KUR’AN-i
Shqip – Albanian

10 - Junus



Junus

Bismil-lahir Rrahmanir Rrahim

1. Elif, Lam, Ra. Këto janë Vargjet e Librit (Kur’anit) Hakim (të Urtë që tregon të gjitha gjërat e ligjshme e të paligjshme).

2. A është çudi për njerëzit se Ne kemi dërguar Shpalljen Tonë tek një njeri nga mesi i tyre (tek Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem duke i thënë): “Këshillo njerëzimin (për dënimin e ardhshëm të Xhehenemit) dhe përgëzo ata që besojnë, përgëzoi se do të kenë me Zotin e tyre shpërblimet për veprat e tyre të mira.” Por mosbesimtarët thonë: “Në të vërtetë kjo është krejt magji e kulluar!”

3. Padyshim që Zoti juaj është Allahu i Cili krijoi qiejt dhe tokën në Gjashtë Ditë dhe pastaj Ai Isteva (u ngrit lart dhe qëndroi) mbi Arsh (Fronin e Tij Madhështor, vërtet ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij). Ai është Allahu, Zoti juaj; adhurojeni pra Atë. A nuk do të përkujtoni pra?

4. Tek Ai është kthimi i ju të gjithëve. Premtimi i Allahut është i vërtetë. Është Ai i Cili e fillon krijimin dhe pastaj do ta përsëritë atë, që Ai të mund të shpërblejë me drejtësi ata që besuan (në Njësinë e Allahut, muslimanët) dhe punuan drejtësi. Dhe për ata që nuk besuan, do të ketë pije nga uji i vluar dhe ndëshkim të dhimbshëm, për shkak se ata gjithnjë mohuan.

5. Është Ai i Cili e bëri diellin gjë (trup) ndriçues dhe hënën dritë duke përcaktuar kohët e saj, që të mund të dini numrin e viteve dhe njehsimin e kohës. Allahu nuk e krijoi këtë veçse me të vërtetën. Ai i shtjellon qartë Ajetet (provat, shenjat) në imtësi për popullin që ka dije (e kupton).

6. Vërtet në këmbimin e pandalur të natës dhe të ditës dhe në gjithë atë që ka krijuar Allahu në qiej dhe në tokë janë Ajete (prova, shenja, tregues) për ata të përkushtuarit dhe që i frikësohen Allahut.

7. Me të vërtetë se ata që nuk shpresojnë për takimin e tyre me Ne, por që janë të gëzuar dhe të kënaqur me jetën e kësaj bote dhe ata që janë të pavëmendshëm ndaj Ajeteve Tona (provave, shenjave, Vargjeve),

8. Këta janë ata, banesa e të cilëve do të jetë Zjarri, për shkak të asaj që ata gjithnjë punuan për të fituar.

9. Padyshim se ata që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, Zoti i tyre do t’i udhëzojë nëpërmjet besimit të tyre. Ndër ta do të rrjedhin lumenj në Kopshtet e Lumturisë (Xhennet).

10. Duaja (lutja) e tyre atje do të jetë Subhaneke-Allahum-me (Lavdi të qoftë ty, O Allah!) dhe Selam (paqë, siguri nga çdo e keqe) do të jenë përshëndetjet e tyre atje (në Xhennet). Ndërsa duaja e fundit do të jetë El-Hamdulil-lahi Rabbil Alemin (Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Zotin e gjithë botëve, njerëzve, xhindeve dhe gjithçkaje që është).

11. Dhe po të ishte që Allahu të shpejtonte për njerëzit pranimin e kërkesës për të keqen (kur ata e lusin kur janë të nxehur) siç Ai nxiton pranimin e kërkesës për të mirën (që ata e lusin), atëherë ata do të ishin të shkatërruar. Kështu Ne i lëmë ata të cilët nuk e presin takimin me Ne në tejkalimet e tyre duke u endur qorrazi në shkatërrim. (Tefsir Al-Tabari).

12. Dhe kur njeriun e prek hall (ose e keqe), ai na lutet Neve i mbështetur në krah, i ulur ose në këmbë. Por pasi Ne ia largojmë të keqen atij, ai vazhdon në rrugën e tij si të mos na ishte lutur Neve kurrë për një hall që e kishte goditur! Kësisoj u është shtirur t’u duken të drejta Musrifunëve (përgënjeshtruesve të Allahut që kaluan çdo kufi) gjithçka që ata gjithnjë bënë.

