KUR’AN-i
Shqip – Albanian

42 - Esh Shura



Esh Shura – Këshillimi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ha, Mim.

2. Ajn, Sin, Kaf.

3. Kësisoj Allahu, i Gjithëfuqishmi, më i Urti, të frymëzon ty (O Muhammed) ashtu si (Ai frymëzoi) ata përpara teje.

4. Të Tij janë gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë dhe Ai është më i Larti, më Madhështori.

5. Qiejt pothuaj mund të çahen që nga lart tyre (nga Madhështia e Tij). Dhe melekët lartësojnë Lavditë e Zotit të tyre dhe kërkojnë falje për ata në tokë. Dhe me të vërtetë që Allahu, Ai është gjithnjë Falësi i Madh, Mëshirëploti.

6. E sa për ata që marrin për Eulija (mbrojtës, ndihmues) të tjerë në vend të Tij - Allahu është Hafidh (Mbrojtës e Ruajtës) mbi ta, ndërsa ti (O Muhammed) nuk je Vekil (dorëzanë e rregullues i punëve të tyre) përmbi ta.

7. Dhe kështu pra, Ne të kemi frymëzuar ty (O Muhammed) një Kur’an në Arabisht, që të mund të këshillosh Nënën e Qyteteve (Mekën) dhe gjithë rrotull saj. Dhe këshillo për Ditën e Grumbullimit për të cilën nuk ka pikë dyshimi, kur një pjesë do të jenë në Kopshtet e Xhennetit (ata që besuan Allahun dhe ndoqën atë që solli i Dërguari sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem i Allahut) dhe një pjesë në Zjarrin flakërues të Xhehenemit (ata që nuk besuan Allahun dhe nuk ndoqën çfarë u solli i Dërguari sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem i Allahut).

8. Dhe po të kishte dashur Allahu, Ai mund t’i kishte bërë ata një popull të vetëm (të udhëzuar), por Ai fut kë do Ai në Mëshirën e Tij dhe për Dhalimunët (politeistët, keqbërësit) nuk do të ketë as mbrojtës, as ndihmues.

9. Apo kanë marrë Eulija (mbrojtës, ndihmues për t’i adhuruar) në vend të Tij? Por Allahu - Ai vetëm është Vali (Zot, Mbrojtës) dhe është Ai i Cili ngjall të vdekurit dhe Ai është i Zoti për të bërë gjithçka.

10. Dhe në çfarëdo që të ndryshoni (e të haheni), gjykimi për të është tek Allahu (Mbizotëruesi Gjykues). (Dhe thuaju atyre politeistëve o Muhammed): I Tillë është Allahu, Zoti im tek i Cili unë mbështetem (për të gjitha çështjet) dhe tek Ai unë drejtohem me pendim.

11. Filluesi (e Krijuesi) i qiejve dhe i tokës. Ai ka bërë për ju shoqet nga vetë ju dhe po kështu (ka bërë shoqe, çift) edhe për bagëtitë. Në këtë mënyrë Ai ju krijon ju. Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.

12. Të Tij janë çelësat e qiejve dhe të tokës. Ai shton Rizkun (furnizimin) për kë Ai do dhe e pakëson (atë për kë do Ai). Padyshim që Ai është i Gjithëdituri për çdo gjë.

13. Ai (Allahu) ka përcaktuar e urdhëruar për ju të njëjtën Fe (Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm) të cilën Ai e pat urdhëruar për Nuhun, dhe atë të cilën Ne ta kemi frymëzuar ty (O Muhammed), dhe atë të cilën Ne e urdhëruam për Ibrahimin, Musain dhe Isanë, duke thënë që ju të vendosni Fenë dhe të mos bëni ndarje në të (në degë e parti). I padurueshëm për Mushrikët (mosbesimtarët e Njësisë së Allahut të çfarëdo lloji qofshin) është ai (Besimi i Pastër Islam në Një Zot të Vetëm) tek i cili ti (O Muhammed) i fton ata. Allahu zgjedh për Veten e Tij atë që do Ai dhe udhëzon drejt Tij atë që i kthehet Atij me pendim e nënshtrim.

