KUR’AN-i
Shqip – Albanian

60 - El Mumtahineh



El Mumtahineh - Gruaja në provë

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O ju që keni besuar! Në qoftë se ju keni dalë për t’u përpjekur për Çështjen Time dhe për të fituar Kënaqësinë Time, mos i bëni armiqtë e Mi dhe armiqtë e juaj (mosbesimtarët, politeistët) miq e shokë duke treguar dashuri ndaj tyre, ndërkohë që ata kanë mohuar çfarë ju ka ardhur juve nga e Vërteta (Kur’ani, Islami, i Dërguari i Allahut) dhe kanë dëbuar të Dërguarin (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe vetë ju (nga shtëpitë tuaja), vetëm për shkak se besoni Allahun, Zotin tuaj! Ju tregoni miqësi me ta në fshehtësi, ndërkohë që Unë jam i Gjithënjohur për gjithçka që ju fshehni ose shfaqni hapur. Dhe kushdo prej jush që e bën këtë, atëherë ai është larguar (tepër) larg nga Udha e Drejtë.

2. Sikur ata të fitonin epërsi mbi ju, ata do të silleshin ndaj jush si armiq dhe do të shtrinin duart e tyre dhe gjuhën e tyre me ligësi kundër jush; dhe ata duan që ju të bëheni mosbesimtarë.

3. As të afërmit tuaj, as fëmijët tuaj nuk do t’ju sjellin dobi juve Ditën e Ringjalljes. Ai do të gjykojë ndërmjet jush. Dhe Allahu është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju bëni.

4. Me të vërtetë që ka qenë një shembull të shkëlqyer për ju tek Ibrahimi dhe tek ata që ishin me të, kur i thanë popullit të tyre: “Vërtet që ne jemi të lirë prej jush dhe prej gjithçka që ju adhuroni në vend të Allahut; ne ju kemi hedhur poshtë ju dhe ndërmjet nesh dhe jush ka filluar armiqësi dhe urrejtje përgjithnjë, derisa të besoni në Allahun Një të Vetëm,”- me përjashtim të thirrjes së Ibrahimit, babait të vet: “Vërtet që do të kërkoj falje për ty (nga Allahu), por unë nuk kam asnjë fuqi për të bërë ndonjë gjë për ty para Allahut.” “Zoti ynë! Vetëm tek Ti ne mbështetemi, vetëm tek Ti ne jemi kthyer me pendim dhe vetëm tek Ti është kthimi ynë i fundit.

5. Zoti ynë! Mos na bëj ne sprovë për mosbesimtarët dhe falna ne, O Zoti ynë! Vërtet Ti, vetëm Ti je i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.”

6. Me të vërtetë që tek ata pati shembull të shkëlqyer për ju që ta ndiqni, - për ata që shpresojnë (Takimin me) Allahun (për shpërblimin e Tij) dhe Ditën e Fundit. Dhe kushdo që kthen shpinën, atëherë padyshim që Allahu është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë), Zotëruesi i gjithë lavdërimeve.

7. Mbase Allahu mund të vendosë miqësi ndërmjet jush dhe atyre që ju i mbani si armiq. Allahu është i Zoti (për të bërë çdo gjë) dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

8. Allahu nuk ju ndalon që ju të bashkëpunoni në drejtësi e mirësi me ata të cilët nuk ju luftuan për çështje të fesë dhe nuk ju dëbuan nga shtëpitë tuaja. Vërtet që Allahu i do ata që bashkëpunojnë me barazi.

9. Janë vetëm ata të cilët ju luftuan ju për çështje të fesë dhe që ju kanë dëbuar nga shtëpitë tuaja si dhe që kanë ndihmuar për t’ju dëbuar ju, që Allahu jua ndalon juve të bëni shoqëri me ta. Dhe kushdo që shoqërohet me ta, atëherë të këtillët janë Dhalimunë (keqbërës që nuk i binden Allahut).

10. O ju që keni besuar! Kur gra besimtare vijnë tek ju si të shpërngulura, i provoni ato, ndonëse Allahu i njeh mjaft mirë për Besimin e tyre. Në qoftë se ju bindeni se ato janë besimtare të vërteta, atëherë mos i ktheni prapë te mosbesimtarët, sepse ato nuk janë (bashkëshorte) të ligjshme për mosbesimtarët dhe as mosbesimtarët nuk janë (bashkëshortë) të ligjshëm për ato. Por jepuni mosbesimtarëve atë (vlerë) që ata kanë shpenzuar për to (për Mahrin e tyre) dhe nuk do të jetë aspak gjynah për ju të martoheni me to, në qoftë se ju u keni paguar atyre Mahrin e tyre. Po kështu, mos i mbani mosbesimtaret për bashkëshorte dhe kërkoni atë që keni shpenzuar për to (për Mahr); dhe ata (mosbesimtarët) le të kërkojnë atë që ata kanë shpenzuar. Ky është Gjykimi i Allahut. Ai gjykon mes jush dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

11. Dhe në qoftë se ndonjë prej bashkëshorteve tuaja, ka shkuar nga ju tek mosbesimtarët (si femohuese dhe ju u keni kërkuar atyre t’ju kthejnë Mahrin tuaj, por ata nuk kanë pranuar), pastaj ju keni shkuar më pas në fushatë lufte kundër tyre dhe keni fituar plaçkë; atëherë, paguani nga ajo plaçkë atyre të cilëve u kanë ikur gratë, vlerën e barabartë që patën shpenzuar (për Mahrin e tyre). Dhe kini frikë Allahun tek i Cili ju besoni.

12. O ti Pejgamber! Kur të vijnë tek ti besimtaret për të të dhënë besën e besimit: se ato nuk do të bashkojnë gjë në adhurim me Allahun, se nuk do të vjedhin, se nuk do të bëjnë Zina (marrëdhënie imorale të paligjshme), se nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, se nuk do të shpifin duke trilluar me qëllim gënjeshtër (duke i bërë të paligjshëm fëmijët që u përkasin burrave të tyre) dhe se nuk do të të kundërshtojnë ty në asnjë çështje Maëruf (të Besimit Islam dhe gjithë ç’përmban e ç’urdhëron ai), atëherë pranoje besën e tyre dhe lutju Allahut për t’i falur ato. Vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

13. O ju që keni besuar! Mos i merrni për miq e shokë njerëzit nga populli të cilët tërhoqën mbi veten e tyre Zemërimin e Allahut (jehuditë). Sigurisht që ata kanë humbur çdo shpresë për të fituar ndonjë mirësi në Jetën e Përtejme, tamam si edhe mohuesit që kanë humbur çdo shpresë për ata ndër varre (se nuk do të ringjallen Ditën e Ringjalljes).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free