KUR’AN-i
Shqip – Albanian

24 - En Nur



En Nur – Drita

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. (Kjo është) një Sure të cilën Ne e kemi zbritur, të cilën Ne e kemi urdhëruar (ligjet e saj) dhe në të Ne kemi shpallur Ajetet e qarta (provat, shenjat, treguesit), me qëllim që të mund të përkujtoni.

2. Gruaja dhe burri fajtorë për marrëdhënie të paligjshme jashtë martese, fshikullohen secili prej tyre me njëqind kamxhikë. Në zbatimin e dispozitave të Allahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve, nëse jeni që e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Dhe le të dëshmojnë një grup prej besimtarëve ndëshkimin e tyre.(Ky ndëshkim është për të pamartuarit, por nëse atë e kryejnë njerëz të martuar, atëherë ndëshkimi është gurëzimi i tyre deri në vdekje sipas Ligjit të Allahut).

3. Ai që bën zina (marrëdhënie imorale), martohet veç me atë (femër) që edhe ajo bën zina ose me mushrike (mosbesimtare), po kështu edhe atë femër që bën zina, nuk e merr kush për martesë veç një (burrë imoral) që bën zina ose mushrik (mosbesimtar). Një gjë e tillë është e ndaluar për besimtarët (muslimanë).

4. Dhe ata të cilët akuzojnë gra të ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i fshikulloni me tetëdhjetë kamxhikë dhe atyre mos ua pranoni kurrë më dëshminë e tyre. Vërtet që ata janë Fasikunë (gënjeshtarë të pabindur ndaj Allahut).

5. Përveç atyre që pendohen pas kësaj dhe punojnë mirësi e drejtësi. Për të tillët, vërtet që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

6. Dhe për ata që akuzojnë gratë e tyre, por nuk kanë dëshmitarë tjetër përveç vetes së tyre, le të dëshmojë njëri prej tyre katër herë në Allahun se ai është prej atyre që flasin të vërtetën.

7. Dhe e pesta (herë e dëshmisë) të jetë thirrja për Mallkimin e Allahut mbi të nëse ai është prej gënjeshtarëve.

8. Por do të shmanget ndëshkimi (i gurëzimit deri në vdekje) ndaj saj, nëse ajo dëshmon katër herë për Allahun se ai (bashkëshorti i saj) është gënjeshtar dhe po gënjen.

9. Dhe e pesta (herë e dëshmisë) duhet të jetë që Zemërimi i Allahut qoftë mbi të (mbi gruan), nëse ai (bashkëshorti i saj) është që flet të vërtetën.

10. Dhe sikur të mos ishte Mirësia e Allahut dhe Mëshira e Tij mbi ju (Ai do ta kishte shpejtuar ndëshkimin mbi ju)! Dhe se Allahu është Ai i Cili pranon pendimin, më i Urti (Gjithëgjykues).

11. S’ka dyshim se ata që trilluan përgojimin (kundër Aishas radijAllahu ‘anhu., bashkëshortes së Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) janë një grup nga mesi juaj. Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju. Për çdonjërin prej tyre do të paguhet aq sa ka fituar nga gjynahu i bërë dhe sa për atë nga mesi i tyre që ka pasur më shumë gisht në të, për atë do të jetë ndëshkim më i madh.

12. Pse atëherë besimtarët dhe besimtaret, kur dëgjuan për përgojimin, nuk menduan mirë (si për veten e tyre edhe) për njerëzit e tyre dhe të thoshin: “Kjo (shpifje) është një gënjeshtër e qartë”?

13. Përse nuk nxorrën katër dëshmitarë për këtë? Përderisa ata (përgojuesit) nuk sollën dëshmitarë, ata pra tek Allahu janë gënjeshtarë të vërtetë.

14. Po të mos kishte qenë Mëshira e Allahut dhe Mirësia e Tij në këtë botë dhe në Jetën e Fundit, juve do t’ju kapte një ndëshkim i madh për atë që keni përfolur.

15. Kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë të cilën nuk kishit kurrfarë dije, flisnit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa tek Allahu ajo është shumë e madhe.

16. Dhe përse kur e dëgjuat atë, nuk thatë: “Neve nuk na takon të flasim për këtë gjë; Lavdi të qoftë Ty (O Allah), kjo është një gënjeshtër e madhe!”

17. Allahu ju ndalon nga kjo dhe ju këshillon që një gjë e tillë të mos përsëritet më kurrë, nëse jeni besimtarë.

18. Dhe Allahu i sqaron qartë Ajetet e Tij (provat, shenjat, shpalljet) dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.

