KUR’AN-i
Shqip – Albanian

27 - En Neml



En Neml - Milingonat

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ta, Sin. Këto janë Vargjet e Kur’anit dhe (ai është) Libër qartësues (për çdo gjë):

2. Udhëzues (në Rrugën e Drejtë) dhe përgëzues për besimtarët (e Besimit të Pastër Islam).

3. Ata të cilët kryejnë faljen e përcaktuar rregullisht (Ikametus-Salat) dhe japin Zekatin dhe besojnë me bindje në Botën e Përtejme.

4. Me të vërtetë ata të cilët nuk besojnë në Botën e Pastajme, Ne ua kemi bërë që veprat e tyre t’u duken të drejta, kështu që ata enden verbërisht.

5. Janë ata për të cilët do të ketë ndëshkim mjerues (në këtë botë) dhe në Botën e Pastajme ata do të jenë humbësit më të mëdhenj.

6. Dhe padyshim që ti (O Muhammed) po e merr Kur’anin nga (Ai) Një, më i Urti, i Gjithëdituri.

7. (Kujto) kur Musai i tha familjes së vet: “Vërtet që pashë një zjarr; unë do t’ju sjell që andej ndonjë lajm, ose do t’ju sjell ndonjë urë zjarri të ndezur që të ngroheni.”

8. Por kur arriti aty, u thirr: “I bekuar është kushdo që është te zjarri dhe kushdo që është rreth tij! Dhe i lartësuar qoftë Allahu, Zoti i Aleminit (i Gjithësisë, dhe i gjithçkaje që gjindet në të, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).

9. O Musa! Sigurisht që jam Unë, Allahu, I Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

10. Dhe hidhe shkopin tënd!” Por kur ai e pa atë të lëvizë si të ishte gjarpër, (nga frika) u kthye e iku dhe më s’kthehej prapa. (Iu tha): “O Musa! Mos ki frikë, vërtet që të Dërguarit nuk frikësohen para Meje.

11. Përveç atij i cili ka bërë keq dhe më pas e ka ndryshuar të keqen me të mirë, pra sigurisht që Unë jam gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

12. Dhe fute dorën tënde në gji, do të dalë e bardhë, e pa të metë. (Këto janë) nga nëntë shenjat (me të cilat do të shkosh) te Faraoni dhe populli i tij, ata vërtet janë një popull Fasikun (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut, që kalojnë çdo kufi).

13. Por kur arritën tek ata Ajetet Tona (provat, shenjat, fjalët, dëshmitë, mësimet, Shpalljet) të qarta e të kuptueshme, ata thanë: “Kjo është magji e kulluar.”

14. Dhe ata i përgënjeshtruan ato (Ajetet Tona) padrejtësisht dhe me mospërfillje edhe pse vetë në veten e tyre ishin të bindur për to. Shih pra se cili ishte fundi i Mufsidunëve (mosbesimtarëve, i të pabindurve ndaj Allahut, i keqbërësve, gënjeshtarëve).

15. Dhe sigurisht që Ne u dhamë dije Daudit dhe Sulejmanit dhe ata të dy thanë: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun i Cili na parapëlqeu ne mbi shumë robër të tjerë besimtarë të Tij!”

16. Dhe Sulejmani trashëgoi (Pejgamberinë) nga Daudi. Ai tha: “O njerëz! Na është mësuar gjuha e shpezëve dhe na është dhuruar gjithçka. Kjo me të vërtetë që është mirësi e qartë (nga Allahu).”

17. Dhe u mblodhën para Sulejmanit ushtritë e tij të xhindeve, të njerëzve dhe të shpendëve dhe të gjithë të vendosur në radhë luftimi.

18. Derisa, kur arritën te lugina e milingonave, njëra nga milingonat tha: “O mizat e dheut! Hyni në shtëpitë tuaja, që të mos ju vënë nën këmbë Sulejmani dhe ushtritë e tij pa e ndjerë.”

19. Kështu ai (Sulejmani) qeshi i kënaqur nga fjala e saj dhe tha: “O Zoti im! Më siguro mua fuqinë dhe aftësinë që të mund të jem falënderues për Mirësitë e Tua të cilat Ti m’i ke dhuruar mua dhe prindërve të mi, dhe që të mund të punoj mirësi e drejtësi që të kënaqin Ty (për Kënaqësinë Tënde), dhe më prano mua, nga Mëshira Jote, në radhët e robëve të Tu të drejtë.”

