KUR’AN-i
Shqip – Albanian

18 - El Kehf



El Kehf - Shpella

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun i Cili i ka dërguar robit të Tij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) Librin (Kur’anin) dhe nuk ka sjellë e nuk ka lejuar në të asnjë shtrembërim.

2. (Allahu e ka bërë atë) të Drejtë e të Qartë për t’u tërhequr vëmendjen (mosbesimtarëve) për ndëshkim të ashpër prej Tij dhe për të përgëzuar besimtarët (e Allahut, muslimanët) që punojnë mirësi e drejtësi, se ata do të kenë shpërblim të mrekullueshëm (Xhennetin).

3. Ata do të banojnë aty përherë.

4. Dhe për të këshilluar ata (jehuditë, të krishterët, paganët) të cilët thanë, “Allahu ka lindur bir (ose fëmijë).”

5. Asnjë dije nuk kanë ata për një gjë të tillë, as edhe të parët e tyre. Fjalë e rëndë del nga goja e tyre. Ata nuk thonë gjë tjetër veçse gënjeshtër.

6. Mbase ti (O Muhammed) do të vrasësh veten nga pikëllimi duke u shkuar pas atyre (duke i ftuar e ata largohen prej teje), sepse ata nuk besojnë në këtë Mesazh (Kur’anin dhe Islamin).

7. Vërtet që Ne e kemi bërë çfarë është në tokë si stoli për të, me qëllim që Ne të mund të provojmë ata (njerëzit), se cilët prej tyre janë më të mirët në drejtim e veprime.

8. Dhe sigurisht që Ne do ta bëjmë gjithçka në të (në tokë) dhe të thatë e të vdekur (pa asnjë lloj gjallese në të).

9. A mendon se bujtësit e Shpellës dhe Mbishkrimi (njoftimi për ta ose emrat e tyre) ishin nga Shenjat Tona të mrekullueshme?

10. (Kujto kohën) kur djemtë e rinj ikën për t’u fshehur (prej popullit të tyre mosbesimtar) te Shpella duke thënë: “Zoti ynë! Derdh mbi ne Mëshirë nga Ti Vetë dhe na e lehtëso neve brengën që kemi për në Rrugën e Drejtë!”

11. Kështu Ne ua mbuluam dëgjimin atyre (duke i vënë në gjumë të thellë) në Shpellë për ca vite.

12. Pastaj Ne i ngritëm ata (nga gjumi) që Ne të provonim se cili nga dy grupet ishte më i saktë në llogaritjen e kohës që kishin mbetur atje.

13. Ne ta kujtojmë ty (O Muhammed) ndodhinë e tyre me vërtetësi: Vërtet që ata ishin djem të rinj që besuan në Zotin e tyre (Allahun) dhe Ne ua shtuam edhe më udhëzimin (e i forcuam në Rrugën e Drejtë).

14. Dhe Ne i bëmë zemrat e tyre të forta e të qëndrueshme (me dritën e Besimit tek Allahu) kur u ngritën e thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i tokës, ne kurrë nuk do t’i drejtohemi ndonjë të adhuruari tjetër veç Tij; po ta bënim një gjë të tillë, ne vërtet që do të kishim treguar poshtërsi e mosbesim.

15. Këta njerëzit tanë kanë zgjedhur për adhurim perëndi të tjera veç Atij (Allahut). Pse nuk sjellin ata provë bindëse e të qartë për to? E kush bën gabim më të madh se sa ai i cili trillon gënjeshtër ndaj Allahut?

16. (Ndërsa i thanë njëri-tjetrit): Dhe kur ju u tërhoqët prej tyre dhe prej atyre që ata i adhuronin përveç Allahut, atëherë kërkoni mbrojtje në Shpellë: Zoti juaj do të hapë një rrugë për ju nga Mëshira e Tij dhe do t’jua lehtësojë juve shqetësimin tuaj.”

