KUR’AN-i
Shqip – Albanian

59 - El Hashr



El Hashr - Grumbullimi

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë lavdëron Allahun. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

2. Ai është i nxorri mosbesimtarët nga ithtarët e Librave të Parë (jehuditë e Beni En-Nedir) nga shtëpitë e tyre që në grumbullimin e parë. Ju nuk menduat se ata mund të dilnin nga shtëpitë. Edhe ata menduan se fortesa e tyre do t’i mbronte ata prej Allahut! Por atyre u arriti (Ndëshkimi) Allahu andej nga nuk e prisnin dhe Ai u futi panik në zemrat e tyre ashtu që me duart e veta dhe me duart e besimtarëve i prishën shtëpitë e tyre. Merrni mësim pra, o ju që keni sy e shihni!

3. Dhe po të mos ishte se Allahu kishte përcaktuar shpërnguljen për ta, Ai padyshim që do t’i kishte ndëshkuar ata në këtë botë; dhe në Botën Tjetër për ta është dënimi i Zjarrit.

4. Këtë për shkak se ata iu kundëvunë Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kushdo që kundërshton Allahun, atëherë padyshim që Allahu është i Rreptë në ndëshkim.

5. Çfarë ju (muslimanë) pretë nga pemët e hurmave (të armikut) apo i latë në këmbë pa i prerë, ishte me Lejen e Allahut dhe me qëllim që Ai t’i poshtërojë Fasikunët (të pabindurit, të panënshtruarit ndaj Allahut e që kalojnë çdo kufi në mosbesim).

6. Dhe çfarë Allahu i dha si plaçkë lufte të Dërguarit të Tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) prej tyre, ju, për të, nuk bëtë fushatë as me kuaj e as me deve, por Allahu i bën të Dërguarit e Tij mbizotërues mbi kënd të dojë Ai. Dhe Allahu është i Zoti për të bërë çdo gjë.

7. Çfarë Allahu i dha si plaçkë lufte të Dërguarit të Tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga banorët e qytezave - ajo është për Allahun dhe të Dërguarin e tij, si edhe për të afërmit e tij, për jetimët, El-Mesakin (të varfrit) dhe endacakun, me qëllim që ajo të mos bëhet rast për t’u përdorur nga të pasurit nga mesi juaj. Dhe çfarëdo që t’ju japë juve i Dërguari, atë merreni dhe çfarëdo që ai ua ndalon juve, hiqni dorë (prej saj) dhe kini frikë Allahun. Vërtet që Allahu është i Ashpër në ndëshkim.

8. (Ka gjithashtu një pjesë në këtë plaçkë) Për (Muhaxhirinët - muslimanët e shpërngulur nga Meka në Medine) të mërguarit e varfër, të cilët u përzunë nga shtëpitë e tyre për të kërkuar Mirësinë e Allahut dhe për të fituar Kënaqësinë e Tij, dhe për të ndihmuar Allahun (për t’i shërbyer e për të ndihmuar Islamin, Fenë e Tij) dhe të Dërguarin e Tij (Muhamedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Padyshim që të këtillët janë të vërtetët.

9. Edhe ata të cilët para tyre patën shtëpitë e tyre (në Medine) dhe pranuan Besimin, - i duan ata që u shpërngulën tek ata dhe nuk kanë aspak zili në gjokset e tyre për atë që iu dhe atyre (nga plaçka e Beni-Nadir) dhe i parapëlqejnë ata (të shpërngulurit) mbi veten e tyre, edhe pse ata vetë kishin nevojë për të. Dhe kushdo që shpëton nga lakmia vetjake, tamam të këtillët do të jenë ngadhënjimtarët.

10. Dhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “Zoti ynë! Na fal ne dhe vëllezërit tanë që qenë para nesh në Besim dhe mos na fut në zemrat tona asnjë grimcë urrejtje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë! Vërtet që Ti je shumë Dashamirës, Mëshirëplotë.”

11. A nuk i ke parë ti (O Muhammed) hipokritët që u thonë shokëve të tyre nga ithtarët e Librave të Parë të cilët mohuan e nuk besuan: “(Për Allah!) Nëse ju përzënë juve, vërtet që (edhe) ne do të dalim bashkë me ju dhe ne kurrë nuk do t’i bindemi ndokujt kundër jush; dhe nëse ju sulmojnë (në luftë), ne padyshim që do t’ju ndihmojmë juve?” Por Allahu padyshim që është Dëshmues se ata janë gënjeshtarë.