20. Ai bëri shikimin rreshtor të shpendëve dhe tha: “Si është puna që nuk e shoh pupëzën? Apo mos është nga ato që mungojnë?

21. Vërtet që do ta ndëshkoj atë me dënim të ashpër ose do t’a therr nëse nuk më sjellë arsye të qartë (për mungesë).”

22. Por pupëza nuk u vonua gjatë, veç (arriti) tha: “Kam kapur (lajm për një gjë) që ti nuk e ke kapur dhe vij tek ti nga Sebai me lajme të vërteta.

23. Gjeta një grua që i sundonte ata dhe asaj i janë dhënë të gjitha gjërat që duhen për një sundues në tokë; ka edhe një fron madhështor.

24. Gjeta atë dhe popullin e saj duke adhuruar diellin në vend të Allahut dhe shejtani ua ka bërë atyre t’u duken të drejta e të pëlqyeshme punët e tyre duke i ndaluar nga Udha (Feja e Allahut), kështu që ata nuk janë të udhëzuar.”

25. (Shejtani i ka penguar nga Udha e Allahut) kështu që ata nuk adhurojnë Allahun i Cili nxjerr në dritë çfarë fshihet në qiej dhe në tokë dhe (i Cili) di çfarë ju fshihni dhe çfarë ju shfaqni hapur. (Tefsir At-Tabari).

26. Allahu, La ilahe il-la Huve (nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Atij) Zoti i Arshit Madhështor më të Lartë!

27. (Sulejmani) tha: “Do të shohim nëse ti flet të vërtetën apo je prej gënjeshtarëve.

28. Shko me këtë letrën time dhe dorëzojua atyre, pastaj tërhiqu prej tyre dhe shih çfarë (përgjigje) kthejnë.”

29. Ajo (mbretëresha) tha: “O prijës! Me të vërtetë që më është sjellë një letër e denjë për madhështi,

30. Me të vërtetë që është prej Sulejmanit dhe me të vërtetë (lexohet në të): “Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti:”

31. “Mos e mbaj veten lart ndaj meje, por ejani tek unë si Muslimanë (si besimtarë të vërtetë të cilët i nënshtrohen plotësisht Vullnetit të Allahut).”

32. Ajo tha: “O prijës! Më këshilloni për këtë çështjen time. Unë nuk do të vendosi asnjë çështje, derisa edhe ju të mos jeni në praninë time (duke dhënë mendime).”

33. Ata i thanë: “Ne kemi fuqi të madhe dhe mundësi të mëdha për luftë, por ty të takon urdhëri; kështu pra, mendo mirë çfarë do të urdhërosh.”

34. Ajo tha: “Është e vërtetë se kur mbretërit hyjnë në një qytet (a kudo si pushtues), e plaçkisin atë dhe i bëjnë njerëzit më të nderuar të atij populli më të ulëtit. Dhe kësisoj bëjnë ata.

35. Por sigurisht që po i çoj atij një dhuratë dhe të shoh se më çfarë (përgjigje) do të kthehet dërgata.”

36. Kështu kur (të dërguarit me dhuratën) arritën te Sulejmani, ai tha: “A do të më ndihmoni mua me pasuri? Ajo që më ka dhuruar mua Allahu, është më e mirë se sa ajo që Ai ju ka dhuruar juve! Për më tepër, ju kënaqeni me dhuratën tuaj!”

37. (Pastaj Sulejmani u tha të dërguarve të lartë të saj të cilët i sollën dhuratën): “Kthehuni prapë tek ata. Padyshim që ne do të vijmë tek ata me ushtri që ata nuk mund t’u bëjnë ballë dhe do t’i përzëmë që andej me turp dhe të poshtëruar.”

38. Ai u tha (të vetëve): “O udhëheqës! Cili prej jush mund të ma sjell mua fronin e saj para se ata të më vijnë të bindur si të nënshtruar?”

39. Një Ifrit (më i fuqishmi) nga xhindet tha: “Unë do të ta sjell atë ty para se të ngrihesh nga vendi. Dhe vërtet që jam i fortë dhe i besueshëm për një shërbim të tillë.”

40. Njëri që kishte dije për Librat (e Shenjtë) tha: “Do të ta sjell atë ty sa të hapësh e të mbyllësh sytë!” Pastaj, kur (Sulejmani) e pa atë të vendosur para tij, ai tha: “Kjo është nga Mirësia e Allahut, për të më provuar mua nëse jam mirënjohës apo mosmirënjohës! Dhe kushdo që është mirënjohës, sigurisht që mirënjohja është (mirësi) për veten e vet dhe kushdo që është mosmirënjohës, vërtet që Zoti im është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë), Dhurues i Madh.”