19. Sigurisht ata të cilët duan që marrëdhëniet e paligjshme imorale të përhapen mes besimtarëve, do të kenë dënim të dhimbshëm në këtë botë dhe në Botën e Pastajme dhe Allahu di atë që ju nuk e dini.

20. Sikur të mos ishte Mirësia e Allahut dhe Mëshira e Tij mbi ju (do të përjetonit menjëherë dënim), por Allahu është shumë Dashamirës, Mëshirëplotë.

21. O ju që keni besuar! Mos ndiqni gjurmët e shejtanit, sepse kush ndjek gjurmët e shejtanit, atëherë sigurisht që ai urdhëron El-Fahsha (marrëdhënie të turpshme imorale dhe të paligjshme) dhe El-Munker (mosbesim, politeizëm, ligësi) dhe sikur të mos ishte Mirësia e Allahut dhe Mëshira e Tij mbi ju, asnjë prej jush nuk do të kishte qenë kurrë ndonjëherë i pastër prej gjynaheve. Por Allahu pastron (udhëzon në Islam) atë që do Ai dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

22. Dhe le të mos betohen ata nga mesi juaj të cilët janë bekuar me mirësi e pasuri se nuk do t’u japin (asnjë lloj ndihme) të afërmve të tyre, El-Mesakin (të varfërve) dhe atyre të cilët lanë shtëpitë e tyre për Çështjen e Allahut. Le të falin dhe të ndjejnë. A nuk doni që Allahu t’ju falë juve? Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

23. Padyshim se ata të cilët përgojojnë gratë e dëlira të cilat as nuk e mendojnë kurrë që t’u prekë gjë dëlirësinë e tyre dhe janë besimtare, janë të mallkuar në këtë jetë dhe në Jetën e Përtejme dhe për ta do të ketë ndëshkim të madh.

24. Ditën kur gjuhët e tyre, duart e tyre dhe këmbët e tyre do të dëshmojnë kundër tyre për çfarë ata kanë vepruar.

25. Atë Ditë Allahu do t’u paguajë atyre shpërblimin e punëve të tyre plotësisht dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është Ai i Vërteti i Qartë.

26. Të këqijat (fjalët apo gratë) janë për të këqinjtë, dhe të këqinjtë janë për të këqijat. Dhe të mirat janë për të mirët dhe të mirët janë për të mirat. Të tillë (njerëz të mirë) janë të pastër nga çdo fjalë e keqe që thonë (njerëzit) dhe mu për këta është Falja e Madhe dhe Begatia e Nderuar (Xhenneti).

27. O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpitë që s’janë t’uajat, derisa të kërkoni leje dhe të përshëndetni ata që janë në to. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të mund të përkujtoni.

28. Dhe në qoftë se nuk gjeni kënd në to, përsëri mos hyni derisa t’u jepet leje. Dhe nëse ju kërkohet që të ktheheni mbrapa, kthehuni prapa, pasi kjo është më e pastër për ju dhe Allahu është i Gjithëditur për gjithçka që ju veproni.

29. Nuk është apak gjynah për ju që të hyni (pa leje) në shtëpitë e pabanuara (e pa pronar), kur t’ju shërbejnë juve për ndonjë qëllim tjetër. Dhe Allahu ka Dije për çfarë ju shfaqni dhe për çfarë ju fshihni.

30. Thuaju besimtarëve që të ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i ruajnë vendet e trupit (nga shikimi, veprimet e paligjshme imorale). Kjo është më e pastër për ta. Vërtet që Allahu është i Mirënjohur për çfarë veprojnë ata.

31. Thuaju edhe besimtareve të ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i mbrojnë vendet e trupit të tyre si dhe të mos i nxjerrin hapur zbukurimet e tyre përveç asaj që është e dukshme dhe të vëjnë shamitë mbi kraharorin e tyre, e të mos i shfaqin zbukurimet e tyre përveç ndaj bashkëshortëve të tyre, baballarëve të tyre, ose ndaj vjehrrave të tyre, ndaj bijve të tyre ose bijve të burrit, ndaj vëllezërve të tyre ose djemve të vëllezërve dhe djemve të motrave të tyre, ndaj grave (muslimane, motrave në Islam) ose robëreshave që i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbyesve të moshuar e të pamundur, ose fëmijëve të vegjël që nuk u zgjohen ndjenja turpi nga të parët e gjinisë tjetër. Dhe të mos kërcasin me këmbë që të shfaqin çfarë fshehin nga stolitë e tyre. Dhe që të gjithë ju lutni Allahun që t’ju falë të gjithëve, o besimtarë, që të mund të jeni të fituar.