17. Dhe ju mund ta kishit parë diellin kur lindte, duke u varur djathtas nga shpella e tyre gjatë perëndimit dhe kur perëndonte plotësisht largohej prej tyre nga e majta, ndërsa ata qëndronin shtrirë në mes të Shpellës. Kjo është një nga shenjat treguese të Allahut. Ai të cilin e ka udhëzuar Allahu, është i udhëzuari drejt, por për atë të cilin Ai e shpie në rrugë të gabuar, ju nuk do të gjeni dot asnjë udhëzues që ta drejtojë (në Udhën e Drejtë).

18. Ndërsa ju do t’i mendonit të zgjuar kur ata ishin duke fjetur dhe Ne i kthenim ata nga e djathta dhe nga e majta, kurse qeni i tyre me dy këmbët e para të shtrira te hyrja (e Shpellës si roje te porta). Po t’i kishe parë ata, sigurisht që do të kishe ikur me të shpejtë dhe do të ishe mbushur me tmerr prej tyre.

19. Kësisoj, Ne i zgjuam ata (nga gjumi i gjatë e i thellë) që ta pyesnin njëri-tjetrin. Njëri prej tyre tha: “Sa kohë keni qëndruar (këtu në gjumë)?” Ata iu përgjigjën: “Kemi qëndruar mbase një ditë ose një pjesë të saj.” (Disa) thanë: “Zoti juaj, Ai Vetëm e di më mirë se sa kohë keni qëndruar (këtu në gjumë)...Tash, dërgoni njerin prej jush me këtë monedhë argjendi në qytet dhe të gjejë ushqim të pastër e të ligjshëm për t’u ngrënë dhe t’ju sjell juve të tjerëve këtu dhe le të ketë kujdes të mos marrë vesh gjë njeri për ju.

20. Pasiqë po të merrnin vesh për ju, ata do t’ju gurëzonin ose do t’ju kthenin në fenë e kultin e tyre dhe në rast të tillë, ju kurrë nuk do të ishi të fituar.”

21. Dhe kështu pra, Ne e bëmë të njohur çështjen e tyre për njerëzit që ata të mund ta kuptonin se Premtimi i Allahut është i vërtetë dhe se nuk mund të ketë pikë dyshimi për Orën (Çastin e Fundit). (Përkujto) kur ata (banorët e qytetit) shprehën mospajtime mes njëri-tjetrit për çështjen e tyre dhe thanë: “Ndërtoni një ndërtesë mbi ta, Zoti i tyre e di më mirë për ta”, pastaj ata që fituan mbi çështjen e tyre (mbase mosbesimtarët) thanë: “Me të vërtetë që ne do të ndërtojmë një vend-adhurimi mbi ta.”

22. Thonë (disa) se ata ishin tre, qeni i katërti i tyre; dhe (të tjerë) thonë se ata ishin pesë, qeni i gjashti - duke marrë kështu me mend Gajbin (të fshehtën e të panjohurën); (megjithatë të tjerë prapë) thonë se ata ishin shtatë dhe qeni i teti. Thuaju (O Muhammed): “Zoti im e di më mirë numrin e tyre; askush nuk e di atë përveç një pakice të vogël.” Kështu që mos diskuto (për numrin e tyre, për çështjen e tyre si e qysh etj) veçse me provën e qartë (që Ne ta kemi shpallur ty) dhe mos merr mendim nga asnjë prej tyre (prej popujve të Librave të Parë, jehudive dhe të krishterëve) për çështjen e Bujtësve të Shpellës.

23. Dhe mos thuaj për asgjë, “Do ta bëj këtë e atë gjë nesër.”

24. Përveç (me thënien), “Nëse do Allahu (In shae-llah)!” dhe përmende Zotin tënd kur harron dhe thuaj: “Mbase Zoti im më udhëzon mua drejt një rruge më afër të vërtetës se sa kjo.”

