KUR’AN-i
Shqip – Albanian

28 - El Kasas



El Kasas - Rrëfimi i vërtetë

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ta, Sin, Mim.

2. Këto janë Vargjet e Librit të qartë.

3. Ne t’i lexojmë ty disa nga lajmet e Musait dhe Faraonit me vërtetësi për njerëzit që besojnë.

4. Vërtet që Faraoni e ngriti shumë lart veten në tokë dhe i ndau njerëzit në sekte duke e dobësuar (e shtypur) një grup prej tyre (Bijtë e Israilit) duke vrarë bijtë e tyre dhe duke i lënë gjallë gratë. Vërtet që ai qe prej Mufsidunëve (kriminel i madh, shtypës e tiran).

5. Dhe Ne deshëm t’u bëjmë mirësi atyre që ishin të dobët (e të shtypur) në tokë dhe t’i bënim ata prijës, dhe t’i bënim edhe trashëgues.

6. Dhe t’i vendosim ata në tokë dhe që Ne të bënim Faraonin dhe Hamanin dhe njerëzit e tyre të merrnin prej tyre atë që ata e kishin frikë.

7. Dhe Ne e frymëzuam nënën e Musait (duke i thënë): “Jepi gji atij, por kur të frikësohesh për të, atëherë hidhe në lumë dhe mos ki frikë e as mos u pikëllo. Sigurisht që Ne do ta sjellim atë përsëri tek ti dhe do ta bëjmë atë prej të Dërguarve.”(Tefsir Al-Kurtubi).

8. Pastaj atë e mori familja e Faraonit, që ai të bëhej për ta një armik dhe (shkak për) pikëllim. Vërtet që Faraoni dhe Hamani dhe pasuesit e tyre ishin mëkatarë.

9. Dhe gruaja e Faraonit tha: “Një qetësim për syrin tim dhe për ty. Mos e vrisni atë, mbase mund të jetë me dobi për ne, ose mund ta adaptojmë atë si tonin.” Dhe ata nuk e nuhasnin dot përfundimin e kësaj pune.

10. Dhe zemra e nënës së Musait mbet e zbrazët. Ajo qe gati ta zbulonte (çështjen se fëmija ishte i biri i saj), po të mos e kishim forcuar Ne zemrën e saj (me Besim), që ajo të mund të mbetej prej besimtarëve.

11. Ajo i tha motrës së tij (Musait): “Ndiqe atë.” Kështu ajo (e motra) e vështronte atë prej së largu fshehtas, ndërsa ata nuk e shihnin dot.

12. Dhe Ne atëherë i kishim ndaluar nënat e tjera qumështdhënëse për të, derisa erdhi (motra e tij) dhe tha: “A t’ju tregoj unë për një familje e cila do ta ushqejë e do ta rrisë atë për ju dhe që me të vërtetë do të kujdesen mjaft mirë për të?”

13. Kësisoj Ne e rikthyem atë te nëna e tij që asaj të mund t’i qetësoheshin sytë dhe që të mos pikëllohej si dhe që të mund ta merrte vesh se Premtimi i Allahut është i vërtetë. Por shumica e tyre nuk e dinë.

14. Dhe kur ai arriti pjekurinë e plotë dhe u përkrye (në burrëri), Ne i dhuruam atij Hukm-in (Pejgamberinë, urtësinë e gjykimit të drejtë të çështjeve) dhe dijen e fesë (të Besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm). Dhe kështu pra i shpërblejmë Ne Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut).

15. Dhe hyri në qytet, kur banorët e tij qenë të pavëmendshëm dhe gjeti atje dy burra që po ziheshin, njëri nga pala e tij (në fenë e besimin e tij nga Bijtë e Israilit), ndërsa tjetri nga armiqtë e tij. Njeriu (i palës së tij) i kërkoi atij ndihmë kundër armikut të tij, kështu që Musai e qëlloi atë me grusht dhe e mbyti atë. Ai (Musai) tha: “Kjo është punë nga të shejtanit, vërtet që ai është armik çorientues e humbës i qartë.”

16. Ai tha: “Zoti im! Vërtet që unë gabova, më fal pra.” Pastaj Ai e fali atë. Vërtet që Ai është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

17. Ai tha: “Zoti im! Për atë që Ti më ke nderuar mua, unë kurrë më nuk do të jem ndihmës për Muxhrimunët (mëkatarët, kriminelët, të pabindurit ndaj Allahut)!”

