KUR’AN-i
Shqip – Albanian

38 - Sad



Sad

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Sad. Betohem për Kur’anin gjithë përkujtim.

2. Por ata që nuk besojnë janë në krenari të rreme dhe në kundërshti.

3. Sa shumë gjenerata para tyre Ne kemi asgjësuar! Dhe ata thirrën kur nuk kishte më aspak kohë për të shpëtuar!

4. Dhe ata (Arabët paganë) habiten që një këshillues (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u ka ardhur nga vetë mesi i tyre! Dhe mosbesimtarët thonë: “Ky është magjistar, gënjeshtar.

5. A i ka bërë ai (të gjithë) zotat në Një Zot?! Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!”

6. Dhe prijësit nga mesi i tyre silleshin (duke thënë): “Vazhdoni dhe qëndroni të palëkundur tek të adhuruarit tuaj (idhujt)! Vërtet që kjo është një gjë e kurdisur (kundër jush)!

7. Ne nuk kemi dëgjuar si kjo nga feja e kohëve të fundit (Krishterimi). Kjo nuk është tjetër veçse shpikje (e re)! (Tefsir Al-Kurtubi).

8. A është zbritur Përkujtuesi vetëm tek ai nga mesi ynë?” Por ata janë në dyshim për Përkujtuesin Tim (Kur’anin)! Jo! Por ata nuk e kanë shijuar Ndëshkimin Tim!

9. Apo mos kanë ata thesaret e Mëshirës së Zotit tënd, të Gjithëfuqishmit, Dhuruesit të Vërtetë?

10. Apo mos është se sundimi i qiejve dhe i tokës dhe i gjithë ç’gjindet ndërmjet tyre është i atyre? Nëse është kështu, le të ngjiten me mjetet (ose me litarët drejt qiejve)!

11. (Ngaqë mohuan Mesazhin e Allahut) ata do të jenë ushtri e shpartalluar sikur edhe hordhitë e mëdha të kohëve të vjetra.

12. Para tyre (pati shumë që) mohuan të Dërguarit, - populli i Nuhut, Aadi dhe Faraoni - njeriu i hurit (me të ndëshkonte popullin).

13. Edhe Themudi, edhe populli i Lutit, dhe Banorët e Pyllit (populli i Medjenit ku qe dërguar Shuajbi ‘alejhis–selam); - të tilla qenë hordhitë e mëdha.

14. Secila prej tyre veçse i përgënjeshtroi të Dërguarit, kështu që Ndëshkimi Im u përligj (qe i merituar dhe i pashmangshëm).

15. Edhe këta presin vetëm një Saihah (thirrja e madhe - fryrja e Surit nga meleku Israfil) e cila (kur të vijë) nuk do të ketë më pritje a mbarim (derisa të shuhet gjithçka e të mbetet vetëm Allahu i Vetëm, gjithë Madhështi, i Pakufi, gjithë Nderim në Lavdi).

16. Dhe thonë: “Zoti ynë! Na e shpejto neve El-Kittan (shënimet tona të veprave të mira dhe të këqia që të mund ta shohim atë) para Ditës së Llogarisë!”

17. Ji i duruar (O Muhammed) për çfarë thonë ata dhe kujto robin Tonë, Daudin të pajisur me fuqi. Vërtet që ai gjithnjë qe që drejtohej për të gjitha çështjet dhe me pendim (tek Allahu).

18. Me të vërtetë që Ne i bëmë malet të lartësojnë Lavditë Tona bashkë me të, gjithë pasditën (Ashi - nga mesdita deri në mbrëmje) dhe gjithë paraditën (Ishrak - nga lindja e diellit deri në mesditë).

19. (Po kështu) edhe zogjtë mblidheshin: të gjithë bashkë me të i ktheheshin Allahut dhe lartësonin Lavditë e Tij. (Tefsir Al-Kurtubi).

20. Ne e bëmë të fuqishme mbretërinë e tij dhe i dhamë atij El-Hikmeh (Pejgamberinë, dhuntinë e dijes së plotë mbi Fenë e Allahut) dhe gjykim të drejtë në fjalë e vendim.

