KUR’AN-i
Shqip – Albanian

29 - El Ankebut



El Ankebut – Merimanga

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Mim.

2. A mendojnë njerëzit se do të lihen pa u trazuar ngaqë thonë: “Ne besojmë” - dhe nuk do të sprovohen?

3. Dhe sigurisht që Ne i sprovuam ata të cilët ishin para tyre. Dhe vërtet që Allahu do ta bëjë të njohur (të vërtetën e) atyre që janë të vërtetë dhe (po kështu) vërtet që Allahu do ta bëjë të njohur (gënjeshtrën e) atyre që janë gënjeshtarë (edhe pse Allahu di gjithçka para se t’i vërë ata në provë).

4. Apo ata që bëjnë poshtërsi, a mos mendojnë se ata mund të na kalojnë Ne (pa u dënuar nga Ndëshkimi Ynë)? Sa i lig është gjykimi i tyre!

5. Kushdo që shpreson për Takimin me Allahun dhe sigurisht që Përcaktimi i Allahut po vjen. Dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.

6. Dhe kushdo që përpiqet, ai përpiqet vetëm për veten e vet. Sigurisht që Allahu është i Lirë nga çdo nevojë për askënd në Alemin (njerëzimin, xhindet dhe gjithçka tjetër që ekziston në Krijimin e Tij. Ai është më i Pasuri përmbi gjithë Alemin).

7. Ata që besojnë (në Njësinë e Allahut dhe në të Dërguarin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe që nuk e mohojnë këtë besim për shkak të stërmundimeve e dhimbjeve që ata vuajnë prej mosbesimtarëve) dhe që punojnë mirësi e drejtësi, sigurisht që Ne do t’ua heqim atyre veprat e këqia dhe do t’i shpërblejmë sipas më të mirës vepër që ata gjithnjë bënë.

8. Dhe Ne kemi urdhëruar për njeriun të jetë i mirë dhe i përkushtuar ndaj prindërve të tij, por nëse ata përpiqen të të bëjnë ty që të Më bashkosh Mua ndonjë gjë tjetër (në adhurim si shok e të barabartë) për të cilën gjë ti nuk ke asnjë dije, atëherë mos iu bind atyre. Tek Unë është kthimi juaj dhe Unë do t’ju tregoj gjithçka që ju patët punuar.

9. Dhe sa për ata që besojnë (në Njësinë e Allahut) dhe që punojnë mirësi e drejtësi, me të vërtetë që Ne do t’i bëjmë ata të futen në (hyrjen e) të drejtëve (në Xhennet).

10. Dhe prej njerëzve ka që thonë: “Ne besojmë në Allahun”, por nëse ata bëhen që të vuajnë për Hir të Allahut, ata e quajnë sprovën e njerëzve si Ndëshkim të Allahut dhe nëse vjen fitorja nga Zoti yt, (hipokritët) do të thonë: “Sigurisht që ne ishim me ju (duke ju ndihmuar).” Po a nuk është Allahu më i Njohuri se çfarë është (fshihet) në gjokset e Aleminit (të njerëzve, të xhindeve dhe të gjithë Krijimit të Tij)?

11. Sigurisht që Allahu i di ata që besojnë dhe padyshim i njeh edhe hipokritët (të lëkundurit me dy fytyra dhe Allahu do t’i provojë njerëzit me ditë të mira e të vështira për të veçuar të mirët nga të ligjtë, edhe pse Allahu njeh gjithçka para se t’i sprovojë ata).

12. Dhe ata që mohojnë, u thonë atyre që besojnë: “Na ndiqni në rrugën tonë dhe padyshim që ne do t’ua mbajmë gjynahet tuaja.” Dhe kurrë ata nuk do të mbajnë ndonjë gjë nga gjynahet e tyre. Sigurisht që ata janë gënjeshtarë.

13. Dhe sigurisht që ata do të mbajnë vetë barrën e tyre si edhe barrë të tjera përveç të tyren dhe nuk ka dyshim se ata do të merren në pyetje Ditën e Llogarisë për ato gjëra që ata shpifën e trilluan.