12. Është e sigurt se, në qoftë se ata (jehuditë) dëbohen, kurrë ata (hipokritët) nuk do të dalin me ta; dhe në qoftë se sulmohen, ata kurrë nuk do t’i ndihmojnë. Edhe nëse i ndihmojnë ata, ata (hipokritët) do t’u kthejnë shpinën, kështu që ata nuk do të fitojnë.

13. Me të vërtetë që ju (besimtarë) jeni më të frikshëm në gjokset e tyre (jehudive) se sa Allahu. Kjo për shkak se ata janë popull që nuk kuptojnë (Madhështinë dhe Gjithëfuqinë e Allahut).

14. Ata të gjithë së bashku nuk kanë guxim t’ju luftojnë, përveç se në qytezat e fortifikuara apo kur janë pas ndonjë muri. Armiqësia mes tyre është shumë e madhe. Mund të mendoni për ta se janë të bashkuar, por në realitet zemrat e tyre janë të ndara. Kjo ngaqë ata janë popull që nuk marrin vesh.

15. Ata janë si parardhësit e tyre fare pak kohë më parë (jehuditë e fisit Benu Kajnuka). Ata shijuan përfundimin e hidhur të veprimit të tyre dhe (në Botën Tjetër) kanë dënim të dhimbshëm.

16. (Aleatët e tyre, hipokritët i mashtruan) si shejtani kur i thotë njeriut: “Moho e mos e beso Allahun”, por kur (njeriu) e mohon Allahun, (shejtani) i thotë: “Unë jam i lirë (i padetyruar) ndaj teje. Unë kam frikë Zotin e Gjithësisë!”

17. Kështu pra, fundi i të dyve do të jetë se ata do të jenë në Zjarr për të banuar atje. I tillë është shpërblimi i Dhalimunëve (politeistëve, keqbërësve, mohuesve të Njësisë së Allahut).

18. O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe përmbushni detyrimin ndaj Tij dhe le të shohë çdo njeri çfarë ka përgatitur për të nesërmen dhe kini frikë Allahun. Vërtet që Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju bëni.

19. Dhe mos veproni si ata që e harruan Allahun (u bënë të pabindur ndaj Tij), dhe Allahu bëri që ata ta harrojnë vetveten e tyre (i la të harrojnë të bëjnë vepra të mira). Ata janë Fasikunët (të pabindurit, të panënshtruarit ndaj Allahut, e që kalojnë çdo kufi në mosbesim).

20. Nuk janë njësoj banorët e Zjarrit dhe banorët e Xhennetit. Janë banorët e Xhennetit që do të jenë ngadhënjyes.

21. Sikur ta kishim zbritur këtë Kur’an mbi një mal, sigurisht që do ta kishe parë atë të përulur e të thërrmuar nga frika e Allahut. Të tillë janë shembujt të cilët Ne ua sjellim njerëzve, në mënyrë që ata të mendojnë.

22. Allahu është Ai, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër të merituar, por vetëm Ai (La ilahe il-la Huve), i Gjithëdituri i Gajbit (i çdo të fshehte e të panjohure) dhe të shfaqurës (i çdo të njohure). Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

23. Allahu është Ai (La ilahe il-la Huve) përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër të merituar, por vetëm Ai, Mbizotëruesi, i Shenjti, i Gjithëpërsosuri pa asnjë të metë, Gjithëdhuruesi i sigurisë (besimit), Gjithëvëzhguesi mbi krijesat e Tij, i Gjithëfuqishmi, Urdhëruesi i Papërballueshëm, më i Larti Suprem. Lavdi i qoftë Atij! I Lartë është Ai nga gjithë çfarë i mveshin dhe i shoqërojnë Atij!

24. Ai është Allahu, Gjithëkrijuesi, Shpikësi i Pashembullt i çdo gjëje, Formësuesi i gjithçkaje. Të Tij janë Emrat më të Bukur e më të Lartë. Gjithë ç’është në qiej dhe në tokë e lavdërojnë Atë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free