21. Dhe a të ka arritur ty lajmi i ndërgjykuesve, kur ata kapërcyen murin në dhomën e tij të faljes (në Mihrab)?

22. Kur ata hynë tek Daudi, ai u trondit prej tyre, por ata i thanë: “Mos u frikëso! Ne jemi dy palë në kundërshtim dhe njëri i ka bërë padrejtësi tjetrit. Gjyko pra, mes nesh me vërtetësi dhe mos na bëj padrejtësi. Dhe na udhëzo në Rrugën e Drejtë.

23. Vërtet që ky vëllai im (i fesë) ka nëntëdhjetë e nëntë dhen, ndërsa unë kam vetëm një dele dhe më thotë: ‘Ma lër atë në dorë mua’, dhe më mundi me fjalë.”

24. (Daudi menjëherë, pa dëgjuar tjetrin) tha: “Ai të ka bërë ty padrejtësi duke kërkuar delen tënde për t’ia shtuar tufës së tij. Dhe me të vërtetë, shumë bashkëpjesëtarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit përveç atyre të cilët besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi. E sa pak janë ata!” Dhe Daudi e kuptoi që Ne e kishim vënë atë në provë dhe kërkoi Faljen e Zotit të tij duke rënë i përkulur (me fytyrë në tokë në sexhde) dhe iu kthye (Allahut) me pendim.

25. Kështu pra, Ne ia falëm atij atë dhe vërtet që për të është një afrim i madh drejt Nesh dhe një vend i mirë në kthimin e fundit (në Xhennetin e Lartë).

26. O Daud! Me të vërtetë që Ne të kemi vendosur ty si trashëgues në tokë, kështu që gjyko mes njerëzve me të vërtetën e drejtësinë dhe mos ndiq dëshirën tënde, pasi ajo do të të largojë nga Rruga e Allahut. Sigurisht se ata që enden të humbur larg Rrugës së Allahut, kanë ndëshkim të rreptë, për shkak se ata e harruan Ditën e Llogarisë.

27. Dhe Ne nuk i krijuam qiellin dhe tokën dhe gjithë ç’është ndërmjet tyre pa qëllim! Ky është gjykim i atyre që nuk besojnë! Pra, mjerë për ata që nuk besuan (në Islam) nga Zjarri!

28. A do t’i trajtojmë ata që besojnë (Allahun Një e të Vetëm, në Islam) dhe që punojnë mirësi e drejtësi si Mufsidunë (që i bashkojnë shokë Allahut dhe bëjnë krime) në tokë? Apo do t’i trajtojmë Ne Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) si Fuxhxharë (kriminelë, mohues të së drejtës e të vërtetës, të poshtër)? (Jo, kurrë!).

29. (Ky është) një Libër (Kur’an) gjithë bekime e mirësi, të cilin Ne ta kemi zbritur ty me qëllim që ata të mendojnë e të thellohen në Vargjet e tij dhe që njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë të mund të përkujtojnë.

30. Daudit Ne i dhuruam Sulejmanin. Sa rob i shkëlqyer! Vërtet që ai ishte që kthehej gjithnjë me pendim (drejt Nesh)!

31. Kur atij iu sollën përpara një pasdite kuaj të përgatitur mirë, të racës më të mirë (për Xhihad, në luftë për Çështjen e Allahut).

32. Tha: “Vërtet që desha të mirën (këta kuaj) në vend të përkujtimit të Zotit tim (të faljes së vaktit të pasditës)”, derisa kaloi koha dhe (dielli) ishte fshehur nën mbulesë (të natës).

33. (Pastaj tha): “M’i sillni ata prapë!” Pastaj filloi të kalonte dorën mbi këmbët dhe qafat e tyre (duke i lëmuar të gjithë deri në fund).

34. Dhe vërtet që Ne e sprovuam Sulejmanin dhe Ne e vendosëm në fronin e tij Xhesedun (një shejtan, kështu që ai e humbi përkohësisht mbretërimin gjatë kësaj sprove), por ai vërtet që iu kthye Allahut me nënshtrim e pendim (dhe u kthye te froni dhe mbretërimi i tij me Mirësinë dhe Përkujtimin e Allahut).

