tuaj (dhe le të gjejnë tek ju ashpërsi). Dhe dijeni se Allahu është padyshim me Muttekinët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

124. Dhe sa herë zbret ndonjë Sure (pjesë Kur’ani), disa prej tyre (hipokritëve) thonë: “Cilit prej jush iu shtua besimi?” Sa për ata që besojnë, ajo e ka shtuar besimin e tyre dhe ndjejnë kënaqësi.

125. Por sa për ata, në zemrat e të cilëve ka sëmundje (me dyshim, mosbesim e hipokrizi), ajo do të shtojë dyshim e mosbesim në mosbesimin e tyre, mohim e dyshim (gjithnjë e më të thellë) dhe vdesin duke qenë mosbesimtarë.

126. A nuk e shohin ata se janë provuar një herë apo dy herë çdo vit (në forma të ndryshme fatkeqësish, sëmundje, uri etj)? Prapë ata nuk kthehen në pendim dhe nuk marrin mësim.

127. Dhe sa herë që zbret ndonjë Sure (pjesë Kur’ani), ata shikojnë njëri-tjetrin (e thonë mes veti): “A po ju sheh ndokush?” Pastaj ata largohen. Allahu ua ka larguar zemrat e tyre (nga drita), sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë.

128. Vërtet që ju ka ardhur juve një i Dërguar (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga vetë ju (të cilin ju e njihni fare mirë). Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim e vështirësi. Ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është i merakosur dhe i dëshiruar për ju (që të jeni të udhëzuar drejt dhe t’i pendoheni Allahut, me qëllim që të mund të fitoni Xhennetin e të shpëtoni prej Zjarrit të Xhehenemit) dhe për besimtarët ai është që ndjen shumë, mëshirues.

129. Por nëse ata kthejnë shpinën, atëherë thuaju (O Muhammed): “Allahu është më se i Mjaftueshëm për mua. La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Atij). Tek ai unë mbështetem plotësisht dhe Ai është Zot i Arshit Madhështor.”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free