KUR’AN-i
Shqip – Albanian

21 - El Enbija’



El Enbija’ - Pejgamberët

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

Pjesa 17

1. Afrohet edhe më për njerëzimin dhënia e llogarisë së tyre, e megjithatë ata kthejnë shpinën e nuk ia vënë veshin.

2. Nuk ka paralajmërim (Sure nga Kur’ani që zbret herë pas here) nga Zoti i tyre si shpallje e re që të mos e dëgjojnë duke bërë shaka,

3. Me zemrat e tyre të bllokuara (nga ligësitë) duke luajtur si me tallje. Ata që bëjnë padrejtësi, i fshehin këshillimet e fshehta mes tyre duke thënë: “A është ky (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) më tepër se një njeri i zakonshëm si edhe ju? A do t’i dorëzoheni magjisë, ndonëse e shihni atë?”

4. Ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u tha: “Zoti im di çdo fjalë (të thënë) në qiej dhe në tokë dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.”

5. Por thonë: “Këto (shpallje të Kur’anit tek Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) janë të përziera me ëndrra të rreme! - Jo! Por ai e ka trilluar atë! - Jo! Por ai është poet! Le të na sjellë një provë si shenjë të qartë si edhe (Pejgamberë) të tjerë që janë dërguar më parë (me shenja e mrekulli)!”

6. Asnjë nga vendbanimet e atyre që Ne i shkatërruam para këtyre, nuk besuan (edhe pse Ne u dërguam shenja të qarta). A do të besojnë atëherë këta?

7. Dhe Ne nuk kemi dërguar para teje (O Muhammed) veçse (të Dërguar) burra të cilët Ne i frymëzuam, kështu që pyetni njerëzit e Mesazhit (të Teuratit dhe të Inxhilit) nëse nuk e dini.

8. Dhe Ne nuk i krijuam ata (të Dërguarit) me trup që nuk hanin ushqim dhe nuk ishin të pavdekshëm.

9. Pastaj më në fund Ne ua përmbushëm atyre premtimin duke i shpëtuar ata dhe të tjerë që Ne dëshiruam, por Ne i shkatërruam Musrifunët (ata që kaluan çdo kufi në mosbesim, në mëkate dhe në shtypje).

10. Tashmë Ne me të vërtetë që kemi dërguar për ju (o njerëz) një Libër në të cilin është Mesazhi, Përkujtuesi dhe Nderimi për ju. A nuk do të kuptoni, pra?

11. E sa shumë vendbanime që ishin të dhënë pas së keqes kemi shkatërruar Ne dhe ngritëm pas tyre popuj të tjerë!

12. Me ta ndjerë Ndëshkimin Tonë (që po u vinte), kur ç’të shohësh! Ata mundoheshin të iknin e të shpëtonin prej tij!

13. Mos ikni, por kthehuni atje, në vendet ku bëtë jetë luksoze dhe në shtëpitë tuaja, me qëllim që të pyeteni.

14. Ata bërtitën: “Mjerë për ne! E vërtetë që paskemi qenë Dhalimunë (mosbesimtarë, keqbërës).”

15. Dhe kjo britmë e tyre nuk pushoi derisa Ne i bëmë ata si fushë e korrur dhe e vjelë, të vdekur.

16. Ne nuk i krijuam qiejt e tokën dhe gjithçka tjetër që ndodhet mes tyre thjesht për lojë.

17. Po të kishim dashur Ne të merrnim ndonjë gjë për të kaluar kohën (si bashkëshorte, fëmijë etj), Ne sigurisht që do ta kishim bërë atë nga Vetja Jonë, në qoftë se Ne do ta bënim një gjë të tillë.

18. Por Ne lëshojmë (zbresim) të Vërtetën (Kur’anin) kundër çdo shpifje e mosbesimi, kështu që ai e shkatërron atë dhe shih! Ajo, e pavërteta është e shuar dhe e mbaruar! Dhe mjerë për ju (o njerëz) për atë gënjeshtër që ju na e mvishni Neve (duke thënë se Zoti ka bashkëshorte, fëmijë apo shokë të barabartë me Të).

19. Të Tij janë gjithkush që është në qiej dhe në tokë dhe ata që janë pranë Tij (melekët) nuk janë aq kryelartë (por janë krenarë që janë në praninë e Tij dhe në shërbim të Tij) dhe nuk lodhen kurrë.