25. E ata qëndruan në Shpellën e tyre treqind vjet (diellore) duke shtuar nëntë (për vitet hënore). (Tefsir Al-Kurtubi).

26. Thuaju: “Allahu e di më mirë se sa qëndruan. Me Të është Gajbi (Dija e së fshehtës dhe e së panjohurës) i qiejve dhe i tokës.” Sa qartë Ai sheh e dëgjon (çdo gjë)! Ata nuk kanë ndihmues e mbrojtës tjetër përveç Atij dhe Ai nuk e ndan Vendimin dhe Ligjin e Gjykimit të Tij me askënd.

27. Dhe lexo (e mëso) çfarë të është shpallur ty nga Libri (Kur’ani) i Zotit tënd. Askush nuk mund t’i ndryshojë Fjalët e Tij dhe nuk do të gjesh strehues tjetër askënd përveç Atij.

28. Dhe mbaje veten tënde me durim ndaj atyre që i drejtohen Zotit të tyre mëngjes e mbrëmje duke kërkuar Fytyrën e Tij dhe mos i hiq sytë mënjanë prej tyre duke dëshiruar salltanetin dhe shkëlqimin e jetës së kësaj bote, si dhe mos iu bind atij, zemrën e të cilit Ne e kemi bërë të pavëmendshme ndaj Përkujtimit Tonë, atij i cili ndjek dëshirat dhe epshet e tij vetjake, atij çështja e të cilit është e humbur dhe veprat e të cilit kanë kaluar çdo kufi.

29. Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj.” Atëherë, kushdo që dëshiron, le të besojë dhe ai që nuk dëshiron, le të mos besojë. Sigurisht që Ne kemi përgatitur për Dhalimunët (zullumqarët, keqbërësit, mosbesimtarët) një Zjarr, muret e të cilit do t’i mbështjellin ata (mosbesimtarët e Njësisë së Allahut) dhe nëse kërkojnë ndihmë (lehtësim, ujë), atyre do t’u jepet ujë si vaji që vlon, i cili do t’ua përvëlojë fytyrat. Pije e tmerrshme për t’u pirë dhe vend i poshtër për të banuar!

30. Padyshim se për ata që besuan dhe punuan drejtësi, sigurisht që Ne nuk do ta humbim kurrë shpërblimin për këdo që punon drejtësi (sipas besimit të tij të pastër për Allahun).

31. Tamam për këta do të jenë Kopshtet e Begatisë së Përjetshme; atje nën ta rrjedhin lumenj, aty do të stolisen me bylyzykë të florinjtë dhe do të veshin rroba mëndafshi të dendur të mrekullueshëm. Ata do të pushojnë atje në frone të lartë. Sa shpërblim i mirë dhe çfarë vendbanimi i mrekullueshëm.

32. Dhe sillu atyre shembullin e dy vetave: njërit prej tyre Ne i patëm dhënë dy kopshte me vreshta dhe ia patëm rrethuar që të dy me hurma ndërsa ndërmjet tyre patëm vendosur fusha të gjelbëruara bereqeti.

33. Secili prej atyre dy kopshteve jepte prodhimet e tij dhe nuk e humbën aspak begatinë e frutave të tyre; po kështu Ne bëmë edhe lumë të gurgullojë mes tyre.

34. Dhe kështu ai kishte fruta të bollshëm. I tha shokut të tij gjatë një bisede të rastit me të: “Unë kam më shumë se ti pasuri dhe jam më i fortë e i nderuar ndër njerëz.” (Tefsir Al-Kurtubi).

35. Dhe shkoi pastaj në kopshtin e tij në gjendje të tillë (krenarie e mosbesimi) i padrejtë për veten e vet. Tha: “Nuk më duket se do të shterrojë gjithë kjo ndonjëherë.

36. Edhe nuk mendoj se Ora (Çasti i Fundit i botës) do të vijë ndonjëherë dhe vërtet nëse do të sillesha prapë te Zoti im (Ditën e Gjykimit), sigurisht që do të gjeja më tepër begati se kjo kur të kthehesha tek Ai.”