13. Dhe padyshim që Ne shkatërruam breza para jush kur ata bënin të këqija, ndërkohë që të Dërguarit e tyre u erdhën me argumente të qarta, por ata nuk ishin të atillë që të besonin! Kështu Ne i shpërblejmë njerëzit Muxhrimunë (mosbesimtarë, mëkatarë, politeistë, kriminelë).

14. Pastaj Ne ju bëmë ju të trashëgoni pas tyre breza pas brezash në tokë, që Ne të mund të shihnim se si ju do të vepronit!

15. Dhe kur atyre u këndohen Vargjet Tona të qarta, ata që nuk shpresojnë aspak në takimin e tyre me Ne, thonë: “Sillna neve një Kur’an tjetër, ose ndryshoje këtë.” Thuaju (O Muhammed): “Nuk më takon mua ta ndryshoj atë sipas vullnetit tim. Unë vetëm ndjeki atë që më shpallet mua. Vërtet që kam shumë frikë, sikur të mos i bindesha Zotit tim, dënimin e Ditës së Madhe (Kijametit).”

16. Thuaju: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’jua kisha kënduar juve atë, as nuk do t’ua kishte bërë juve të njohur Ai atë. Vërtet Unë para kësaj (shpalljes), kam jetuar një kohë mes jush. A nuk kuptoni atëherë?”

17. E kush bën më tepër padrejtësi se ai i cili trillon gënjeshtër ndaj Allahut, apo mohon Ajetet e Tij? Nuk ka pikë dyshimi se Muxhrimunët (mosbesimtarët, kriminelët) kurrë nuk do të kenë sukses.

18. Dhe adhurojnë në vend të Allahut gjëra që as i dëmtojnë dhe as nuk u sjellin dobi, dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu.” Thuaju: “A mos e njoftoni Allahun për çfarë Ai nuk di se çfarë ka në qiej dhe në tokë?” Lavdi i qoftë dhe i Lartë është Ai përmbi gjithçka që ata ia mveshin dhe ia bashkojnë Atij si shokë e të barabartë (me Të)!

19. Njerëzimi nuk ishte veçse një bashkësi (në një besim - Besimin e Pastër Islam), më pas ata ndryshuan dhe po të mos kishte qenë për një Fjalë të vendosur që më parë nga Zoti yt, atëherë gjithçka do të ishte vendosur (e zgjidhur) ndërmjet tyre në lidhje me atë që ata ndryshuan.

20. Dhe thonë: “Si është kjo që asnjë shenjë nuk i është zbritur atij (Muhammedit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga Zoti i tij?” Thuaju: “Gajbi (e fshehta) i takon Vetëm Allahut, kështu që prisni ju, se edhe unë jam me ju bashkë nga ata që presin (për Gjykimin e Allahut).”

21. Dhe kur Ne e lëmë njerëzimin të shijojë nga mëshira, pasi i ka ndodhur ndonjë fatkeqësi, kur ç’të shohësh! Ata i kthehen përbetimeve kundër Ajeteve Tona! Thuaj: “Allahu është më i Shpejti në renditjen e planeve!” Vërtet që të Dërguarit Tanë (melekët shkrues) shënojnë pandërprerë gjithçka që ju thurni.

22. Ai është i Cili ju bën të mundur juve të udhëtoni nëpër tokë e det, derisa kur jeni në anije - dhe lundrojnë me to me erë të mirë dhe janë të kënaqur me të, vjen një furtunë dhe dallgët vijnë nga të gjitha anët dhe kur mendojnë se janë të rrethuar aty (pa rrugëdalje), atëherë lusin Allahun duke e bërë besimin të pastër vetëm për Të (të Vetëm) duke thënë: “Nëse Ti (Allah) na shpëton ne nga kjo, me të vërtetë që ne do të jemi gjithnjë falënderues.”

