KUR’AN-i
Shqip – Albanian

33 - El Ahzab



El Ahzab - Lidhja e madhe

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O Pejgamber! Ki frikë vetëm Allahun dhe plotëso detyrimin ndaj Tij, e mos ua vër veshin mosbesimtarëve dhe Munafikëve (hipokritëve me dy fytyra). Vërtet që Allahu është gjithnjë i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

2. Dhe ndiq atë që të është frymëzuar ty nga Zoti yt. Vërtet që Allahu është gjithnjë i Mirënjohur për gjithçka që ju bëni.

3. Dhe mbështetu vetëm tek Allahu; dhe mëse i Mjaftueshëm është Allahu si Vekil (Rregullues i të gjitha punëve).

4. Allahu nuk ka sjellë për ndonjë njeri dy zemra në trupin e tij, as nuk i ka bërë Ai bashkëshortet tuaja të cilat ju i shpallni si të janë për ju si shpina e nënave tuaja, nëna tuaja të vërteta (Ez-Zihar - thënie për bashkëshorten: “Ti je për mua si shpina e nënës sime” - me qëllim që të largohen nga marradhëniet me bashkëshorten), as nuk i ka bërë Ai për ju bij të vërtetë fëmijët tuaj të adaptuar. Kjo është vetëm fjalë e juaj në gojën tuaj. Por Allahu thotë të vërtetën dhe Ai udhëzon në Udhë (të Drejtë).

5. I thirrni ata (fëmijët e adaptuar) në baballarët e të tyre të vërtetë, kjo është më e drejtë tek Allahu. Por nëse nuk i njihni baballarët e tyre, i thirrni ata vëllezër të një besimi dhe Mevalikum (robërit tuaj të liruar) dhe nuk përbën gjynah për ju në lidhje me gabimin e bërë për këtë çështje, por çfarë vlen është qëllimi i zemrave tuaja. Dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

6. Pejgamberi është më afër besimtarëve se sa vetë ata me vetveten, dhe bashkëshortet e tij janë nënat e tyre (nënat e besimtarëve dhe nuk u lejohet martesa me to). Lidhjet e gjakut mes njëri-tjetrit janë lidhje më të ngushta vetjake në Ligjin e Allahut (në lidhje me trashëgiminë), se sa vëllazërimi i besimtarëve dhe Muhaxhirunëve (të shpërngulurve nga Meka), përveç asaj që ju tregoni mirësi ndaj vëllezërve. Kjo është shkruar në Ligjin (në Librin e Allahut - El-Leuh El-Mahfudh).

7. Dhe (përkujto) kur Ne morëm nga Pejgamberët besën e tyre dhe prej teje (O Muhammed), edhe prej Nuhut, Ibrahimit, Musait dhe Isait - birit të Merjemes. Ne morëm prej tyre besë të fortë.

8. Që Ai të mund t’i pyes të besueshmit (të Dërguarit dhe Pejgamberët e Vet) për të vërtetën e tyre (për njoftimin e Mesazhit të Allahut me të cilin ata qenë ngarkuar). Dhe Ai ka përgatitur për mosbesimtarët dënim të dhimbshëm (Xhehenemin).

9. O ju që keni besuar! Përkujtoni Mirësinë e Allahut mbi ju, kur erdhën kundër jush ushtri (të mëdha) dhe Ne dërguam kundër tyre erë dhe forca që ju nuk i shihnit dot (melekë të dërguar nga Allahu në luftën e “Lidhjes së Madhe” kur u bashkuan forca të mëdha nga i gjithë Gadishulli Arab kundër muslimanëve në Medine). Dhe Allahu është kurdoherë Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju bëni.

10. Kur ata u erdhën juve edhe prej së larti edhe prej së poshti, dhe kur sytë u egërsuan dhe zemrat u erdhën te goja, dhe ju sajonit mendime të dyshimta për Allahun.

11. Atje besimtarët u sprovuan dhe u shkundën nga një tronditje e madhe.

12. Dhe ja! Kur hipokritët dhe ata në zemrat e të cilëve ka sëmundje (dyshimi), thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij, nuk na premtuan asgjë veçse shpresa të kota!”