37. Shoku i tij i tha gjatë bisedës me të: “A shpreh mosbesim në Atë i Cili të krijoi ty nga dheu (babanë e parë, Ademin), pastaj nga Nutfah (lëngu i ngjizur i krijuar nga bashkimi i dy vezëve) pastaj të dha formën e njeriut të plotë?

38. Sa për mua, unë besoj se Ai është Allahu, Zoti im dhe nuk do të bashkoj kurrë ndokënd ose ndonjë gjë me Zotin tim.

39. Do të ishte më mirë për ty të thoshe kur hyre në kopshtin tënd: ‘Ajo që do Allahu! Nuk ka fuqi veçse në Allahun’ (Ma shaell-llah, la havle la kuv-vete il-la bil-lah)’, nëse më sheh mua me më pak pasuri dhe fëmijë,

40. Mundet që Zoti im të më japë mua më tepër mirësi se kopshti yt dhe të dërgojë mbi tëndin papritur rrufe (ndëshkuese) nga qielli, pastaj do të bëhej veçse hapësirë dheu e rëre.

41. Ose uji prej andej (nga kopshtet) mund të humbë e të fundoset në tokë saqë ti nuk do të mundesh ta kërkosh.”

42. Kështu frutat e tij u mbështollën (nga shkatërrimi) dhe ai mbeti duke fërkuar duart me keqardhje për çfarë kishte shpenzuar në të, ndërkohë që ajo (pasuri) u shkatërrua e gjitha që nga rrënjët nga të gjitha anët. Ai vetëm mundi të thoshte: “(Medet për mua!) Ah! Vetëm sikur të mos i kisha vënë shok Zotit tim!” (Tefsir Ibn Kethir).

43. Dhe ai nuk pati asnjë grup njerëzish që ta ndihmonin atë kundër Allahut dhe as nuk ishte në gjendje të mbronte e të shpëtonte veten e vet.

44. Atje (Ditën e Llogarisë) El-Velajeh (mbrojtja, fuqia, mbizotërimi) do të jetë vetëm për Allahun, Zotin e Vërtetë. Ai (Allahu) është më i Miri për shpërblim dhe më i Miri për suksesin e fundit.

45. Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: është tamam si shiu që Ne zbresim nga qielli dhe me të përzihet dhe e përpin bimësia e tokës dhe bëhet e njomë dhe e gjelbër, por (shpejt pas kësaj) thahet e copëtohet dhe e merr era. Dhe është vetëm Allahu i Cili mbizotëron dhe i Cili ka Fuqi për të bërë gjithçka.

46. Pasuria dhe fëmijët janë zbukurimi i jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira e të drejta të cilat mbeten e nuk shuhen, janë më të mirat me Zotin tënd për shpërblim dhe për themelet e shpresës.

47. Dhe (kujto) Ditën kur Ne do t’i bëjmë malet të shkulen (e të bëhen pluhur) e ta shohësh tokën fushë të rrafshët dhe Ne do t’i grumbullojmë ata të gjithë bashkë që të mos lëmë asnjë prej tyre prapa.

48. Dhe ata do të vendosen para Zotit tënd në radhë (e Ai do t’u thotë): “Tash vërtet ju keni ardhur te Ne ashtu siç ju krijuam Ne herën e parë. Ah! Por ju menduat se Ne nuk kishim caktuar për ju takim (me Ne).”

49. Dhe Libri (veprat e shkruara) do t’i vihet secilit përpara (në të djathtë për besimtarët e në të majtë për mosbesimtarët) dhe do t’i shohësh Muxhrimunët (mëkatarët, kriminelët, mosbesimtarët) të frikësuar prej asaj që është e shkruar në të. Këta do të thonë: “Mjerë ne! Ç’lloj Libri është ky që nuk ka lënë asgjë të vogël e të madhe pa u shkruar e pa u marrë në llogari!?” Kështu ata do të gjejnë gjithçka që ata bënë të vendosur para tyre dhe Zoti yt nuk i bën askujt padrejtësi.