23. Por kur Ai i shpëton ata, kur ja! Ata ngrenë krye (nuk i binden Allahut) në tokë me padrejtësinë më të madhe. O njerëz! Kryengritja juaj (mosbindja ndaj Allahut) është vetëm kundër vetes suaj - një kënaqësi e shpejtë e jetës së kësaj bote, pastaj (më në fund) tek Ne është kthimi juaj dhe Ne do t’ju njoftojmë gjithë ç’keni punuar.

24. Vërtet ngjashmëria e jetës së kësaj bote është si shiu që Ne e dërgojmë mbi ju nga qielli dhe kështu, me anë të tij rriten prodhime të larmishme të tokës prej të cilave njerëzit dhe kafshët ushqehen, deri atëherë kur toka është mveshur me stolitë e saj dhe është zbukuruar dhe banorët e saj mendojnë se ata kanë gjithë fuqitë e sundimit mbi të, mu atëherë Urdhëri Ynë e arrinë atë natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë si të korrura të kositura e të pastruara, sikur të mos kishte lulëzuar një ditë më parë. Ja kështu i shpjegojmë Ne Ajetet Tona me imtësi për një popull që mendon thellë.

25. Allahu ju fton në Shtëpinë e Paqes (në Xhennet) dhe udhëzon atë që Ai do në Rrugën e Drejtë.

26. Për ata të cilët punuan të mirën është më i miri (Xhenneti), e pse jo akoma edhe më tepër (duke pasur nderimin e lartë të shikimit të Fytyrës së Allahut ‘Azze ue Xhel). As errësirë, as pluhur dhe as poshtërim turpi nuk do të mbulojë fytyrat e tyre. Ata janë banorët e Xhennetit, atje do të jetojnë përgjithmonë.

27. Ndërsa ata të cilët fituan të këqiat - shpërblimi për një vepër të ligë është po me një të këtillë dhe poshtërim turpi do t’i mbulojë ata. Asnjë mbrojtës nuk do të kenë ata nga Allahu. Fytyrat e tyre do të mbulohen, siç kanë qenë, me pjesë nga terri i natës. Ata janë banorët e Zjarrit; atje do të banojnë përgjithmonë.

28. Dhe Ditën në të cilën Ne do t’i mbledhim ata të gjithë së bashku, atëherë Ne do t’u themi atyre të cilët na vunë shokë Neve në adhurim: “Qëndroni në vendin tuaj! Ju dhe shokët tuaj (të cilët i keni adhuruar në dynja).” Pastaj Ne do t’i ndajmë ata dhe (të ashtuquajturit prej tyre) shokët ortakë (të Allahut) do të thonë: “Nuk kemi qenë ne ata të cilët ju i adhuruat.

29. Kështu që më se i Mjaftueshëm është Allahu për Dëshmues ndërmjet nesh dhe jush, për atë që ne me të vërtetë nuk dinim asgjë për adhurimin tuaj ndaj nesh.”

30. Mu atje, çdo njeri do të marrë vesh me përpikmëri gjithë çfarë ai ka fituar vetë më parë dhe ata do të sillen prapë tek Allahu, Zoti i tyre i Vërtetë e i Merituar, ndërsa të adhuruarit e tjerë të paqenë e të shpikur do të zhduken prej tyre.

31. Thuaju (O Muhammed): “Kush ju sjell furnizim nga qielli dhe nga toka dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Dhe kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve?” Do të thonë të gjithë: “Allahu.” Thuaju: “A nuk do të keni atëherë frikë nga Ndëshkimi i Allahut?”

32. Ky është Allahu, Zoti juaj i Vërtetë. Kështu, pas së vërtetës, ç’gjë tjetër mund të ketë përveçse të gabuarës? Si atëherë keni humbur (nga e vërteta drejt mohimit)?

33. Në këtë mënyrë vërtetohet e përligjet Fjala e Zotit tënd kundër atyre të cilët ngrenë krye (e nuk i nënshtrohen Allahut), se nuk do të besojnë.

34. Thuaju: “A ka ndonjë prej shokëve tuaj (të ashtuquajtur ortakë të Allahut) që fillon dhe shpik krijimin dhe pastaj e përsërit atë?” Thuaju: “Allahu e fillon krijimin, pastaj Ai e përsërit atë. Si atëherë mashtroheni (e largoheni nga e vërteta)?”

