KUR’AN-i
Shqip – Albanian

61 - Es Saff



Es Saff - Rreshtimi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë lavdëron Allahun. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

2. O ju që keni besuar! Pse e thoni atë që nuk e bëni?

3. Më e urryera është tek Allahu ajo që ju të thoni atë që nuk e bëni.

4. Padyshim që Allahu i do ata që luftojnë në Rrugën e Tij të rreshtuar si të ishin një ndërtim solid.

5. Dhe (kujto) kur Musai i tha popullit të tij: “O populli im! Pse më fyeni e më zemëroni, ndërsa e dini mjaft mirë se unë jam i Dërguari i Allahut tek ju?” Kështu kur ata u larguan (nga Rruga e Allahut), Allahu ua largoi zemrat e tyre (nga Rruga e Vërtetë). Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin Fasikun (të pabindur, të panënshtruar ndaj Allahut, që kalojnë çdo kufi në mosbesim).

6. Dhe (kujto) kur Isai, biri i Merjemes tha: “O Bijtë e Israilit! Unë jam i Dërguari i Allahut tek ju duke vërtetuar Teuratin që ka ardhur para meje dhe jam përgëzues i një të Dërguari që do të vijë pas meje, - emri i të cilit do të jetë Ahmed!” Por kur ai (Ahmedi, d.m.th., Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) erdhi tek ata me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e qartë.”

7. Dhe kush bën padrejtësi më të madhe se sa ai i cili shpif gënjeshtër ndaj Allahut, ndërsa ai ftohet në Islam? E Allahu nuk e udhëzon popullin Dhalimun (politeist, mosbesimtar e keqbërës).

8. Ata duan ta shuajnë Dritën e Allahut (Islamin, Kur’anin, Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me gojët e tyre. Por Allahu do ta përmbushë Dritën e Tij edhe pse jobesimtarët e urrejnë (atë).

9. Ai është i Cili ka çuar të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me udhëzimin dhe fenë e së vërtetës (Islamin), për ta shpallur atë ngadhënjyese (e mbi të gjitha fetë e tjera), edhe pse Mushrikët (politeistët e çdo lloji) e urrejnë (atë).

10. O ju që keni besuar! A t’ju udhëzoj te një marrëveshje (tregti) e cila do t’ju shpëtojë ju nga një ndëshkim i dhimbshëm?

11. Të besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe të përpiqeni e të luftoni për Kauzën e Allahut me pasurinë tuaj dhe me jetën tuaj. Kjo do të ishte më e mira për ju, veç sikur ta dinit!

12. (Po të veproni kështu) Ai do t’ju falë juve gjynahet tuaja dhe do t’ju shtjerë ndër Kopshtet e Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj dhe në banesat e këndshme në Kopshtet e Adnit (e Përjetësisë së Xhennetit). Ky është me të vërtetë ai ngadhënjimi madhështor.

13. Edhe mirësi të tjera të cilat ju i doni (Ai do t’ua japë): Ndihmë nga Allahu (kundër armiqve tuaj) dhe fitore të afërt. Dhe përgëzoi besimtarët.

14. O ju që keni besuar! Jini ndihmues të (Çështjes së) Allahut siç u tha Isai, biri i Merjemes Havarijunëve (besimtarëve të tij të sinqertë): “Kush janë ndihmuesit e mi tek Allahu (për Kauzën e Tij)?” Havarijjunët i thanë: “Ne jemi ndihmuesit e Allahut!” Pastaj një palë nga Beni Israilët (Bijtë e Israilit) besuan dhe një palë mohoi e nuk besoi. Kësisoj Ne u dhamë fuqi atyre që besuan kundër armiqve të tyre dhe ata u bënë ngadhënjimtarët.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free