50. (Kujto edhe) kur Ne u thamë melekëve: “I bini në sexhde Ademit.” Kështu ata të gjithë u lëshuan me fytyrë përtokë përveç Iblisit. Ai ishte një prej xhindeve dhe nuk iu bind Urdhërit të Zotit të tij. A do ta zgjidhni ju atëherë më mirë atë dhe pasardhësit e tij mbrojtës e ndihmues se sa Mua, ndërkohë që ata janë armiq të hapur për ju? Sa i poshtër është këmbimi për Dhalimunët (keqbërësit, mosbesimtarët).

51. Unë (flet Allahu) nuk e bëra e nuk i thirra ata (Iblisin me shokë) të dëshmojnë (dhe as nuk mora ndihmën e tyre për) krijimin e qiejve dhe të tokës, bile as për vetë krijimin e tyre, dhe Unë as nuk do të merrja ç’orientues e humbës (të njerëzve) për ndihmues.

52. (Kujto edhe) Ditën kur Ai do të thotë: “Thirrni ata (të ashtuquajturit prej jush) shokët e të barabartët e Mi të cilët ju i mendonit të tillë.” Pastaj ata do të çirren mbi ta, por ata (të adhuruarit e tyre) nuk do t’u përgjigjen, ndërsa Ne do të vëmë ndërmjet tyre Meubika (armiqësi dhe shkatërrim).

53. Dhe Muxhrimunët (mëkatarët, politeistët, kriminelët) do ta shohin Zjarrin dhe do ta kuptojnë qartë se ata duhet të bien brenda në të dhe nuk do të gjejnë rrugë shpëtimi prej andej.

54. Dhe sigurisht që Ne kemi paraqitur qartë çdo lloj shembulli në këtë Kur’an për mbarë njerëzimin, por njeriu është kurdoherë për çdo gjë më grindavec se çdo gjë tjetër.

55. Dhe asgjë nuk i pengoi njerëzit që të besojnë, tash që atyre u ka ardhur Udhërrëfyesi (Kur’ani) dhe që të kërkojnë Faljen nga Zoti i tyre. Apo mos është se ata kërkojnë që të përsëriten rrugët e të parëve edhe me ta (siç u shkatërruan ata, presin edhe shkatërrimin e vet nga Allahu), apo t’u sillet ndëshkimi ballë për ballë?

56. E Ne nuk i kemi çuar të Dërguarit veçse si përgëzues dhe këshillues, por ata që mohojnë, kundërshtojnë me gjëra të paqena, me qëllim që të dobësojnë e të rrëzojnë të vërtetën që këtej dhe i marrin e i trajtojnë Ajetet (shenjat, treguesit, provat) e Mia si shaka e për t’u tallur edhe me vetë faktin se atyre u tërhiqet vëmendja!

57. Dhe kush bën më tepër padrejtësi se sa ai të cilit ia kujtojnë Ajetet (shenjat, treguesit, provat) e Zotit të tij, por ai u kthen shpinën atyre duke harruar çfarë kanë punuar duart e tij? Vërtet që Ne kemi vënë perde mbi zemrat e tyre që të mos e kuptojnë atë (Kur’anin) dhe në veshë shurdhësi dhe nëse ti (O Muhammed) i fton ata në të drejtën, edhe atëherë ata kurrë nuk do të udhëzohen.

58. Por Zoti yt është Falës pa kufi, Zotërues i Mëshirës së gjërë. Po t’i merrte Ai në llogari ata për atë që u takon nga çfarë kanë bërë, atëherë sigurisht që Ai do ta kishte shpejtuar ndëshkimin e tyre, por ata kanë afatin e tyre të përcaktuar, përtej të cilit ata nuk do të gjejnë më shpëtim.

59. Dhe ato vendbanime (popullin e Nuhut, Aadin, Themudin, Medjenin etj) Ne i shkatërruam kur ata punuan padrejtësi e poshtërsi, por Ne vendosëm për ta afat të caktuar për shkatërrimin e tyre.