20. Ata (melekët) lartësojnë Lavdinë e Tij ditë e natë dhe ata nuk plogështohen kurrë duke vepruar kështu.

21. Apo mos kanë zgjedhur ata (njerëzit) për adhurim zota nga toka që ngrenë të vdekurit?

22. Po të kishte pasur në to (në qiej dhe në tokë) perëndi të tjera përveç Allahut, atëherë padyshim që të dyja do të ishin shkatërruar. Lavdi i qoftë Allahut, Zotit të Arshit të Tij Madhështor; (Lart është Ai) nga çfarë i mveshin Atij!

23. Ai as që mund të pyetet se çfarë Ai punon, ndërsa ata (gjithë krijesat) do të merren në pyetje.

24. Apo kanë marrë për të adhuruar Zota të tjerë veç Atij? Thuaju: “Sillni provën tuaj? Ky (Kur’ani) është Mesazhi përkujtues për ata që janë me mua dhe Mesazhi i përkujtimit të atyre para meje.” Por shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, kështu që ata janë të humbur.

25. Dhe Ne nuk kemi sjellë ndonjë të Dërguar para teje (O Muhammed) e që të mos e kemi frymëzuar Ne (duke i thënë): “La ilahe il-la Ene (nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje - Allahu), pra më adhuroni Mua të Vetëm.”

26. Dhe thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka lindur bir.” Lavdi i qoftë Atij! Ata (të cilët këta i quajnë fëmijët e Tij, si Isai - biri i Merjemes, Uzejri etj) janë vetëm robër e të nënshtruar të nderuar.

27. Ata nuk flasin derisa të ketë folur Ai dhe ata punojnë nën Komandën e Tij.

28. Ai (Allahu) di çfarë ka para tyre dhe çfarë ka pas tyre dhe ata nuk mund të ndërhyjnë përveç për ata me të cilët Ai është i kënaqur, duke qëndruar me nderim nga frika e Tij.

29. Dhe nëse ndonjë prej tyre do të thoshte: Unë jam veç Atij (Allahut)”, një të tillë Ne do ta shpërblenim veçse me Xhehenem. Në këtë mënyrë i shpërblejmë Dhalimunët (keqbërësit mosbesimtarë e politeistë).

30. A nuk e kanë të ditur ata që mohojnë se qiejt dhe toka ishin të bashkuar së bashku si një njësi e vetme krijimi, pastaj Ne i ndamë ata? Dhe Ne e kemi bërë çdo gjë të gjallë, çdo lloj gjallese - prej ujit. A nuk do të besojnë atëherë, pra?

31. Dhe Ne kemi vendosur në tokë male të qëndrueshëm, se përndryshe ajo do të dridhej bashkë me ta; Ne kemi bërë për ta edhe vendkalime të gjëra për të kaluar, që të mund të orijentohen.

32. Dhe Ne e kemi bërë qiellin kulm të sigurt dhe të mbrojtur më së miri, megjithatë ata u kthejnë shpinën shenjave të tij (dielli, hëna, yjet, erërat, retë e tjer dhe çfarë tregojnë këto shenja).

33. Dhe Ai është i Cili ka krijuar natën dhe ditën, diellin dhe hënën, secili duke notuar në orbitë.

34. Dhe Ne nuk i kemi siguruar ndonjë qenie njerëzore para teje pavdekësinë (O Muhammed), atëherë në qoftë se ti do të vdesësh, a do të jetojnë ata përgjithmonë?

35. Gjithsecili do ta shijojë vdekjen dhe Ne do t’ju provojmë ju me të keqen dhe me të mirën dhe te Ne ju do të ktheheni.

36. Dhe kur ata që mohuan (Njësinë e Allahut) të shohin ty (O Muhammed), ata sillen me ty veçse me tallje (duke thënë): “A ky është ai që flet (keq) për zotat tuaj?” Ndërsa mohojnë gjatë përmendjes së të Gjithëmëshirshmit (Allah). (Tefsir Al-Kurtubi).