41. Ai tha: “Ndryshojani asaj fronin e vet, që të shohim nëse ajo do të udhëzohet apo do të jetë prej të paudhëzuarve.”

42. Kështu, kur ajo erdhi, i thanë: “A është i këtillë froni yt?” Ajo tha: “Si të ishte vetë ai.” Dhe (Sulejmani tha): “Neve na është dhënë dija para asaj dhe ne ishim muslimanë (para saj).”

43. Dhe ai të cilin ajo e kishte adhuruar në vend të Allahut, e kishte ndaluar atë (nga Islami), pasi ajo ishte prej një populli mosbesimtar.

44. Asaj iu tha: “Hyn në As-Sarh (pallat madhështor me sipërfaqen prej qelqi me ujë përfundi),” por kur ajo e pa atë, mendoi se ishte pellg uji dhe ngriti rrobat e saj duke zbuluar këmbët. Sulejmani i tha: “Në të vërtetë është Sarh (sipërfaqe e qelqtë me ujë poshtë, ose pallat) i veshur e i lëmuar me pllaka qelqi.” Ajo tha: “Zoti im! Me të vërtetë që e paskam gabuar veten dhe unë i nënshtrohem në Islam (si muslimane) bashkë me Sulejmanin, Allahut, Zotit të Aleminit (Zotit të Gjithësisë dhe gjithçkaje që gjindet në të, Zotit të njerëzve dhe të xhindeve).”

45. Dhe sigurisht që Ne dërguam te (populli) Themud-i vëllain e tyre Salihun (duke u thënë): “Adhuroni Allahun.” Pastaj, ç’të shohësh! Ata u bënë dy palë (besimtarë dhe mosbesimtarë) duke u grindur me njëri-tjetrin.

46. Ai (Salihu) tha: “O populli im! Përse kërkoni ta shpejtoni të keqen (ndëshkimin) para të mirës (Mëshirës së Allahut)? Përse nuk kërkoni Faljen e Allahut, që të mëshiroheni?”

47. Ata i thanë: “Ne parandjejmë prej teje dhe prej atyre që janë me ty shenja ogurzeza.” Ai u tha: “Shenja juaj kërcënuese ogurzezë është me Allahun; posi jo, por ju jeni një popull që po vihet në sprovë.”

48. Dhe gjindeshin në qytet nëntë vetë (nga bijtë e parisë së tyre), të cilët bënin djallëzi në tokë dhe nuk do të përmisoheshin.

49. Ata thanë: “Betohuni njëri-tjetrit në Allahun që ne të bëjmë një sulm të fshehtë natën mbi të dhe familjen e tij dhe pastaj, sigurisht që do t’u themi të afërmve të tij: ‘Ne nuk ishim të pranishëm në shkatërrimin e familjes së tij dhe me të vërtetë që ne po tregojmë të vërtetën’.”

50. Kështu ata u përbetuan, por edhe Ne bëm plan, ndërsa ata nuk e merrnin vesh.

51. Shihni pra, se si qe fundi i përbetimit të tyre! E vërtetë, Ne i shkatërruam ata dhe popullin e tyre të gjithë bashkë.

52. E këto janë shtëpitë e tyre të shkatërruara plotësisht për të këqiat që bënë. Vërtet që në këtë është një Ajet (shenjë, mësim) i vërtetë për njerëzit që kanë dije.

53. Dhe Ne i shpëtuam ata që besuan, që e patën frikë Allahun dhe që e përmbushën detyrimin ndaj Tij.

54. Dhe (kujto) Lutin, kur ai i tha popullit të vet: “A kryeni El-Fahshah (ligësi, poshtërsi, çdo lloj marrëdhënie të paligjshme e imorale - zina - sodomi etj) hapur duke e parë njëri-tjetrin?

55. A u afroheni burrave me epshin tuaj në vend të grave? Jo, por ju me të vërtetë jeni një popull që silleni pa mend.”

Pjesa 20

56. Përgjigje e popullit të tij nuk ishte tjetër, vetëm se të thonë: “Dëboni familjen e Lutit nga qyteti! Vërtet që këta janë njerëz që duan të jenë të pastër e të dëlirë!”