60. (Kujto) edhe kur Musai i tha shërbyesit të tij: “Nuk do të ndalem deri sa të arrij vendin ku takohen dy detet ose deri sa të kaloj vite e vite në udhëtim.”

61. Por kur ata arritën në vendin e bashkimit të dy deteve, ata harruan peshkun e tyre i cili mori rrugën e tij nëpër det duke e hapur atë si tunel.

62. Kështu kur ata shkuan më tej (përtej vendit të caktuar për takim), Musai i tha djaloshit: “Na e sill ushqimin e mëngjesit, vërtet që jemi lodhur shumë në udhëtimin tonë.”

63. Ai (djaloshi - Jushaë bin Nun) i tha: “A të kujtohet kur arritëm te shkëmbi? Unë e harrova peshkun; askush veçse shejtani më bëri që të mos e kujtoj. Ai mori rrugën për në det në mënyrë të habitshme!”

64. (Musai) i tha: “Kjo është ajo që po kërkonim.” Kështu ata u kthyen prapë duke ndjekur gjurmët e tyre të para.

65. Pastaj ata gjetën një nga robët Tanë, tek i cili Ne kishim dhuruar mëshirë prej Nesh dhe të cilit Ne i kishim mësuar dije nga e Jona.

66. Musai i tha atij (Khidrit): “A mund të të vijë pas, që ti të më mësosh mua diçka nga ajo dije (urtësi, udhëzim në Udhë të Drejtë) që të është mësuar ty (nga Allahu)?”

67. Ai (Khidri) i tha: “Sigurisht që ti nuk do të jesh në gjendje të kesh durim e përmbajtje me mua!

68. Dhe si do të kesh durim për një gjë që ti nuk e di?”

69. (Musai) Tha: “Në dashtë Allahu, do të më gjesh mua të duruar dhe nuk do të të kundërshtoj në asgjë.”

70. Ai (Khidri) i tha: “Atëherë, nëse ti më ndjek mua, mos më pyet për asgjë, derisa unë vetë të ta zë me gojë.”

71. Kështu vazhduan ata të dy bashkë derisa, kur hipën në një anije, ai (Khidri) e shpoi atë. Musai i tha: “A e shpove që t’i fundosësh njerëzit e saj? Vërtet që ke bëre një gjë Imra (Munkar - punë e keqe, e urryer).”

72. Ai (Khidri) i tha: “A nuk të thashë se ti nuk do të jesh në gjendje të kesh durim me mua?”

73. Musai i tha: “Mos më qorto pse harrova dhe mos ji i ashpër me mua duke më sjellë vështirësi në çështjen time me ty.”

74. Pastaj ata vazhduan të dy derisa takuan një djalë të cilin ai e mbyti. Musai i tha: “Ke mbytur një njeri të pafajshëm i cili s’ka vrarë kënd! Vërtet ke bërë një gjë Nukra (Munker të madh - gjë e ndaluar, e poshtër, e tmerrshme)!

75. (Khidri) i tha: “A nuk të thashë se ti nuk do të jesh në gjendje të kesh durim me mua?”

Pjesa 16

76. (Musai) i tha: “Në qoftë se të pyes për ndonjë gjë pas kësaj, atëherë mos më lejo të të shoqëroj. Tashmë e tutje ndaj meje ke arsyetim të plotë.”

77. Pastaj vazhduan të dy derisa, kur ata takuan njerëzit e një qyteti, u kërkuan atyre për të ngrënë, por ata nuk pranuan që t’i mirëpresin. Pastaj ata të dy gjetën atje një mur gati në të rrëzuar, ndërsa ai (Khidri) e rindërtoi atë. (Musai) tha: “Po të kishe dashur, sigurisht që do të kishe marrë pagesë për të!”