14. Dhe vërtet që Ne e Dërguam Nuhun te populli i tij dhe ai qëndroi mes tyre një mijë pa pesëdhjetë vjet (nëntëqind e pesëdhjetë vjet, duke i ftuar ata të besojnë në Njësinë e Allahut si Një Zot i Vetëm dhe të braktisin zotat e perënditë e trilluara) dhe Tufani i përmbyti ata duke qenë Dhalimunë (politeistë, keqbërës, mosbesimtarë).

15. Pastaj Ne e shpëtuam atë dhe ata me të në barkë dhe e bëmë atë (barkën) si një Ajet (tregues mirësie e këshillë, argument) për gjithë Aleminin (për njerëzit, për xhindet).

16. Dhe (kujto) Ibrahimin kur ai i tha popullit të vet: “Adhuroni Allahun (Një e të Vetëm) dhe kijeni frikë Atë. Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit.

17. Ju adhuroni në vend të Allahut vetëm idhuj dhe ju vetëm trilloni gënjeshtra. Sigurisht se ata të cilët ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk kanë asnjë fuqi për t’ju sjellë të mira, kështu që kërkoni dhurim të mirash prej Allahut, adhurojeni Atë (të Vetëm) dhe falënderojeni Atë. Vetëm Atij do t’i ktheheni.

18. Dhe nëse ju mohoni, atëherë edhe popuj të tjerë para jush i kanë mohuar (të Dërguarit ndër ta). Dhe detyra e të Dërguarit është vetëm të njoftojë e të përhapë (Mesazhin e Allahut) qartë.”

19. A nuk e shohin ata se si Allahu fillon krijimin, pastaj e përsërit atë. Padyshim që kjo është e lehtë për Allahun.

20. Thuaju: “Udhëtoni në tokë dhe shihni si (Allahu) filloi krijimin dhe pastaj Allahu do të sjellë krijimin e Jetës së Fundit (Ringjalljen pas vdekjes).” Vërtetë që Allahu është i Zoti për të bërë çdo gjë.

21. Ai ndëshkon atë që do Ai dhe mëshiron atë që Ai do dhe tek Ai ju do të ktheheni.

22. Dhe ju nuk mund të shpëtoni as në tokë dhe as në qiell dhe përveç Allahut ju nuk keni as Vali (Mbrojtës, Ruajtës) dhe as Ndihmues tjetër.

23. Dhe ata që nuk besojnë në Ajetet e Allahut (provat, shenjat, Shpalljet e Tij) dhe në Takimin me Të,- mu këta janë që s’kanë asnjë shpresë për Mëshirën Time dhe mu këta janë që do të kenë dënim të dhimbshëm.

24. Kështu nuk qe tjetër përgjigje e popullit (të Ibrahimit) veçse thanë: “Vriteni ose digjeni.” Pastaj Allahu e shpëtoi atë nga zjarri. Vërtet që në këtë ka shenja për popullin besimtar.

25. Dhe (Ibrahimi) tha: “Ju keni zgjedhur për adhurim idhuj në vend të Allahut dhe dashuria mes jush është vetëm në jetën e kësaj bote, por Ditën e Kijametit ju do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri-tjetrin dhe vendbanimi juaj do të jetë Zjarri dhe nuk do të keni ndonjë ndihmues.”

26. Por Luti e besoi atë (Ibrahimin dhe Mesazhin e Besimit në Një Zot të Vetëm). Ai (Ibrahimi) tha: “Do të shpërngulem për Hir të Zotit tim. Vërtet është Ai i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.”

27. Dhe Ne i dhuruam atij (Ibrahimit) Is’hakun dhe Jakubin dhe sollëm në radhët e pasardhësve të tij Pejgamberinë dhe Librin (Teuratin tek Musai, Inxhilin tek Isai, Kur’anin tek Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, të gjithë nga pasardhësit e Ibrahimit) dhe Ne i siguruam atij shpërblimin e vet në dynja, dhe sigurisht që në Jetën e Fundit ai është në radhët e të drejtëve.

28. Dhe (kujto) Lutin, kur i tha popullit të tij: “Ju bëni El-Fahishah (sodomi - krimin, mëkatin nga më të rëndët) të cilin askush para jush nuk e ka bërë në gjithë Alemin (nga njerëzit, ose nga xhindet).

29. Vërtet që ju bëni sodomi me burrat dhe grabitni udhëtarët?! Dhe kryeni edhe El-Munker (mosbesim, mohim dhe veproni ligësi e poshtërsi të tjera) në takimet tuaja?!” Përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër, vetëm se të thonë: “Sille Ndëshkimin e Allahut mbi ne, nëse je që flet të drejtën.”