18. Kështu ai endej nëpër qytet i frikësuar (duke pritur se çfarë do të ishin pasojat e vrasjes që bëri), kur ç’të shohë! Njeriu që i kish kërkuar atij ndihmë një ditë më parë, i kërkoi ndihmë (prapë). Musai i tha atij: “Me të vërtetë që ti je humbës e ngatërrestar i qartë!”

19. Pastaj kur vendosi ta kapë personin që ishte armik i atyre të dyve, burri tha: “O Musa! A do të më vrasësh edhe mua siç mbyte një njeri dje? Qëllimi yt nuk është veçse të bëhesh tiran në tokë dhe nuk do të jesh prej atyre që bëjnë mirësi e drejtësi.”

20. Dhe aty vjen një njeri duke vrapuar nga skaji më i largët e qytetit. Ai tha: “O Musa! E vërtetë se krerët janë mbledhur të këshillohen së bashku për ty, për të të vrarë ty, kështu që largohu (të shpëtosh). Vërtet që jam për ty prej atyre që të japin këshillë të çiltër.”

21. Kështu që ai iku prej andej duke u endur i frikësuar. Ai tha: “O Zoti im! Më shpëto prej popullit Dhalimun (politeist e keqbërës)!”

22. Dhe kur eci drejt Medjenit tha: “Shpresoj se Zoti im të më udhëzojë në Rrugë të Drejtë.”

23. Dhe kur arriti tek uji i Medjenit, aty gjeti disa burra që po i jepnin ujë (bagëtive) dhe aty pranë pa dy gra të cilat po i ndalnin mbrapa (tufën e tyre). Ai u tha: “Si është puna me ju?” Ato i thanë: “Ne nuk mund t’u japim ujë (tufës sonë), derisa barinjtë të heqin (tufat e tyre). Dhe babai ynë është burrë tepër i thyer në moshë.”

24. Kështu ai u dha për ta ujë (tufës së tyre), pastaj u ktheu shpinën nën një hije dhe tha: “Zoti im! Sigurisht që unë kam nevojë për çfarëdo mirësie që Ti më dhuron!”

25. Pastaj shkoi tek ai njëra nga dy (gratë) duke ecur e turpëruar. Ajo tha: “Me të vërtetë që të kërkon babai im që të mund të të shpërblejë ty për atë që u dhe ujë për ne (tufës sonë).” Kështu kur shkoi tek ai dhe i tregoi ndodhinë, ai tha: “Mos u frikëso. Ti ke shpëtuar prej një populli Dhalimun (politeist, mosbesimtar, keqbërës).”

26. Dhe njëra prej atyre të dyjave tha: “O baba! Shpërbleje atë! Vërtet që (nga) njerëzit më të mirë për ty për t’i shpërblyer, është i forti, i besueshmi.”

27. Ai tha: “Në të vërtetë që unë dua ta lidh në martesë me ty njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua për tetë vjet, por nëse i mbush dhjetë, do të jetë (një mirësi) nga ti. Por nuk kam qëllim të të vë në vështirësi. Nëse do Allahu, ti do të më gjesh mua prej të drejtëve.”

28. Ai (Musai) tha: “Kjo (u vendos) mes meje dhe teje; cilindo nga dy afatet që unë përmbush, nuk përbën padrejtësi për mua dhe Allahu është i Besuari Dëshmues për çfarë po themi.”

29. Mbasi që Musai e kishte përmbushur afatin dhe po udhëtonte me familjen e vet, vërejti një zjarr nga ana e Turit (Malit Tur). I tha familjes së vet: “Pritni, kam vërejtur një zjarr; ndoshta do t’ju sjell që andej ndonjë lajm ose ndonjë urë të ndezur, që të mund të ngroheni.”

30. Kështu kur ai e arriti atë (zjarrin), u thirr nga ana e djathtë e luginës së bekuar nga pema: “O Musa! Sigurisht që jam Unë, Allahu, Zoti i Alemin-it (i gjithësisë, dhe i gjithçkaje që gjindet në të, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve)!

31. Dhe hidhe shkopin tënd!” Por kur ai e pa atë të lëvizë si të ishte gjarpër, ai iku me vrap dhe s’e ktheu kokën pas. (Iu tha): “O Musa! Afrohu dhe mos ki frikë. Padyshim që je prej të siguruarve.