78. (Khidri i) tha: “Kjo është ndarja mes meje e teje. Unë do të të tregoj shpjegimin e urtësinë për ato gjëra që ti nuk qe në gjendje të tregoje durim.

79. Sa për anijen, ajo u takonte njerëzve të varfër që punonin në det, kështu që unë desha ta bëj me difekt për punë, pasi kishin një mbret pas tyre i cili grabiste çdo anije me forcë.

80. Sa për djalin, prindërit e tij ishin besimtarë dhe ne patëm frikë se mos ai do t’u shkaktonte atyre dhimbje duke ngritur krye dhe duke mos besuar.

81. Kështu që ne dëshiruam që Zoti i tyre t’ua ndërronte atyre atë me një më të mirë, më të drejtë e më të pastër dhe më të dhimbsur (ndaj prindërve).

82. Ndërsa për murin, ai u takonte dy jetimëve në qytet dhe nën të ishte një thesar që u takonte atyre. Babai i tyre ishte njeri i drejtë dhe Zoti yt dëshironte që ata të arrinin moshën e pjekurisë së plotë dhe ta merrnin thesarin e tyre si mëshirë nga Zoti yt, kurse unë nuk e bëra atë sipas bindjes sime. Ky ishte shpjegimi e urtësia për ato gjëra që ti nuk ishe në gjendje të tregoje durim.”

83. Të pyesin ty (O Muhammed) edhe për Dhulkarnejnin. Thuaju: “Unë do t’ju rrëfej diçka nga historia e tij.”

84. Sigurisht që Ne e vendosëm atë në tokë dhe Ne i dhamë atij rrugë e mjete për të arritur çdo gjë.

85. Kështu që ai ndoqi një rrugë,

86. Derisa, kur arriti vendperëndimin e diellit (vendin më të largët në tokë që mundi të arrijë), pa që ai po perëndonte në një vend ku buronte ujë i zi i turbulluar dhe aty pranë gjeti një popull që banonte në të. Ne i thamë (me frymëzim?): “O Dhulkarnejn! Ose ndëshkoji, ose sillu me mirësi ndaj tyre.”

87. Ai tha: “Sa për atë (që nuk beson Allahun) që bën padrejtësi, ne do ta ndëshkojmë atë dhe pastaj ai do të kthehet prapë te Zoti i tij i Cili do ta ndëshkojë atë me dënim të padëgjuar (në Xhehenem).

88. Por, sa për atë që beson (Allahun) dhe punon drejtësi, ai do të ketë shpërblimin më të mirë (Xhennetin), nga fjalët e buta e drejtuese që do t’i themi (do të jetë më i drejtuar e do të ketë rrugën për në Xhennet më të lehtë).”

89. Pastaj ai ndoqi një rrugë tjetër (nga lindja),

90. Derisa, kur arriti tek vendi ku lindte dielli (vendi më i largët në lindje ku arriti), pa se ai lind te një popull të cilëve Ne nuk u kishim dhuruar mbulesë për t’u mbrojtur nga dielli.

91. Kështu ishte! Dhe Ne dinim gjithçka që ishte përpara tij (Dhulkarnejnit).

92. Pastaj ai mori një rrugë tjetër,

93. Derisa, kur arriti mes dy malesh, ai gjeti aty pranë një popull që mezi kuptonte ndonjë fjalë (kuptoheshin me vështirësi me ta).

94. Ata i thanë: “O Dhulkarnejn! Me të vërtetë që Jexhuxhët e Maxhuxhët po bëjnë shumë të këqija e fatkeqësi në tokë. A të të paguajmë ty një detyrim (në formë pagese) me qëllim që ti të mundesh të na ngresh një pengesë të pakalueshme mes nesh dhe atyre?”

95. Ai tha: “Ajo (fuqi, autoritet, pasuri) në të cilën më ka vendosur Zoti im është më e mirë (se sa shpërblimi juaj), kështu që më ndihmoni me fuqi (punëtore) dhe unë do të ndërtoj mes jush dhe atyre një pengesë të pakalueshme.