14. Dhe ata nuk u ndanë, veçse pasi u erdhi dija për shkak të zilisë egoiste ndërmjet tyre. Dhe po të mos kishte qenë për një Fjalë të thënë më parë nga Zoti yt për një afat të përcaktuar, çështja do të ishte vendosur ndërmjet tyre. Dhe vërtet ata që u bënë të trashëgojnë Shkrimet (Teuratin dhe Inxhilin) pas tyre (jehuditë dhe të krishterët) janë në një dyshim të thellë në lidhje me të (Fenë e Vërtetë të Allahut - Islamin ose Kur’anin).

15. Kështu pra, vetëm te kjo (Fe dhe te ky Kur’an) ftoj (njerëzit, o Muhammed) dhe Istekim (qëndro fort i paepur në Islamin e pastër) siç je urdhëruar dhe mos ndiq dëshirat e tyre, por thuaj: “Unë besoj në gjithë ç’ka zbritur Allahu nga Libri (Hyjnor, gjithë Librat e Shenjtë - Kur’ani dhe para tij Teurati, Inxhili, Fletët e Ibrahimit e çfarë Ai ka dërguar dhe ashtu siç i ka dërguar Ai) dhe jam urdhëruar të gjykoj drejt mes jush. Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Për ne punët tona dhe për ju punët tuaja. Nuk ka asnjë mosmarrëveshje (çështje për të sqaruar, sepse u bë e qartë e vërteta nga e pavërteta, udhëzimi nga humbja) mes nesh dhe jush. Allahu do të na mbledhë ne (të gjithë) dhe tek Ai është kthimi i fundit.

16. Dhe ata që kundërshtojnë në lidhje me Allahun pasi Ai u njoh e u pranua (Fesë së Tij iu përgjigjën njerëzit), pa asnjë vlerë është kundërshtimi i tyre para Zotit të tyre, mbi ta është zemërimi, për ta do të jetë ndëshkim i ashpër.

17. Allahu është Ai i Cili ka zbritur Librin (Kur’anin) me të vërtetën me vërtetësi dhe Peshojën (e punimit të drejtë). Dhe çfarë mund t’ua bëjë juve të njohur, se mbase Ora (Çasti i Fundit) është fare afër?

18. Ata që nuk e besojnë atë, kërkojnë ta shpejtojnë, ndërsa ata që besojnë, e kanë frikë atë dhe e dinë se ajo është tamam e vërteta. Po! Vërtet ata që kundërshtojnë për Orën (Momentin e Katastrofës së Përgjithshme), janë në gabim e humbje tepër të largët.

19. Allahu është shumë i Hirshëm dhe i Butë ndaj robëve të Vet. Ai i jep Rizk (furnizim, begati) atij që Ai do. Dhe Ai është Fuqiploti, i Gjithëmëshirshmi.

20. Kushdo që dëshiron (nga veprat e tij) shpërblimin e Jetës së Pastajme, Ne ia shtojmë atij në shpërblimin e tij dhe kushdo që dëshiron shpërblimin e kësaj bote (nga veprat e tij), Ne ia japim atij prej saj dhe nuk ka më për të asnjë pjesë në Jetën e Përtejme.

21. Apo kanë ata shokë e të barabartë me Allahun (zota të rremë të tyre) të cilët kanë themeluar e përcaktuar për ta ndonjë fe të cilën nuk e ka urdhëruar e përcaktuar Allahu? Dhe po të mos kishte qenë për një Fjalë Vendimtare (tashmë të kaluar), çështja do të gjykohej mes tyre. Dhe padyshim që për Dhalimunët (mohuesit, keqbërësit), për ta është dënimi i dhimbshëm.

22. Do t’i shohësh (Ditën e Ringjalljes) Dhalimunët (politeistët, keqbërësit) të tmerruar nga ajo çfarë kanë fituar dhe ai (Ndëshkimi i Allahut) padyshim që do të bjerë mbi ta, ndërsa ata që besojnë (në Njësinë e Allahut, në Islam) dhe punojnë mirësi e drejtësi (do të jenë) në lëndinat e lulëzuara të Kopshteve të Begatë (në Xhennet) duke pasur atje çfarë të duan nga Zoti i tyre. Mu kjo është Mirësia madhështore.

23. Kjo është Mirësia (Xhenneti) për të cilën Allahu përgëzon robët e Tij që besojnë (në Njësinë e Tij, në Islam) dhe që punojnë mirësi e drejtësi. Thuaju (O Muhammed): “Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj juve për këtë, përveç që të jeni të mirë me mua për afërsinë time me ju.” Dhe kushdo që fiton një vepër të drejtë mirësie, Ne do t’ia shtojmë atij të mirën për të. Vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, më i Pari të pranojë e të çmojë (veprat e mira dhe t’i vlerësojë e t’i shpërblejë për to ata që i janë nënshtruar Vullnetit të Tij).

