KUR’AN-i
Shqip – Albanian

14 - Ibrahim



Ibrahim

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Ra. (ky është) një Libër të cilin Ne ta kemi shpallur ty (O Muhammed), me qëllim që të udhëheqësh njerëzimin nga errësira (e mosbesimit) drejt dritës (së besimit të Njësisë së Allahut, të Islamit) me Lejen dhe Vullnetin e Zotit të tyre në Rrugën e të Gjithëfuqishmit, Zotëruesit të të gjitha lavdërimeve.

2. Allahut të Cilit i përkasin gjithë ç’ka në qiej dhe gjithë ç’ka në tokë! Por mjerë për mosbesimtarët për ndëshkimin e ashpër (që do t’u sjellë mosbesimi i tyre)!

3. Ata të cilët parapëlqejnë jetën e kësaj bote në vend të Jetës së Pasosur, që pengojnë (njerëzit) nga Udha e Allahut (Islami) dhe që kërkojnë shtrembërime në të - mu këta janë në gabim tepër larg.

4. Dhe Ne nuk kemi sjellë të Dërguar veçse me gjuhën e popullit të tij, me qëllim që ai të mund ta bënte të qartë (Mesazhin) e tij për ta, ndërsa Allahu humb kë Ai do dhe udhëzon atë që Ai do dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

5. Dhe padyshim që Ne e çuam Musain me Ajetet (provat, shenjat, treguesit) Tona (duke i thënë): “Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre Ditët e Allahut (kur ata ishin të veçuar në mirësi e begati mbi gjithë popujt tjerë).” Vërtet që në të ka prova e shenja për çdo (njeri) durues e të paepur, vlerësues e falënderues.

6. (Dhe kujto) kur Musai i tha popullit të tij: “Sillni në mendje Begatinë dhe Ndihmën e Allahut, kur Ai ju çliroi nga populli i Faraonit i cili po ju sprovonte juve me ndëshkim të tmerrshëm duke ju prerë bijtë tuaj e duke ju lënë gratë gjallë: Dhe në të kishte sprovë të jashtëzakonshme nga Zoti juaj.”

7. (Kujto edhe) kur Zoti juaj shpalli: “Nëse falënderoni (duke pranuar besimin e duke adhuruar vetëm Allahun), Unë do t’ju jap akoma më shumë (nga Bekimet e Mia), por në qoftë se jeni të pakënaqur e mosmirënjohës, atëherë me të vërtetë që Ndëshkimi Im është i rreptë.”

8. Ndërsa Musai u tha: “Nëse mohoni e nuk besoni ju dhe të gjithë ç’janë në tokë së bashku, atëherë nuk ka dyshim se Allahu është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë; Ai s’ka nevojë për asgjë), i Denjë për të gjitha lavdërimet.”

9. A nuk ju ka ardhur juve (o njerëz) lajmi i atyre para jush, i popullit të Nuhut, Aadit dhe Themudit? - Edhe i të tjerëve pas këtyre? Askush nuk i njeh ata veç Allahut. Tek ata shkuan të Dërguarit e tyre me prova të qarta, por ata futën duart në gojë (duke ngrënë gishtat nga inati) dhe thanë: “Sigurisht që ne mohojmë atë me të cilën ju jeni dërguar dhe në të vërtetë jemi në dyshim të thellë në atë që ju na ftoni ne (në adhurimin e Një Zoti të Vetëm).”

10. Të Dërguarit e tyre u thanë: “A mos keni dyshim në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të tokës? Ai ju thërret ju që t’ju falë gjynahet tuaja dhe t’ju japë afat për një kohë të caktuar.” Ata u thanë: “Ju s’jeni veçse qenie njerëzore si edhe ne! Ju doni të na largoni ne nga ata që kanë adhuruar gjithnjë prindërit tanë! Na sillni atëherë ndonjë forcë a provë të qartë.”