32. Dhe martoni ata nga mesi juaj që janë të pamartuar (burrat pa bashkëshorte dhe gratë pa bashkëshortë), martoni edhe Salihunët (të përkushtuarit dhe të aftët) nga robërit dhe robëreshat tuaja. Nëse ata janë të varfër, Allahu do t’i pasurojë ata nga Begatitë e Tij dhe Allahu është i Gjithëmjaftueshëm për nevojat e krijesave të Tij, i Gjithëdituri (për gjendjen e kujtdo).

33. Dhe le ta ruajnë veten të dëlirë ata të cilët nuk kanë mjete të nevojshme për martesë, derisa Allahu t’i pasurojë ata nga Begatitë e Tij. Edhe ata robër të cilët kërkojnë (lirimin me kusht) me shkrim (për të fituar lirinë e për t’u martuar), ua jepni një dëshmi të tillë, nëse e dini se janë të mirë dhe të besuar. Jepuni edhe ju vetë diçka nga pasuria e Allahut të cilën Ai ua ka dhuruar juve. Edhe robëreshat mos i detyroni për prostitucion nëse ato dëshirojnë dëlirësinë, me qëllim që ju të përfitoni nga mirësitë (e përkohshme) e jetës së kësaj bote. Por nëse ndonjë i detyron ato (për prostitucion), atëherë pas një detyrimi të tillë Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë (ndaj këtyre grave, sepse ato kanë qenë të detyruara të veprojnë këtë ligësi pa dëshirën e tyre).

34. Dhe sigurisht që Ne kemi zbritur për ju Ajete (vargje, argumente, prova, shenja) që i sqarojnë gjërat qartë, po kështu edhe shembujt e atyre që kanë kaluar para jush, si edhe këshillim për ata që janë Muttekunë (të përkushtuar).

35. Allahu është drita e qiejve dhe e tokës. Shembulli i Dritës së Tij është si të kishim një kënd të errët dhe në të një llambë, llamba e futur në një kupë qelqi, kupa e qelqit si të ishte yll që shkëlqen i ndezur nga një pemë e bekuar, nga ulliri, as nga lindja (që nuk i merr rrezet vetëm në mëngjes), as nga perëndimi (që nuk i merr rrezet vetëm pasdite, por është nën rrezet e diellit gjatë gjithë ditës), vaji i të cilit digjet vetvetiu edhe pse nuk e ka prekur zjarri fare. Dritë përmbi Dritë! Allahu udhëzon drejt Dritës së Tij atë që do Ai. Allahu sjell shembuj e përngjasime për njerëzimin dhe Allahu është për çdo gjë i Gjithëditur.

36. (E ndezur është kjo Dritë) në ndërtesat që Allahu ka urdhëruar të ngrihen (të pastrohen e të nderohen); në to Emri i Tij ngrihet në qiell me madhështi në mëngjes, pasdite dhe në mbrëmje.

37. (E lartësojnë Atë me madhërim) burra të cilëve as tregtia dhe as shitblerja nuk ua largon vëmendjen nga të Përkujtuarit Allahun, as nga Falja e rregullt e përcaktuar ditore sipas kohëve e as nga dhënia e Zekatit. Ata e kanë frikë një Ditë kur zemrat dhe sytë do të rrotullohen e do të përmbysen (nga tmerri i ndëshkimit të Ditës së Llogarisë).

38. Që Allahu të mund t’i shpërblejë ata sipas veprave të tyre më të mira dhe për t’ua shtuar akoma të mirat nga Mirësia e Tij. Dhe Allahu i dhuron pa masë të mira atij që do Ai.

39. Sa për ata që nuk besuan, veprat e tyre janë si valët (nga rrezet e diellit) në shkretëtirë. I eturi mendon se është ujë, derisa kur t’i afrohet atij sheh që s’është asgjë, por ai gjen Allahun me to (veprat), i Cili do t’ia paguajë atij çfarë meriton (Xhehenemin) dhe Allahu është më i Shpejti në llogari.

40. Ose (gjendja e mosbesimtarit) është si errësirat në detin e gjerë e të thellë të mbuluar nga valë masive; valë masive të mbuluara nga re të zeza; errësirë një përmbi një, sa që nuk mund t’a shohë ai as dorën e vet. Dhe ai për të cilin Allahu nuk ka caktuar dritë, për të nuk ka aspak dritë.

