KUR’AN-i
Shqip – Albanian

35 - El Fatir



El Fatir ose El Melaika - Filluesi i krijimit ose Melekët

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, i Vetmi Fillues (I Vetmi Krijues) i qiejve dhe i tokës i Cili i bëri melekët lajmëtarë me fletë - dy, tri a katër. Ai shton në Krijim çfarë Ai do. Vërtet që Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.

2. Çfarëdo nga përkujtimi (mirësia) që Allahu mund t’i dhurojë njerëzimit, askush nuk mund ta ndalë atë dhe çfarëdo që Ai mund të ndalojë, askush nuk mund ta dhurojë atë paskësaj. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

3. O njerëz! Përkujtoni Mirësitë e Allahut mbi ju! A ka krijues tjetër përveç Allahut i cili do t’ju furnizojë ju nga qielli dhe toka? La ilahe il-la Huve (Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Atij). Si atëherë po largoheni?

4. Dhe nëse ata të përgënjeshtrojnë ty (O Muhammed), kësisoj qenë mohuar edhe të Dërguarit para teje. Dhe tek Allahu kthehen të gjitha çështjet (për gjykim).

5. O njerëz! S’ka dyshim se Premtimi i Allahut është i vërtetë, kështu që mos lejoni që kjo jetë e tashme t’ju mashtrojë dhe mos e lini të parin e mashtruesve (Shejtanin) që t’ju gënjejë për Allahun.

6. Vërtet që Shejtani është armik për ju, kështu që merreni atë vërtet si armik. Ai veçse fton ndjekësit e vet që të mund të bëhen banorë të Zjarrit flakërues (bashkë me të).

7. Ata që mohojnë, këta do të kenë dënim të ashpër; dhe ata që besojnë (në Njësinë e Allahut, në Islam) dhe që punojnë drejtësi e mirësi, këta do të kenë falje dhe shpërblim të madh (Xhennetin).

8. A është ai pra, të cilit e keqja e veprave të veta i duket sikur është e mirë, saqë ai e quan atë të mirë (njësoj me atë që është i udhëzuar drejt)? Vërtet që Allahu humb atë që Ai do dhe udhëzon atë që Ai do, kështu që mos e shkatërro veten në pikëllim për ta. Vërtet që Allahu është i Gjithëditur për gjithçka që ata veprojnë!

9. Dhe është Allahu i Cili dërgon erërat, kësisoj ato ngrenë retë dhe Ne i drejtojmë ato në tokë të vdekur dhe e përtërijmë me të (me ujë) tokën pas vdekjes së saj. E tillë do të jetë Ringjallja.

10. Kushdo që dëshiron nderim, fuqi dhe lavdi, atëherë Allahut i takon gjithë nderimi, fuqia dhe lavdia. Tek Ai ngjiten të gjitha fjalët e dëlira, ndërsa punët e drejta e të mira e lartësojnë atë (fjalën e mirë), por ata që thurin të liga - këta do të kenë dënim të ashpër; dhe thurja e këtyre (ligësive) do të shuhet.

11. Dhe vërtet që Allahu ju krijoi ju nga dheu, pataj nga Nutfah (lëngu i ngjizur i krijuar nga bashkimi i farës së vezëve mashkullore me ato femërore), pastaj ju bëri palë. Dhe asnjë femër nuk ndjen barrë dhe nuk lind veçse me Gjithëdijen e Tij. (Po kështu) edhe asnjë të moshuari nuk i dhurohet gjatësi jete, as nuk i hiqet pjesë nga jeta e tij, veçse është në Libër (El-Leuh El-Mahfudh). Sigurisht që kjo për Allahun është e lehtë.

12. Edhe dy detet (dy llojet e ujërave) nuk janë njësoj: ky është i freskët, i ëmbël dhe i shijshëm për t’u pirë dhe ky (tjetri) është i kripur dhe i hidhur dhe nga të dy ju hani mish të freskët e të butë dhe që të mund të nxirrni që andej stoli për t’i bartur. Shihni edhe anijet që çajnë rrugën nëpër të me qëllim që ju të kërkoni kështu Begatitë e Tij dhe që të jeni falënderues e mirënjohës (ndaj Tij).

13. Ai ndërfut natën te dita (shkurtimi në orët e natës iu shtohet orëve të ditës) dhe Ai ndërfut ditën te nata (shkurtimi në orët e ditës iu shtohet orëve të natës) dhe Ai ka nënshtruar diellin dhe hënën secili duke ndjekur rrugën e vet për një afat të përcaktuar. I tillë është Allahu, Zoti juaj. I Tij është mbizotërimi. E ata të cilët ju i lutni e u thërrisni në vend të Tij, nuk kanë asnjë grimë fuqi (Kitmir - lëvozhgë e hollë që mbështjell farën e hurmës).