35. Thuaju: “A ka ndonjë prej shokëve tuaj (të cilët ju ia vini ortakë e të barabartë Allahut), që të udhëzon tek e vërteta?” Thuaju: “Është Allahu i Cili udhëheq drejt së vërtetës. Atëherë a është Ai i Cili jep udhëzim drejt së vërtetës më i vlefshëm për t’u ndjekur, apo ai i cili nuk gjen dot udhë për vete nëse nuk udhëzohet? Ç’keni atëherë? Si gjykoni ju?”

36. Dhe shumica e tyre nuk ndjekin gjë tjetër veçse hamendje. Nuk ka dyshim se hamendjet nuk vlejnë aspak kundër së vërtetës. Vërtet Allahu është i Gjithëdituri për gjithë ç’bëjnë ata.

37. Dhe ky Kur’an është i tillë që kurrë nuk mund të bëhet nga ndokush tjetër përveç Allahut, por është njëkohësisht edhe vërtetim i shpalljes para tij (Teuratit, Inxhilit etj) dhe shpjegim i plotë i Librit (ligjeve, urdhrave, rregullimeve të përcaktuara për njerëzimin dhe gjithësinë) për të cilin nuk ka pikë dyshimi se është nga Zoti i Alemit (i gjithësisë, i njerëzve dhe xhindeve).

38. Apo mos thonë: “Ai (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka fabrikuar atë?” Thuaju: “Sillni atëherë një Sure si ato të tijat; thërrisni edhe kë të mundeni, përveç Allahut, nëse jeni të drejtë!”

39. Përkundrazi, ata e mohojnë (atë) dijen e të cilit ata nuk mund ta kapnin dhe shpjegimet e të cilit akoma nuk kanë mbërritur tek ata. Po kështu mohuan edhe ata para tyre. Shihni atëherë se si ishte fundi i Dhalimunëve (i keqbërësve, i politeistëve)!

40. Prej tyre ka edhe disa që besojnë në të (Kur’an), ka edhe prej tyre që nuk besojnë në të, ndërsa Zoti yt është Ai i Cili i di më së miri Mufsidunët (të poshtrit, gënjeshtarët).

41. Por nëse të përgënjeshtrojnë ty, thuaju: “Për mua janë veprat e mia dhe për ju janë veprat tuaja! Ju jeni të pafajshëm për çfarë bëj unë dhe unë jam i pafajshëm për çfarë bëni ju!”

42. Dhe ka mes tyre disa që e vënë veshin për të dëgjuar, por a mund ti bësh të shurdhët të dëgjojnë edhe nëse janë që nuk kuptojnë?

43. Ka edhe mes tyre disa që të vështrojnë ty, por a mund t’i udhëzosh ti të verbërit edhe nëse janë që nuk shohin?

44. Padyshim që Allahu nuk i bën padrejtësi aspak njerëzimit, por njerëzimi i bën padrejtësi vetes së tij.

45. Dhe në Ditën kur Ai do t’i grumbullojë ata së bashku (të ringjallur), do të jetë sikur ata të mos kenë qëndruar (në këtë botë dhe në varre) veçse një orë të ditës. Ata do ta njohin njëri-tjetrin. Të shkatërruar vërtet do të jenë ata të cilët e mohuan takimin me Allahun dhe nuk u drejtuan (nuk ndoqën Rrugën e Drejtë).

46. Edhe sikur Ne të të tregojmë ty (në këtë jetë) diçka nga ajo që Ne u kemi premtuar atyre (për dënim), apo Ne të të vdesim ty - përsëri te Ne është kthimi i tyre dhe për më tepër Allahu është Dëshmues për gjithë çfarë ata bënin.

47. Dhe për çdo Ummet (bashkësi ose komb) kishte Resul (të Dërguar); dhe kur vinte i Dërguari i tyre, (atëherë) çështja gjykohej mes tyre me drejtësi dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.

48. Dhe thonë: “Kur do të jetë ky premtim (dënimi i Ditës së Gjykimit), nëse jeni që flisni të vërtetën?”

49. Thuaju (O Muhammed): “Unë nuk kam asnjë fuqi për çfarëdo dëmi ose përfitimi për veten time, përveçse mund të dëshirojë Allahu.” Për çdo popull është një kohë e përcaktuar; kur mbërrin koha e tyre, ata as nuk e vonojnë atë, as nuk e shpejtojnë dot atë as për një orë (për një çast).” (Tefsir Al-Kutubi).

