KUR’AN-i
Shqip – Albanian

74 - El Muddethir



El Muddethir - I mbështjelluri

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O ti (Muhammed) i mbështjellur në rroba!

2. Ngrihu dhe këshillo!

3. Dhe madhëroje Zotin tënd!

4. Dhe rrobat e tua i pastro!

5. Dhe larg nga Er-Ruxhz (idhujt) qëndro!

6. Dhe mos jep (me qëllim) për të marrë më shumë!

7. Dhe për hir të Zotit tënd, duro!

8. Dhe kur të tingëllojë Suri (t’i fryhet për herë të dytë),

9. Vërtet që ajo Ditë do të jetë Ditë e Vështirë.

10. Për mosbesimtarët është jo e lehtë!

11. Më lër Vetëm Mua (të merrem) me atë që Unë e krijova atë të vetëm.

12. Dhe pastaj i dhurova atij pasuri të madhe.

13. Edhe fëmijë për t’i qëndruar pranë!

14. Dhe pastaj ia bëra jetën të qetë e të rehatshme!

15. E ai lakmon që Unë t’ia shtoj edhe më shumë.

16. Jo, kurrë! Vërtet që ai ka qenë kokëfortë dhe kundërshtues i Ajeteve Tona (i provave, treguesve, shpalljeve).

17. Unë do ta detyroj atë të përballojë ndëshkim të rreptë!

18. Vërtet që mendonte dhe thurte.

19. Qoftë i mallkuar, po si përceptonte?

20. Prapë qoftë i mallkuar, po si përceptonte?

21. Pastaj mendoi.

22. Pastaj u mvrenjt dhe u duk i inatosur;

23. Pastaj ktheu shpinën me mendjemadhësi.

24. Pastaj tha: “Kjo nuk është tjetër, veçse magji nga ato të vjetrat;

25. Kjo nuk është tjetër, veçse fjala e një njeriu!”

26. Unë do ta hedh atë në Zjarr të Xhehenemit.

27. Dhe çfarë do t’ju bëjë ju ta dini tamam se ç’është Zjarri i Xhehenemit?

28. Ai nuk kursen (asnjë mëkatar) dhe as nuk lë (gjë pa e djegur).

29. Duke ua djegur lëkurat!

30. Mbi të vigjëlojnë nëntëmbëdhjetë.

31. Dhe Ne s’kemi vënë tjetër veçse melekë roje të Zjarrit dhe Ne e kemi sjellë numrin e tyre të përcaktuar (19) vetëm si sprovë për mosbesimtarët,- me qëllim që ithtarët e Librave të Parë (jehudi e të krishterë) të arrijnë te një bindje (se ky Kur’an është e vërteta, pasi ky numër (19) është i shkruar në Teurat dhe Inxhil) dhe që besimtarët të shtojnë besimin - dhe që të mos lihet asnjë dyshim për ithtarët e Librave të Parë dhe për besimtarët, dhe që ata, në zemrat e të cilëve ka sëmundje (hipokrizi), dhe mosbesimtarët të mund të thonë: “Çfarë do të thotë Allahu me këtë shembull (të çuditshëm)?” Kësisoj Allahu humb atë që Ai do dhe udhëzon atë që Ai do. Dhe askush nuk mund t’i dijë ushtritë (grupimet) e Zotit tënd, veç Atij Vetë. Dhe ky (të përmendurit e Xhehenemit) nuk është gjë tjetër, veçse këshillim përkujtues për njerëzimin.

32. Vërtet jo vetëm kaq! (Betohem) për hënën!

33. Për natën kur tërhiqet!

34. Për agimin kur ndriçon!

35. S’ka dyshim se ai (Xhehenemi) është një nga fatkeqësitë më të mëdha.

36. Këshillë për njerëzimin,

37. Për çdonjërin prej jush që zgjedh të shkojë përpara (duke punuar drejtësi) ose të mbetet pas (duke bërë padrejtësi e gjynahe).

38. Secili njeri është peng (përgjegjës) i veprës së vet.

39. Përveç bashkëudhëtarëve të së Djathtës.

40. Atje ndër Kopshtet e Begatë do të pyesin njëri-tjetrin,

41. Për Muxhriminët (politeistët, kriminelët, mosbesimtarët),

42. (Dhe do t’u thonë atyre): “Ç’ju bëri juve të hyni në Xhehenem?”

43. Do të thonë: “Ne nuk kemi qenë prej atyre që falin namazin e tyre,

44. Dhe as nuk kemi qenë prej atyre që ushqenin El-Miskin (të varfrin),

45. Dhe kemi qenë që flisnim gënjeshtra (gjithë atë që e urrente Allahu) me llafazanët,

46. Dhe kemi qenë që përgënjeshtronim Ditën e Shpërblimit,

47. Derisa erdhi te ne ajo që është e sigurtë (vdekja).”

48. Kësisoj, asnjë ndërmjetësim i ndërmjetësuesve nuk do t’u sjellë atyre ndonjë dobi.

49. Ç’është pra me ta (mosbesimtarët) që ata i kthejnë shpinën këshillës?

50. Si të ishin gomarë të humbur (të egërsuar),

51. Duke ikur nga bisha (apo luani) që e ndjek!

52. Por jo! Në të vërtetë secili prej tyre dëshiron që t’i jepet Libër i posaçëm.

53. Por për më tepër! Ata nuk i frikësohen Jetës së Fundit (nga ndëshkimi i Allahut).

54. Por për më tepër! Vërtet që ky (Kur’ani) është këshillë përkujtuese,

55. E kushdo që të dojë, këshillohet me të!

56. Dhe ata nuk do të marrin këshillë veçse në dashtë Allahu; Ai është Një i Cili e meriton që njerëzit t’i frikësohen dhe t’i përmbushin Atij detyrimin duke mos marrë të adhuruar tjetër përveç a përkrah Atij, dhe Ai është Një i Cili fal shumë.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free