13. Dhe kur një palë prej tyre tha: “O populli i Jathribit (Medines)! Nuk mund të ketë qëndresë për ju (ndaj armikut), prandaj kthehuni prapa!” Dhe një parti prej tyre kërkojnë leje nga Pejgamberi, duke i thënë: “Me të vërtetë që shtëpitë tona janë të pambrojtura.” Dhe ato nuk janë të pambrojtura, veçse ata deshën t’ia mbathnin.

14. Dhe sikur armiku të kishte hyrë nga të gjitha anët mbi ta (në Medine) dhe ata të ishin nxitur për Fitneh (të braktisnin Islamin e të kthehen në politeizëm), ata me siguri që do ta bënin këtë dhe për pasojë nuk do të ngurronin veçse fare pak (do të jepeshin me lehtësi).

15. Dhe ata ishin që i patën dhënë besën Allahut më parë se nuk do të kthehen prapa, dhe besëlidhjes me Allahun i duhet përgjigjur.

16. Thuaju (atyre që duan të ikin prej jush): “Arratia nuk do t’ju sjellë dobi nëse ikni prej vdekjes ose vrasjes. Ju pas kësaj nuk do të gëzoheni veçse fare pak kohë!”

17. Thuaju: “Kush është ai i cili mund t’ju mbrojë ju nga Allahu, nëse Ai don t’ju ndëshkojë apo të tregojë mëshirë për ju?” Dhe ata nuk do të gjejnë veç Allahut për vetveten ndonjë Vali (mbrojtës, mbështetës) as ndonjë ndihmues.

18. Allahu i njeh mirë (që më parë) ata nga mesi juaj të cilët i ndalojnë (njerëzit) të luftojnë në Çështjen e Allahut, edhe ata të cilët u thonë vëllezërve të tyre: “Ejani tek ne”, ndërsa ata vetë nuk shkojnë në luftë, përveç një pakice,

19. Duke qenë koprracë ndaj jush (në ndihmë e në mbështetje në Çështjen e Allahut). Pastaj kur i kap frika, i sheh ata të të vështrojnë ty me sy të zgurdulluar si ai të cilit i sillet rrotull vdekja, por kur u kalon frika, ata do të të sulmojnë me gjuhë të mprehta, koprracë për (të shpenzuar sadopak për ndonjë) të mirë (dhe vetëm lakmues për plaçkë e pasuri). Të këtillët nuk kanë besuar, kështu që Allahu i bën të pavlera veprat e tyre dhe kjo është kurdoherë tepër e lehtë për Allahun.

20. Ata mendojnë se Ahzabet (Lidhja e Madhe e fiseve arabe kundër muslimanëve në Medine) nuk janë tërhequr akoma dhe po të ishte se Ahzabet do të vinin përsëri, ata (hipokritët) do të dëshironin të ishin në shkretëtirë tek beduinët duke kërkuar ndonjë lajm rreth jush (nga larg); dhe po (të ndodhte që) të ishin mes jush, ata nuk do të luftonin veçse fare pak.

21. Tashmë padyshim që tek i Dërguari i Allahut (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ju keni një shembull mjaft të mirë për ta ndjekur, për atë që shpreson në (Takimin me) Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe që e kujton Allahun shumë.

22. Dhe kur besimtarët i panë Ahzabet, thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na kishin premtuar, e Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë folur të vërtetën.” Dhe kjo vetëm ua shtoi besimin dhe nënshtrimin (ndaj Allahut).

23. Nga besimtarët ka burra që e mbajtën me të vërtetë besën e dhënë Allahut (dolën në Xhihad – në luftën për Çështjen e Allahut), prej tyre disa e plotësuan detyrimin (ranë martirë) dhe disa po presin akoma, por ata nuk e kanë ndryshuar aspak vendosmërinë (në besën e dhënë Allahut).