32. Fute dorën në gji, do të dalë e bardhë pa ndonjë të metë dhe vëre dorën në ije që të çlirohesh nga frika (që provove nga gjarpri si dhe të të kthehet dora siç qe). Këto janë dy Burhane (shenja, argumente, mrekulli) nga Zoti yt për Faraonin dhe krerët e tij. Vërtetë që ata janë popull Fasikun (kryengritës, të panënshtruar ndaj Allahut).

33. Ai tha: “O Zoti im! Unë kam vrarë një njeri prej tyre dhe kam frikë se do të më vrasin.

34. Dhe vëllanë tim Harunin - ai është më i gojës dhe më i shprehur se sa unë; dërgoje pra edhe atë me mua si ndihmues për të më vërtetuar mua. Vërtet që kam frikë se do të më përgënjeshtrojnë.”

35. Allahu i tha: “Padyshim që do të ta forcojmë krahun me vëllanë tënd dhe me Ajetet Tona (provat, shenjat, treguesit), - do t’ju japim të dyve fuqi, që ata të mos jenë në gjendje t’ju dëmtojnë. Ju të dy dhe ata që do t’ju ndjekin pas, do të jeni të fituarit.”

36. Pastaj kur Musai shkoi tek ata me Ajetet Tona të Qarta (provat, shenjat, treguesit), ata thanë: “Kjo nuk është asgjë por magji e trilluar. Kurrë nuk kemi dëgjuar ne për këtë nga baballarët tanë të parë.”

37. Musai tha: “Zoti im e njeh më mirë atë që ka ardhur me udhëzim prej Tij dhe i kujt do të jetë fundi i gëzuar në Jetën e Fundit. Nuk ka dyshim se Dhalimunët (keqbërësit, politeistët, mosbesimtarët e Allahut) nuk do të jenë të fituar.”

38. Faraoni tha: “O pari! Unë nuk di se ju keni ndonjë ilah (zot) tjetër veç meje. Ndiz pra një zjarr o Haman, të pjekim tulla dhe më ngrit mua një Sarhan (kullë të lartë, pallat madhështor) që ta shoh Zotin e Musait; dhe në të vërtetë mendoj se ai është prej gënjeshtarëve.”

39. Kështu ai (Faraoni) dhe pasuesit, ishin kryeneçë e të pacipë në tokë me të padrejtë (duke kaluar çdo kufi), - dhe menduan se ata nuk do të ktheheshin tek Ne.

40. Kësisoj Ne e mbërthyem atë dhe ushtritë e tij dhe Ne i hodhëm ata të gjithë në det. Shih pra, cili qe fundi i Dhalimunëve (i keqbërësve, mosbesimtarëve).

41. Dhe Ne i bëmë ata prijës drejt Zjarrit dhe Ditën e Ringjalljes ata nuk do të ndihmohen aspak.

42. Dhe Ne bëmë t’i ndjekë ata mallkimi në këtë botë dhe në Ditën e Kijametit ata do të jenë nga El-Makbuhunët (të përjashtuar për të përfituar Mëshirën e Allahut ose ndonjë mirësi tjetër, por të nënçmuar, të neveritur, të shkatërruar).

43. Dhe me të vërtetë që Ne i dhamë Musait, pasi i shkatërruam brezat e parë, Librin e Parë (Teuratin) si ndriçim për njerëzimin, udhëzues dhe mëshirë përkujtimi, që ata të mund të përkujtonin.

44. Dhe ti (O Muhammed) nuk ishe në anën perëndimore (të Malit Sina), kur Ne ia bëmë të qartë Musait urdhërin dhe nuk ishe prej të pranishëmve.

45. Por Ne krijuam breza (pas Musait ‘alejhis–selam) dhe të gjata qenë epokat që kaluan mbi ta. Dhe ti (Muhammed) nuk ishe banor mes popullit të Medjenit t’ju lexoje atyre Vargjet Tona. Por jemi Ne të Cilët vazhduam të dërgojmë (të Dërguar nga Ne).

46. Dhe ti (Muhammed) nuk ishe në anë të (Malit të) Turit, kur Ne thirrëm (kur Allahu i thirri Musait ose thuhet edhe për ndjekësit e Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem se Allahu u thirri atyre dhe ata iu përgjigjën Thirrjes së Tij). Por (ti je dërguar) si mëshirë përkujtuese nga Zoti yt për t’i dhënë këshillë një populli të cilit para teje nuk i kishte ardhur ndonjë këshillues, me qëllim që ata të mund të përkujtojnë. (Tefsir At-Tabari).