11. Të Dërguarit u thanë atyre: “Ne nuk jemi veçse qenie njerëzore si edhe ju, por Allahu dhuron Mëshirën e Tij mbi atë që do nga robët e Tij. Nuk është për ne që t’ju sjellim ndonjë fuqi bindëse ose provë të qartë, por veçse me Lejen dhe Vullnetin e Allahut dhe tek Allahu le të mbështeten e t’i varin shpresat besimtarët.

12. Dhe përse të mos mbështetemi tek Allahu, ndërkohë që Ai padyshim na ka udhëzuar ne në rrugët që ndjekim? Ne padyshim që do të përballojmë me shumë durim gjithë dhimbjet që mund të na shkaktoni dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten ata që kërkojnë të mbështeten.”

13. Ndërsa ata që nuk besuan u thanë të Dërguarve të tyre: “Me të vërtetë që ne do t’ju përzëmë nga vendi ynë, ose ju të ktheheni në fenë tonë.” Por Zoti i tyre u frymëzoi këtë Mesazh: “Vërtet që Ne do t’i shkatërrojmë Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit, shkatërruesit).

14. Dhe padyshim që Ne do t’ju bëjmë ju të trashëgoni tokën pas tyre. Kjo është për të atillët që kanë frikë të qëndrojnë para Meje (Ditën e Llogarisë ose Ndëshkimin Tim) dhe i tremben Kërcënimit Tim.”

15. Por ata (të Dërguarit) kërkonin ndihmë e triumf (nga Zoti i tyre, Allahu), ndërsa çdo diktator arrogant e kokëfortë përfundoi në zhgënjim e shkatërrim të plotë.

16. Para tij (diktatorit arrogant e kokëfortë) është Xhehenemi dhe do të detyrohet të pijë ujë të vluar të qelbur.

17. Ai do ta gëlltisë atë pa dëshirë dhe do ta ketë shumë të vështirë ta kapërdijë poshtë gërmazit, ndërsa vdekja do t’i afrohet nga të gjitha anët, por prapëseprapë nuk do të vdesë dhe përballë do të ketë dënim të egër e të pamëshirshëm.

18. Shembulli i atyre që mohuan Zotin e tyre është se punët e tyre janë si hiri mbi të cilin fryn era e tërbuar në një ditë me furtunë: ata nuk do të munden të marrin asnjë thërrmijë nga çfarë punuan. Kjo është humbja dhe largimi më i fundit (nga Udha e Drejtë).

19. A nuk e shihni se Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën me vërtetësi (e me drejtësi, me ligje e me rregull)? Nëse Ai do, Ai mund t’ju heqë ju dhe të sjellë (në vend tuaj) një krijim të ri!

20. Dhe për Allahun kjo s’është e vështirë.

21. Të gjithë ata do të dalin të rreshtuar para Allahut, ndërsa të dobëtit do t’u thonë arrogantëve (prijësve të tyre): “Me të vërtetë që ne ju ndoqëm ju; a mundni të na bëni ndopak dobi ndaj Ndëshkimit të Allahut?” Ata do t’u thonë: “Po të na kishte udhëzuar ne Allahu, ne do t’ju kishim udhëzuar ju. Tash për ne nuk ka ndryshim: nëse hidhërohemi ose i përballojmë (këto vuajtje) me durim, nuk ka vend strehimi për ne.”

22. E shejtani do të thotë kur të jetë vendosur përfundimisht çështja: “Padyshim që Allahu ju bëri juve një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova gjithashtu, por unë ju tradhëtova. Unë nuk kisha asnjë fuqi përmbi ju, por vetëm sa ju bëra thirrje dhe ju m’u përgjigjët. Kështu pra, mos më fajësoni mua, por fajësoni veten tuaj. Unë nuk mund t’ju ndihmoj dhe as ju nuk mund të më ndihmoni mua. Unë e mohoj veprimin tuaj të parë duke më lidhur mua si shok me Allahun (duke m’u bindur mua në jetën e dynjasë). Vërtet që për Dhalimunët (keqbërësit, mohuesit), për ata është ndëshkim i dhimbshëm.”