24. Që Allahu t’i shpërblejë burrat e së vërtetës për vërtetësinë e tyre (për durimin në përmbushjen e besës së dhënë Allahut) dhe hipokritët t’i ndëshkojë, nëse Ai do, ose të pranojë pendimin e tyre duke iu kthyer atyre me Mëshirë. Vërtet që Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

25. Dhe Allahu i përzuri ata që mohuan me atë mllefin e tyre, (dhe) ata nuk përfituan asnjë mirësi (forcim të besimit, dashuri tek Allahu, ose qoftë edhe plaçkë lufte). Allahu u mjaftoi besimtarëve në luftë. Allahu është gjithnjë Fuqiplotë, i Gjithëfuqishëm (për të vendosur Vullnetin e Tij).

26. Edhe ata nga ithtarët e Librave të Parë të cilët i mbështetën ata (idhujtarët e mosbesimtarët), Allahu i rrëzoi nga fortesat e tyre dhe futi tmerr në zemrat e tyre; një pjesë ju i vratë, një pjesë tjetër i morët robër.

27. Dhe Ai bëri që ju të trashëgoni tokat e tyre, edhe shtëpitë e tyre, edhe pasuritë e tyre si dhe një vend të cilin ju nuk e kishit shkelur më parë. Dhe Allahu është gjithnjë i Zoti për të bërë çdo gjë.

28. O Pejgamber! Thuaju bashkëshorteve të tua: “Në qoftë se dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, atëherë ejani! Unë do t’ju siguroj jetesën dhe do t’ju lë të lira me bujari (duke u ndarë).

29. Por në qoftë se doni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe banesën e Jetës së Pastajme, atëherë vërtetë që Allahu ka përgatitur për El-Muhsinat (mirëpunueset në Rrugë të Allahut) nga mesi juaj shpërblim madhështor.”

30. O gratë e Pejgamberit! Cilado nga ju që bën turp (marrëdhënie imorale), ndëshkimi për të do të dyfishohet dhe një gjë e tillë është kurdoherë e lehtë për Allahun.

Pjesa 22

31. Dhe cilado nga ju që është e bindur ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që punon mirësi e drejtësi, Ne do t’i japim asaj shpërblimin e vet dy herë më tepër dhe Ne kemi përgatitur për të Rizken Kerim (begati madhështore, Xhennetin e Lartë).

32. O gratë e Pejgamberit! Ju nuk jeni si çdo grua tjetër. Nëse ju i përmbaheni detyrimit (ndaj Allahut), atëherë mos flisni me zë të ëmbël, se mos ndonjë me sëmundje në zemër (me hipokrizi ose dashakeq) shtyhet nga dëshira e ligë, por flisni të folur të ndershëm e të drejtë.

33. Dhe qëndroni në shtëpitë tuaja dhe mos e shfaqni veten siç bënin në kohën e Xhahilisë (periudha e injorancës para Islamit), edhe falni rregullisht namazin (Ekimis-Salat), dhe jepni Zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu vetëm se dëshiron ta largojë prej jush Er-Rixhz (veprat e ulëta, gjynahet, çdo gjë të keqe), o pjesëtarë të familjes (së Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), dhe t’ju bëjë ju të pastra plotësisht e pa asnjë njollë.

34. Dhe kujtoni (o ju pjesëtarë të familjes së Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) atë që këndohet në shtëpitë tuaja nga Vargjet e Allahut dhe El-Hikmeh (Sunetin e të Dërguarit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, rrugën e vërtetë të vënies në jetë të Islamit). Vërtet që Allahu është gjithnjë më Dashamirësi, në Dijeni të Plotë për çdo gjë.

35. Me të vërtetë që muslimanët dhe muslimanet (që i nënshtrohen Vullnetit të Allahut në Islam), besimtarët dhe besimtaret (që besojnë dhe që janë në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), të bindurit dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtit dhe të drejtat (me fjalë e me vepra), durimtarët dhe durimtaret, të nënshtruarit dhe të nënshtruarat, sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit dhe përkujtueset që e përkujtojnë shumë Allahun me zemër e me gojë, mu për këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh (Xhennetin).

36. Kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, nuk i takon asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në vendimin e tyre të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër. Dhe kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, padyshim që ka humbur në gabim të qartë.

37. Dhe (kujto) kur ti i the atij (Zejd bin Harithah, skllavi i liruar i Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) mbi të cilin Allahu ka dhuruar Begati (duke e udhëzuar në Islam) e edhe ti (O Muhammed) i ke bërë mirësi (duke e liruar atë): “Mbaje bashkëshorten tënde me ty në martesë dhe ki frikë Allahun.” Por ti e mbaje fshehtë në veten tënde (atë që Allahu ta kishte bërë të njohur se Ai do të ta jepte ty në martesë) atë që Allahu do ta bënte të njohur, ti kishe frikë prej njerëzve (se Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem u martua me gruan e ndarë të skllavit të tij të liruar), ndërkohë që Allahu ka të drejtë më të madhe për ta pasur frikë. Kështu kur Zejdi plotësoi dëshirën e tij ndaj saj (duke u ndarë me të), Ne ta dhamë ty atë në Martesë, kështu që (në të ardhmën) të mos ketë vështirësi për besimtarët në lidhje me (martesën me) bashkëshortet e të adaptuarve të tyre, kur këta të fundit (fëmijët e adaptuar) nuk duan t’i mbajnë ato (i ndajnë). Dhe Urdhëri i Allahut duhet përmbushur.

38. Nuk është aspak turp për Pejgamberin në atë gjë që Allahu e ka bërë të ligjshme për të. Kjo ka qenë Udha e Allahut edhe me ata (Pejgamberët) që tashmë kanë kaluar. Dhe gjithnjë Urdhëri i Allahut është vendim i detyruar.

39. (Vepër e atyre) që përçojnë Mesazhin e Allahut dhe i frikësohen Atij dhe nuk i frikësohen askujt tjetër veç Allahut. Dhe mjafton Allahu si llogaritës.

40. Muhamedi nuk është babai i ndonjë burri prej jush, por ai ështe i Dërguari i Allahut dhe i fundmi (vulë) i Pejgamberëve. Dhe Allahu është gjithnjë i Gjithëdituri për çdo gjë.

41. O ju që keni besuar! Kujtojeni Allahun me përkujtim të madh.

42. Dhe lartësoni Lavditë e Tij në kohën e parë, në agim dhe pasdite (falja e agimit dhe e pasditës - Fexhr dhe Asr).

43. Ai është i Cili dërgon Salat (bekimet dhe mirësitë e Tij) mbi ju e po kështu edhe melekët e Tij (i luten Allahut për t’u bekuar e për t’u falur ju), që Ai të mund t’ju nxjerrë ju nga errësira (e mosbesimit) në dritë (të Besimit – Islamit). Dhe Ai është gjithnjë Mëshirëplotë për besimtarët.

44. Përshëndetja e tyre Ditën që do ta takojnë Atë do të jetë “Selam – Paqë (melekët do t’i përshëndesin ata me Selamun Alejkum – Paqë qoftë mbi ju)!” Dhe Ai ka përgatitur për ta shpërblim mirësie e begatie (Xhennetin).

45. O Pejgamber! Me të vërtetë që Ne të kemi dërguar ty dëshmues, përgëzues dhe këshillues.

46. Dhe si ftues për tek Allahu me Vullnetin e Tij dhe si një llambë që shpërndan dritë.

47. Dhe njoftoju besimtarëve (në Njësisë e Allahut) lajmin përgëzues, se ata do të kenë nga Allahu Mirësi të Madhe.

48. Dhe mos i dëgjo mosbesimtarët dhe hipokritët dhe mos i cëno ata (si hakmarrje për dëmtimet që ju kanë sjellë, derisa të urdhërohesh për këtë). Dhe mbështetu tek Allahut dhe mjafton Allahu si Vekil (i Besueshëm, si Rregullues i të gjitha punëve). (Tefsir Al-Kurtubi).