47. Dhe të mos thonë në rast se do t’i kapte ata ndonjë fatkeqësi, për atë që vet duart e veta i kryen: “Zoti ynë! Pse nuk na çove neve të Dërguar? Ne do të kishim ndjekur Ajetet e Tua (Shpalljet e Tua, Kur’anin) dhe do të kishim qenë prej besimtarëve.”

48. Por kur tek ata erdhi e vërteta (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem me Mesazhin e tij) prej Nesh, ata thonë: “Pse nuk i jepet atij (një gjë) e ngjashme siç iu dha Musait?” A nuk e mohuan ata edhe atë që iu dha Musait më parë? Ata thonë: “Dy lloj magjish (Teurati dhe Kur’ani) secili duke ndihmuar njëri-tjetrin!” Dhe thonë: “Me të vërtetë që Ne jemi mosbesimtarë për të dy.”

49. Thuaju: “Atëherë sillni pra një Libër nga Allahu i cili do të jetë udhëzues më i mirë se këta të dy (Teurati dhe Kur’ani), që unë të mund të ndjek atë nëse jeni të drejtë.”

50. Por nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e tyre. Dhe kush është më i gabuar se sa ai i cili ndjek dëshirat e veta pa udhëzim nga Allahu? Sigurisht që Allahu nuk e udhëzon popullin Dhalimun (politeist, mosbesimtar, keqbërës e të pabindur ndaj Allahut).

51. Dhe tashmë Ne ua sollëm atyre Fjalën (Kur’anin në të cilin u njoftohet gjithçka) me qëllim që të përkujtojnë.

52. Atyre të cilëve Ne u dhamë Librat e Parë (Teuratin, Ingjilin) para tij,- ata besojnë në të (në Kur’an).

53. Dhe kur u këndohet atyre, ata thonë: “Ne besojmë në të. Vërtet që është e vërteta nga Zoti ynë. Vërtet që edhe para tij ne kemi qenë muslimanë (prej atyre që ia nënshtrojnë veten plotësisht Allahut në Islam).”

54. Këta do të shpërblehen dyfish më tepër, sepse ata janë të duruar, e largojnë të keqen me të mirën dhe shpenzojnë nga ato (të mira) të cilat Ne ua kemi dhuruar.

55. Dhe kur dëgjojnë Al-Laghv (biseda të kota, boshe, të rreme e të ndyra), ata largohen e thonë: “Ne kemi punët tona dhe ju tuajat. Paqja qoftë mbi ju. Ne nuk kërkojmë (rrugën për tek) injorantët.”

56. Në të vërtetë ti nuk udhëzon kë të duash ti, por Allahu udhëzon atë që Ai do. Dhe Ai i njeh më mirë ata që janë udhëzuar.

57. Dhe thonë: “Nëse ne ndjekim udhëzimin me ju, neve do të na rrëmbehej toka jonë.” A nuk kemi vendosur Ne për ta një vend të shenjtë të sigurt (Kabën dhe gjithë kufijtë e Mekës) në të cilin sillen frutat e të gjitha llojeve, - një furnizim nga Ne Vetë, por shumica e tyre nuk e dinë.

58. Dhe sa shumë vendbanime (popuj) kemi shkatërruar Ne, të cilët qenë mosmirënjohës për atë jetesë! Dhe ato janë vendbanimet e tyre të cilat nuk janë banuar më pas tyre, veçse fare pak. Dhe sigurisht që Ne kemi qenë Trashëguesit.

59. Dhe kurrë Zoti yt nuk do të shkatërrojë vendbanime derisa Ai të çojë në kryeqendrën e tyre një të Dërguar që t’u lexojë atyre Vargjet Tona. Dhe kurrë Ne nuk do t’i shkatërronim qytetet, veçse kur banorët atje të jenë Dhalimunë (politeistë, keqbërës, mosbesimtarë të Njësisë së Allahut).

60. Dhe çfarëdo që u është dhënë juve, është një kënaqësi e jetës së dynjasë dhe stoli e saj, ndërsa ajo (Jeta e Pastajme) e cila është me Allahun, është shumë më e mirë dhe do të mbetet përgjithmonë. A nuk kuptoni, pra?