50. Thuaj: “Më thoni mua, - nëse Ndëshkimi i Tij ju vjen juve natën apo ditën - cilën pjesë të tij do ta shpejtonin Muxhrimunët (mëkatarët, mosbesimtarët, kriminelët)?”

51. “A mos është që kur ai t’u ketë rënë (në kokë), të besoni në të? Çfarë! Tash (ju besoni)? E një kohë ju deshët ta shpejtoni atë!”

52. Pastaj do t’u thuhet atyre që gabuan vetveten: “Shijoni ju dënimin e pafund! A nuk jeni shpërblyer vetëm se me atë çfarë vetë ju fituat?

53. Dhe të pyesin ty (O Muhammed) për t’i njoftuar ata (duke të thënë ty): “A është i vërtetë (dënimi dhe ardhja e Orës - Ditës së Ringjalljes)?” Thuaju: “Po! (Betohem) për Zotin tim! Ajo është tamam e vërtetë! Dhe ju nuk mund të shpëtoni prej tij!”

54. Dhe sikur çdokush i cili ka bërë padrejtësi (duke mohuar Allahun dhe duke lutur e adhuruar të tjerë përkrah a përveç Allahut), të kishte gjithë ç’gjindet në tokë dhe të kërkonte ta jepte për të liruar veten (prej andej me anë të saj, nuk do t’i pranohet); dhe do të ndjenin dhimbje në zemrat e tyre (e do të pendoheshin) kur të shihnin dënimin. Por ata do të gjykohen me drejtësi dhe asnjë padrejtësi nuk do t’u bëhet atyre.

55. A nuk është me të vërtetë e Allahut gjithë ç’është në qiej dhe në tokë? Nuk ka aspak dyshim se me të vërtetë Premtimi i Allahut është i vërtetë, por shumica e tyre nuk e dinë.

56. Është Ai i Cili jep jetë dhe sjell vdekje dhe tek Ai të gjithë ju do të ktheheni.

57. O njerëz! Ju ka ardhur juve një këshillë e mirë nga Zoti juaj (Kur’ani i cili ju urdhëron për çdo të mirë dhe ju ndalon nga çdo e keqe) dhe shërim për atë (sëmundje të padijes, të dyshimit, të hipokrizisë) që gjindet në gjokset tuaj, - udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.

58. Thuaj: “Në Begatinë e Allahut dhe në Mëshirën e Tij (në Islam dhe në Kur’an) - në të le të gëzohen.” Kjo është më e mirë se ajo (pasuri) që ata grumbullojnë.

59. Thuaju: “Më thoni, çfarë të mirash ju ka zbritur juve Allahu! Dhe ju vetë i keni bërë ato të ligjshme e të paligjshme.” Thuaju: “A ju ka lejuar Allahu (të bëni kështu), apo ju shpifni gënjeshtër ndaj Allahut?”

60. Dhe çfarë mendojnë ata që trillojnë gënjeshtra kundër Allahut, për Ditën e Kijametit (a mendojnë se do të falen)? Me të vërtetë Allahu është Dhurues i Begative të mëdha ndaj njerëzimit, por shumica e tyre nuk falënderojnë.

61. As ti (O Muhammed) nuk bën ndonjë vepër, as nuk këndon ndonjë pjesë nga Kur’ani dhe as ju (njerëz) nuk bëni ndonjë vepër (të mirë ose të keqe), veçse Ne jemi Dëshmues mbi ju kur ju e kryeni atë. Dhe asgjë nuk i fshihet Zotit tënd qoftë sa një atom në tokë a në qiell qoftë. Dhe as çfarë është më e vogël se ajo, dhe as çfarë është më e madhe, veçse shkruhet në Librin e Qartë. (Tefsir At-Tabari).

62. Nuk ka fare dyshim! Me të vërtetë për Eulijatë e Allahut (të përkushtuarit, besimtarët e vërtetë që i dorëzohen plotësisht Allahut) as frikë nuk do të ketë mbi ta, as nuk do të pikëllohen.