30. Ai tha: “Zoti im! Më ndihmo që të ngadhënjej përmbi popullin Mufsidun (popull i prishur, mosbesimtar).”

31. Dhe kur shkuan të Dërguarit (Melekët) Tanë tek Ibrahimi me përgëzime (për lindjen e fëmijëve), i thanë: “Me të vërtetë që ne do të shkatërrojmë popullin e këtij qyteti (qytetin e Sodomit ku ishte Luti Pejgamber), vërtet që populli i tij ishte Dhalimunë (mosbesimtarë, keqbërës, të pabindur ndaj Allahut, mohues të Lutit).”

32. (Ibrahimi) tha: “Por atje është Luti.” Ata i thanë: “Ne e dimë më mirë kush është atje dhe padyshim që ne do ta shpëtojmë atë (Lutin) dhe familjen e tij, përveç gruas së tij; ajo do të jetë prej atyre që do të mbeten prapa (ajo do të shkatërrohet bashkë me banorët e tjerë të qytetit).”

33. Dhe kur erdhën të Dërguarit (Melekët) Tanë te Luti, ai u pikëllua për shkakun e tyre dhe e ndjeu veten ngushtë për arsye të tyre. Ata i thanë: “Mos ki frikë dhe mos u pikëllo! Sigurisht që ne do të të shpëtojmë ty dhe familjen tënde, përveç gruas tënde e cila do të jetë nga ato që do të mbeten prapa.

34. Me të vërtetë që ne do t’u zbresim banorëve të këtij qyteti një ndëshkim të madh nga qielli, sepse ata kanë qenë kryengritës (ndaj Urdhërit të Allahut).”

35. Dhe me të vërtetë që Ne kemi lënë atje prej atyre një Ajet të qartë (një mësim, këshillë e shenjë - vendi ku sot quhet Deti i Vdekur ose Deti i Lutit në Palestinë) për njerëzit që kuptojnë.

36. Edhe në Medjen Ne dërguam vëllain e tyre, Shuajbin. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun dhe shpresoni (për shpërblimin e veprave të mira) Ditën e Fundit dhe mos bëni ligësi në tokë si Mufsidunë (mosbesimtarë, kriminelë, të padrejtë, shtypës, të prishur e tiranë). (Tefsir At-Tabari).

37. Dhe ata e përgënjeshtruan atë (Shuajbin), kështu që ata i kapi tërmeti dhe mbetën (të vdekur) përmbys në shtëpitë e tyre.

38. Edhe Aadi edhe Themudi! Dhe me të vërtetë që (shkatërrimi i tyre) duket qartë për ju nga vendbanimet e tyre të rrënuara plotësisht. Shejtani ua bëri që t’u duken të drejta punët e sjelljet e tyre dhe i largoi ata nga Udha (e Drejtë) edhe pse ishin të zgjuar e të aftë.

39. Edhe Karunin, edhe Faraonin, edhe Hamanin (gjithashtu i shkatërruam Ne). Dhe Musai padyshim që u shkoi atyre me Ajete të qarta (me prova, shpallje nga Ne), por ata ishin kryelartë në tokë, e prapëseprapë ata nuk mund të na shmangeshin Neve (nga Ndëshkimi Ynë).

40. Kësisoj Ne e shkatërruam secilin prej tyre për mëkatet e mëdha të tij; disa prej tyre ishin ata mbi të cilët Ne dërguam Hasiban (erë e fuqishme me shi gurësh, si popullin e Lutit), dhe prej tyre qenë disa të cilët u mbuluan me Es-Sajhah (ndëshkim me britma të fuqishme, si popullin Themud, popullin e Shuajbit), dhe prej tyre qenë të tjerë për të cilët Ne bëmë t’i gëlltisë toka (si Karunin), dhe prej tyre qenë disa të cilët Ne i fundosëm dhe i përmbytëm (si popullin e Nuhut, Faraonin dhe popullin e tij). Dhe nuk qe Allahu i Cili u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi dhe humbën vetë veten e tyre.

