KUR’AN-i
Shqip – Albanian

63 - El Munafikune



El Munafikune - Hipokritët

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Kur vijnë Munafikët (njerëzit me dy fytyra, hipokritët) tek ti, thonë: “Ne dëshmojmë se ti vërtet je i Dërguar i Allahut.” Allahu e di se ti je vërtet i Dërguari i Tij dhe Allahu dëshmon se hipokritët janë me të vërtetë gënjeshtarë.

2. Ata i kanë bërë betimet e tyre mbulesë (për dyfytyrësinë e tyre). Kështu ata pengojnë (njerëzit) nga Udha e Allahut. Vërtet e poshtër është ajo që ata bënin.

3. Kjo sepse ata besuan, pastaj mohuan, kësisoj zemrat e tyre janë vulosur, kështu që ata nuk kuptojnë.

4. Kur i sheh, trupi i tyre ju kënaq; dhe kur të flasin, i dëgjon fjalët e tyre. Ata janë si trungjet e zgavruar e të mbështjellur. Ata mendojnë se çdo thirrje është kundër tyre. Ata janë armiqtë, pra ruajuni prej tyre. Allahu i mallkoftë! Si shmangen nga Rruga e Allahut!

5. Dhe kur u thuhet atyre: “Ejani, që i Dërguari i Allahut t’i kërkojë falje Allahut për ju”, ata kthejnë kokën mënjanë dhe do t’i shohësh të kthejnë fytyrën me kryelartësi.

6. Është njësoj për ta nëse ti (O Muhammed) kërkon falje për ta ose nuk kërkon falje për ta, Allahu kurrë nuk do t’i falë ata. Vërtetë që Allahu nuk e udhëzon popullin Fasikun (të pabindur, të panënshtruar ndaj Allahut).

7. Ata janë të cilët thonë: “Mos shpenzoni për ata të cilët janë me të Dërguarin e Allahut, derisa ata ta braktisin atë.” Por, Allahut i përkasin thesarët e qiejve dhe të tokës, ndonëse hipokritët nuk kuptojnë.

8. Ata (hipokritët) thonë: “Kur të kthehemi në Medine, padyshim që më i nderuari (Abdullah bin Saul, prijës i hipokritëve në Medine) do ta dëbojë që andej më të ulëtin (të Dërguarin e Allahut).” Por nderimi, fuqia dhe lavdia i përkasin Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.

9. O ju që keni besuar! Mos t’jua largojnë vëmendjen nga kujtimi i Allahut pasuritë tuaja dhe fëmijët tuaj. Dhe kushdo që e bën këtë, atëherë ata janë të humburit.

10. Dhe shpenzoni (në bamirësi) nga ajo me të cilën Ne ju kemi furnizuar, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja e të thotë: “Zoti im! Veç sikur të më jepje fare pak kohë (të kthehesha në jetën e dynjasë), se do të jepja Sadakanë (Zekatin dhe bamirësi tjetër) nga pasuria dhe të isha prej të drejtëve (të punoja në Rrugën Tënde).”

11. Dhe Allahu nuk ia shtyn askujt afatin kur t’i vijë Exheli (koha e përcaktuar, vdekja). Dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju bëni.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free