14. Nëse ju luteni dhe u thërrisni atyre, ata nuk e dëgjojnë thirrjen tuaj, por edhe sikur ta dëgjonin atë, ata nuk mund t’ju përgjigjen juve dhe Ditën e Llogarisë ata do të mohojnë adhurimin tuaj ndaj tyre. Dhe askush nuk mund të të njoftojë ty (O Muhammed) si Ai i Cili është i Mirënjohuri, i Gjithëdituri i çdo gjëje.

15. O njerëz! Ju keni nevojë për Allahun, ndërsa Allahu është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë), Zotëruesi i gjithë lavdërimeve.

16. Po të donte, Ai mund t’ju shkatërronte dhe të sillte krijim të ri.

17. Dhe për Allahun kjo nuk është e vështirë.

18. Dhe asnjë mbajtës i barrës nuk do të mbajë barrën e tjetërkujt, edhe nëse dikush i rënduar fort i thërret dikujt të mbajë peshën e tij, asgjë nuk do t’i hiqet atij, edhe sikur ai të jetë nga më të afërmit. Ti mund të këshillosh vetëm ata që i frikësohen Zotit të tyre pa e parë (Atë) dhe që plotësojnë faljen e detyruar (Ekamu Es-Salat). E ai që e pastron veten e tij, ai pra, pastrohet për të mirën e vetes së tij dhe tek Allahu është Kthimi.

19. Nuk janë njësoj të verbërit dhe ata që shikojnë.

20. As errësirat (mosbesimi) dhe drita (Besimi i Pastër Islam) nuk janë (njësoj).

21. As hija dhe ngrohtësia e diellit nuk janë (njësoj).

22. As të gjallët (besimtarët) dhe të vdekurit (mosbesimtarët) nuk janë njësoj. Sigurisht që Allahu bën të dëgjojë kë do Ai, ndërsa ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë ata që janë ndër varre.

23. Ti (Muhammed) je vetëm këshillues (detyra jote është të bësh të njohur ndër njerëz Mesazhin e Allahut, ndërsa udhëzimi është në Dorë të Allahut).

24. Vërtet që Ne të kemi dërguar ty me të vërtetën, përgëzues dhe këshillues dhe nuk ka pasur asnjë popull që të mos ketë shkuar mes tyre këshillues.

25. Dhe nëse ata të përgënjeshtrojnë ty, po kështu përgënjeshtruan edhe (popujt) para tyre. Të Dërguarit e tyre u shkuan atyre me shenja të qarta, edhe me Shkrimet, edhe me Librin Ndriçues.

26. Pastaj Unë i mbërtheva ata që mohuan, dhe si qe (sa i tmerrshëm qe) mohimi (Ndëshkimi) Im!

27. A nuk e sheh se Allahu zbret ujë nga qielli dhe Ne me anë të tij nxjerrim fruta me ngjyra të larmishme? Se edhe në male gjinden shtresa (shkëmbore) të bardha dhe të kuqe, të ngjyrimeve të ndryshme dhe (të tjera) tepër të zeza?

28. Edhe nga njerëzit, edhe nga Ed-Devab (gjithë krijesat që lëvizin), edhe nga bagëtitë, po kësisoj në larmi ngjyrash. Janë vetëm ata që kanë dije nga robët e Tij, që i frikësohen Allahut. Vërtet ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robët e Tij, janë dijetarët. Vërtet që Allahu është i Gjithëfuqishëm, gjithnjë Falës i Madh.

29. Padyshim se ata që këndojnë Librin e Allahut (Kur’anin), edhe që përmbushin faljen e detyruar (Ekamu es-Salat), edhe që shpenzojnë (në mirësi) nga ato që Ne u kemi dhuruar, fshehtas ose hapur, shpresojnë për një tregti me fitim (të sigurt), që kurrë nuk do të shuhet.

30. Që Ai të mund t’u paguajë atyre shpërblimin që u takon plotësisht edhe t’u japë edhe më nga Begatia e Përkujtimi i Tij. Vërtet që Ai është gjithnjë Falës i Madh, më i Pari të pranojë e të çmojë (veprat e mira dhe t’i vlerësojë e t’i shpërblejë për to).

31. Dhe gjithçka që Ne ta kemi frymëzuar ty (O Muhammed) nga Libri (Kur’ani) është padyshim e vërteta, duke pohuar e vërtetuar çfarë qe (shpallur) para tij. Vërtet që Allahu është padyshim i Gjithënjohur, Gjithëvëzhgues i robëve të Vet.

32. Pastaj Ne u dhamë për trashëgim Librin (Kur’anin) të atillëve nga robët Tanë të cilët Ne i zgjodhëm (pasuesit e Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Pastaj prej tyre janë disa që gabojnë vetveten e tyre, dhe (po) prej tyre janë disa të cilët ndjekin një rrugë të mesme, dhe (po) prej tyre disa që janë më të parët në mirësi me Vullnetin e Allahut. Ai (trashëgimi i Kur’anit), mu ai është në të vërtetë përkujtim e mirësi e madhe.