41. Shembulli i atyre të cilët marrin Eulija (mbrojtës e ndihmues) të tjerë në vend të Allahut është si shembulli i merimangës e cila ndërton për vete shtëpinë e saj, por padyshim se më e brishta nga shtëpitë është shtëpia e merimangës; - veç sikur ta dinin.

42. Sigurisht që Allahu e di mirë se çfarë gjërash të tjera adhurojnë e lusin ata në vend të Tij. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.

43. Dhe këta shembuj Ne i paraqesim për njerëzimin, por askush nuk do t’i kuptojë përveç të diturve (që kanë dijen për Allahun dhe për Fjalët e Tij).

44. Allahu (Një, i Vetëm) krijoi qiejt dhe tokën me vërtetësi e me drejtësi (me ligje e me rregull të përkryer, dëshmi e provë për njerëzit për të besuar dhe askush nuk mori pjesë me Atë në këtë Krijim të Tij). Vërtet që në këtë ka shenjë treguese të qartë për ata që besojnë.

45. Këndo (O Muhammed) çfarë të është shpallur ty nga Libri (Kur’ani) dhe plotëso Faljen e rregullt të përcaktuar. Vërtet që Es-Salat (falja e namazit) parandalon nga El-Fahsha (çdo vepër e papëlqyer, e ulët, e keqe të cilën e ndalon Islami) dhe nga El-Munker (vepër e padrejtë, mosbesimi, politeizmi dhe gjynahe tjera të mëdha para Allahut) dhe përkujtimi (falënderimi, madhërimi etj) i Allahut (nga ti para melekëve) është vërtet më i madh (se përkujtimi, falënderimi i Allahut në falje etj). Dhe Allahu e di mirë çfarë bëni.

Pjesa 21

46. Dhe mos diskuto me popujt e Librave të Parë (me jehuditë dhe të krishterët), përveç se në një mënyrë që është më e mirë (me fjalë e punë të mira, me mirësjellje duke i ftuar ata në Islam me Vargjet e Tij), përjashtuar ata që bëjnë padrejtësi nga mesi i tyre dhe thuaju: “Ne besojmë në atë që na është shpallur neve dhe në çfarë ju është shpallur juve; Ilahu (Zoti) ynë dhe Ilahu (Zoti) juaj është Një i Vetëm (Allahu) dhe Atij ne i jemi nënshtruar si Muslimanë.”

47. Dhe kështu, Ne ta kemi zbritur ty (Muhammed) Librin (Kur’anin) dhe ata të cilëve Ne u kemi zbritur Librat e Parë (Teuratin, Ingjilin), besojnë në të ashtu siç bëjnë edhe disa prej atyre (që janë me ty tash, si Abdullah bin Selam) dhe kësisoj askush tjetër përveç mosbesimtarëve nuk i mohon Ajetet Tona (Vargjet Tona, dëshmitë, provat).

48. Dhe ti (Muhammed) as nuk lexove ndonjë libër para tij (Kur’anit), as nuk shkrove kurrë ndonjë libër me të djathtën tënde. Në një rast të tillë, ndjekësit e të pavërtetës e të së kotës do të mund të kishin dyshuar.

49. Përkundrazi, Ajetet e qarta (të përshkrimit të Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem- të Pejgamberit e të Dërguarit të ardhshëm të fundit të shkruar në vargjet e Teuratit e të Inxhilit) janë ruajtur në gjokset e atyre të cilëve u është dhënë dija e gjykimi (nga ithtarët e Librave të Parë nga jehuditë dhe të krishterët). Dhe askush nuk i mohon Ajetet Tona (provat, dëshmitë, shpalljet nga Ne) përveç Dhalimunëve (politeistëve, mosbesimtarëve, keqbërësve).

50. Dhe thonë: “Pse nuk i zbret atij shenja (treguese bindëse) nga Zoti i tij? Thuaju: “Shenjat janë vetëm me Allahun dhe unë jam me të vërtetë këshillues i qartë.”

51. A nuk u mjafton atyre që Ne ta kemi zbritur ty Librin (Kur’anin) i cili po u lexohet atyre? Vërtet që në të ka mëshirë dhe përkujtim (e këshillë) për popullin që beson.