24. Apo thonë: “Ai ka shpifur gënjeshtër kundër Allahut?” Po të deshte Allahu, Ai mund ta kishte vulosur zemrën tënde (kështu që do të harroje gjithë ç’dije nga Kur’ani). Dhe Allahu fshin e shuan gënjeshtrën dhe vendos të vërtetën (Islamin) me Fjalën e Tij (me Kur’anin). Vërtet që Ai është i Gjithëdituri për gjokset (çfarë fshehin njerëzit në ta).

25. Dhe Ai është i Cili pranon pendimin nga robët e Tij dhe fal të këqijat e gjynahet dhe Ai di mirë çfarë bëni ju.

26. Dhe Ai i përgjigjet (lutjes së) atyre që besojnë (vetëm tek Ai me Besimin Islam) dhe që punojnë mirësi e drejtësi dhe u shton atyre nga Mirësitë e Tij. E sa për mosbesimtarët, për ta do të jetë ndëshkim i ashpër.

27. Dhe po të ishte se Allahu do ta zgjeronte Rizkun (furnizimin, begatitë) për robët e Tij, ata padyshim që do të kalonin çdo kufi në tokë, por Ai zbret me masë siç do Ai. Vërtet që Ai është për robët e Tij në Dijeni të Plotë, Gjithëvëzhgues (për ato gjëra që u vlejnë atyre).

28. Dhe Ai është i Cili zbret shiun pasi ata kanë humbur çdo shpresë dhe e shpërndan gjithandej Përkujtimin e Tij. Dhe Ai është El-Vali (Zoti, Ndihmuesi, Mbajtësi, Mbrojtësi), Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.

29. Dhe nga Ajetet e Tij (provat, shenjat, dëshmitë) është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe i gjithfarë krijesave që lëvizin që Ai i ka shpërndarë në to (në qiej e në tokë). Dhe Ai është Gjithëzotëruesi përmbi ta për t’i grumbulluar (për t’i ringjallur Ditën e Ringjalljes pas vdekjes së tyre dhe pas shkatërrimit të trupave të tyre) kurdo që Ai të dojë.

30. Dhe çfarëdo fatkeqësie që ju bie, ajo është veçse çfarë vetë duart tuaja e kanë fituar. Dhe Ai është që fal shumë.

31. Dhe ju nuk mund t’i shpëtoni Allahut në tokë (nga Ndëshkimi i Tij) dhe përveç Allahut ju nuk keni as ndonjë Vali (ruajtës a mbrojtës), as ndonjë ndihmues tjetër.

32. Dhe ndër Treguesit e Tij janë edhe anijet në det si male.

33. Dhe nëse Ai do, Ai e ndalon erën, kështu që ato do të mbeteshin të palëvizshme në shpinë të tij (detit). Vërtet që këtu ka tregues për çdo njeri të duruar e falënderues.

34. Ose Ai mund t’i shkatërrojë (duke i fundosur) për shkak të asaj që njerëzit e tyre kanë fituar. Dhe Ai fal shumë.

35. Edhe ata që kundërshtojnë në lidhje me Ajetet Tona (treguesit, shenjat, vargjet) le ta dinë se nuk ka asnjë vend për ta për t’u fshehur (nga Ndëshkimi i Allahut). (Tefsir At-Tabari).

36. Kështu, gjithçka që ju është dhënë, s’është veçse një kënaqësi kalimtare për këtë jetë dynjaje, por ajo që është me Allahun (Xhenneti), është më e mirë dhe më e gjatë për ata që besojnë (Allahun Një në Fenë e Tij) dhe i vënë shpresat tek Zoti i tyre (për gjithçka).

37. Dhe ata që mënjanojnë gjynahet e mëdha dhe El-Fevahish (Zina - marrëdhënie të ulëta të paligjshme imorale) si dhe sa herë që zemërohen, ata falin.

38. Dhe ata që i përgjigjen Thirrjes së Zotit të tyre dhe e kryejnë faljen e namazit (Ikametus-Salat) dhe që konsulltohen mes veti për punë të përbashkëta, edhe ata që shpenzojnë nga ato (mirësi) që Ne u kemi dhuruar.