63. Të cilët besuan (në Njësinë e Allahut, në Islam) dhe që gjithnjë e patën frikë Allahun.

64. Ata përgëzohen në jetën e kësaj bote dhe në Jetën e Pastajme. Asnjë ndryshim nuk mund të ketë në Fjalët e Allahut. Mu kjo është vërtet fitore e lumturisë më të madhe (Xhennetit të lartë).

65. Kështu le të mos pikëllojë ty fjala e tyre, sepse në të vërtetë e tërë Fuqia dhe Lavdia i takon Allahut. Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.

66. Nuk ka pikë dyshimi! Me të vërtetë Allahut i takon gjithçka që është në qiej dhe gjithçka që është në tokë. E ata të cilët adhurojnë dhe lusin të tjerë përkrah a përveç Allahut, në të vërtetë ata nuk ndjekin të ashtuquajturit shokë të Allahut, por vetëm se hamendje dhe vetëm se shpikin gënjeshtra.

67. Ai është i Cili ka përcaktuar për ju natën që ju të mund të pushoni në të dhe ditën për t’jua ndriçuar juve gjithçka. Vërtet që në këtë ka tregues për një popull që dëgjon (e mendon thellë).

68. Ata (jehuditë, të krishterët, paganët) thanë: “Allahu ka lindur djalë.” Lavdi i qoftë Atij! Ai është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë). Atij i përkasin ç’është në qiej e ç’është në tokë. Asnjë të drejtë ju nuk keni për këtë (që thoni). A thoni për Allahun çfarë ju nuk dini?

69. Thuaj: “Padyshim se ata që trillojnë gënjeshtër kundër Allahut, kurrë nuk do të jenë të fituar.”

70. Një kënaqësi e shpejtë në këtë botë! - E pastaj te Ne do të jetë kthimi i tyre dhe Ne do t’i bëjmë ata të shijojnë dënimin më të rreptë, sepse ata gjithnjë mohuan e nuk besuan.

71. Lexoju atyre lajmet për Nuhun, kur ai i tha popullit të tij: “O populli im, në qoftë se qëndrimi im në mesin tuaj dhe përkujtimi im i Ajeteve të Allahut është i rëndë për ju, atëherë unë i jam mbështetur Allahut. Kështu pra, ju vendosni për qëllimin tuaj, ju dhe shokët (të adhuruarit) tuaj dhe mos e mbani fshehtë. Pastaj zbatoni dënimin tuaj mbi mua dhe mos më jepni aspak afat.

72. Por nëse ju shmangeni (duke mos pranuar fjalën time të Besimit të Pastër Islam), atëherë unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim; shpërblimi im është vetëm prej Allahut dhe unë jam urdhëruar të jem prej muslimanëve (prej atyre që i nënshtrohen Vullnetit të Allahut).”

73. Ata e mohuan atë (Nuhin), kështu që Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në anije dhe Ne i bëmë ata (që qenë në anije) breza trashëgues duke u zëvendësuar njëri pas tjetrit, ndërkohë që Ne i mbytëm (në tufan) ata që përgënjeshtruan Ajetet Tona. Shiko pra se çfarë ishte fundi i atyre që qenë këshilluar!

74. Pas tij Ne sollëm të Dërguar te popujt e tyre, ata u sollën atyre shenja të qarta, por ata nuk mund të besonin atë që ata e kishin hedhur poshtë që më parë. Kështu Ne i vulosim zemrat e Mu’ëtedinëve (shkelësve të kufijve, keqbërësve, që nuk besojnë në Njësinë e Allahut dhe nuk i binden Atij).

75. Më vonë pas tyre Ne dërguam Musain dhe Harunin te Faraoni dhe prijësit e tij me Ajetet Tona. Por ata u sollën me arrogancë dhe ishin njerëz Muxhrimunë (kriminelë, keqbërës, mosbesimtarë, mëkatarë).

76. Kështu pra, kur u erdhi atyre e vërteta prej Nesh, thanë: “Kjo me të vërtetë që është magji e kulluar.”

77. Musai u tha: “A këtë e thoni për të vërtetën, ndërkohë që ajo ju ka ardhur juve? A mos është kjo magji? Por magjistarët nuk do të jenë të fituar.”

