KUR’AN-i
Shqip – Albanian

36 - Ja - Sin



Ja - Sin

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Ja, Sin.

2. (Betohem) në Kur’anin e pacënueshëm në Urtësinë e tij të lartë.

3. S’ka dyshim se ti (Muhammed) je prej të Dërguarve,

4. Në Udhën e Drejtë (në Besimin e Pastër Islam).

5. (Kjo është Shpallje) e zbritur nga i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti,

6. Me qëllim që ta këshillosh një popull, të parët e të cilëve nuk qenë këshilluar, kështu që ata janë të shkujdesur e të paditur.

7. Vërtet që Fjala (e ndëshkimit) tashmë është e provuar e vërtetë ndaj shumicës së tyre, prandaj ata nuk do të besojnë.

8. Sigurisht që Ne kemi vënë në qafat e tyre jaka hekuri që u arrijnë deri te mjekrra, kështu që kokat e tyre janë të ngrira.

9. Dhe Ne kemi vënë një pengesë të pakalueshme përpara tyre edhe mbrapa një pengesë të pakalueshme, edhe i kemi mbuluar nga lart, kështu që ata nuk mund të shohin.

10. Është njësoj për ta, nëse ti u tërheq vëmendjen, ose nuk ua tërheq vëmendjen, ata nuk do të besojnë.

11. Ti vetëm mund të këshillosh atë i cili ndjek Përkujtuesin (Kur’anin) dhe i frikësohet të Gjithëmëshirshmit pa e parë (Atë). Përgëzoje pra një të tillë me sihariqin e faljes dhe të shpërblimit të begatë (të Kopshteve të Xhennetit).

12. Nuk ka dyshim se Ne u japim jetë të vdekurve dhe Ne shënojmë atë që ata dërgojnë para tyre, edhe gjurmët e tyre, edhe gjithçka që Ne kemi shënuar në llogari (si dëshmi) në Librin e Qartë.

13. Dhe sillu atyre si një shembull përngjasues (ndodhinë për) banorët e qytetit, kur atyre u erdhën atje të Dërguarit.

14. Kur Ne çuam tek ata dy (të Dërguar), ata i mohuan që të dy, kështu që Ne i përforcuam ata me një të tretë dhe u thanë (banorëve të qytetit): “Me të vërtetë që ne jemi sjellë te ju si të Dërguar.”

15. Ata u thanë: “Ju jeni thjesht vetëm qenie njerëzore tamam si edhe ne vetë, dhe i Gjithëmëshirshmi (Allah) nuk ka zbritur gjë, e ju veçse gënjeni.”

16. (Të Dërguarit) thanë: “Zoti ynë e di që ne jemi sjellë të Dërguar te ju,

17. Dhe ne nuk kemi detyrë tjetër, veçse të shpallim qartë (Mesazhin).”

18. Ata u thanë: “Sa për ne, ne kemi parë shenjë ogurzezë prej jush e nëse nuk pushoni, ne do t’ju gurëzojmë dhe do t’ju shtrëngojë dënim i dhimbshëm prej nesh.”

19. Ata (të Dërguarit) thanë: “Shenjat tuaja ogurzeza qofshin me ju! A pse u këshilluat? Por në të vërtetë ju jeni një popull Musrifun (që kalon çdo kufi në të gjitha krimet e gjynahet dhe duke mos i besuar e duke mos iu nënshtruar Allahut).

20. Dhe erdhi nga fundi tjetër i qytetit një njeri duke vrapuar, dhe tha: “O populli im! Bindjuni të Dërguarve.

21. Bindjuni atyre që nuk kërkojnë nga ju asnjë shpërblim (për vete) dhe që janë të udhëzuar drejt.

22. Dhe pse të mos e adhuroj unë Atë i Cili më ka krijuar mua dhe tek i Cili ju (të gjithë) do të ktheheni.

23. Vallë, a të marr (për adhurim) unë zota të tjerë në vend të Tij? Në qoftë se i Gjithëmëshirshmi (Allah) më dëshiron mua ndonjë të keqe, (atëherë) ndërhyrja e tyre nuk do të më vlejë aspak dhe as nuk munden të më shpëtojnë.

24. Atëherë (po të veproja kështu), do të isha në gabim të qartë.

25. Me të vërtetë që unë besova në Zotin tuaj; më dëgjoni pra!”

26. Atij i është thënë (kur mohuesit e vranë): “Hyn në Xhennet!” e ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im!;

27. Për çfarë më fali mua Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!”

Pjesa 23

28. Pas tij, Ne nuk dërguam kundër popullit të tij ushtri nga qielli dhe as që ishte e nevojshme,

29. Ishte vetëm një Saihah (dënim me britmë shkatërruese e dërguar nga qielli) dhe ja! Të gjithë ata të heshtur, të ngrirë.

