KUR’AN-i
Shqip – Albanian

80 - Abese



Abese - I vrenjturi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. (Pejgamberi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u vrenjt dhe ktheu shpinën,

2. Ngase atij i erdhi një i verbër (Abdullah bin Umm-Maktum, ndërkohë që i Dërguari i Allahut po u shpjegonte dhe po ftonte disa nga paria Kurejshite në Islam).

3. E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet (nga mëkatet).

4. Apo do të këshillohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi!

5. Sa për atë i cili është i kënaqur me vetveten (dhe e quan veten të vetëmjaftueshëm),

6. Me të merresh dhe i përkushtohesh!

7. Po t’i nuk ke përgjegjësi, pse ai nuk do të pastrohet (nga mosbesimi; ti je vetëm i Dërguar; detyra jote është të shpallësh Mesazhin e Allahut).

8. Por sa për atë i cili erdhi drejt e tek ti duke vrapuar,

9. Dhe ai është që i frikësohet (Allahut dhe Ndëshkimit të Tij),

10. Për të ti je i pavëmendshëm dhe i kushtohesh një tjetri?!

11. Jo, (mos bëj kështu)! Vërtetë që ai (Kur’ani) është këshillë.

12. Kështu që, kush të dojë, le t’i kushtojë atij vëmendje.

13. Është këshillë në Shkrime të mbajtura lart në nderim (në El-Leuh El-Mahfudh),

14. I lartësuar (në vendin më të lartë), i pastruar,

15. Në duar të shkruesve (melekëve shkrues).

16. Të nderuar e të bindur.

17. Qoftë mallkuar njeriu! Sa mosmirënjohës është ai!

18. Po prej çfarë gjëje e krijoi Ai atë?

19. Nga Nutfah (lëngu i ngjizur i krijuar nga bashkimi i farës së vezës mashkullore me atë femërore) Ai e krijoi dhe pastaj e formoi në përmasat e përshtatshme.

20. Pastaj Ai atij ia lehtëson Udhën.

21. Pastaj Ai e bën të vdesë atë dhe e fut në varrin e tij.

22. Pastaj kur të dëshirojë Ai do ta ringjallë atë (përsëri).

23. Jo, por (njeriu) nuk ka vepruar çfarë Ai e urdhëroi atë.

24. Atëherë, le të shohë njeriu tek ushqimi i tij:

25. Ne derdhim ujë të mjaftueshëm,

26. Dhe Ne e çajmë tokën në plasa,

27. Dhe Ne e bëjmë drithin (grurin) të rritet në të,

28. Dhe rrushin e tërfilin (bimët e gjelbra si ushqim për bagëtitë),

29. Dhe ullinjtë, dhe hurmat,

30. Dhe kopshtet me pemë të dendura,

31. Dhe fruta, dhe Ab-ba (barishte e kullotë),

32. Si furnizim dhe përfitim për ju dhe për bagëtitë tuaja.

33. Pastaj, kur të vijë As-Sakhah (fryrja e dytë e Surit në Ditën e Ringjalljes),

34. Atë Ditë njeriu do të ikë prej vëllait të vet,

35. Dhe prej nënës së tij, dhe babait të tij,

36. Dhe prej bashkëshortes së tij, dhe prej fëmijëve të tij.

37. Atë Ditë çdo njeri do të ketë mjaft për ta bërë atë të pakujdesshëm ndaj të tjerëve.

38. Atë Ditë do të ketë fytyra të shëndritura (besimtarët e vërtetë të Besimit të Pastër Islam në një Zot të Vetëm),

39. Duke qeshur, duke u gëzuar nga lajmi përgëzues (i Xhennetit).

40. Atë Ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura,

41. Zymtësi e errët do t’i mbulojë ata.

42. Të këtillë do të jenë El-Kafarah (mohuesit e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), El-Fexhereh (punuesit e së ligës, të poshtrit, të padrejtët).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free