49. O ju që keni besuar! Kur të martoheni me besimtare dhe pastaj i ndani ato para se të bëni marrëdhënie me to, nuk ka Idah (kohë e përcaktuar për ndarjen e bashkëshortëve), për të pritur në lidhje me to. Kështu, jepuni atyre një dhuratë dhe i lini të lira (i ndani) me bujari.

50. O ti Pejgamber! Vërtet që Ne i kemi bërë të ligjshme për ty bashkëshortet e tua të cilave u ke dhënë Mahrin (vlerë e caktuar që burri i jep bashkëshortes në kohën e martesës), dhe ato që t’i kap dora e djathtë (robëreshat e luftës) – të cilat Allahu t’i ka dhënë ty, dhe bijat e xhaxhallarëve të tu, dhe bijat e hallave të tua, dhe bijat e dajave të tu, dhe bijat e tezeve të tua që u shpërngulën (Muhaxhirë nga Meka) bashkë me ty, dhe një besimtare që ia dorëzon veten Pejgamberit dhe Pejgamberi dëshiron të martohet me të, - një përjashtim vetëm për ty dhe jo për besimtarët e tjerë. Sigurisht që Ne e dimë se çfarë u kemi urdhëruar atyre në lidhje me bashkëshortet e tyre dhe ndaj atyre që u kap dora e djathtë (robëreshave), - me qëllim që të mos ketë vështirësi për ty. Dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.

51. Ti (Muhammed) mund ta shtysh (radhën për) secilën që ti do prej bashkëshorteve të tua dhe mund të presësh cilën të duash. Dhe atë që ti dëshiron prej atyre që u ke shtyrë (përkohësisht radhën), nuk është aspak gjynah për ty (ta presësh atë prapë në radhë me të tjerat); kjo është më mirë, që atyre të mund t’u qetësohet syri e të mos jenë të mërzitura dhe që të gjitha të jenë të kënaqura me çdo gjë që ti u jep atyre. Dhe Allahu është gjithnjë i Gjithëditur, tepër Durimtar.

52. Nuk është e ligjshme për ty (të martohesh me) tjetër grua këtej e tutje, as t’i ndërrosh ato me bashkëshorte të tjera, edhe sikur të të tërheq bukuria e tyre, përveç atyre (robëreshave) që t’i kap dora e djathtë. Dhe Allahu është kurdoherë Gjithëvëzhgues përmbi çdo gjë.

53. O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit, përveçse kur t’ju lejohet për ndonjë kohë ngrënie, (edhe në këtë rast) jo (aq herët) sa të prisni përgatitjen e tij. Por kur të ftoheni, hyni dhe kur të keni mbaruar së ngrëni, shpërndahuni pa qëndruar për biseda. Vërtet që një (sjellje) e tillë do ta shqetësonte Pejgamberin dhe atij i vjen turp (të kërkojë) prej jush (të largoheni), por Allahut nuk i vjen aspak vështirë për (t’ju treguar juve) të vërtetën. Dhe kur ju i pyesni (gratë e tij) për ndonjë gjë që ju doni, i pyesni ato pas perdes. Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe për zemrat e tyre. Dhe nuk është (e drejtë) për ju që ta mërzitni të Dërguarin e Allahut, e as edhe që ju të martoheni me gratë e tij (pas vdekjes së tij). Vërtet që tek Allahu një gjë e tillë do të ishte krim i madh.

54. Nëse ju shfaqni ndonjë gjë ose e fshehni atë, me të vërtetë që Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri për çdo gjë.

55. Nuk është gjynah për to (për gratë nëse dalin të pambuluara) para baballarëve të tyre, ose bijve të tyre, para vëllezërve të tyre, ose bijve të vëllezërve të tyre, ose bijve të motrave të tyre, ose para vetë grave të tyre (besimtare), ose robëreshave të tyre. Dhe kijeni frikë Allahun (dhe plotësojeni detyrimin ndaj Tij, o gra). Vërtet që Allahu është kurdoherë Gjithëdëshmues përmbi çdo gjë.