23. Ndërsa ata që besuan (në Allahun, në të Dërguarin e Tij, në Islam) dhe punuan mirësi e drejtësi, do të futen në Kopshtet e Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë, me Lejen dhe Vullnetin e Zotit të tyre. Përshëndetja e tyre atje do të jetë: Selam (paqë!).

24. A nuk e sheh se si Allahu sjell shembull (e krahasim)? Një fjalë të mirë si një pemë të mirë, rrënja e së cilës është e ngulur fort dhe degët e saj ngrihen (lart) në qiell.

25. Duke dhënë frytet e saj në çdo kohë me Lejen dhe Vullnetin e Zotit të saj. Kështu Allahu i sjell shembujt krahasues për njerëzit, me qëllim që ata të mund të përkujtojnë.

26. Dhe shembulli krahasues për një fjalë të ligë është si ai i pemës së keqe e shkulur nga sipërfaqja e tokës duke mos pasur aspak qëndrueshmëri.

27. Allahu do t’i qëndrojë fort ata që besojnë me një Thënie që qëndron fort në jetën e kësaj bote dhe në Jetën e Pastajme. Por Allahu do t’i humbë ata që janë Dhalimunë (politeistë, mosbesimtarë, keqbërës) dhe Allahu bën çfarë dëshiron.

28. A nuk i ke parë ata të cilët kanë ndryshuar Mirësitë e Allahut në mosbesim dhe i bënë njerëzit e tyre të zbresin të banojnë në shtëpinë e rrënimit? –

29. Xhehenemi, në të cilin do të përvëlohen, - e sa vend i keq për të ndenjur!

30. Dhe i vënë shokë e ortakë Allahut për t’i larguar (njerëzit) nga Rruga e Tij! Thuaju: “Kënaquni (në këtë jetë të shpejtë)! Por nuk ka dyshim se vendi i përcaktuar për ju është drejt Zjarrit (të Xhehenemit)!”

31. Thuaju (O Muhammed) robëve të Mi që kanë besuar se ata duhet të kryejnë plotësisht faljen e përcaktuar (Ikametus-Salat) dhe të shpenzojnë për mirësi nga begatitë që Ne u kemi dhuruar fshehur dhe hapur, para se të vijë një Ditë kur nuk do të ketë as marrëveshje me njëri-tjetrin dhe as përkrahje.

32. Allahu është Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe që dërgon ujin nga qielli duke nxjerrë prej andej fruta si ushqim për ju; është Ai i Cili i ka bërë anijet të jenë të nënshtruara ndaj jush që të mund të lundrojnë nëpër det me Lejen dhe Vullnetin e Tij; po kështu Ai ka bërë edhe lumenjtë të jenë të nënshtruar e në shërbimin tuaj.

33. Dhe Ai ka bërë diellin dhe hënën të dy të ndjekin vazhdimisht drejtimin e tyre (për t’ju shërbyer juve), po kështu ka bërë edhe natën edhe ditën të nënshtruar për ju.

34. Dhe Ai ju dha gjithçka që ju kërkuat dhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni Mirësitë e Allahut, ju kurrë nuk do të ishi në gjendje t’i numëroni ato. Me të vërtetë që njeriu është plotësisht i dhënë pas padrejtësisë e mosmirënjohjes - mosbesimtar.

35. Dhe përkujto kur Ibrahimi tha: “Zoti im! Bëje këtë qytet (Mekën) të paqës dhe të sigurisë dhe më largo e më ruaj mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.

36. O Zoti im! Vërtet që ata (idhujt) kanë gabuar e humbur shumë nga njerëzit. Por kushdo që më ndjek mua, vërtet që ai është prej meje dhe kushdo që nuk më bindet e nuk më ndjek mua (rrugën time), atëherë Ti je vërtet gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

37. O Zoti ynë! Kam vendosur disa nga pasardhësit e mi të banojnë në një luginë të pakultivuar (e të shkretë) pranë Shtëpisë Tënde të Shenjtë (Ka’ba në Mekë), me qëllim që ata, O Zoti ynë, të plotësojnë faljen e rregullt të detyruar (Ikametus-Salat). Mbushi pra zemrat e disa prej njerëzve me dashuri ndaj tyre dhe furnizoji ata me fruta që të mund të falënderojnë.