61. A është ai të cilit Ne i kemi dhënë një premtim të shkëlqyer (Xhennetin), të cilin ai do ta gjejë të vërtetë, si ai të cilin Ne e kemi bërë të shijojë kënaqësitë e jetës së dynjasë, pastaj Ditën e Ringjalljes ai do të jetë mes atyre të cilët do të ngrihen (për t’u ndëshkuar në Xhehenem)?

62. Dhe (kujto) Ditën kur Ai (Allahu) do t’u thërrasë atyre e t’u thotë: “Ku janë shokët e Mi të barabartë me Mua të cilët i pohonit ju?”

63. Ata të cilëve do t’u vërtetohet Fjala (për t’u ndëshkuar), do të thonë: “Zoti ynë! Këta janë ata të cilët ne i gabuam dhe i humbëm. Ne i gabuam ata, siç ishim edhe vetë të gabuar. Ne shpallim pafajësinë tonë (prej tyre) para Teje. Nuk ishim ne ata të cilët ata (njerëzit) i adhuruan.”

64. Dhe do t’u thuhet atyre: “Thirrni (të ashtuquajturit prej jush) shokët e të barabartët (e Allahut),” dhe do t’u thërrasin atyre, por ata nuk do t’u përgjigjen atyre dhe ata do të shohin dënimin. (Atëherë do të dëshironin) veç sikur të ishin udhëzuar!

65. Dhe (kujto) Ditën kur (Allahu) i thërret ata e u thotë: “Ç’farë përgjigje u keni dhënë të Dërguarve?”

66. Pastaj njoftimi për një përgjigje të mirë do t’u mbulohet atyre atë Ditë dhe nuk do të jenë në gjendje të pyesin njëri-tjetrin.

67. Por sa për atë i cili u pendua (nga politeizmi, mosbesimi, mëkatet), që besoi (në Njësinë e Allahut dhe në të Dërguarin e Tij) dhe që punoi mirësi e drejtësi (në jetën e dynjasë), atëherë ai do të jetë prej atyre që janë të fituar.

68. Dhe Zoti yt krijon gjithçka që Ai do dhe zgjedh: asnjë zgjedhje nuk kanë ata (në ndonjë çështje). Lavdi i qoftë Allahut dhe i Lartësuar mbi gjithçka që ata i mveshin e i ngjisin si shokë e të barabartë (me Të)!

69. Dhe Zoti yt e di se ç’farë fshehin gjokset e tyre dhe ç’farë ata shprehin.

70. Dhe Ai është Allahu; La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Atij). Për të është gjithë lavdërimi dhe falënderimi në të parën (në këtë botë) dhe në të fundit (në Jetën e Pasosur). Dhe Atij i takon Vendimi dhe tek Ai do të ktheheni (ju të gjithë).

71. Thuaj: “Më thoni mua! Në qoftë se Allahu do ta bënte natën të pandërprerë deri në Ditën e Kijametit, cili është ai ilah (zot) përveç Allahut i cili mund t’ju sillte dritë? A nuk dëgjoni, pra?”

72. Thuaj: “Më thoni mua! Në qoftë se Allahu do ta bënte ditën të pandërprerë deri në Ditën e Kijametit, cili është ai ilah (zot) përveç Allahut i cili mund t’ju sille natë, që të pushonit gjatë saj? A nuk shikoni, pra?”

73. Dhe është prej Mëshirës së Tij, që Ai ka vendosur për ju natën dhe ditën, - që ju të mund të pushoni gjatë saj (natës) dhe që të mund të kërkoni Begatitë e Tij (ditën) si edhe që të mund të falënderoni.

74. Dhe (kujto) Ditën kur Ai (Allahu) do t’u thërrasë atyre, e t’u thotë: “Ku janë (të ashtuquajturit prej jush) shokët e Mi të barabartë me Mua, të cilët i pohonit ju?”

75. Dhe Ne do të nxjerrim prej çdo kombi dëshmitarë, dhe Ne do t’i themi atij: “Sillni argumentin tuaj!” Pastaj ata do ta mësojnë se e vëteta është vetëm me Allahun dhe trillimet të cilët ata i shpikën, do t’u zhduken prej tyre.

76. Vërtet që Karuni ishte nga populli i Musait, por ai u suall me kryeneçësi ndaj tyre. Dhe Ne i dhamë atij gjithë thesaret e begatitë, aq sa çelësat ishin një peshë e madhe për t’u mbajtur për një grup të madh burrash të fortë. Kur populli i tij i tha atij: “Mos u ngazëlle (me mosmirënjohje ndaj Mirësisë së Allahut). Vërtet që Allahu nuk i do ata që ngazëllehen.

