KUR’AN-i
Shqip – Albanian

65 - Et Talak



Et Talak - Shkurorëzimi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O ti Pejgamber! Kur t’i ndani gratë, i ndani ato në Iddahin tyre (në kohën e pastërtisë së tyre) dhe e llogaritni siç duhet Iddahin e tyre. Dhe kini frikë Allahun, Zotin tuaj dhe mos i nxirrni ato nga shtëpitë e bashkëshortëve të tyre, as ato (vetë) të mos largohen, përveç rastit kur janë fajtore për Zina (marrëdhënie të paligjshme imorale) të hapur. Dhe këta janë kufijtë e përcaktuar të Allahut dhe kushdo që i kalon kufijtë e përcaktuar të Allahut, atëherë me të vërtetë që ai e ka dëmtuar veten. Ti (që do të ndash bashkëshorten tënde) nuk e di, mbase mund të jetë që Allahu do të sjellë më pas një gjë të re të vijë (d.m.th. ta kthejë atë përsëri, nëse ka qenë hera e parë ose e dytë e divorcit).

2. Pastaj kur t’i afrohen ato mbarimit të afatit të tyre të përcaktuar, atëherë ose i merrni ato prapë me sjellje të mirë, ose ndahuni me to me sjellje të mirë dhe zgjidhni dëshmues dy njerëz të drejtë nga mesi juaj (i muslimanëve) dhe vendosni dëshminë për Allahun. Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe Ditës së Fundit. Dhe kushdo që ka frikë Allahun dhe përmbush detyrimin ndaj Tij, Ai do të sjellë rrugë për të për të dalë (nga çdo vështirësi).

3. Dhe Ai do t’i sjellë atij Rizk (furnizim e të mira) prej nga ai as nuk mund ta mendonte. Dhe kushdo që mbështetet e vë shpresat tek Allahu, atëherë Ai do t’i mjaftojë atij plotësisht. Padyshim që Allahu do t’ia përmbushë qëllimin atij. Sigurisht që Allahu ka vendosur masë për çdo gjë.

4. Dhe ato nga gratë tuaja që kanë kaluar moshën e të përmuajshmeve, për to El-Iddah (koha e përcaktuar e pritjes), në qoftë se ju dyshoni (për ciklin e tyre), është tre muaj, e kështu edhe për ato që ende nuk kanë cikël (janë akoma të papjekura), afati i tyre është po kështu tre muaj. Dhe për ato që janë me barrë (nëse ndahen ose vdes bashkëshorti), afati i tyre është derisa ato të lirohen nga barra dhe kushdo që ka frikë Allahun dhe plotëson detyrimin ndaj Tij, Ai do t’ia bëjë atij çështjen të lehtë.

5. Ky është Urdhërimi i Allahut të cilin Ai e ka zbritur tek ju dhe kushdo që ka frikë Allahun dhe përmbush detyrimin ndaj Tij, Ai do t’ia fshijë atij gjynahet dhe do t’ia shtojë atij shpërblimin.

6. Strehoni ato (gratë e ndara) aty ku banoni ju sipas mundësisë (pasurisë) suaj dhe mos u sillni ndaj tyre në atë mënyrë që t’i lëndoni e t’i detyroni të largohen. Dhe në qoftë se janë me barrë, atëherë shpenzoni për ta derisa ato të lirohen nga barra. Pastaj nëse ato u japin qumësht fëmijëve tuaj për ju, atëherë jepuni atyre shpërblimin e duhur dhe le të pranojë secili prej jush këshillën e tjetrit në drejtësi. Por nëse ju sillni vështirësi për njëri-tjetrin, atëherë çfarëdo grua tjetër mund t’i japë gji (fëmijës) për të (për llogari të babait të fëmijës).

7. I pasuri le të shpenzojë sipas pasurisë së tij dhe ai, burimet e të cilit janë të kufizuara, le të shpenzojë sipas asaj që atij i ka dhënë Allahu. Allahu nuk rëndon kënd përmbi atë që Ai i ka dhënë atij. Allahu do të sigurojë pas vështirësisë, lehtësi.

8. Dhe shumë nga qytetet ngritën krye kundër Zotit të tyre dhe të Dërguarve të Tij; dhe Ne i bëmë llogari të ashpër (dënim në këtë jetë) dhe Ne do ta dënojmë me ndëshkim të tmerrshëm (në Xhehenem në Jetën Tjetër).

9. Kështu ai (qytet) shijoi përfundimin e hidhur të mosbesimit të tij dhe pasojë e mosbesimit të tij qe humbja (shkatërrimi në këtë botë dhe ndëshkimi i përhershëm në Jetën e Pastajme).

10. Allahu ka përgatitur për ta ndëshkim të ashpër. Kini pra frikë Allahun dhe përmbushni detyrimin ndaj Tij, o njerëz të brumosur me mendje të shëndoshë që keni besuar! Tashmë Allahu me të vërtetë që ju ka zbritur juve Përkujtues (Kur’anin).

11. (Ai ju ka çuar juve) të Dërguarin (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i cili ju këndon juve Vargjet e Allahut (Kur’anin), që përmbajnë shtjellime të qarta, me qëllim që Ai të nxjerrë ata që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi nga errësira në dritë. Dhe kushdo që beson Allahun dhe punon mirësi e drejtësi, Ai do ta shtie atë në Kopshtet e Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar aty përgjithmonë. Allahu vërtet që i ka siguruar atij Rizkun (furnizimin e mirësinë) më të shkëlqyer.

12. Allahu është i Cili ka krijuar shtatë qiej dhe nga toka po të tilla (shtatë). Urdhërimi i Tij zbret ndërmjet tyre (qiejve dhe tokave), që ju ta dini se Allahu ka Zotërim përmbi çdo gjë dhe se Allahu rrethon e përfshin gjithçka në Gjithëdijen (e Tij).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free