35. Ai tha: “Zoti im! Më fal mua dhe më dhuro mua mbretërim të atillë që të mos i shkojë (e të mos ketë) asnjë pas meje: Vërtet që Ti, Ti je Dhuruesi i Vërtetë i Begative pa kufi!”

36. Kështu Ne ia nënshtruam atij erën të fryjë lehtë nën urdhërin e tij në çdo drejtim që ai donte,

37. Edhe shejtanët nga xhindet (duke përfshirë) çdo lloj ndërtuesi dhe zhytësi,

38. Si edhe të tjerë të lidhur në pranga.

39. (I tha Allahu Sulejmanit): “Kjo është Dhurata Jonë, kështu që nëse ti shpenzon ose shtrëngohesh, asnjë llogari nuk do të të kërkohet.”

40. Dhe vërtet që për të është një afrim i madh drejt Nesh edhe një vend i mirë në kthimin e fundit (në Xhennetin e Lartë).

41. Dhe kujto robin Tonë, Ejubin, kur ai i thirri Zotit të tij: “Me të vërtetë që shejtani më ka prekur mua me mjerim (duke humbur shëndetin) dhe me ndëshkim (duke humbur pasurinë)!”

42. (Allahu iu përgjigj:) “Bjeri tokës me këmbë: Ky është burim uji për t’u larë, i freskët për t’u pirë.”

43. Dhe ia kthyem atij familjen e tij dhe dy herë më tepër nga ç’e pati si Mëshirë prej Nesh dhe Përkujtues për ata që janë të brumosur me mendje të shëndoshë.

44. (Allahu i tha): “Dhe merr në dorë një tufë bari të hollë dhe bjeri me të (bashkëshortes tënde), e mos e thyej betimin.” Me të vërtetë që Ne e gjetëm atë të durueshëm.

45. Dhe kujto robët Tanë: Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin, (të gjithë) me fuqi (në adhurim ndaj Nesh) dhe me kuptimin e thellë të fesë (me largpamësi).

46. Sigurisht që Ne i zgjodhëm ata (për një qëllim të lartë) duke u dhuruar mirësinë e mesazhit të përkujtimit të Shtëpisë (së Fundit të njerëzve).

47. Dhe ata janë tek Ne me të vërtetë nga të përzgjedhurit dhe nga më të mirët!

48. Dhe kujto Ismailin, Eljasan, Dhulkiflin, që të gjithë prej të zgjedhurve.

49. Ky është një Mesazh dhe padyshim që për Muttekunët (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam) është më i miri kthimi i fundit,

50. Kopshtet e Përhershme të Xhennetit të Adnit, dyert e të cilit do të jenë të hapura për ta.

51. Atje ata do të pushojnë; atje do të kërkojnë për fruta të shumtë dhe pije;

52. Dhe pranë tyre do të rrinë gra të dëlira që i ndalojnë shikimet e tyre (duke mos dëshiruar veç bashkëshortët e tyre), (bashkëshorte) të një moshe.

53. Kjo është çfarë ju është premtuar juve (të përkushtuarve) për Ditën e Llogarisë.

54. (Do t’u thuhet atyre): “Ky është Dhurimi e Furnizimi Ynë që nuk do të shterojë kurrë.”

55. Kjo është kështu! Dhe për Tagunët (mohuesit e Njësisë së Allahut, të pabindurit, keqbërësit),- është më i keqi kthim i fundit (Zjarri).

56. Xhehenemi! Ku do të digjen dhe vërtet, sa i keq ai vend për të mbetur!

57. Kjo kështu! Atëherë le ta shijojnë atë,- ujë të valuar dhe qelb të ndyrë nga plagët që kullojnë!

58. Edhe ndëshkime tjera të këtij lloji,- të gjitha bashkë!

59. “Kjo është një ushtri që hyn me ju (u thonë melekët të parëve)! Aspak mirëpritje për ta! Padyshim që ata do të digjen në Zjarr!