77. Por kërko me atë (pasuri) që Allahu ta ka dhuruar, Banesën e Pastajme dhe mos e harro edhe pjesën e lejuar të kënaqësisë së kësaj bote, edhe bëj mirësi siç ka qenë Allahu i Mirë me ty dhe mos kërko rast për të bërë padrejtësi e djallëzi në tokë. Vërtet që Allahu nuk i do Mufsidunët (ata që bëjnë krime e padrejtësi, shtypësit, prishësit).”

78. Ai tha: “Kjo më është dhënë mua vetëm në saje të zgjuarësisë sime!” A nuk e dinte ai se Allahu ka shkatërruar para tij breza të tërë, njerëz më të fuqishëm se ai dhe me pasuri të mbledhur akoma më të madhe? Por Muxhrimunët (mosbesimtarët, mëkatarët, kriminelët) as që do të pyeten për mëkatet e tyre (sepse Allahu i njeh mirë ata dhe do të ndëshkohen pa llogari).

79. E ai (Karuni) doli para popullit të tij me kryelartësinë e tij. Thanë ata që kishin synim jetën e kësaj bote: “Ah, sikur edhe ne të kishim ashtu siç i është dhënë Karunit! Vërtet që ai ka në dorë një fat të madh.”

80. Por ata të cilëve u ishte dhuruar dija (e fesë) thanë: “Mjerë për ju! Shpërblimi i Allahut (në Jetën e Pastajme) është shumë më i mirë për ata të cilët besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi dhe këtë askush nuk do ta arrijë përveç atyre që janë të duruar (në ndjekjen e së vërtetës).”

81. Kësisoj Ne e bëmë që atë ta përpijë toka bashkë me vendbanimin e tij. Pastaj ai nuk pati asnjë grusht njerëzish ta ndihmonin atë përkundër Allahut, as nuk ishte prej atyre që mund të shpëtojnë vetveten.

82. Dhe ata që kishin dëshiruar për një pozitë të atillë si të atij një ditë më parë, filluan të thonë: “A nuk e dini se është Allahu Ai i Cili e shton Rizkun (furnizimin e mirësitë) ose e pakëson atë për kë Ai do nga robët e Tij? Po të mos kishte qenë Allahu i Mëshirshëm ndaj Nesh, Ai do ta kishte bërë tokën të na gëlltiste edhe ne të gjithëve! A nuk e dini ju se mosbesimtarët nuk do të jenë kurrë të fituar?!”

83. Atë Banesën e Jetës së Fundit (Xhennetin), Ne do ta paracaktojmë për ata të cilët nuk kundërshtojnë të vërtetën me krenari dhe shtypje në tokë dhe që nuk bëjnë as poshtërsi e krime. Dhe fundi i mirë është për Muttekunët (të përkushtuarit ndaj Allahut në Besimin e Pastër Islam).

84. Kushdo që sjell mirësi (Besim të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm, punë mirësie e drejtësi), ai do të ketë më të mirën prej saj dhe kushdo që sjell të keqen (mosbesim dhe gjithë punët e tjera të liga e të poshtra), atëherë ata që punuan të keqen, do të shpërblehen vetëm për çfarë punuan.

85. Sigurisht se Ai i Cili të ka dhënë ty (O Muhammed) Kur’anin, patjetër që do të të kthejë ty në Mead (vendin e kthimit në Mekë ose në Xhennet). Thuaj: “Zoti im është në Dijeni për atë që vjen në udhë të drejtuar dhe kush është ai i cili mbetet në gabim të qartë.”

86. Dhe ti nuk e prisje që Libri (Kur’ani) do të të zbritej ty, por ai është përkujtim mëshirues nga Zoti yt. Kështu pra, mos ji kurrë mbështetës i mosbesimtarëve.

87. Dhe mos të të largojnë ata ty nga Ajetet (shpalljet, fjalët) e Allahut pasi ato të janë zbritur ty dhe fto (në besimin) në Zotin tënd dhe mos ji prej Mushrikëve (të cilët i vënë shokë Allahut).

88. Dhe mos lut e mos adhuro ilah (zot e të adhuruar) tjetër bashkë me Allahun, La ilahe il-la Huve (nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Atij). Çdo gjë do të shuhet e do të shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij. Atij i takon Gjykimi e Vendimi dhe tek Ai ju të gjithë do të ktheheni.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free