KUR’AN-i
Shqip – Albanian

49 - El Huxhurat



El Huxhurat - Vendbanimet

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. O ju që keni besuar! Mos vendosni për asgjë para se të vendosë Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe kini frikë Allahun. Vërtetë që Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

2. O ju që keni besuar! Mos e ngritni zërin tuaj përmbi zërin e Pejgamberit, as mos i flisni atij në bisedë me zë të lartë siç flisni me njëri-tjetrin, e të zhduken veprat tuaja duke mos e ditur ju.

3. Vërtet se ata të cilët e ulin zërin e tyre në prani të të Dërguarit të Allahut, ata janë të atillë, zemrat e të cilëve Allahu i ka provuar për Et-Takva (frikë dhe përkushtim ndaj Allahut). Për ta ka falje dhe shpërblim të madh.

4. Vërtet se ata që të thërrasin ty (O Muhammed) përtej mureve, shumica e tyre nuk gjykojnë.

5. Dhe po të kishin durim derisa ti të dilje jashtë tek ata, do të kishte qenë më mirë për ta. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

6. O ju që keni besuar! Në qoftë se një njeri i lig e i poshtër u vjen juve me ndonjë lajm, sqarojeni e bëjeni të qartë, që të mos dëmtoni njerëzit nga padija dhe pastaj të ndjeni keqardhje për çfarë keni bërë.

7. Dhe dijeni mirë se mes jush është i Dërguari i Allahut. Sikur ai t’ju bindej juve (duke ndjekur dëshirat e mendimet tuaja), në shumë çështje ju do të pësonit vuajtje, por Allahu e ka futur thellë Besimin te ju dhe e ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, poshtërsinë dhe mosbindjen (ndaj Allahut dhe të Dërguarit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), i ka bërë të urryera për ju. Mu këta janë ata të udhëzuarit drejt.

8. (Kjo është) Mirësi prej Allahut dhe Begati. Dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

9. Dhe në qoftë se dy palë nga mesi i besimtarëve bien në luftë, atëherë vendosni paqë mes tyre. Por në qoftë se njëra prej tyre e sulmon tjetrën, atëherë luftoni të gjithë atë palë që vërsulet me të padrejtë, derisa të veprojë në përputhje me Urdhërimin e Allahut. Pas kësaj, në qoftë se pajtohet, atëherë vendosni paqë mes tyre me drejtësi dhe jini të paanshëm. Vërtet që Allahu i do ata që janë të paanshëm.

10. Padyshim që besimtarët janë vëllezër (në Islam). Kështu pra, bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun, që të mund të fitoni Mëshirën e Tij.

11. O ju që keni besuar! Mos të tallet një grup me një grup tjetër! Mbase mund të jetë se i dyti (i talluri) është më i mirë se i pari (tallësi). As (disa) gra të mos tallen me gra të tjera, mbase mund të jetë se të dytat (të tallurat) janë më të mira se të parat (tallëset). As mos përgojoni njëri-tjetrin, as mos fyeni njëri-tjetrin duke ngjitur nofka. Sa keq është të fyesh vëllanë pasi të ketë besuar (p.sh., ta thërrasësh vëllanë tënd musliman e me besim të vërtetë: “O gjynahqar! O i poshtër!” etj). Dhe kushdo që nuk pendohet, atëherë të këtillët janë me të vërtetë keqbërës.

12. O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime. Vërtet mjaft nga dyshimet përbëjnë gjynahe. Edhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave, as mos përgojoni njëri-tjetrin. A do të donte ndonjëri prej jush të hante mishin e vëllait të vet të vdekur? Vërtet që do ta urrenit një gjë të tillë. Dhe kini frikë Allahun. Vërtet që Ai fal dhe e pranon pendimin, është Mëshirëplotë.

13. O njerëz! Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë ju në kombe e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Padyshim se tek Allahu më i nderuari prej jush është ai që është më me Takva (më Muttekini - që i frikësohet dhe që i përkushtohet më shumë Allahut). Vërtet që Allahu është i Gjithëditur, i Gjithënjohur.

14. Arabët e shkretëtirës thanë: “Ne besuam.” Thuaj: “Ju nuk besoni, por vetëm se thoni, ‘Ne jemi nënshtruar (në Islam)’, pasi besimi nuk ka hyrë akoma në zemrat tuaja. Por në qoftë se ju i bindeni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai nuk do të pakësojë asgjë nga shpërblimi i veprave tuaja. Vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.”

15. Sigurisht që besimtarë janë vetëm ata që kanë besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk kanë më pikë dyshimi, por përpiqen e luftojnë me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre për Çështjen e Allahut. Të tillë janë ata të vërtetët.

16. Thuaj: “A ju ia bëni me dije Allahut fenë tuaj? Ndërkohë Allahu di gjithë ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë dhe Allahu është i Gjithëdituri për çdo gjë.”

17. Ata të shprehin ty mirënjohje që e përqafuan Islamin. Thuaju: “Pranimin tuaj të Islamit mos ma njihni mua. Përkundrazi, Allahu ka dhuruar një mirësi mbi ju, që Ai ju ka udhëzuar ju tek Imani (Besimi), sigurisht në qoftë se jeni të vërtetë e të çiltër (për atë që thoni).

18. Sigurisht që Allahu di Gajbin (të fshehtën) e qiejve dhe të tokës dhe Allahu është Gjithëvëzhgues për çfarë ju punoni.”
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free