78. Ata i thanë: “A ke ardhur tek ne që të na largosh nga ai besim të cilin i gjetëm baballarët tanë ta ndjekin dhe që ju të dy të mund të keni madhështi në tokë? Ne nuk do t’ju besojmë ju të dyve!”

79. Ndërsa Faraoni tha: “Më sillni të gjithë magjistarët më të përgatitur.”

80. Dhe kur erdhën magjistarët, Musai u tha: “Hidhni në shesh çfarë doni të hidhni!”

81. Pastaj kur ata i nxorrën në shesh të tyret, Musai u tha: “Ajo që ju keni sjellë është magji, Allahu padyshim që do ta asgjësojë atë. Vërtet që Allahu nuk e drejton punën e Mufsidunëve (të keqbërësve, të korruptuarve, të prishurve).

82. Ndërsa Allahu do ta vendosë dhe do ta dallojë të vërtetën me Fjalët e Tij, sado që të mund ta urrejnë atë Muxhrimunët (kriminelët, mosbesimtarët, keqbërësit).”

83. Për shkak të frikës së Faraonit dhe të prijësve të tij se mos do t’i persekutonin, askush nuk e besoi Musain përveç pasardhësve të popullit të tij dhe vërtet Faraoni ishte tiran arrogant në tokë, ai me të vërtetë që ishte prej Musrifunëve (politeistë, mëkatarë që tejkalojnë çdo kufi).

84. Dhe Musai tha: “O populli im! Në qoftë se ju keni besuar në Allahun, atëherë i vini shpresat tek Ai, nëse jeni Muslimanë (ata që i nënshtrohen Vullnetit të Allahut).”

85. Ata thanë: “Tek Allahu ne mbështetemi. Zoti ynë! Mos na bëj ne sprovë për popullin Dhalimun (politeist, keqbërës, shtypës).

86. Dhe me Mëshirën Tënde, na shpëto nga populli mosbesimtar.”

87. Dhe Ne e frymëzuam Musain dhe vëllain e tij (duke u thënë): “Zini vendbanime për popullin tuaj në Egjipt, i bëni edhe vende adhurimi vendbanimet tuaja dhe kryeni rregullisht faljet e përcaktuara. Dhe përgëzoi besimtarët.”

88. Ndërsa Musai tha: “Zoti ynë! Ti vërtet u ke derdhur Faraonit dhe prijësve të tij madhështi e pasuri në jetën e kësaj bote. Zoti ynë! Që të mund të t’i largojnë e t’i humbin njerëzit nga Udha Jote. Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoji zemrat e tyre, që të mos besojnë derisa ta shohin dënimin e dhimbshëm.”

89. Allahu tha. “Padyshim që duaja e ju të dyve është e pranuar, kështu që ju përmbajuni Udhës së Drejtë, e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk e dinë (të vërtetën e besimit të Allahut Një).”

90. Kështu Ne i morëm Bijtë Israilit përmes detit, ndërsa Faraoni me ushtritë e tij i ndoqi me agresivitet dhe armiqësisht, derisa kur e mbuloi dallga mbytëse, ai tha: “Unë besoj se La ilahe il-la (nuk ka të adhuruar tjetër më të drejtë) përveç (Atij) në të Cilin besojnë Bijtë e Israilit dhe unë jam prej atyre (që i nënshtrohen Vullnetit të Allahut) që janë muslimanë.”

91. Tash (ti beson)!? Ndërsa nuk pranove të besoje më parë dhe ishe prej Mufsidunëve (keqbërësve, të korruptuarve).

92. Kështu, këtë ditë, Ne do ta nxjrrim trupin tënd (të vdekur nga deti) që të jesh si shenjë treguese për ata që do të vijnë pas teje! Dhe vërtet që shumë nga njerëzit janë të pavëmendshëm ndaj Ajeteve Tona.

93. Dhe kësisoj Ne me të vërtetë i vendosëm Bijtë e Israilit në vendbanime të nderuara (në Sham dhe Misir) duke i furnizuar me begatitë më të mira dhe ata nuk patën mosmarrëveshje derisa erdhi dija ndër ta. Sigurisht Allahu do të gjykojë mes tyre në Ditën e Kijametit për çfarë ata ndryshuan.

