KUR’AN-i
Shqip – Albanian

82 - El Infitar



El Infitar - Plasja e madhe

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Kur qielli të plasë,

2. Kur yjet të kenë rënë dhe të jenë derdhur,

3. Dhe kur detet të shpërthehen (ose të thahen).

4. Dhe kur varret të kthehen përmbys (dhe të nxjerrin ç’kanë brenda),

5. (Atëherë) do të marrë vesh çdokush çfarë ai ka çuar përpara dhe (çfarë ai ka) lënë prapa.

6. O njeri! Çfarë të ka bërë ty të pakujdesshëm ndaj Zotit tënd, Dhuruesit më të Begatë?

7. I Cili të krijoi ty dhe të dha formë të përsosur (të ndërtoi në përpjestim të duhur) dhe të drejtoi.

8. Në atë formë që Ai deshi, ju renditi juve (pjesët e trupit).

9. Dhe jo! Por ju mohoni Shpërblimin (Shpërblimin për veprat e mira dhe ndëshkimin për veprat e këqija).

10. Por padyshim që mbi ju janë ruajtësit (melekët e caktuar me përgjegjësi për njerëzit) për t’ju vëzhguar ju.

11. Kiramen Katibin (të Nderuarit që shkruajnë veprat tuaja),

12. Ata dinë gjithçka që ju veproni.

13. Vërtet që El-Ebrar (besimtarët e vërtetë, të drejtë e të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm) do të jenë në Lumturi (në Xhennet).

14. Dhe vërtet që El-Fuxhxhar (të ligjtë, mëkatarët, mosbesimtarët, keqbërësit) do të jenë në Zjarrin flakërues (në Xhehenem),

15. Në të cilin do të hyjnë dhe do të shijojnë flakën djegëse të Ditës së Shpërblimit,

16. Dhe ata (Fuxhxhar) nuk do të mungojnë në të.

17. Dhe çfarë do të të bëjë ty të kuptosh se ç’është Dita e Shpërblimit?

18. Pastaj përsëri, çfarë do të të bëjë ty të kuptosh se ç’është Dita e Shpërblimit?

19. (Ajo do të jetë) Dita kur askush nuk do të ketë aspak fuqi për (t’i sjellë dobi) ndonjë tjetër dhe Vendimi atë Ditë do të jetë (plotësisht) i Allahut.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free