37. Njeriu është krijesë e nxituar, së shpejti Unë do t’ju tregoj juve Ajetet (ndëshkimin, gjykimin, mundësitë dhe fuqitë e Mia, prova për ju) e Mia, kështu që mos më kërkoni t’jua përshpejtoj ato.

38. Dhe thonë: “Kur do të jetë ky premtim, në qoftë se jeni që keni të drejtë?”

39. Veç sikur ta dinin ata mosbesimtarë kohën kur ata nuk do të jenë në gjendje ta shmangin Zjarrin nga fytyrat e tyre, as nga shpina dhe nuk do të ndihmohen aspak.

40. Përkundrazi, ai do të vijë mbi ta krejt pakujtuar duke i hutuar dhe ata as nuk do të kenë fuqi ta largojnë atë dhe as nuk do të kenë shtyrje të afatit.

41. Vërtet që shumë të Dërguar qenë përgojuar e tallur (nga popujt e tyre), por vetë tallësit u rrethuan nga ajo me të cilën talleshin.

42. Thuaju: “Kush mund t’ju ruajë e t’ju mbrojë juve natën apo ditën nga i Gjithëmëshirshmi (Allah)?” Përkundrazi, ata sot largohen nga të përmendurit e Zotit të tyre.

43. Apo mos kanë marrë zota të cilët mund t’i ruajnë prej Nesh? Ata (idhujt) nuk kanë fuqi as të ndihmojnë veten e tyre dhe as që mund të ruhen prej Nesh (nga Ndëshkimi Ynë).

44. Por Ne u dhamë luksin e kësaj jete këtyre njerëzve dhe baballarëve të tyre, derisa iu zgjat koha e tyre. A nuk e shohin ata se Ne vazhdimisht e pakësojmë terrenin (dhe fuqinë) nga kufijtë e jashtëm? A mos janë atëherë ata që do të fitojnë?

45. Thuaju (O Muhammed): “Unë ju këshilloj vetëm me shpalljen (nga Allahu dhe jo nga mendja e fetarëve ose e dijetarëve të tjerë).” Por shurdhët nuk do ta dëgjojnë thirrjen edhe kur të paralajmërohen (Gjithsecili duhet të ndjekë vetëm Kur’anin dhe rrugën e ndriçuar të Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe të shokëve të tij).

46. Dhe në qoftë se vetëm një frymë e Ndëshkimit të Zotit tënd do t’i prekte ata, me siguri që do të bërtitnin: “Mjerë për ne! Vërtet që kemi qenë Dhalimunë (mosbesimtarë, keqbërës).”

47. Dhe Ne do të vëmë peshojat e drejtësisë Ditën e Llogarisë, kështu që askujt nuk do ti bëhet padrejtësi në asnjë gjë, edhe sikur të jetë pesha e një kokrre të melit, Ne do ta sjellim (e do ta vëmë në peshojë). Dhe më se të Mjaftueshëm jemi Ne si Llogaritës.

48. Dhe sigurisht që Ne i dhuruam Musait dhe Harunit - Kodin (parimin e përcaktimit të së drejtës dhe të së gabuarës) si dhe dritën e shkëlqyer e Mesazhin Përkujtues (Teuratin) për Muttekunët (për të përkushtuarit në Besimin e Vërtetë Islam), -

49. Ata të cilët i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë e në fshehtësi dhe që i druhen Orës (Çastit të Fundit).

50. Edhe ky (Kur’ani) është një Mesazh Përkujtues të cilin Ne e kemi zbritur, atëherë a do ta mohoni atë?

51. Ne sigurisht më parë i dhuruam Ibrahimit udhëzimin e tij dhe Ne kishim Dijeni të plotë për të (për besimin e tij të pastër Islam të besimit të Një Zoti të Vetëm).

52. Kur ai i tha babait të tij dhe popullit të vet: “Ç’janë këto shëmbëlltyra figurash ndaj të cilave ju jeni përkushtuar?”

53. Ata i thanë: “Ne gjetëm baballarët tanë t’i adhurojnë këta.”

54. Ai u tha: “Me të vërtetë që ju dhe baballarët tuaj keni qenë në gabim të qartë.”

55. Ata i thanë: “A mos na e ke sjellë ti të vërtetën apo mos je prej atyre që bëjnë lojra e tallen?”

56. Ai u tha: “Përkundazi, por Zoti i juaj është Zoti i qiejve dhe i tokës i Cili i krijoi ata dhe unë për këtë jam një nga dëshmuesit.