57. Kështu Ne e shpëtuam atë (Lutin) dhe familjen e tij përveç gruas së tij. Ne e paracaktuam atë (gruan e tij) të jetë prej atyre që mbetën pas.

58. Dhe Ne derdhëm mbi ta shi (gurësh për ndëshkim). Dhe sa i keq ishte shiu për ata që u qortuan!

59. Thuaj (O Muhammed): “Gjithë Lavdërimet dhe Falënderimet qofshin për Allahun dhe paqja qoftë mbi robët e Tij të cilët Ai i ka zgjedhur (për Mesazhin e Tij)! A është Allahu më i mirë, apo gjithë ata (zota) që ju ia mveshni dhe ia barazoni (Atij)?”

60. A nuk është Ai (më i mirë se zotat tuaj) i Cili krijoi qiejt dhe tokën dhe dërgon ujë nga qielli për ju dhe Ne me të bëjmë të lulëzojnë kopshte të begatë gjithë bukuri e kënaqësi? Nuk është në aftësitë tuaja të sillni rritjen e pemëve të tyre. A ka ndonjë zot tjetër me Allahun? Jo, kurrë! Por ata janë njerëz që i përshkruajnë (Atij) shokë si të barabartë me Të!

61. A nuk është Ai (më i mirë se zotat tuaj) i Cili e ka bërë tokën vendbanim të qëndrueshëm, ka vendosur mes saj lumenj, ka vendosur edhe male të qëndrueshme në të, ka vendosur edhe pengesë të pakalueshme në mes dy deteve. A ka ndonjë zot tjetër me Allahun? Jo kurrë! Por shumica e tyre nuk e dinë.

62. A nuk është Ai (më i mirë se zotat tuaj) i Cili i përgjigjet të pikëlluarit kur ai i drejtohet Atij dhe i Cili e largon të keqen dhe u bën ju trashëgues të tokës brez pas brezi. A ka ndonjë zot tjetër me Allahun? Sa pak mendoni!

63. A nuk është Ai (më i mirë se zotat tuaj) i Cili ju udhëzon ju në errësirën e tokës e të detit dhe i Cili dërgon erërat si lajmëtarë të përgëzimit duke paraprirë Mëshirën e Tij (shiun)? A ka ndonjë zot tjetër me Allahun? I Lartësuar në Madhështi qoftë Allahu mbi gjithçka që ata ia mveshin Atij si të barabartë!

64. A nuk është Ai (më i mirë se zotat tuaj) i Cili fillon krijimin dhe pastaj do ta përsërisë atë prapë edhe i Cili ju furnizon ju nga qielli dhe toka? A ka ndonjë zot tjetër me Allahun? Thuaju: “Sillni argumentet tuaja, nëse jeni që flisni të vërtetën!”

65. Thuaj: “Askush në qiej dhe në tokë nuk e di Gajbin (të fshehtën, të panjohurën) veç Allahut, as nuk mund ta ndjejnë se kur do të ringjallen.”

66. Por ata nuk kanë asnjë dije për Jetën e Përtejme! Por ata dyshojnë në të, madje ata janë të verbër për të!

67. Dhe ata që nuk besojnë, thonë: “Kur të jemi bërë dhe e pluhur, ne dhe baballarët tanë, vërtet që do të nxirremi (përsëri)?

68. Vërtet që na u premtua kjo gjë neve dhe baballarëve tanë më parë. Vërtet që këto nuk janë gjë tjetër veçse përralla të të parëve.”

69. Thuaju atyre: “Udhëtoni në tokë dhe shihni se si ishte fundi i kriminelëve (të cilët mohuan të Dërguarit e Allahut dhe nuk iu nënshtruan Allahut).”

70. Dhe mos të të vijë keq për ta, as mos u ngushto (e mos u brengos) për shkak të asaj që ata kurdisin.

71. Dhe ata thonë: “Kur (do të përmbushet) ky premtim nëse jeni që flisni të vërtetën?”

72. Thuaj: “Mbase ai që ju doni ta shpejtoni, mund të jetë pas shpinës suaj.”

73. Vërtet që Zoti yt është gjithë Mirësi ndaj njerëzimit, por shumica e tyre nuk falënderojnë.

74. Dhe vërtet që Zoti yt di çfarë fshehin gjokset e tyre dhe çfarë ata e nxjerrin hapur.

75. Dhe s’ka gjë të fshehur në qiell dhe në tokë që të mos jetë në Librin e Qartë (në Leuhin-Mahfudh).

76. Me të vërtet që ky Kur’an u shtjellon Bijve të Israilit shumicën e atyre çështjeve për të cilat ata nuk pajtohen.

77. Dhe vërtet që ai (Kur’ani) është udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.

78. Vërtet që Zoti yt do të vendosë mes tyre (palëve e sekteve të ndryshme) me Gjykimin e Tij. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri.