96. “Më sillni atëherë blloqe hekuri”, pastaj kur e mbushi grykën mes dy maleve shkëmbore, tha: “Fryni (me shakull)” derisa i nxehu fort, (pastaj) shtoi: “Më sillni bakër të shkrirë për ta derdhur mbi ta.”

97. Kështu ata (Jexhuxh e Maxhuxhët) u bënë të pafuqishëm për t’iu ngjitur ose për ta shpuar.

98. (Dhulkarnejni) tha: “Kjo është mëshirë prej Zotit tim, por kur të vijë Premtimi i Zotit tim, Ai do ta sheshojë atë përtokë dhe Premtimi i Zotit tim është gjithnjë i vërtetë.”

99. Dhe atë Ditë (Ditën kur ata, Jexhuxh e Maxhuxhët do të dalin që andej), Ne do t’i lëmë të gufojnë si valë deti mbi njëri-tjetrin (kaq shumë do të jenë) dhe pastaj do t’i fryhet Surit e Ne do t’i grumbullojmë ata (krijesat) të gjitha së bashku.

100. Dhe atë Ditë Ne do t’ua paraqesim Xhehenemin mosbesimtarëve që ta shohin qartë në pamje,

101. (Atyre) sytë e të cilëve kanë qenë nën vello nga Përkujtuesi Im (Kur’ani) dhe që nuk duronin ta dëgjonin atë.

102. A mos mendojnë ata që nuk besojnë se ata mund të marrin robët e Mi (të Dërguarit e Mi: Isain, birin e Merjemes, Uzejrin, melekë, shenjtorë etj) si Eulija (zota, mbrojtës, ndihmues) përveç Meje? Vërtet që Ne kemi përgatitur Xhehenemin për kënaqësinë e mosbesimtarëve (të Njësisë së Allahut e të Islamit).

103. Thuaju (O Muhammed): “A t’ju tregojmë Ne humbësit më të mëdhenj për veprat e tyre?

104. Ata përpjekjet e të cilëve janë harxhuar kot në jetën e dynjasë duke menduar se po përfitonin mirësi nga veprat e tyre!

105. Këta janë ata të cilët mohojnë Ajetet (provat, shenjat, shpalljet) e Zotit të tyre dhe Takimin me Të (në Jetën e Pastajme për të dhënë llogari), kështu që veprat e tyre janë të kota e nuk do t’u sjellin dobi dhe në Ditën e Kijametit Ne nuk do t’ua vëmë fare në peshojë.

106. Ai do të jetë shpërblimi i tyre, Xhehenemi; kjo për atë që mohuan dhe i morën Ajetet (provat, treguesit, shenjat, shpalljet) e Mia dhe të Dërguarit e Mi si shaka për t’u tallur.

107. Sigurisht se ata që besuan (në Njësinë e Allahut, të Dërguarin e Tij, Islamin) dhe punuan mirësi e drejtësi, do të kenë Kopshtet e Xhennetit Firdeus (vendet më të larta të Xhennetit) për kënaqësinë e tyre,

108. Ku do të banojnë përgjithmonë. Asnjë dëshirë nuk do të kenë ata për t’u hequr prej andej.”

109. Thuaj (O Muhammed njerëzimit): “Sikur deti të ishte ngjyrë (për të shkruar) Fjalët e Zotit tim, pa asnjë mëdyshje se deti do të shterrohej para se të mbaronin Fjalët e Zotit tim, madje edhe sikur të sillnin edhe një të dytë si ai në ndihmë të tij.”

110. Thuaj (O Muhammed): “Unë jam vetëm një njeri si edhe ju, (por) mua më është frymëzuar e më është shpallur se i adhuruari juaj është Një i Adhuruar i Vetëm, Allahu; kështu pra, kushdo që shpreson për Takimin me Zotin e tij, le të punojë mirësi e drejtësi dhe të mos i bashkojë askënd për shok në adhurim Zotit të tij.”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free