39. Edhe ata që kur u bëhet ndonjë padrejtësi shtypëse (nuk frikësohen), i kundërvihen dhe marrin hak.

40. Shpërblimi për një të keqe është një e keqe e barabartë me të, por kushdo që fal dhe bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet që Ai nuk i do Dhalimunët (zullumqarët, shtypësit, mosbesimtarët).

41. Dhe vërtet kushdo që hakmerret pasi i është bërë padrejtësi, për të tillët nuk ka rrugë (fajësimi) kundër tyre.

42. Rrugë (fajësimi) ka vetëm kundër atyre që shtypin njerëzit dhe ngrenë krye padrejtësisht duke kaluar çdo kufi në tokë; për këta do të ketë ndëshkim të dhimbshëm.

43. Dhe vërtet se kushdo që tregon durim dhe fal, kjo vërtet që do të ishte gjë e këshilluar nga Allahu.

44. Dhe këdo që Allahu e humb, për të nuk ka asnjë mbrojtës pas Tij. Dhe do t’i vështrosh Dhalimunët (politeistët, keqbërësit, shtypësit) kur ata të shohin ndëshkimin, do të thonë: “A ka ndonjë rrugë për t’u kthyer (në dynja)?”

45. Dhe do t’i shohësh ata të sjellë përballë tij (Xhehenemit) të mjeruar nga poshtërimi duke vështruar me shikime të fshehta. E ata që besuan do të thonë: “Vërtet që të humburit janë ata që humbin vetveten dhe familjet e tyre Ditën e Kijametit. (Po!) Vërtet që Dhalimunët (Kafirunët - mohuesit, mosbesimtarët, politeistët, keqbërësit) do të jenë në ndëshkim të vazhduar e të pasosur!” (Tefsir At-Tabari).

46. Dhe ata nuk do të kenë asnjë mbrojtës përveç Allahut që t’i ndihmojë. Dhe atë të cilin e humb Allahu, për të nuk ka asnjë rrugë.

47. Përgjigjuni Thirrjes së Zotit tuaj (pranoni Islamin, o ju njerëz dhe xhinde), para se të vijë nga Allahu një Ditë e cila nuk mund të mënjanohet. Ju nuk do të keni asnjë strehim atë Ditë dhe as nuk do të ketë për ju mohim (të krimeve e veprave të tjera të liga).

48. Por nëse ata ikin (nga Besimi i Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), Ne nuk të kemi dërguar ty si Hafidh (ruajtës) mbi ta. Detyra jote është të bësh të njohur (Mesazhin). Dhe nuk ka dyshim se kur Ne bëjmë që njeriu të shijojë Mëshirë prej Nesh, ai gëzohet prej saj, por kur ndonjë e keqe u bie atyre për shkak të veprave që vetë duart e tyre i kanë kryer më parë, atëherë me të vërtetë njeriu bëhet mosmirënjohës!

49. Allahut i përket mbisundimi i qiejve dhe i tokës. Ai krijon çfarë Ai do. Ai i dhuron (fëmijë) femra kujt do Ai dhe Ai i dhuron (fëmijë) meshkuj atij që do Ai.

50. Ose Ai i dhuron të dy: edhe meshkuj edhe femra dhe Ai bën që të mbetet shterpë këdo që Ai do. Vërtet që Ai është i Gjithëdituri dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.

51. Nuk i është dhënë ndonjë qenie njerëzore që Allahu t’i flasë atij përveç se (të jetë) me Frymëzim, ose nga pas Hixhabit (perde, pengesë), ose të sjellë të Dërguar që të shpallë me Lejen dhe Vullnetin e Tij çfarë Ai do. Vërtet që Ai është më i Larti, më i Urti Gjithëgjykues.

52. Dhe kështu Ne të kemi dërguar ty (O Muhammed) Ruhun (Frymëzim dhe Mëshirë) nga Urdhëri dhe Vullneti Ynë. Ti nuk e dije as ç’është Libri dhe as ç’është Imani (Besimi), por Ne e kemi bërë atë (këtë Kur’an) dritë, që Ne të udhëzojmë me anë të tij atë që Ne duam nga robët Tanë. Dhe padyshim që ti (O Muhammed) sigurisht që po udhëheq (njerëzimin) në Udhën e Drejtë (në Fenë e Allahut, në Islam).

53. Në Udhën e Allahut të Cilit i takon gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë. (Po!) Vërtet se tek Allahu më në fund do të shkojnë të gjitha çështjet (për gjykim).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free