30. Oh! Mjerë për njerëzimin! Asnjëherë nuk u erdhi atyre i Dërguar, veçse gjithnjë u tallën me të.

31. A nuk e shohin ata sa shumë breza kemi shkatërruar Ne para tyre? Sigurisht që këta nuk do të kthehen tek ata.

32. Dhe sigurisht që të gjithë, - gjithsecili prej tyre do të sillet para Nesh.

33. Dhe një shenjë për ta është toka e vdekur. Ne i japim jetë asaj dhe Ne nxjerrim prej saj drithëra dhe kështu prej tyre ata hanë.

34. Dhe Ne kemi bërë në të kopshte hurmash dhe vreshta dhe kemi bërë në të edhe burime të ujit që derdhen me vrull.

35. Ashtu që ata të ushqehen nga frutat e saj në të dhe nuk e bënë gjithë këtë duart e tyre. A nuk do të falënderojnë pra?

36. Lavdi i qoftë Atij i Cili ka krijuar gjithë palët e atyre që prodhon toka si dhe nga vetë lloji i tyre (i qenies njerëzore) dhe nga ato gjëra që ata nuk i dinë.

37. Dhe një shenjë për ta është nata: Ne tërheqim prej saj ditën dhe ja, ata janë në errësirë.

38. Edhe dielli rend në rrugën e tij për një kohë (të përcaktuar). Ky është Vendimi i përcaktuar i të Gjithëfuqishmit, të Gjithëditurit.

39. Edhe hënës Ne i përcaktuam dhe i matëm asaj vendbanime (faza që t’i përshkojë), derisa të kthehet si një kërcell i vjetër i tharë hurme (hëna e re).

40. Nuk shkon për diellin të kapë hënën dhe as nata nuk e lë prapa (nuk ia kalon në vrapimin e saj) ditën. Ata të gjithë notojnë, secili në orbitë.

41. Dhe një shenjë për ta është (ajo), se Ne mbartëm pasardhësit e tyre (të njerëzimit) në barkën e ngarkuar rëndë (të Nuhut).

42. Dhe Ne kemi krijuar po si ajo për ta, të cilat i ngasin e udhëtojnë.

43. Dhe po të donim, Ne do t’i fundosnim ata dhe nuk do të ketë asnjë thirrje për ta (që të dëgjojnë britmën e tyre për ndihmë), as nuk do të shpëtohen.

44. Nëse nuk do të ishte Mëshira nga Ne dhe një kënaqësi e përkohshme (për ta në këtë botë).

45. Dhe kur atyre u thuhet: “Kini frikë dhe ruhuni nga ajo që keni para jush (ndëshkimet e kësaj bote) dhe nga ajo që keni nga pas (ndëshkimet në Jetën e Pastajme), me qëllim që të mund të mëshiroheni.”

46. Dhe nuk erdhi asnjë tregues nga shenjat e treguesit e Zotit të tyre tek ata, që të mos i kthenin shpinën e të largoheshin prej tyre.

47. Dhe kur u thuhet atyre: “Shpenzoni nga ajo që ju ka dhuruar Allahu”, ata që nuk besojnë u thonë atyre që besojnë: “A të ushqejmë ata të cilët, po të donte Allahu, Ai do t’i kishte ushqyer? Veç ju jeni në gabim të qartë.”

48. Dhe thonë: “Kur do të përmbushet ky premtim (Ringjallja), nëse jeni që flisni të vërtetën?”

49. Ata s’presin veç një Saihah (britmë shkatërruese) të vetme e cila do t’i mbërthejë ata, ndërkohë që hahen e kundërshtohen!

50. Pastaj nuk do të mund të lënë amanete, as nuk do të kthehen te familjet e tyre.

51. Dhe do t’i fryhet Surit (për herë të dytë) dhe ja, ç’të shohësh! Nga varret do të dalin me të shpejtë drejt Zotit të tyre.

52. Do të thonë: “Mjerë ne! Kush na ka ngritur nga vendi ynë i gjumit?” (Do t’u thuhet): “Kjo është ajo që ju premtoi i Gjithëmëshirshmi (Allah) dhe të Dërguarit thanë të vërtëtën!”

53. Do të jetë vetëm një Saihah (thirrje e fuqishme, fryrja e dytë e Surit) e vetme dhe ja! Ç’të shohësh! Ata të gjithë në pritje të sjellë përpara Nesh!

54. Këtë Ditë (Ditën e Ringjalljes), askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi në asnjë gjë, dhe nuk shpërbleheni me tjetër, veçse çfarë patët punuar.

55. Me të vërtetë që banorët e Kopshteve të Begatë atë Ditë do të jenë të zënë me gjëra të gëzueshme.

56. Ata dhe bashkëshortet e tyre do të jenë në hije të këndshme të shtrirë në kolltukë.

57. Ata do të kenë atje fruta (të të gjitha llojeve) dhe gjithçka që të kërkojnë.

58. (Do t’u thuhet): “Selam (Paqja qoftë mbi ju)!” - Fjalë nga Zoti (Allahu), Mëshirëploti.