57. Dhe (betohem) për Allahun! Unë do të thur një plan për (t’i shkatërruar) idhujt tuaj, kur ju të largoheni e t’u ktheni shpinën.”

58. Kështu ai i theu e i copëtoi ata, përveç më të madhit të tyre, me qëllim që ata (njerëzit) t’i drejtohen atij.

59. Ata thanë: “Kush e ka bërë këtë me zotat tanë? Vërtet që ai duhet të jetë prej keqbërësve.”

60. Thanë: “Kemi dëgjuar për një djalosh që i përqeshte ato. E thërrasin Ibrahim.”

61. Thanë: “Silleni atëherë atë para syve të popullit që ata të mund të dëshmojnë.”

62. I thanë: “A je ti ai që e ke bërë këtë me zotat tanë, o Ibrahim?”

63. (Ibrahimi) u tha: “Jo, por ky i madhi i tyre e ka bërë atë. Pyeteni nëse janë që flasin!”

64. Kështu ata u kthyen nga njëri-tjetri dhe thanë: “Vërtet që ju vetë jeni Dhalimunë (politeistë, keqbërës).”

65. Pastaj iu kthyen prapë vetvetes (tek mendimi i parë dhe thanë): “Sigurisht që ti (Ibrahim) e di mirë se këta (idhuj) nuk flasin dot!”

66. (Ibrahimi) u tha: “A adhuroni atëherë ju përveç Allahut gjëra që as nuk ju sjellin juve ndonjë të mirë dhe as nuk ju dëmtojnë?

67. Turp për ju dhe mbi ata që ju adhuroni në vend të Allahut! A nuk keni mend, pra?”

68. Ata thanë: “Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse do të veproni gjë.”

69. Ne thamë: “O Zjarr! Bëhu i ftohtë dhe paqë e siguri për Ibrahimin!”

70. Dhe ata deshën ta dëmtonin atë; por Ne i bëmë ata humbësit më të mëdhenj.

71. Dhe Ne e shpëtuam atë (Ibrahimin) dhe Lutin (duke i nxjerrë) në tokën të cilën Ne e kemi bekuar për gjithë Alemin (njerëzit, xhindet e për gjithësinë).

72. Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun (të birin) dhe Ja’kubin (nipin). Secilin prej tyre Ne e bëmë të drejtë.

73. Dhe Ne i bëmë ata prijës duke udhëhequr (njerëzimin) me Urdhërin Tonë dhe Ne u frymëzuam atyre të vepruarit mirësi, kryerjen e faljes së rregullt të përcaktuar ditore dhe dhënien e Zekatit dhe vetëm ndaj Nesh ata ishin adhurues.

74. Edhe Lutit Ne i dhamë Hukmin (Gjykim të drejtë, Urtësi dhe Pejgamberi) dhe Dije (të fesë së Allahut) dhe Ne e shpëtuam nga vendbanimi që vepronte neveri e poshtërsi. Vërtet që ata ishin popull i dhënë pas së ligës dhe ishin Fasikunë (mohues, kryeneçë, të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).

75. Dhe Ne e futëm atë (Lutin) në Mëshirën Tonë, vërtet që ai ishte prej të drejtëve.

76. (Kujto) edhe Nuhun, kur ai na thirri Ne kohë më parë. Ne e dëgjuam duanë e tij dhe iu përgjigjëm duke e shpëtuar atë dhe familjen e tij nga fatkeqësia e madhe.

77. Ne e ndihmuam atë kundër popullit që mohoi Ajetet (provat, shenjat, treguesit, shpalljet) Tona. Vërtet që ishin popull i dhënë pas së ligës, kështu që Ne i fundosëm ata të gjithë.

78. (Kujto) edhe Daudin dhe Sulejmanin kur gjykuan për rastin e arës në të cilën dhentë e dikujt kishin kullotur natën dhe Ne qemë Dëshmues të gjykimit të tyre.

79. Dhe Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptojë çështjen dhe secilit prej tyre Ne i dhuruam Hukmin (Gjykimin e drejtë, Urtësi dhe Pejgamberi) dhe Dije (të fesë së Allahut) dhe i nënshtruam malet dhe zogjtë të lavdërojnë Madhështinë Tonë bashkë me Daudin. (E të gjitha këto) ishim Ne që i bënim.