41. A nuk e sheh ti se Allahu është Ai të Cilin e madhëron gjithkush që është në qiej dhe në tokë, edhe zogjët me krahët e hapur. Për secilin Ai me të vërtetë di Salatin (faljen) e tij dhe madhërimin e tij. Dhe Allahu është i Gjithëditur për çfarë veprojnë.

42. Dhe Allahut i takon mbisundimi i qiejve dhe i tokës dhe vetëm tek Ai është kthimi (i të gjithëve).

43. A nuk e shihni se Allahu i drejton retë me qetësi, pastaj i mbledh ato bashkë, pastaj i kthen ato në stivë shtresa-shtresa dhe ju shihni shiun të dalë nga brendësia e tyre. Ai dërgon nga qielli edhe re si male të mëdha me breshër dhe godet me të atë që do Ai ose e largon atë prej kujt të dojë Ai. Drita e shpejtë e shkrepjes së tyre (e reve) sa s’të merr sytë. (Tefsir At-Tabari).

44. Allahu bën që nata dhe dita të ndjekin njëra-tjetrën. Vërtet që në të ka mësim për ata që janë të pajisur me mprehtësi.

45. Dhe Allahu krijoi çdo lloj gjallese nga uji. Prej tyre ka disa që zvarriten me barkun e tyre, disa ecin mbi dy këmbë dhe disa ecin mbi katër. Allahu krijon çfarë do Ai dhe vërtet Allahu është i Zoti për të bërë çdo gjë.

46. Tashmë Ne vërtet që kemi zbritur Ajete (prova, shenja, tregues, shpallje) të qarta dhe Allahu udhëzon atë që Ai do në Udhë të Drejtë.

47. (Hipokritët) thonë: “Ne kemi besuar në Allahun dhe në të Dërguarin (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe jemi bindur,” pastaj një pjesë e tyre kthejnë shpinën pas kësaj. Të këtillët nuk janë besimtarë.

48. Dhe pastaj kur thirren tek Allahu (te Fjala e Tij, Kur’ani) dhe tek i Dërguari i Tij (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për të gjykuar mes tyre, kur ç’të shohësh! Njëra palë nuk pranon (të bindet) dhe kthen shpinën e largohet.

49. Por, po të jetë e drejta në anën e tyre, ata shkojnë tek ai me shumë zell e të nënshtruar.

50. A mos ka sëmundje në zemrat e tyre? Apo mos dyshojnë a frikësohen se mos Allahu dhe i Dërguari i Tij mund t’u bëjnë atyre padrejtësi në gjykim? Jo, përkundrazi, janë ata vetë që janë Dhalimunë (politeistë, hipokritë, keqbërës).

51. Fjala e vetme e besimtarëve të vërtetë, kur ata thirren tek Allahu (te Fjala e Tij, Kur’ani) dhe i Dërguari i Tij për të gjykuar mes tyre, është që të thonë: “Dëgjuam dhe u bindëm.” Dhe mu këta janë ata që fitojnë lumturinë (Xhennetin e pasosur).

52. Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i frikësohet Allahut dhe i përkushtohet Atij, të tillët janë ata të fituarit.

53. Ata betohen për Allahun me betimet e tyre më të forta, aq sa vetëm sikur t’i urdhëroje, ata atëherë do të linin (gjithçka, shtëpitë e tjer për të luftuar për Çështjen e Allahut). Thuaju: “Mos u betoni; (kjo) bindja juaj është e njohur (ju vetëm me gojë e thoni, e jo me zemër). S’ka dyshim që Allahu është i Mirënjohur për çfarë veproni.”

54. Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit, por nëse ju refuzoni, ai (i Dërguari Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është përgjegjës vetëm për detyrën e ngarkuar ndaj tij (të shpallë Mesazhin e Allahut) dhe ju për atë që ju është ngarkuar juve. Në qoftë se i bindeni atij (të Dërguarit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), do të jeni në udhëzim të drejtë. Detyra e të Dërguarit është vetëm të shpallë (Mesazhin Hyjnor) në mënyrë të qartë.

55. Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë (e fuqisë së tashme të udhëheqësve) në tokë, ashtu siç ua siguroi Ai këtë atyre përpara tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre, (me kusht) që këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua. Por kushdo që nuk beson pas kësaj, këta janë Fasikunë (kryeneçë, të pabindur ndaj Allahut).

56. Dhe kryeni faljen e rregullt të përcaktuar ditore, jepni edhe Zekatin dhe bindjuni të Dërguarit, që të mëshiroheni.

57. Mos mendoni se mosbesimtarët mund të shpëtojnë në tokë (prej dënimit). Vendbanimi i tyre do të jetë Zjarri, - vërtet i keq është ai strehim.