79. Mbështetu pra tek Allahu; nuk ka dyshim që ti (O Muhammed) je në të vërtetën e qartë.

80. Sigurisht që ti nuk mund të bësh të vdekurit të dëgjojnë, e as nuk mund të bësh të shurdhërit të dëgjojnë thirrjen, kur ata ikin duke kthyer shpinën.

81. As që mund të udhëzosh të verbërit (të dalin) nga gabimi e humbja ku kanë rënë. Ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë ndonjë tjetër, vetëm ata të cilët besojnë Ajetet Tona (provat, shenjat, Shpalljet) dhe që janë të nënshtruar (plotësisht në veten e tyre ndaj Allahut në Islam si muslimanë).

82. Dhe kur Fjala (e ndëshkimit) të përmbushet kundër tyre, Ne do t’u nxjerrim atyre një egërsirë nga toka e cila do t’u flasë atyre, sepse njerëzit nuk besuan me bindje në Ajetet Tona (Vargjet e Kur’anit dhe në Pejganberin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

83. Dhe (kujto) Ditën kur Ne do të mbledhim nga çdo popull një turmë prej atyre të cilët mohuan Ajetet Tona dhe (pastaj) ata (të gjithë) do të grumbullohen (dhe do të çohen në vendin e gjykimit).

84. Derisa, kur ata të vijnë (para Zotit të tyre në vendin e gjykimit), Ai do t’u thotë: “A i mohuat Ajetet e Mia (provat, shenjat, dëshmitë), kur ju nuk i kuptuat me dijen tuaj, apo çfarë qe ajo që ju bëtë?

85. Dhe Fjala (e ndëshkimit) do të përmbushet ndaj tyre për shkak të këqijave që bënë dhe ata nuk do të jenë në gjendje të flasin.

86. A nuk shohin ata se Ne e kemi bërë natën për ta për të pushuar gjatë saj dhe ditën që jep dritë? Vërtet që në të ka Ajete (prova, shenja, tregues) për njerëzit që besojnë.

87. Dhe (kujto) Ditën në të cilën do t’i fryhet Surit - dhe të gjithë ata të cilët gjinden në qiej dhe të gjithë ata të cilët gjinden në tokë do të tmerrohen përpos atij të cilit Allahu dëshiron (t’i bëjë përjashtim). Dhe të gjithë do t’i shkojnë Atij të përulur.

88. Dhe i shihni malet dhe i mendoni (e ju duken) si të palëvizshme, por ato kalojnë si kalimi i reve. (kjo është) Vepër e Allahut i Cili përsosi çdo gjë. E vërtet! Ai është në Dijeni të Plotë për gjithçka që ju bëni.

89. Kushdo që sjell një vepër të mirë (Besimin vetëm në Allahun dhe bashkë me të çdo vepër të mirë e të drejtë), do të ketë më shumë se sa vlen ajo dhe këta do të jenë të çliruar nga tmerri atë Ditë.

90. Dhe kushdo që sjell një vepër të ligë (Shirk - politeizëm, mosbesim në Njësinë e Allahut dhe çdo vepër tjetër të keqe), do të hidhen poshtë me fytyrë përmbys në Zjarr. (Dhe do t’u thuhet atyre): “A mos po shpërbleheni me gjë tjetër përveçse për çfarë keni bërë?”

91. Unë jam urdhëruar të adhuroj vetëm Zotin e këtij qyteti (Mekës), Atë i Cili e ka shenjtëruar atë dhe e Tij është gjithçka. Dhe unë jam urdhëruar të jem nga muslimanët (atyre që i nënshtrohen Allahut në Islam).

92. Dhe të lexoj Kur’anin; kështu, kushdo që udhëzohet, e merr atë për të mirën e vet dhe kushdo që humbet në të gabuarën, thuaji: “Unë jam vetëm nga ata që këshillojnë.”

93. Dhe thuaju (politeistëve, mosbesimtarëve): “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet qofshin për Allahun! Ai do t’u tregojë juve Ajetet e Tij (shenjat treguese) dhe ju do t’i dalloni ato. Dhe Zoti yt nuk është i pavetëdijshëm për çfarë ju veproni.”

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free