80. Ne i mësuam atij (Daudit) edhe artin e prodhimit të këmishave metalike si mburojë për t’u mbrojtur në luftë. A do të jeni falënderues, pra?

81. Ndërsa Sulejmanit (Ne i nënshtruam) erën e fortë e të papërmbajtur që të vrapojë e bindur ndaj urdhërit të tij drejt tokës të cilën Ne e kishim bekuar dhe për çdo gjë Ne jemi të Gjithëditur.

82. Edhe nga shejtanët (prej xhindeve) kishte shumë që zhyteshin për të dhe bënin punë të tjera përveç kësaj; dhe ishim Ne të Cilët i ruanim ata.

83. (Kujto) edhe Ejubin kur ai i thirri Zotit të tij: “Vërtet që më ka kapluar mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve.”

84. Kështu Ne iu përgjigjëm thirrjes së tij duke ia larguar fatkeqësinë që qe mbi të, duke ia rikthyer familjen atij (që e kishte humbur) dhe duke ia shtuar dy herë atë më tepër se sa e kishte pasur, - si Mëshirë nga ana Jonë dhe Përkujtim për të gjithë ata që na adhurojnë Ne.

85. (Kujto) edhe Ismailin, edhe Idrisin, edhe Dhulkiflin, të gjithë nga Es-Sabirinët (të duruarit dhe të paepurit).

86. Dhe Ne i pranuam e i futëm ata në Mëshirën Tonë. Vërtet që ata ishin prej të drejtëve.

87. (Kujto) edhe Dhun-Nunin (Junusin), kur ai u largua me zemërim dhe mori me mend se Ne nuk do ta ndëshkojmë atë. Por ai thirri nëpër errësirë: “La ilahe il-la Ente” (Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Teje, O Allah); i Lavdishëm dhe i Lartësuar je Ti përmbi çdo të keqe që të mveshin Ty. Vërtet që kam qenë prej të gabuarve.”

88. Kështu Ne iu përgjigjëm thirrjes së tij dhe e çliruam atë nga fatkeqësia. Kësisoj Ne i shpëtojmë besimtarët (që besojnë vetëm në Allahun, që pendohen e që heqin dorë nga e keqja duke punuar mirësi e drejtësi).

89. (Kujto) edhe Zekerijanë kur ai i thirri Zotit të tij: “O Zoti im! Mos më lër të vetëm (pa pasardhës), e Ti je më i Miri i trashëguesve.”

90. Kështu Ne iu përgjigjëm thirrjes së tij dhe Ne i dhuruam atij Jahjanë duke ia shëruar bashkëshorten (për të lindur fëmijë) për të. Ata vërtet që ishin që nxitonin të bënin punë të mira dhe gjithnjë na luteshin Neve me shpresë dhe frikë dhe gjithnjë nënshtroheshin ndaj Nesh.

91. (Kujto) atë e cila ruajti dëlirësinë e saj (Merjemen), Ne vetëm frymë (në rrobën) e saj (me anë të Ruhut - Xhibrilit) duke e bërë atë dhe birin e saj (Isa) shenjë treguese për gjithë Alemin (për njerëzit, për xhindet e për gjithë krijesat).

92. Nuk ka dyshim se ky, Um-meti (Vëllazëria, Ligji e Feja juaj, Besimi i Pastër Islam) është një fe dhe Unë jam Zoti juaj, kështu pra, më adhuroni vetëm Mua (të Vetëm). (Tefsir Ibn Kethir).

93. Por ata janë shpërndarë e kanë ndryshuar mes vetes në lidhje me fenë e tyre dhe ata të gjithë te Ne do të kthehen.

94. Në këtë mënyrë, kushdo që punon mirësi e drejtësi duke qenë besimtar (i Allahut në Islam), përpjekjet e tij nuk do të hidhen poshtë dhe vërtet që Ne i shkruajmë ato në Librin e veprimeve të tij.

95. Dhe mallkimi është vendosur mbi çdo vendbanim që Ne e kemi shkatërruar, që ata nuk do të kthehen (përsëri në këtë botë dhe të mos pendohen para Nesh).

