KUR’AN-i
Shqip – Albanian

48 - El Fet’h



El Fet’h - Fitorja

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty (O Muhammed) fitore të qartë.

2. Që Allahu të të falë ty gjynahet tua të kaluara dhe të ardhshme, dhe të plotësojë Mirësitë e Tij mbi ty, dhe të të udhëzojë ty në Rrugën e Drejtë.

3. Edhe që Allahu të të japë ndihmë të madhe pa kufi.

4. Ai është i Cili zbriti Es-Sekineh (butësinë, gjakftohtësinë e qetësinë) në zemrat e besimtarëve, që atyre t’u shtohej besimi bashkë me Besimin që kishin. Dhe të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të tokës dhe Allahu është gjithnjë i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

5. Që Ai të shtjerë besimtarët dhe besimtaret në Kopshtet e Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë dhe për t’i larë ata nga gjynahet. Dhe ky është tek Allahu ngadhënjimi madhështor.

6. Dhe që të ndëshkojë (Munafikët) hipokritët dhe hipokritet dhe (Mushrikët) politeistët dhe politeistet të cilët kanë në mendje mendime të liga për Allahun; për ta është dënimi poshtërues, edhe zemërimi i Allahut është mbi ta, edhe i ka mallkuar, edhe ka përgatitur për ta Xhehenemin, - dhe vërtet i keq është ai përfundim.

7. Dhe të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të tokës dhe Allahu është gjithnjë i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

8. Vërtet që Ne të kemi dërguar ty (O Muhammed) edhe dëshmues, edhe përgëzues, edhe këshillues.

9. Me qëllim që ju (O njerëz!) të besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), që ju ta ndihmoni dhe ta nderoni atë dhe që ju të lartësoni lavditë (e Allahut) në mëngjes e pasdite.

10. Sigurisht se ata që të japin besën ty (O Muhammed), ata po ia japin besën Allahut. Dora e Allahut është mbi duart e tyre dhe kushdo që e thyen besën e tij, e thyen atë vetëm në dëm të vetes së tij, dhe kushdo që përmbush atë që i ka premtuar Allahut, Ai do t’i dhurojë atij shpërblim të madh.

11. Ata nga arabët e shkretëtirës të cilët mbetën mbrapa (nuk erdhën me ty, Muhammed), do të të thonë: “Na ngatërruan pasuria jonë dhe familjet tona. Kështu që kërko falje për ne.” Ata flasin me gjuhën e tyre atë që nuk është në zemrën e tyre. Thuaju: “Kush atëherë e ka atë fuqi që sado pak (të ndërhyjë) për ju tek Allahu, në qoftë se Ai ju përcakton juve dëm apo ju përcakton mirësi? Jo, por Allahu është gjithnjë në Dijeni të Plotë për çfarë ju punoni.

12. Dhe jo vetëm kaq, por menduat se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të ktheheshin kurrë te familjet e tyre dhe kjo (bindje) në zemrat tuaja u duket e mirë duke pasur mendim të keq dhe u bëtë njerëz të pavlefshëm të dhënë për shkatërrim.”

13. Dhe kushdo që nuk beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), atëherë sigurisht që Ne kemi përgatitur për mosbesimtarët Zjarr flakërues.

14. Dhe Allahut i takon mbisundimi i qiejve dhe i tokës, Ai fal kë do Ai dhe ndëshkon kë do Ai. Dhe Allahu është kurdoherë Falës i Madh, gjithnjë Mëshirëplotë.

15. Ata që mbetën prapa, do të thonë kur të nisesh për të marrë plaçkën e luftës: “Na lejo (edhe) ne të të vijmë pas.” Ata duan të ndryshojnë Fjalët e Allahut. Thuaju: “Ju nuk do të na vini neve nga pas. Kështu ka thënë Allahu që më parë.” Atëherë ata do të thonë: “Jo! Ju na keni zili.” Jo, por ata nuk kuptojnë, veçse fare pak.

16. Thuaju (O Muhammed) arabëve që mbetën prapa: “Ju do të thirreni të luftoni kundër një populli i cili është shumë i dhënë dhe i vrullshëm për luftë, atëherë ose ju do t’i luftoni ata, ose ata do të dorëzohen. Kështu, nëse bindeni, Allahu do t’u japë juve shpërblim të mirë, por nëse ktheni shpinën siç u kthyhet më parë, Ai do t’ju dënojë ju me ndëshkim të dhimbshëm.

17. Nuk ka fajësim ose gjynah (për të mos dalë në luftë) as për të verbërin, nuk ka fajësim ose gjynah as për të gjymtuarin, nuk ka fajësim ose gjynah as për të sëmurin. Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai do ta pranojë cilindo ndër Kopshtet e Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj; dhe kushdo që nuk bindet e largohet, Ai do ta dënojë me ndëshkim të dhimbshëm.

18. Sigurisht që Allahu ishte i kënaqur me besimtarët kur ata të dhanë besën ty (O Muhammed) nën pemë. Ai e dinte mirë se ç’farë kishte në zemrat e tyre, pra Ai zbriti Es-Sekineh (butësinë, gjakftohtësinë e qetësinë) mbi ta dhe Ai i shpërbleu ata me fitore të afërt.