33. Ata do të hyjnë në Kopshtet e Begatisë së Përhershme ku do të stolisen me bylyzykë ari dhe perlash, ndërsa rrobat e tyre atje do të jenë prej mëndafshi.

34. Dhe do të thonë: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet i qofshin Allahut i Cili ka larguar prej nesh (gjithë) hidhërimet. Sigurisht që Zoti ynë është padyshim gjithnjë Falës i Madh, më i Pari të pranojë e të çmojë (veprat e mira dhe t’i vlerësojë e të shpërblejë për to).

35. I Cili nga Mirësia e Përkujtimi i Tij na ka strehuar ne në një shtëpi që do të rrojë pambarim; atje as mundim nuk do të na prekë, as lodhje nuk do të ndjejmë.”

36. Por ata që mohuan (Njësinë e Allahut, Islamin), për ta do të jetë Zjarri i Xhehenemit. Ai nuk do të ketë forcë të plotë mbytëse mbi ta sa që të vdesin, as nuk do të lehtësohet mbi ta ndëshkimi i tij. Kësisoj Ne e shpërblejmë çdo mosbesimtar!

37. Dhe atje ata do të bërtasin: “O Zoti ynë! Na nxirr të punojmë mirësi e drejtësi, jo (ato vepra të këqia) që punuam gjithnjë.” (Allahu do t’u përgjigjet): “A nuk ju dhamë Ne jetë mjaft të gjatë, sa që kushdo që donte të merrte këshillim, mund ta merrte atë? Edhe këshilluesi ju erdhi. Shijoni pra (të keqen e punëve tuaja)! Për Dhalimunët (mosbesimtarët dhe keqbërësit) nuk ka asnjë ndihmës.”

38. Sigurisht që Allahu është i Gjithëdituri i Gajbit (i fshehtësisë) të qiejve dhe të tokës. Sigurisht që Ai është i Gjithëdituri i asaj që është në gjokse.

39. Ai është i Cili ju bëri ju vazhdues breza pas brezash në tokë. Kësisoj, kushdo që mohon (Besimin e Pastër Islam), mbi të do të jetë mosbesimi i tij. Dhe mosbesimi i mosbesimtarëve nuk shton tjetër, veçse urrejtje tek Zoti i tyre. Dhe mosbesimi i mosbesimtarëve nuk shton, veçse humbje.

40. Thuaju (O Muhammed): “Më thoni, çfarë mendoni për (të ashtuquajturit) zotat - shokë të cilët ju i lutni në vend të Allahut, më tregoni çfarë kanë krijuar ata nga toka? Apo mos kanë ndonjë pjesë në qiej? Apo mos u kemi dhënë Ne atyre ndonjë Libër dhe ata veprojnë mbi dëshmitë e qarta prej tij? Jo! Përkundrazi, Dhalimunët (mosbesimtarët keqbërës) nuk i premtojnë gjë njëri-tjetrit veçse hamendje mashtruese.”

41. Sigurisht që Allahu shtrëngon qiejt dhe tokën që të mos shkëputen nga vendet e tyre dhe po të ishte se ata do të shkëputeshin nga vendet e tyre, nuk ka asnjë që të mund t’i mbante ata pas Tij. Vërtet që Ai është kurdoherë më Durimtari, vazhdimisht Falës i Madh.

42. Dhe ata u betuan në Allahun me betimin e tyre më të fortë se, në qoftë se do t’u vinte atyre këshillues, do të ishin më të udhëzuar se çdo popull (para tyre), por prapëseprapë, kur u erdhi këshillues (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), nuk iu shtoi asgjë atyre veç arrati (nga e vërteta).

43. (Ata morën arratinë nga e vërteta) nga kryeneqësia në tokë dhe përbetimi për të punuar ligësinë, por përbetimi i së keqes rrethon vetëm atë që e bën atë. Atëherë a mund të presin ata gjë tjetër veç Sunnetit (sjelljes e veprimit me ta) si me popujt e parë? Kësisoj pra, nuk do të gjesh asnjë ndryshim në Sunnetin (Veprimin, Rrugën) e Allahut dhe nuk do të gjesh as ndonjë shmangie në Sunnetin (Veprimin, Rrugën) e Allahut.

44. A nuk kanë udhëtuar ata në tokë që të shohin se cili qe fundi i atyre para tyre, ndërsa ata qenë akoma më të fuqishëm se këta? Dhe Allahu nuk është i tillë që Atij t’i shpëtojë ndonjë gjë në qiej ose në tokë; padyshim që Ai është kurdoherë i Gjithëdituri, Mbizotëruesi i Gjithëfuqishëm.

45. Dhe po të ishte se Allahu do t’i ndëshkonte njerëzit për atë që ata vetë fituan, Ai nuk do të linte në faqe të tokës as edhe një krijesë të gjallë; por Ai u jep atyre afat deri në një kohë të përcaktuar dhe kur u vjen çasti, atëherë padyshim që Allahu është kurdoherë Gjithëvëzhgues i robëve të Vet.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free