96. Derisa, kur Jexhuxhët dhe Maxhuxhët të lihen të lirë (të dalin prej cakut të tyre ku janë mbyllur) dhe të kacavirren nga çdo bregore e kodër.

97. Dhe premtimi (Dita e Ringjalljes) do t’i afrohet (përmbushjes). Pastaj (kur njerëzit të jenë ringjallur), do t’i shohësh sytë e mosbesimtarëve të zgurdulluar e të shastisur me tmerr. (Do të thonë): “Mjerë për ne! Ne vërtet që se përfillëm fare këtë, përkundrazi, ne qemë Dhalimunë (mosbesimtarë, keqbërës).”

98. Vërtet që ju (mosbesimtarë) dhe ata të cilët ju i adhuroni tash në vend të Allahut, jeni veçse lëndë djegëse për Xhehenemin dhe sigurisht që ju do të hyni në të.

99. Po të kishin qenë këta (idhujt që i adhuroni ju) zota, ata nuk do të kishin hyrë atje (në Xhehenem). Por ama të gjithë do të banojnë në të.

100. Aty, në të, duke marrë frymë me psherëtima e duke uluritur do të jetë pjesa e tyre dhe në të as nuk do të dëgjojnë.

101. Padyshim se ata për të cilët ka paraprirë mirësia nga Ana Jonë, do të jenë të larguar larg prej andej (nga Xhehenemi). (Si për shembull, Isai, biri i Merjemes, Uzejri).

102. Ata nuk do ta dëgjojnë as zërin më të lehtë të tij (Xhehenemit) dhe do të banojnë ku ata të dëshirojnë.

103. As tmerri më i egër e më i madh (në Ditën e Kijametit) nuk do t’i shqetësojë ata dhe melekët do t’i takojnë ata (me përshëndetjen): “Kjo është Dita juaj e cila ju qe premtuar.”

104. (Kujto) edhe Ditën kur Ne do t’i mbështjellim qiejt si letër e shkruar, ashtu siç e filluam Ne krijimin e parë, Ne do ta përsërisim atë, një premtim që ia kemi detyruar Vetes. Padyshim që Ne do ta bëjmë (rikrijimin) e do ta përmbushim (detyrimin ndaj Vetes Tonë).

105. Dhe tashmë Ne kemi shkruar në Zebur (dhe në gjithë Librat tjerë, në Teurat, Inxhil dhe në Kur’an) pasi Ne e patëm shkruar (që më parë në Leuhin Mahfudh - Libri me Allahun në qiej), se robët e Mi të drejtë e të përkushtuar do të trashëgojnë tokën (vendet e larta të Xhennetit).

106. Padyshim që në këtë (në Kur’an) është një Mesazh i qartë për popullin që adhuron Allahun (për besimtarët e vërtetë të besimit të Pastër Islam në Një Zot të Vetëm).

107. Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (O Muhammed) veçse si përkujtim mëshire për gjithë Alemin (për njerëzit, për xhindet dhe për gjithë ç’është krijuar në gjithësi).

108. Thuaju (O Muhammed): “Më është shpallur mua se i adhuruari juaj është një Zot. A do t’i nënshtroheni pra Vullnetit të Tij si muslimanë?”

109. Por nëse ata (ndjekësit e çdo besimi tjetër; mosbesimtarë, paganë, politeistë, jehudi, të krishterë) nuk pranojnë dhe i kthejnë shpinën (Besimit të Pastër Islam), atëherë thuaju atyre: “Unë ju jap juve një këshillë për të qenë e njohur për të gjithë ne njëlloj dhe unë nuk e di nëse ajo që ju është premtuar (Dita e Llogarisë apo ndëshkimi) është afër ose larg.”

110. (Thuaju O Muhammed): “Sigurisht, vetëm Ai (Allahu) e di atë që flitet hapur dhe atë që ju e fshehni.

111. Dhe unë nuk e di, mbase mund të jetë një sprovë për ju, ose një kënaqësi e përkohshme.”

112. Ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Zoti im! Gjyko Ti me të vërtetën! Zoti ynë është i Gjithëmëshirshmi, Ndihma e të Cilit duhet të kërkohet kundër asaj që ju i mvishni!”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free