52. Thuaju: “Mjafton Allahu për Dëshmues mes meje dhe mes jush. Ai di më së miri çfarë ndodhet në qiej dhe në tokë.” Dhe ata që besojnë në Batil (të gjitha besimet, bestytnitë, perënditë e gjithçka tjetër që adhurohet në vend të Allahut ose përkrah Tij) dhe nuk besojnë Allahun, mu këta janë të humburit.

53. Dhe të kërkojnë ty t’ua shpejtosh atyre ndëshkimin. Dhe po të mos kishte një afat të përcaktuar, ndëshkimi sigurisht që do t’u kishte ardhur. Dhe padyshim që do të vijë mbi ta pa e hetuar fare!

54. Të kërkojnë ty t’ua shpejtosh atyre ndëshkimin. Dhe me të vërtetë! Xhehenemi është e sigurt se do t’i rrethojë nga të gjitha anët mosbesimtarët.

55. Ditën kur ndëshkimi (i Xhehenemit) do t’i mbulojë ata nga lart dhe nga poshtë këmbëve dhe do t’u thuhet: “Shijoni atë çfarë punuat.”

56. “O robërit e Mi që më besoni! Vërtet që toka Ime është e gjerë. Më adhuroni pra Mua (Një e të Vetëm).”

57. Secili njeri do ta shijojë vdekjen, e pastaj do të ktheheni te Ne.

58. Dhe ata të cilët besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, atyre Ne me të vërtetë që do t’u dhurojmë banesa të larta ndër Kopshtet e Xhennetit nën të cilin rrjedhin lumenj, për të banuar atje përherë. I shkëlqyer është shpërblimi i (mirë) punuesve.

59. Ata të cilët janë të duruar dhe që i mbështeten vetëm Zotit të tyre (Allahut).

60. Dhe sa shumë krijesa të gjalla nuk mbartin dot ushqimin e tyre! Allahu është i Cili i ushqen ata dhe ju. Dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.

61. Dhe sikur t’i pyesje ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe tokën dhe ka sjellë diellin dhe hënën të rrotullohen?” Padyshim që do të përgjigjen: “Allahu.” Si atëherë gënjehen e shmangen (nga e vërteta)?

62. Allahu shton begatinë për atë që do Ai nga robët e Tij dhe e ngushton atë për atë (që do Ai). Vërtet që Allahu është i Gjithëdituri për çdo gjë.

63. Dhe sikur t’i pyesje ata: “Kush e zbret ujin nga qielli dhe i jep jetë tokës me të pas vdekjes së saj?” Me siguri që do të përgjigjen: “Allahu.” Thuaj: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet i qofshin Allahut!” Por përkundrazi. Shumica e tyre nuk kuptojnë.

64. Dhe nuk është gjë tjetër jeta e kësaj bote, vetëm se dëfrim e lojë! Vërtet që banesa e Jetës së Pastajme, - ajo është jeta e vërtetë (e përjetshme, e pasosur), veç sikur ta dinin.

65. Dhe kur hipin në anije, ata lusin Allahun duke e bërë besimin e tyre të pastër vetëm për të, por kur Ai i sjell ata shëndoshë e mirë në tokë, kur ç’të shohësh! Ata japin një pjesë të adhurimit të tyre të tjerëve në vend të Allahut.

66. Kështu bëhen mosmirënjohës për ato që Ne ua dhuruam dhe për atë që e marrin kënaqësinë e tyre, por do ta mësojnë.

67. A nuk e kanë parë se Ne e kemi bërë vend të shenjtë e të sigurt (Mekën) dhe se po u merren njerëzit e tyre nga të gjitha anët (duke pranuar Islamin)? A besojnë atëherë ata në Batil (të gjitha besimet, bestytnitë, perënditë e gjithçka tjetër që adhurohet në vend të Allahut ose përkrah Tij) dhe mohojnë Mirësitë e Allahut?

68. Dhe kush bën padrejtësi më të madhe se ai i cili trillon gënjeshtër ndaj Allahut apo hedh poshtë të vërtetën (të Dërguarin Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, Kur’anin e zbritur, Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm) kur i vjen? A nuk është në Xhehenem një vendbanim për mosbesimtarët?

69. E sa për ata të cilët përpiqen fort tek Ne (për Çështjen Tonë), Ne sigurisht që do t’i udhëheqim ata drejt Udhëve Tona (në Besimin e Pastër Islam). Dhe vërtet që Allahu është me Muhsinunët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut).

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free