19. Edhe me plaçkë të madhe që ata do të kapnin. Dhe Allahu është gjithnjë i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.

20. Allahu ju ka premtuar juve plaçkë të shumtë që do të kapni dhe e ka shpejtuar këtë për ju; dhe i ka ndaluar duart e njerëzve ndaj jush, që kjo të jetë një shenjë e mirë për besimtarët dhe që t’ju udhëzojë ju në Rrugën e Drejtë.

21. Dhe të tjera (fitore dhe mjaft plaçkë lufte Ai ua premton juve) të cilat nuk janë akoma nën fuqinë tuaj. Vërtet që Allahu e përfshinë atë dhe Allahu është gjithnjë i Zoti të bëjë çdo gjë.

22. Dhe nëse ata që mohojnë, luftojnë kundër jush, ata padyshim që do të kishin kthyer shpinën, pastaj nuk do të kishin gjetur as mbrojtës e as ndihmës.

23. Kjo pra ka qenë Rruga e Allahut me ata të cilët tashmë kanë kaluar më parë dhe nuk do të gjesh në Rrugën e Allahut ndonjë ndryshim.

24. Dhe Ai është i Cili përmbajti duart e tyre ndaj jush dhe duart tuaja ndaj tyre në mes të Mekës, pasi Ai ju kishte bërë ju fitues mbi ta. Dhe Allahu është gjithnjë Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju bëni.

25. Ata janë të cilët mohuan dhe ju ndaluan ju nga El-Mesxhid El-Haram (Xhamia e Shenjtë në Mekë) dhe penguan kurbanët tuaj të arrinin në vendin e tyre të therjes për kurban. Po të mos kishin qenë besimtarët dhe besimtaret, të cilët ju nuk i njihnit, që ju mund t’i vrisnit dhe mbi të cilët do të ishte bërë gjynah prej jush nga padija (Allahu do t’ju kishte bërë ju të hynit më parë, por Ai jua përmbajti dorën), me qëllim që Ai të shtjerë nën Mëshirën e Tij kë do Ai. Po të kishin qenë ata (besimtarë e mosbesimtarë) të ndarë, Ne padyshim që do t’i kishim ndëshkuar me një ndëshkim të dhimbshëm ata të cilët nuk besuan.

26. Kur ata që nuk besuan kishin futur në zemrat e tyre krenari e mendjemadhësi - krenari e mendjemadhësi të kohës së Xhahilisë (Injorancës, para Islamit), - atëherë Allahu zbriti Es-Sekinah (butësinë, qetësinë) mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi besimtarët dhe i bëri ata të vendosur te Fjala e Përkushtimit (La ilahe ilallah - Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Allahut). Dhe ata ishin tamam të emëruarit e saj dhe më të merituarit e saj. Dhe Allahu është gjithnjë i Gjithëdituri për gjithçka.

27. Padyshim që Allahu do ta përmbushë ëndrrën e vërtetë të cilën Ai ia shfaqi të Dërguarit të Tij tamam me vërtetësi. (Pejgamberi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem pa në ëndërr sikur ai kishte hyrë në Mekë me shokët e tij me kokë të rruar ose të qethur, veprime këto që bëhen kur vizitohet Kaba për Umre ose Haxh). Padyshim që ju do të hyni në El-Mesxhid El-Haram, në dashtë Allahu, të sigurt, disa me kokën të rruar e disa me flokë të shkurtuar pa pasur aspak frikë. Ai e dinte çfarë ju nuk dinit dhe Ai ju dhuroi përveç kësaj fitore të afërt.

28. Ai është i Cili ka çuar të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me udhëzim dhe Fenë e Vërtetë (Islamin), që Ai ta shpallë e ta bëjë atë përmbi të gjitha fetë. Dhe i Gjithëmjaftueshëm është Allahu si Dëshmues.

29. Muhammedi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është i Dërguari i Allahut dhe ata që janë me të janë të ashpër ndaj mohuesve (të Allahut) dhe të mëshirshëm ndërmjet veti. I sheh ata duke u përkulur (në Ruku) dhe duke rënë me fytyrë në tokë (në Sexhde), duke kërkuar Begati nga Allahu dhe Kënaqësinë e Tij. Shenja e tyre (e Besimit të tyre) është në fytyrat e tyre nga gjurmët e sexhdes (gjatë faljes). Ky është përshkrimi i tyre në Teurat, ndërsa shembulli i tyre në Inxhil përshkruhet si një farë (e mbjellë) e cila lëshon filizin, pastaj e forcon atë dhe ai pastaj qëndron vetë në trungun e vet duke i mahnitur mbjellësit, që Ai t’i tërbojë mosbesimtarët me anë të tyre. Allahu u ka premtuar atyre të cilët besojnë (në Njësinë e Allahut, në të Dërguarin e Tij, Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe e ndjekin Fenë e Allahut, Islamin deri në Ditën e Fundit) dhe punojnë mirësi e drejtësi (sipas këtij Besimi) falje dhe shpërblim tepër të madh (Kopshtet e Begatë të Xhennetit të Pafund).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free