KUR’AN-i
Shqip – Albanian

56 - El Vakia



El Vakia - Ndodhia e Madhe

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Kur të bjerë Ndodhia e Madhe (Dita e Kijametit),

2. Dhe atëherë nuk ka asnjë mohim të ardhjes së saj.

3. (Disa) do t’i ulë, (të tjerë) do t’i lartësojë. (Tefsir Ibn Kethir).

4. Kur toka të dridhet me dridhje të tmerrshme.

5. Dhe malet të bëhen pluhur.

6. Sa që do të bëhen grimca që fluturojnë.

7. Ndërsa ju do të jeni në tri palë (të ndarë në tri grupe).

8. Kështu, ata të Dorës së Djathtë (ata që do t’u jepet libri i veprave të tyre nga e djathta). Kush do të jenë ata të Dorës së Djathtë?

9. Dhe ata të Dorës së Majtë (ata që do t’u jepet libri i veprave të tyre nga e majta). Kush do të jenë ata të Dorës së Majtë?

10. Dhe ata më të parët e më të shquarit (në Besimin e Pastër Islam, në kryerjen e detyrave e të veprave më të mira në dynja dhe më të parët në thirrjen për të përqafuar Islamin) do të jenë më të parët e më të shquarit (në Xhennetin e Lartë).

11. Këta do të jenë ata më të afërtit tek Allahu.

12. Ndër Kopshtet e Kënaqësisë (në Xhennet).

13. Një shumicë (e këtyre më të shquarve) do të jenë nga brezat e parë.

14. Dhe një pakicë (e këtyre më të shquarve) do të jenë nga brezat e mëpastajmë.

15. (Ata do të jenë) në frone të thurur me ar e xhevahir.

16. Duke pushuar në to përballë njëri-tjetrit.

17. Do t’u shërbejnë djelmosha të pavdekshëm.

18. Me kupa, ibrigë dhe gota me pije të kulluar që rrjedh,

19. Nga e cila nuk do të kenë as dhimbje koke dhe as dehje.

20. Edhe fruta prej të cilëve mund të zgjedhin.

21. Edhe mishin e zogjve që të dëshirojnë.

22. Edhe Hyri me sy të mëdhenj të mrekullueshëm (për bashkëshorte për Muttekunët - për të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).

23. Si të ishin perla të ruajtura mirë.

24. Shpërblim për atë që gjithnjë punuan.

25. Asnjë Lavg (fjalë e keqe, e ligë, bisedë e kotë e tallje) nuk do të dëgjojnë atje dhe as të folur me gjynahe (përgojim e shpifje).

26. Vetëm thënien: Selam! Selam! (Paqë mbi ju! Paqë mbi ju!).

27. Dhe ata të Dorës së Djathtë. Kush do të jenë ata të Dorës së Djathtë?

28. Do të jenë në Sidrin (pemë në kufirin më të lartë) pa gjemba,

29. Dhe ndër Talh (banane) me fruta palë-palë,

30. Dhe ndër hije të zgjatura,

31. Dhe pranë ujit që rrjedh paprerë,

32. Dhe frutave të bollshëm,

33. Që nuk ndërpriten nga stinët dhe jo larg e vështirë për t’u marrë,

34. Dhe në shtretër të lartë.

35. Vërtet që Ne i kemi krijuar ato (vashat) në një krijim të veçantë (formë të re).

36. Dhe ato i kemi bërë virgjëresha.

37. Të dashuruara (vetëm me bashkëshortët e tyre), të një moshe.

38. Për ata të Dorës së Djathtë.

39. Një shumicë e këtyre (të Dorës së Djathtë) do të jenë nga brezat e parë.

40. Edhe një shumicë e këtyre (të Dorës së Djathtë) do të jenë nga brezat e fundit.

41. Dhe ata të Dorës së Majtë. Kush do të jenë ata të Dorës së Majtë?

42. Në erën e egër përvëluese dhe ujin që vlon,

43. Dhe në hije të tymit të zi,

44. (Hije kjo) as e freskët e as e këndshme,

45. Vërtet që para saj ata qenë të kënaqur në luks,

46. Dhe të vendosur në mëkat të madh (duke i vënë shokë Allahut, duke adhuruar të tjerë në vend të Tij, duke bërë krime).

47. Dhe gjithnjë thoshin: “Kur të vdesim e të bëhemi pluhur e kocka, a do të ringjallemi atëherë me të vërtetë?

48. A edhe baballarët tanë të parë?”

49. Thuaju: “Sigurisht, të parët dhe të fundit.

50. Patjetër të gjithë të grumbulluar së bashku për Mbledhjen e përcaktuar të Një Dite të njohur.

51. Pastaj ju, për më tepër, me të vërtetë që ju të gabuarit, mohuesit (e Ringjalljes)!

52. Ju me të vërtetë që do të hani nga pema e Zekumit.

53. Pastaj me të do të mbushni barkun tuaj,

54. Dhe mbi gjithë atë, do të pini ujë që vlon.

55. Sa do të pini si deve të etura!”

56. I tillë do të jetë të kënaqurit e tyre në Ditën e Shpërblimit!

57. Ne ju krijuam ju, atëherë pse nuk besoni?

58. (Shihni pra!) Më tregoni pra farën (e njeriut) që ju e derdhni!