56. Allahu dërgon Salat-in (Mirësitë, Nderimet, Bekimet, Mëshirën) e Tij mbi Pejgamberin (Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), edhe melekët e Tij gjithashtu (i luten Allahut për bekimin dhe faljen e tij). O ju që keni besuar! Dërgoni Salat (luteni Allahun të bekojë) mbi të (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe përshëndeteni atë me nderim me përshëndetjen Islame (Es-Selamu Alejkum).

57. Nuk ka dyshim se ata të cilët e zemërojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, - Allahu i ka mallkuar ata në dynja dhe në Jetën e Fundit dhe ka përgatitur për ta vuajtje poshtëruese.

58. Edhe ata të cilët i zemërojnë padrejtësisht besimtarët dhe besimtaret, ata mbajnë mbi vete krimin e të shpifurit dhe gjynah të qartë.

59. O Pejgamber! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (mbulesën) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, gjithnjë Mëshirëplotë.

60. Në qoftë se hipokritët dhe ata në zemrat e të cilëve ka sëmundje (dëshirë e ligë, epsh për zina – marrëdhënie imorale e të palejuara) edhe ata që përhapën shpifje nëpër Medine, nuk heqin dorë (nga kjo poshtërsi), Ne padyshim që do t’ju bëjmë ju që t’i mposhtni ata dhe nuk do të munden të rrinë në fqinjësinë tuaj veçse për shumë pak kohë.

61. Të mallkuar, kudo që të gjenden, do të kapen dhe do të vriten (pa mëshirë).

62. Kjo ka qenë Udha e Allahut në rastin e atyre që kanë kaluar nga brezat e parë dhe ju nuk do të gjeni ndonjë ndryshim në Udhën e Allahut.

63. Të pyesin njerëzit ty për Orën (Çastin e Kijametit). Thuaju: “Dija për të është vetëm tek Allahu. Dhe ku ta dini? Mundet që Ora të jetë fare afër!”

64. Vërtet që Allahu i ka mallkuar mosbesimtarët dhe ka përgatitur për ta Zjarr flakërues.

65. Në të cilin do të mbeten përherë dhe nuk do të gjejnë as Vali (mbrojtës), as ndihmues.

66. Ditën kur fytyrat t’u kthehen përmbys në zjarr, do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur Allahut dhe t’i ishim bindur të Dërguarit.”

67. Dhe do të thonë: “Zoti ynë! Ne vërtet iu bindëm prijësve tanë dhe të mëdhenjëve tanë dhe ata na humbën nga Udha (e Drejtë).

68. Zoti ynë! Jepu atyre dënim të dyfishtë dhe mallkoj ata me nëmë të madhe.”

69. O ju që keni besuar! Mos u bëni si ata që e fyen Musain, por Allahu e pastroi atë nga (shpifja) që i ngjitën dhe ai ishte i nderuar tek Allahu.

70. O ju që keni besuar! Plotësoni detyrimin ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë dhe flisni (gjithnjë) të vërtetën.

71. Ai do t’ju drejtojë ju tek veprat e mira e të drejta dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), me të vërtetë që ka arritur fitoren më të madhe (do të pranohet në Xhennetin e Begatshëm).

72. Në të vërtetë Ne ua paraqitëm Amanetin (përgjegjësinë, besimin, nderimin dhe gjithë detyrimet e urdhëruara nga Allahu) qiejve, edhe tokës, edhe maleve, por ata nuk pranuan ta mbajnë atë dhe kishin frikë prej tij (nga Ndëshkimi i Allahut). Por njeriu e mori përsipër atë. Vërtetë që ai i bëri keq vetvetes dhe qe i paditur (për pasojat e tij).

73. Me përfundimin që Allahu të ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, mosbesimtarët dhe mosbesimtaret Mushrikë (idhujtarët, politeistët, paganët e çdo lloj besimi tjetër qoftë që nuk beson në Njësinë e Allahut si Një e të Vetëm dhe në të Dërguarin e Tij, Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Dhe Allahu do të falë besimtarët dhe besimtaret e vërtetë të Besimit të Pastër Islam. Allahu është kurdoherë Falës i Madh, gjithnjë Mëshirëplotë (për ata që pendohen sinqerisht).

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free