59. (Do të thuhet): “Ndahuni këtë Ditë (nga besimtarët) o Muxhrimunë (kriminelë, politeistë, mëkatarë, mohues të Islamit, të lig)!

60. A nuk ju urdhërova dhe a nuk jua përcaktova juve, o Bij të Ademit, që të mos adhuroni shejtanin? Vërtet që ai ishte për ju armik i qartë.

61. (Ju porosita) dhe që ju duhet të më adhuronit vetëm Mua (Një e të Vetëm në Besimin Islam). Kjo është Udha e Drejtë.

62. Dhe vërtet që ai (shejtani) humbi turma të shumta prej jush. A nuk jeni që merrni vesh, pra?

63. Ky është Xhehenemi që u qe premtuar (dhe që gjithnjë iu tërhoq vëmendja për të)!

64. Përqafojeni pra atë, digjuni në të këtë Ditë për atë se ju gjithnjë e mohuat.”

65. Këtë Ditë Ne do të vulosim gojët e tyre dhe Neve do të na flasin duart e tyre, dhe këmbët e tyre do të dëshmojnë për gjithçka që ata punuan e fituan gjithnjë. (Thuhet se këmba e majtë e njeriut do të jetë e para që do të dëshmojë). (Tefsir At-Tabari).

66. Dhe po të kishim dashur Ne, sigurisht që Ne do t’i kishim fshirë (verbuar) sytë e tyre, që të përpiqeshin për (të gjetur) Udhën, po si do të shihnin?

67. Dhe po të kishim dashur Ne, sigurisht që Ne do t’i kishim shndërruar ata në vendet e tyre (në kafshë, sende pa jetë), kështu që s’do të kishin mundur as të ecnin përpara dhe as të ktheheshin prapa.

68. Dhe atij të cilit Ne i dhurojmë jetë të gjatë, - Ne e rikthejmë atë në krijim (dobësi pas fuqisë). A nuk do të marrin vesh, pra?

69. Dhe Ne nuk i kemi mësuar atij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) poezi dhe as që i shkon (kjo gjë atij). Ky është veçse Mesazh Përkujtues dhe Kur’an i qartë.

70. Për të këshilluar atë që është i gjallë (me mend e zemër, besimtar) dhe të përligjet Fjala (fajësimi) kundër mosbesimtarëve.

71. A nuk e shohin ata, se Ne kemi krijuar për ta nga ato gjëra që kanë krijuar Duart Tona - bagëtitë, kështu që ata i janë nën sundim (dhe në shërbim) të tyre?

72. Dhe (që) Ne ua kemi nënshtruar ato atyre? Kësisoj disa prej tyre ata i kanë për të udhëtuar dhe disa i hanë.

73. Dhe për ta ka në to përfitime (të tjera veç këtyre) dhe marrin për të pirë (qumësht). A nuk do të falënderojnë, pra?

74. Dhe kanë marrë në vend të Allahut të adhuruar të tjerë duke shpresuar se mund të ndihmohen (prej të ashtuquajturve zota të tyre).

75. Ata nuk mund t’u sjellin ndihmë atyre, por do të sillen (gjatë Llogarisë) si turmë kundër atyre të cilët i patën adhuruar.

76. Pra, le të mos të të pikëllojë ty fjala e tyre. Sigurisht që Ne dimë çfarë ata fshehin dhe çfarë shfaqin.

77. A nuk e sheh njeriu se Ne e kemi krijuar atë nga Nutfah (lëngu i ngjizur i krijuar nga bashkimi i farës së vezëve mashkullore me ato femërore)? Kur ja! Ai kundërshtar i hapur.

78. Dhe na solli Neve shembull, ndërsa e harron krijimin e vet. (Një i tillë) thotë: “Kush do t’u japë jetë këtyre kockave kur të jenë kalbur e të jenë bërë pluhur?”

79. Thuaj: “Ai do t’u japë jetë atyre, i Cili i krijoi ato për herë të parë! Dhe Ai është për çdo krijesë i Gjithëditur!”

80. (Ai) i Cili nxjerr për ju zjarrin nga pema e gjelbër, kur ja! Ju prej saj ndizni.

81. A nuk është Ai i Cili krijoi qiejt dhe tokën, i Zoti të krijojë (përsëri) si ata? Po, nuk ka pikë dyshimi dhe Ai është Gjithëkrijuesi, i Gjithëdituri.

82. Sigurisht që Urdhëri i Tij, kur Ai dëshiron një gjë, është vetëm se Ai t’i thotë asaj: “Bëhu!” - dhe ajo është e bërë (në çast)!

83. Kështu pra, i Lavdëruar qoftë Ai dhe i Lartësuar mbi gjithçka që ata ia bashkojnë Atij, në Duart e të Cilit është mbizotërimi i çdo gjëje dhe tek Ai ju të gjithë do të ktheheni.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free