59. A jeni ju që e krijoni atë, apo jemi Ne Krijues?

60. Ne kemi përcaktuar vdekjen për ju të gjithë dhe Ne nuk jemi të paaftë e nuk na pengon gjë,

61. Që t’ju ndryshojmë formën juve dhe t’ju krijojmë në (forma) që ju s’i dini.

62. Dhe me të vërtetë që ju tashmë e dini formën e parë të krijimit (krijimin e Ademit). Pse atëherë nuk përkujtoni a të merrni mësim?

63. (Shihni pra!) Më tregoni pra farën që ju e mbillni në tokë!

64. A jeni ju që e bëni të rritet, apo jemi Ne Rritës?

65. Po të donim, Ne mund ta shkatërronim e ta bënim pluhur dhe ju do të ishi të brengosur (apo të lënë në habi), (Tefsir Ibn Kethir).

66. (Duke thënë): “Ne vërtet që jemi Mugremunë (të shkatërruar ose që humbëm paratë pa asnjë përfitim)! (Tefsir El-Kurtubi).

67. “Jo, në të vërtetë Ne ju lamë pa gjë!”

68. (Shihni pra!) Më tregoni pra ujin që ju e pini!

69. A jeni ju që e bëni të bjerë nga retë e shiut, apo jemi Ne Zbritës?

70. Po të donim, Ne vërtet që mund ta bënim atë të kripur (e të papijshëm). Pse atëherë nuk falënderoni (Allahun)?

71. (Shihni pra!) Më tregoni pra zjarrin që ju e ndizni!

72. A jeni ju që i bëni pemët të rriten, apo jemi Ne rritës?

73. Ne e kemi bërë atë Përkujtues (për Zjarrin e Xhehenemit) dhe mjet për udhëtarët.

74. Atëherë pra, lavdëro me lartësim Emrin e Zotit tënd, më të Madhit.

75. Kështu pra, Unë betohem për perëndimin e yjeve!

76. Dhe vërtet që është një betim i madh, veç sikur ta dinit.

77. Se ky është një Kur’an i nderuar.

78. Në një Libër të ruajtur mirë (tek Allahu mbi qiej në El-Leuh el-Mahfudh).

79. Të cilin askush nuk mund ta prekë veçse të pastërtit e të dëlirët (melekët).

80. (Ky Kur’an) Shpallje nga Zoti i Aleminit (Zoti i gjithë botëve, i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjindet në të, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve).

81. A është fjalë e tillë sa që ju (mosbesimtarë) ta mohoni?

82. Dhe në vend (të falënderimit të Allahut) për Rizkun (mirësitë e furnizimin) që Ai u jep juve, përkundrazi ju e mohoni Atë (me mosbesim)!

83. Përse pra (nuk ndërhyni), kur (shpirti) arrin te gryka?

84. Dhe ju në çast vështroni.

85. Por Ne (Dija Jonë, Fuqia Jonë, melekët Tanë të dërguar të vdekjes që marrin shpirtin) jemi më afër tij se sa ju, por ju nuk shikoni. (Tefsir Et-Tabari).

86. Pse atëherë ju, - nëse jeni të përjashtuar nga dhënia llogari dhe shpërblimi, - pse nuk

87. E sillni prapë atë (shpirtin tek trupi i tij), nëse jeni që thoni të vërtetën?

88. Pastaj, në qoftë se ai (që po vdes) është prej Mukar-rebunëve (prej atyre që sillen afër tek Allahu),

89. Ai ka qetësim, edhe begati, edhe Kopshte të Kënaqësive (Xhennetin).

90. Dhe në qoftë se ai do të jetë prej atyre të Dorës së Djathtë,

91. Atëherë paqë dhe shpëtim (nga Ndëshkimi i Allahut) për ty nga ata të Dorës së Djathtë.

92. Por në qoftë se ai është prej atyre që mohojnë (ringjalljen), është prej të gabuarve (e Besimit të Pastër Islam),

93. Atëherë për të është të kënaqurit me ujë që vlon.

94. Dhe të djegurit e Zjarrit të egër flakërues.

95. Vërtet që kjo! Mu kjo është me sigurinë më të madhe e Vërteta e pakundërshtueshme.

96. Kështu pra, lavdëro me lartësim Emrin e Zotit tënd, më të Madhit.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free