58. O ju që keni besuar! Le të kërkojnë lejen tuaj robërit dhe robëreshat e ligjshme dhe ata (nga familja juaj) të cilët nuk kanë arritur në moshën e pubertetit (të pjekurisë, para se të hyjnë te ju) në tri raste: para faljes së sabahut (Fexhr), kur zhvisheni për pushimin e drekës, si edhe vonë në mbrëmje (pas faljes së darkës). Këto tri kohë janë të fshehtësisë vetjake për ju; përveç këtyre tri kohëve, nuk është keq për ju ose për ta që të hyjnë te njëri-tjetri, duke ndenjur e ndihmuar njëri-tjetrin. Kësisoj Allahu jua bën të qarta juve Ajetet (Vargjet e Kur’anit duke ju treguar anët e lejuara e të ligjshme lidhur me lejen për vizita etj). Dhe Allahu është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

59. Por kur fëmijët tuaj ta arrijnë moshën e pjekurisë, (përsëri) le të kërkojnë leje (për hyrje) ashtu siç bëjnë ata më të rriturit se ata. Kësisoj Allahu i bën të qarta për ju Ajetet e Tij (Urdhërat dhe detyrimet e lejuara). Dhe Allahu është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues.

60. Dhe sa për gratë e moshuara, të cilat nuk dëshirojnë martesë më, nuk është gjynah për to në qoftë se e heqin petkun mbulues të tyre, në mënyrë të tillë që të mos shfaqin zbukurimet e tyre, por të përmbahen është më mirë për to (që të mos e heqin petkun mbulues të tyre). Dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.

61. Nuk ka kufizim (e nuk është gabim) për të verbrin, nuk ka ndonjë kufizim as për të gjymtuarin, nuk ka ndonjë kufizim as për të sëmuarin, e as për ju, në qoftë se hani në shtëpitë tuaja, ose në shtëpitë e baballarëve tuaj, ose në shtëpitë e nënave tuaja, ose në shtëpitë e vëllezërve e të motrave tuaja, në shtëpitë e xhaxhallarëve tuaj, ose në shtëpitë e hallave tuaja, në shtëpitë e dajëve tuaj, ose në shtëpitë e tezeve tuaja ose të atyre që u janë besuar çelësat e tyre, ose në shtëpinë e ndonjë shoku tuaj. Asnjë gjynah për ju, nëse hani bashkarisht ose veçmas, por kur të hyni në ndonjë shtëpi, përshëndetni njëri-tjetrin me përshëndetje nga Allahu të bekuar e të mirë (Es-Selamu Alejkum - paqë qoftë mbi ju). Kësisoj Allahu i bën të qarta Ajetet (Vargjet, shenjat e treguesit e fesë) për ju që të mund të kuptoni.

62. Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë në Njësinë e Allahut dhe në të Dërguarin e Tij (Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe kur ata janë me të në një çështje që ndikon mbi të gjithë bashkësinë, nuk largohen derisa të kërkojnë lejen e tij. Vërtet se ata që kërkojnë lejen tënde, mu këta janë ata të cilët vërtet kanë besuar në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij. Kështu pra, në qoftë se ata kërkojnë lejen tënde për ndonjë çështje të tyre, lejo kë të duash dhe lute Allahun për falje të tyre. Sigurisht që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

63. Mos e bëni thirrjen ndaj të Dërguarit (Muhammed sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) mes jush, siç thërrisni ju njëri-tjetrin. Allahu i di ata të cilët shkëputen vjedhurazi duke u fshehur (pas ndonjë arsyeje pa marrë leje për t’u larguar nga i Dërguari i Allahut). Dhe le të kenë mendjen ata të cilët nuk pajtohen me urdhërin e të Dërguarit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - Sunetin e tij, me rrugën e tij, zbatimin në jetë të Urdhërave të Allahut, të Islamit), që të mos bjerë mbi ta ndonjë Fitneh (mosbesim, sprovë, vështirësi, ose fatkeqësi, tërmet, vrasje, nënshtrim nga tiranë etj), ose t’u jepet një ndëshkim i dhimbshëm.

64. Të jeni plotësisht të sigurt se Allahut i takon gjithë ç’është në qiej dhe në tokë. Padyshim që Ai e di mirë gjendjen tuaj dhe (Ai di) Ditën kur ata do të sillen prapë tek Ai, pastaj Ai do t’i njohë ata me ato gjëra që ata i vepruan. Dhe Allahu është për gjithçka i Gjithëditur.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free