60. (Ata që u shkuan pas humbësve që i sollën në këtë humbje, do të thonë): “Edhe për ju, pra! Aspak mirëpritje për ju! Jeni ju (humbës) që na e sollët neve këtë (sepse ju na humbët në dynja). Sa i keq është ky vend për të qëndruar në të!”

61. Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Kushdo të jetë që na e solli neve këtë, shtoji atij ndëshkim të dyfishtë në Zjarr!”

62. Dhe do të thonë: “Si është puna me ne që nuk po shohim njerëz të cilët ne i quanim prej të këqijve?

63. A mos i kemi pasë marrë për t’u tallur me ta, apo nuk mund t’i kapë shikimi ynë?”

64. Padyshim që kjo është tamam e vërteta: kundërshtitë dhe kundërpaditë e ndërsjella të banorëve të Zjarrit!

65. Thuaj: “Unë jam vetëm këshillues dhe nuk ka asnjë të adhuruar tjetër të merituar veç Allahut, të Vetmit, të Papërballueshmit, më të Lartit,

66. Zotit të qiejve dhe të tokës dhe i gjithë ç’gjindet ndërmjet tyre, i Gjithëfuqishmi, gjithnjë Falësi i Madh.”

67. Thuaj: “Ai (Kur’ani) është një lajm i madh,

68. Të cilit ju i ktheni shpinën!

69. Unë nuk kam asnjë dije për eliten (melekët) atje lart, kur ata dyshonin e bënin fjalë (për krijimin e Ademit).

70. Vetëm kjo më është shpallur mua: që me të vërtetë unë jam këshillues i qartë.”

71. (përmend) Kur Zoti yt u tha melekëve: “Me të vërtetë që Unë do të krijoj njeriun nga balta.

72. Kështu pra, kur Unë t’i kem dhënë plotësisht formën atij dhe t’i kem fryrë shpirtin që Unë e kam krijuar për të, atëherë përkuljuni atij duke i rënë në sexhde (me nderim).”

73. Kështu melekët të gjithë i ranë në sexhde me nderim, të gjithë së bashku:

74. Vetëm Iblisi shfaqi kryelartësi dhe qe prej mohuesve.

75. (Allahu) Tha: “O Iblis! Ç’të ndaloi ty që t’i mos i biesh në sexhde atij të cilin Unë e krijova me Dy Duart e Mia? A je tepër i kryelartë (që t’i biesh Ademit në sexhde), apo je prej të lartëve?”

76. (Iblisi) tha: “Unë jam më i mirë se ky: Ti më krijove mua nga zjarri dhe këtë Ti e krijove nga balta.”

77. (Allahu) i tha: “Dil pra prej këndej, pasi me të vërtetë ti je i përzënë.

78. Dhe me të vërtetë mbi ty do të jetë Mallkimi Im deri Ditën e Shpërblimit.”

79. (Iblisi) tha: “Zoti im! Më jep pra mua afat deri Ditën kur të ringjallen (të vdekurit).”

80. (Allahu) Tha: “Sigurisht që të është dhënë afat,

81. Deri Ditën e kohës së përcaktuar.”

82. (Iblisi) tha: “Atëherë, me Fuqinë Tënde, padyshim që unë do t’i fus të gjithë në rrugë të shtrembër,

83. Përveç robëve të Tu të zgjedhur e të udhëzuar nga mesi i tyre (të nënshtruar ndaj Allahut, besimtarë të vërtetë e të vendosur në Fenë e Allahut, në Islam).”

84. (Allahu) Tha: “Pra, e Vërteta është dhe të Vërtetën Unë e them,

85. Se Unë me të vërtetë do ta mbush Xhehenemin me ty dhe me ata prej atyre (njerëzve) që do të vijnë pas teje, me ju të gjithë së bashku.”

86. Thuaj (O Muhammed): “Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj për të (për Kur’anin) dhe unë nuk jam nga Mutekel-lifunët (ata që shtiren dhe trillojnë gjëra të paqena).

87. Ai (Kur’ani) nuk është veçse Mesazh përkujtues për gjithë Alemin (për njerëzit, për xhindet dhe për gjithçka që ekziston).

88. Dhe sigurisht që ju do ta mësoni të vërtetën e tij shumë afër.”
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free