94. Kështu që, nëse ti (O Muhammed) je në dyshim për atë që Ne të kemi shpallur ty, atëherë pyeti ata që po i lexojnë Librat (e Parë, Teuratin dhe Inxhilin) para teje. Nuk ka dyshim se e vërteta të ka ardhur ty nga Zoti yt. Të mos jesh pra prej atyre që dyshojnë.

95. Dhe të mos jesh prej atyre që përgënjeshtrojnë Ajetet e Allahut, pasi kështu do të jesh prej të humburve.

96. E vërtetë! Ata të cilët merituan Fjalën (Zemërimin) e Zotit tënd, nuk do të besojnë,

97. Edhe sikur atyre t’u vinte çdo shenjë, derisa të shohin dënimin e dhimbshëm.

98. A mos pat ndonjë vendbanim që besoi (derisa pa ndëshkimin) dhe Besimi i tyre atë çast, a e shpëtoi atë? - Përveç popullit të Junusit; kur ata besuan, Ne e larguam prej tyre dënimin poshtërues në jetën e kësaj bote dhe i lejuam ta shijonin për një kohë.

99. Dhe po të kishte dashur Zoti yt, të gjithë ç’janë në tokë do të kishin besuar pa përjashtim, të gjithë së bashku. Kështu, a ti do t’i detyrosh njerëzit (O Muhammed) derisa ata të bëhen besimtarë (kundër dëshirës së lirë të vetë atyre)?

100. Nuk është për askënd të besojë përveçse me Lejen dhe Vullnetin e Allahut dhe Ai do të lëshojë dënimin mbi ata që nuk mendojnë.

101. Thuaju: “Vështroni gjithë ç’ka në qiej dhe në tokë!” Por asnjë Ajet (provë, shenjë, shpallje) dhe as këshillues nuk sjell dobi për popullin që nuk beson.

102. Atëherë, a mos presin (gjë tjetër) përveç (shkatërrimit) si në kohët e atyre që kaluan para këtyre? Thuaju: “Prisni atëherë, se edhe unë jam prej atyre që presin.”

103. Atëherë, më në fund, Ne i shpëtojmë të Dërguarit Tanë dhe ata që besojnë! Në këtë mënyrë është e përshtatshme për Ne që të shpëtojmë besimtarët.

104. Thuaj: “O njerëz! Nëse jeni në dyshim për fenë time (Islamin), dijeni atëherë se unë nuk do t’i adhuroj kurrë ato që i adhuroni ju përveç Allahut, por unë adhuroj Allahun i Cili ju sjell juve vdekjen. Dhe unë jam urdhëruar të jem prej besimtarëve.

105. Dhe (më është shpallur mua): Ktheje fytyrën tënde plotësisht drejt fesë Hanifa (Islamit të pastër, të adhurimit të askujt tjetër përveç Allahut) dhe të mos jesh kurrë prej Mushrikëve (mosbesimtarëve të Islamit, politeistëve, paganëve etj).

106. Dhe mos lut tjetër përveç Allahut, çfarëdo qoftë, që kurrë nuk do të të sjell ty përfitim dhe as nuk do të të dëmtojë, por në rast se vepron kështu, atëherë patjetër që do të jesh prej Dhalimunëve (mohuesve, keqbërësve).”

107. Edhe në qoftë se Allahu të prek me ndonjë lëndim, nuk ka kush tjetër që të mund ta heqë atë përveç Atij; edhe në qoftë se Ai dëshiron për ty ndonjë të mirë, nuk ka kush tjetër që mund ta zbrapsë Mirësinë e Tij të cilën Ai e bën ta arrijë cilindo nga robët e Tij që Ai do. Dhe Ai është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.

108. Thuaj: “O njerëz! Tashmë e Vërteta (Kur’ani, Islami, Pejgamberi i fundit Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ju ka ardhur nga Zoti juaj, kështu që kushdo që drejtohet, drejtohet për veten e tij dhe kushdo që humb rrugën, humbet për veten e tij, ndërsa unë nuk jam vënë mbi ju Vekil (mbikqyrës e rregullues i punëve tuaja).”

109. Dhe ndiqe frymëzimin e dërguar te ti (O Muhammed) dhe qëndro atje derisa Allahu të japë gjykim. Dhe Ai është më i Miri i gjykatësve.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free