38. O Zoti ynë! Nuk ka dyshim që Ti e di se çfarë fshehim e çfarë shfaqim hapur. Asgjë, në tokë a në qiell, nuk mund t’i fshihet Allahut.

39. Gjithë lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Allahut i Cili më dhuroi mua në moshë të thyer Ismailin dhe Is’hakun. Me të vërtetë që Zoti im është Gjithëdëgjuesi i duasë.

40. O Zoti ynë! Më bëj mua që të plotësoj faljen e rregullt të përcaktuar, po kështu bëji edhe nga pasardhësit e mi. Zoti ynë! Dhe ma prano duanë.

41. O Zoti ynë! Më fal mua dhe prindërit e mi si dhe gjithë besimtarët Ditën që do të ngrihet llogaria.”

42. Mos mendoni se Allahu është i paditur e i pavëmendshëm për atë që bëjnë Dhalimunët (politeistët, keqbërësit), por Ai u jep atyre kohë deri në një Ditë kur sytë do të zgurdullohen prej tmerrit.

43. (Ata do të jenë) duke vrapuar përpara me qafë të ngritur, me kokën nga qielli, vështrimi duke mos iu kthyer atyre dhe zemrat e tyre bosh (nga hutimi e paniku).

44. Dhe paralajmëroi njerëzit (O Muhammed) për Ditën kur do t’u vijë ndëshkimi dhe atëherë keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë! Na lër fare pak kohë: do t’i përgjigjemi Thirrjes Tënde dhe të ndjekim të Dërguarit (e Tu)!” (Do t’u thuhet): “A nuk ishit ju që u betuat një kohë se nuk do ta linit (jetën e dynjasë për Jetën e Pasosur)?

45. Dhe jetuat në vendbanimet e njerëzve që u gabuan dhe i bënë keq vetvetes duke qenë e qartë për ju se si Ne u sollëm me ta; dhe Ne ju paraqitëm juve mjaft shembuj.”

46. Vërtet që ata e thurën komplotin e tyre dhe padyshim se Allahu ishte në Dijeni të plotë për komplotin e tyre; edhe pse përbetimi i tyre ishte i madh, përsëri ai nuk do të jetë kurrë në gjendje të lëvizë malet nga vendet e tyre (pasi ai është pa asnjë rëndësi). (Tefsir ibn Kethir).

47. Kështu që mos mendoni se Allahu do të harrojë të mbajë Premtimin e Tij ndaj të Dërguarve të Tij. Në të vërtetë Allahu është i Gjithëfuqishëm, i Zoti për Hakmarrje.

48. Ditën kur toka do të zëvendësohet me tjetër tokë, po kështu edhe qiejt, (atëherë) edhe (gjithë krijesat) do të dalin të rreshtuara përpara Allahut të Vetmit, të Papërballueshmit.

49. Dhe do t’i shihni Muxhrimunët (kriminelët, mëkatarët, mosbesimtarët e mohuesit e Njësisë së Allahut) atë Ditë të lidhur bashkë në pranga.

50. Veshjet e tyre do të jenë prej katrani, ndërsa fytyrat do t’ua mbulojë Zjarri.

51. Që të shpërblejë Allahu çdo njeri sipas asaj që ka fituar e që i takon. Vërtet që Allahu është më i Shpejti në marrjen në llogari.

52. Ky (Kur’an) është Mesazh për njerëzimin (dhe provë e qartë kundër tyre) me qëllim që ata të mund të paralajmërohen me anë të tij dhe që të mund të kuptojnë se Ai është vetëm Një Zot i Adhuruar dhe që njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë të përkujtojnë.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free